TAKIMI I JUSUFIT DHE BENJAMINIT

Falënderojmë Allahun, i Cili i ka bërë tregimet ushqim të mendjes dhe shpirtit. Përshëndetjet dhe selamet qofshin për Pejgamberin a.s., për familjen e tij, shokët e tij të mirë e të pastër dhe për ata të cilët i pasojnë ata deri në Ditën e Gjykimit.

Mendja dhe shpirti ushqehen siç ushqehen trupat, mbushen siç mbushen trupat, forcohen siç forcohet hekuri. Mendjet mbushen siç mbushen trupat, kërkoni ushqimin e mendjes në urtësi.

Tregimet janë ushtri prej ushtrive të Allahut të Madhërishëm. Allahu me këto tregime forcon zemrat e besimtarëve.

Tregimet kur’anore nuk janë tregime për agëtim dhe për zbavitje. Nuk janë për humbje kohe, por për mësim dhe përfitime. Duhet t’i lexojmë tregimet kur’anore që të përfitojmë dhe të veprojmë. Zoti i Madhërishëm thotë:

“Të gjitha këto që t’i tregojmë ty nga lajmet e pejgamberëve, janë që të forcojnë zemrën tënde.”

Duhet të kuptojmë se historitë e Kur’anit janë mësime dhe këshilla për të logjikshmit, nuk janë proverba të trilluara. Në ajetet e para të sures Jusuf Zoti i Madhërishëm thotë: “Ne me të shpallur të këtij Kur’ani po të rrëfejmë ty (Muhamed) me të bukurin rrëfim, edhe para tij ishe nga të painformuarit” (Jusuf, 3).

Dhe përfundon surja Jusuf me ajetin: “Në tregimet e tyre (të dërguarve dhe të Jusufit me vëllezër) pati mësime e përvojë për të zotët e mendjes. Ai (Kur’ani) nuk është bisedë e trilluar, por vërtetues i asaj që ishte më parë (librave të shenjta) dhe sqarues i çdo sendi, e edhe udhërrëfyes e mëshirë për një popull që beson.” (Jusuf, 111).

Në këtë histori shohim suksesin dhe shpëtimin e besimtarëve dhe shkatërrimin e pabesimtarëve, e cila është mësim dhe këshillë për njerëzit me logjikë të shëndoshë dhe me ide të drejta.

Plani realizohet me dredhinë që e bëri Jusufi a.s. Jusufi e planifikoi çështjen që të pafajshmin ta akuzojë për vjedhje, e që ata të brengosen për Jakubin a.s., pasi që e kishte kuptuar se ishin përmirësuar, në të njëjtën kohë për të rregulluar çështjet për të ardhmen, dhe me shpalljen e cila patjetër se duhet të realizohet, dhe me dëshirën e Allahut që t’i sprovojë.

Kjo është ajo çka ka ndodhur në udhëtimin e dytë të djemve të Jakubit nga Palestina në Egjipt për t’u furnizuar me artikuj ushqimorë. Jusufi a.s. takohet me vëllanë e tij Benjaminin, vetmohet me të, ia tregon çështjen, ai e kupton se është vëllai i tij. Pastaj i thotë: Mos u brengos, mos ndiej keqardhje dhe mos u pikëllo për atë që më ka ndodhur. E urdhëron që sekretin të mos ua tregojë vëllezërve të tij. U pajtuan që të mbetet me të i nderuar, i vlerësuar dhe i respektuar.

Këtë ngjarje e tregon Kur’ani:

“E kur hynë te Jusufi, ai (Jusufi) e afroi pranë vetes vëllanë e vet (Binjaminin) dhe tha: ‘Unë jam vëllai yt, e ti mos u pikëllo për atë që ata vepruan!’” (Jusuf: 69).

Sekretet mbani mes vëllezërve, mos ia shpalosni çdokujt.

Vëllezër të nderuar!

Jusufi ua përgatit ngarkesën, pra e përgatiti mënyrën e furnizimit me ushqim. Pasi i ngarkoi barrët me ushqim, u thotë disa prej shërbëtorëve që kupën prej argjendi ta vendosin nën ngarkesën e vëllait Benjamin, dhe që të mos e di askush.

Janë bërë gati për të shkuar. Kur janë bërë gati për të shkuar, një thirrës ka thirrur: “O pronarë të karvanit, ndaluni! Ju jeni hajdutë.”

Ata befasohen dhe poshtërohen. Pastaj shkojnë te thirrësi dhe i thonë: “Çka ju mungon?”

I përgjigjen: “Na mungon gota e mbretit me të cilën i peshojmë artikujt ushqimorë. Nëse ndonjëri nga pjesëtarët e ka gotën e mbretit në barrën e grurit, ai është përgjegjës.”

Pasi janë akuzuar për vjedhje, vëllezërit e Jusufit kanë thënë: “Për Zotin, ne ju kemi treguar herën e parë. E dini se ne nuk kemi ardhur për të shkaktuar trazira në tokën tuaj, e dini se ne nuk kemi ardhur për vjedhje, kurrë nuk kemi vjedhur. E dini se ne nuk shkelim të drejtën e asnjë njeriu. Familja jonë nuk e ka këtë veti.”

Shërbëtorët e Jusufit kanë thënë: “Nëse është në mesin tuaj, atëherë çfarë dënimi parashihet në qoftë se e gjejmë në mesin tuaj?! Çfarë dënimi parashihet për vjedhësin nëse e konsideroni se jemi duke gënjyer kur po ju akuzojmë?!”

Ata përgjigjen: “Në bazë të ligjit tonë, ai i cili e ka marrë dhe gjendet në ngarkesën e tij, ai merret si kompensim. Kështu ne i dënojmë kriminelët të cilët vjedhin, kështu dënohen hajdutët.”

Kjo do të thotë se pronësohet hajni, ashtu siç e ka pronësuar sendin e vjedhur. Kjo dëshmon për ligjësimin e kësaj forme dhe për mënyrën e dënimit. Ky ligj është ligji i Ibrahimit dhe Jakubit a.s. Këtë e dëshironte Jusufi dhe ishte pjesë e zbatimit të planit të tij.

Fillojnë dhe i kontrollojnë ngarkesat e tyre para se të kontrollojnë ngarkesën e Benjaminit, që të mos dyshohen. Pastaj e kontrollojnë dhe nxjerrin gotën nga ngarkesa e vëllait të tij Benjaminit. Beniamini e pranon se ai e kishte marrë gotën dhe në bazë të ligjit të tyre duhej të merrej peng.

Kjo mënyrë e dredhisë, pra planifikimit të fshehtë, siç e ka planifikuar Jusufi në fshehtësi dhe si e ka inspiruar Allahu që të veprojë ashtu që ta merrte vëllanë e tij, është e ligjshme, pasi në bazë të saj realizohet interesi i mirë. Kjo llogaritet dredhi ligjore, nga e cila rezulton dobi në të ardhmen, por pa e dëmtuar askënd.

Po të mos ishte ky planifikim, Jusufi nuk do t’ia arrinte qëllimit për ta marrë vëllanë sipas sistemit ligjor të mbretit të Egjiptit, ku në bazë të ligjit të Egjiptit nuk zëvendësohej hajni me sendin e vjedhur. Jusufi e ka ditur ligjin e Jakubit. Në asnjë mënyrë nuk do të kishte mundësi në bazë të sistemit të mbretit, por vetëm në bazë të dëshirës së Allahut. Ai ka vepruar kështu me lejen dhe nga shpallja prej Allahut, gjë që tregon se ajo dredhi ligjore ka qenë e lejuar nga Allahu i Lartë dhe i Urtë. Zoti i Madhërishëm thotë: “Mbi çdo të ditur, ekziston një edhe më i ditur.”

Kjo nënkupton se: “Për nga dituria njerëzit janë kategori mbi kategori. Për çdo dijetar, patjetër se duhet të ketë më të ditur.” Përderisa vëllezërit e Jusufit kanë qenë dijetarë, atëherë Jusufi ka qenë më i ditur se ata.

Vëllezër të nderuar!

Kriza është ashpërsuar te bijtë e Jakubit në Egjipt dhe në mes tyre dhe babait të tyre në Palestinë. Ata kanë rënë në krizë të thellë dhe në greminën e pakapërcyeshme. Del në shesh natyrshmëria e tyre, edhe pse ata ishin të pafajshëm në rastin e ndodhjes së vjedhjes. Ngjarja ka ndikuar që ta humbin kontrollin krejtësisht. Kanë filluar me akuza të padrejta, kanë filluar të frikësohen nga takimi me babanë, kanë filluar të frikësohen nga dhembja dhe nga fatkeqësia e re, atëherë kur të ktheheshin te babai i tyre pa Benjaminin.

Si kanë vepruar në momentin kur janë akuzuar? Vëllezërit e Jusufit e kanë shprehur natyrshmërinë e tyre dhe mendimet e këqija të tyre karshi Jusufit. E akuzojnë se ai ka vjedhur kur ishte i vogël dhe se që të dy vëllezërit janë hajna. Kanë thënë: “Nëse Benjamini e ka vjedhur gotën, njësoj edhe vëllai i tij Jusufi ka vjedhur më herët, ata nga natyra e tyre janë të këqij.”

Jusufi nuk flet asgjë për ta, por vetëm është larguar prej tyre dhe në vetvete ka thënë: “Ju jeni në pozitë më të vështirë se ai të cilin e akuzoni për vjedhje, sepse ju e keni vjedhur vëllanë tuaj nga babai juaj dhe e keni hedhur në pus për ta shkatërruar dhe për t’u liruar prej tij. Allahu di se me çka ju kujtohet dhe çka pretendoni.”

Zoti i Madhërishëm thotë:

(Vëllezërit) Thanë: “Në pastë vjedhur ky, ka pasur vjedhur më parë një vëlla i tij.”

Jusufi këtë e mbajti fshehtë në vete, e nuk ua zbuloi atyre dhe tha:

 “Ju jeni në pozitë më të keqe (këtë e tha me vetvete e jo atyre), Allahu e di më mirë për atë që trilloni.” (Jusuf: 77)

Pastaj kanë kërkuar ndërmjetësim te Jusufi duke thënë: “O mbret, ai ka një babë plak, këtë djalë e do së tepërmi, në vend të tij ndale ndonjërin nga ne, ne e kemi vërejtur se je njeri i mirë, kur na ke nderuar dhe na ke furnizuar me ushqim.”

Jusufi thotë: “Zoti më mbrojttë dhe te Ai kthehem dhe pendohem, po ta ndaloja dikë tjetër te i cili nuk ka qenë gota, po të vepronim ashtu do të bëheshim kriminelë, sepse atëherë do ta dënonim të pafajshmin.”

Vëllezër të nderuar!

Kur vëllezërit e Jusufit i kanë humbur shpresat për ta liruar vëllanë e tyre Benjaminin, për të cilin i kishin premtuar babait të tyre se do t’ia kthejnë shëndoshë e mirë, ata janë larguar dhe kanë filluar të bisedonin në mes vete. Më i madhi i tyre, Simeoni, e jep një mendim me kujdes dhe me dituri, edhe pse ishte më i vjetri: “A nuk i keni premtuar babait se do t’ia ktheni Benjaminin? Më herët e keni tepruar me Jusufin. Unë kurrë nuk do ta lëshoj Egjiptin derisa të më jep leje babai im, ose derisa të më mundësojë Allahu që ta rikthej vëllanë tim Benjaminin. Kthehuni te babai juaj dhe thojini: ‘O ati ynë, djali yt vodhi, ne dëshmojmë vetëm për atë që dimë, e për të fshehtën ne nuk ishim roje!’ Allahu është vendimmarrësi më i mirë për drejtësi dhe për të vërtetën.”

Kthehuni te babai juaj dhe thojini: “O babai ynë, djali yt e ka vjedhur gotën e mbretit dhe e ka pronësuar Azizi i Egjiptit. Ne nuk dimë asgjë për vjedhjen, vetëm atë çka e kemi mësuar dhe e kemi kuptuar më vonë. Ne nuk e kemi ditur të fshehtën se ai mund të vjedhë, atëherë të kishim premtuar se do ta kthenim prapë. O babai ynë, nëse nuk na beson, atëherë pyeti banorët e atij vendi ku kemi qëndruar, pra, banorët e Egjiptit, pyeti edhe pjesëtarët e karvanit të cilët ishin me ne gjatë furnizimit me mallra ushqimorë. Ne jemi të sinqertë në atë që themi.”

U kthyen vëllezërit e pikëlluar në shtëpi, i thanë babait të tyre:

– O baba, djali yt ka vjedhur.

Ne e flasim të vërtetën, por ti prapë nuk po beson.

Por Benjamini në të vërtetë nuk kishte vjedhur.

Jakubi a.s. duroi e duroi, duroi më shumë se kurdoherë tjetër. Ishte i bindur se Zoti do ta shpërblente për durimin e tij, se Zoti do ta shpërblente për humbjen e djemve të tij, se Zoti do t’ia kthente të dy djemtë e humbur. Jakubi thotë: “Ju e keni zbukuruar një çështje tjetër të cilën e keni dëshiruar dhe keni bërë dredhi të re, por durimi është çështja më e mirë.”

Ai as nuk ka kritikuar dhe nuk i është ankuar askujt pos Allahut, se ndoshta Allahu do t’i kthejë të tre djemtë. Dhe ua ktheu shpinën e tha: “O dëshpërim i imi për Jusufin!” dhe nga pikëllimi iu zbardhën të dy sytë, por i përmbajtur (nga pikëllimi).

Ata thanë: “Për Allahun, ti vazhdimisht e përkujton Jusufin derisa do të sëmuresh rëndë e do të shkatërrohesh.”

Ai (Jakubi) tha: “Unë hidhërimin tim dhe pikëllimin tim ia parashtroj Allahut, e unë di për Allahun atë që ju nuk e dini.”

Vëllezër të nderuar!

Pikëllimi i Jakubit ka filluar të përsëritet me ngjarjen e Benjaminit. Jakubi a.s. ka nofkën: “Personi i dy pikëllimeve.” Jakubi a.s. sprovohet me sprovë të re, kur e dërgon djalin tjetër, Benjaminin. Jakubi a.s. ka thënë: “Allahu e di më së miri gjendjen time. Ai është i urtë në përcaktimin e çështjeve. Ai është i urtë në veprimet e çështjeve.”

Ua kthen shpinën djemve dhe ka filluar të pikëllohet. Nga pikëllimi i është formuar një perde në thjerrëzën e syve të tij; për shkak të pikëllimit dhe dhembjes së madhe është verbëruar. Ai e fshihte mallëngjimin dhe dhembjen e tij, e ka fshehur mërzinë dhe brengën e tij.

Pastaj fëmijët i kanë thënë: “Për Zotin, a ende po e mendon Jusufin, e cila çështje po të lodh, po të shkakton dhembje dhe po të shkatërron, ose edhe do të vdesësh?”

Ai u thotë: “Unë nuk ankohem për veten time, pikëllimin tim ia parashtroj vetëm Allahut, dhe di nga Allahu atë që ju nuk e dini, pra shpresoj të gjitha të mirat dhe në të gjitha begatitë.”

Vëllezër të nderuar!

Jakubi a.s. i urdhëron bijtë për të shkuar në Egjipt: “Pyetni a ka ndonjë lajm për Jusufin dhe vëllanë e tij!” Jakubi u ka thënë bijve të tij: “O bijtë e mi, shkoni në Egjipt, dhe mësoni çështjen e Jusufit dhe vëllait të tij Benjaminit, dhe kurrë mos e humbni shpresën te Allahu për tejkalimin e fatkeqësisë, sepse shpresën në Allahun e humbin pabesimtarët, të cilët e mohojnë fuqinë e Tij, urtësinë dhe mëshirën e Tij.”

Jakubi a.s. i urdhëron bijtë për të shkuar në Egjipt, nga kishin ardhur dhe ku i kishin lënë vëllezërit, Benjaminin dhe Rubejlin. Nga Siria shkuan në Egjipt. Kur hynë te Jusufi a.s., kanë dashur ta testojnë dhe të shprehin ndjenjat duke treguar gjendjen e keqe të tyre dhe vështirësinë e tyre, dhe se babai i tij mendonte se mbreti i Egjiptit mund të jetë Jusufi.

I thonë: “O mbret i drejtë dhe i mëshirshëm, familja jonë është në gjendje të rëndë, familja jonë është në krizë ekonomike, jemi të lodhur nga rruga e mundimshme. Çështja e Benjaminit e ka mërzitur babanë tonë dhe të gjithë të tjerët. Kësaj radhe nuk kemi mjete të mjaftueshme për të paguar furnizimin me ushqim; nëse bëni tolerim, pranojeni këtë shumë të pamjaftueshme, nuk përfiton asgjë nga kjo shumë. Nëse keni ndonjë qëllim të mirë, pranojeni këtë kompensim me ushqimin që do të na jepni. Nëse shuma me dërhemë nuk e mbulon sasinë e mallit, atëherë na plotëso furnizimin me ushqim siç ke vepruar më parë. Na ke mësuar me sjellje të mirë ndaj nesh, atëherë na furnizo me ushqim shtesë dhe na jep në formë lëmoshe. Allahu i do ata të cilët japin lëmoshë dhe i shpërblen për veprat e tyre.”

Pasi e treguan gjendjen e vështirë ekonomike, pasi e treguan gjendjen e vështirë të familjes dhe kërkuar mirëkuptim, Jusufi e çel zemrën e tij dhe i mëshiron për t’ju bërë të mundshme ta mësojnë të vërtetën dhe veprimet e turpshme të mëhershme: “A e dini se çka keni vepruar me Jusufin dhe me vëllanë e tij Benjaminin, kur i keni ndarë nga njëri-tjetri që në vegjëli? A ju kujtohet kur Jusufin e keni hedhur në pus dhe është kanosur me vdekje? A ju kujtohet kur keni vepruar me egërsi dhe me injorancë ndaj tij, duke filluar me mosrespektim ndaj prindërve, pastaj edhe ndërprerjen e lidhjeve farefisnore? Ky është mëkat injorance, ose padituri rinie, dhe veprim i pamenduar…”

Duke e kuptuar, duke e dëshmuar dhe duke e vërtetuar, i drejtohen dhe i thonë: “Me të vërtetë, ti je Jusufi!”

E kanë kuptuar në bazë të disa shenjave të veçanta të cilat i ka pasur në trup. Atëherë në shpejtësi përgjigjet:

“Unë jam Jusufi, të cilit i është bërë padrejtësi. Unë jam i paafti të cilit i ka ndihmuar Allahu. Allahu më ka mbrojtur dhe më ka mundësuar të arrij këtë pozitë të cilën po e shihni. Ky është Benjamini, nga i cili më keni ndarë. Edhe Benjaminit i është bërë padrejtësi sikurse mua; pastaj, me ndihmën e Allahut edhe ai është begatuar ashtu siç po e shihni. Allahu me mirësinë e Tij na ka bashkuar, pasi për shumë vite ishim të ndarë, dhe na ka graduar në këtë botë dhe në botën tjetër. Ai i cili i frikësohet Allahut, i cili nuk bën mëkate dhe duron në sprova me të cilat ballafaqohet, si p.sh. me hedhjen në pus, me burgosje, Allahu nuk ia humb meritat e punëve të mira në këtë botë dhe në botën tjetër.”

Kjo është dëshmi prej Allahut Famëlartë se Jusufi ishte prej të devotshmëve durimtarë dhe vepërmirë.

Përfundim

Duke dëshmuar të vërtetën dhe duke pranuar mirësinë e tij, vëllezërit përgjigjen:

“Për Zotin, Allahu të ka graduar më shumë se ne, të ka pajisur me dituri, urtësi dhe me edukatë, të ka pajisur me pasuri dhe me udhëheqje, të ka pajisur me pejgamberi dhe me shpallje, edhe pse ne kemi gabuar në të drejtën tënde.”

Pas këtij arsyetimi dhe pas këtij pendimi, duke paraqitur pranimfaljen, Jusufi thotë:

“Allahu ju faltë mëkatet dhe padrejtësitë tuaja. Ai është më i mëshirshmi i të gjithë mëshiruesve, ndaj atyre të cilëve pendohen dhe kthehen te Ai me devotshmëri.”

Kjo mënyrë e faljes së mëkatit është mënyrë shembullore e faljes së mirë dhe fisnike.

Njëjtë ka vepruar pejgamberi ynë me banorët e Mekës, kur e ka çliruar Mekën, duke dëshmuar me fjalët e Jusufit. Pasi është bërë lajmërimi se:

Kush hyn në Qabe është i sigurt.

Kush hyn në shtëpinë e Ebu Sufjanit është i sigurt.

Kush rri në shtëpinë e tij është i sigurt.

Pastaj Muhamedi a.s. i pyeti banorët e Mekës, të cilët e kishin dëbuar nga Meka: “Çka mendoni, si do të veproj me juve?”

Të gjithë iu përgjigjën: “Ti je fisnik, vepro si të duash.”

Muhamedi a.s. u tha: “Shkoni nëpër shtëpitë tuaja të sigurt, ju jeni të lirë.”

Zoti ynë, Krijuesi i qiejve dhe i tokës, Ti je ndihmëtari ynë.

Zoti ynë, Ti kujdesesh për çështjet tona në këtë botë dhe në botën tjetër!

Zoti ynë, bëna që të vdesim muslimanë, të nënshtruar dhe të dorëzuar te çështja Jote!

Zoti ynë, na përcjell te të mirët prej prindërve dhe gjyshërve tanë!

Ti je i Mëshirshëm, Fisnik, Ti ke mundësi për gjithçka!

Dr. Musli Vërbani

“PËRFITO DHE MËSO NGA HUTBET E SURES JUSUF”

Lini një koment