Falënderojmë Allahun, i Cili i ka bërë tregimet ushqim të mendjes dhe shpirtit.
Përshëndetjet dhe selamet qofshin për Pejgamberin a.s., për familjen e tij, shokët e tij të mirë e të pastër dhe për ata të cilët i pasojnë ata deri në Ditën e Gjykimit.
Mendja dhe shpirti ushqehen siç ushqehen trupat, mbushen siç mbushen trupat, forcohen siç forcohet hekuri.
Mendjet mbushen siç mbushen trupat, kërkoni ushqimin e mendjes në urtësi.
Tregimet janë ushtri prej ushtrive të Allahut të Madhërishëm. Allahu me këto tregime forcon zemrat e besimtarëve.
Tregimet kur’anore nuk janë tregime për agjërim dhe për zbavitje. Nuk janë përhumbje kohe, por për mësim dhe përfitime. Duhet t’i lexojmë tregimet kur’anore, të përfitojmë dhe të veprojmë. Zoti i Madhërishëm thotë:
“Të gjitha këto që t’i tregojmë ty nga lajmet e pejgamberëve, janë që të forcojnë zemrën tënde.”
Duhet të kuptojmë se historitë e Kur’anit janë mësime dhe këshilla për të logjikshmit, nuk janë proverba të trilluara. Në ajetet e para të sures Jusuf, Zoti i Madhërishëm thotë:
“Ne, duke e shpallur këtë Kur’an, po të rrëfejmë ty (Muhammed) me të bukurin rrëfim, edhe para tij ishe nga të painformuarit”. (Jusuf, 3)
Dhe e përfundon suren Jusuf me ajetin:
“Në tregimet e tyre (të dërguarve dhe të Jusufit me vëllezër) pati mësime e përvojë për të zotët e mendjes. Ai (Kur’ani) nuk është bisedë e trilluar, por vërtetues i asaj që ishte më parë (librave të shenjta) dhe sqarues i çdo sendi, e edhe udhërrëfyes e mëshirë për një popull që beson.” (Jusuf, 111)
Në këtë histori shohim suksesin dhe shpëtimin e besimtarëve dhe shkatërrimin e pabesimtarëve, e cila është mësim dhe këshillë për njerëzit me logjikë të shëndoshë dhe me ide të drejta.
Do të flas për komplotin në përgjithësi dhe për komplotin e vëllezërve të Jusufit në veçanti. Kjo, pasi kemi folur për ëndrrën e Jusufit a.s. dhe pas konsultimit të tij me babanë e vet.
Brenga dhe frika e njeriut janë çështje të cilat dominojnë në brendi të njeriut.
Dobësia dhe paaftësia e njeriut janë çështje të cilat dominojnë te njeriu.
Egoizmi i njeriut është çështje e cila dominon te njeriu.
Të gjitha këto janë veti negative të cilat njeriu i ushqen në veten e tij dhe i përdor në rastet kur nuk përputhen me bazat morale dhe të etikës, dhe që nuk përkojnë me natyrshmërinë e drejtë.
Kështu kanë vepruar vëllezërit e Jusufit me të – është shembull i rrallë në përgatitjen e kurthit, në xhelozi dhe në komplotizëm të ulët.
Ekzistojnë lloje të komploteve:
- Komploti ndaj personalitetit,
- Komploti institucional,
- Komploti shtetëror.
Me fjalë të tjera, duke filluar nga denigrimi, nga eliminimi politik e deri te eliminimi fizik, me vrasje, me atentat e kështu me radhë.
Vëllezërit e Jusufit kanë planifikuar: ta likuidonin fizikisht ose institucionalisht.
Vëllezërit e Jusufit kanë planifikuar:
Ose ta mbysin nëpërmjet përdorimit të një mjeti shkaktues të vrasjes. Pra, kanë planifikuar që ta hedhin në një pus të thellë, ashtu që ose të vdesë aty,
Ose le ta marrë me vete ndonjë udhëtar, ashtu që t’i shërbejë ndonjë zotëriu.
Në të dy rastet do të çliroheshin prej tij.
Kjo është formë komploti të cilën e pasqyron Allahu i Madhërishëm se si vëllezërit e Jusufit kanë thënë:
“Mbyteni Jusufin ose hidheni diku larg në një vend, e babai juaj t’ju dojë juve, e pas asaj (pendohuni) bëhuni njerëz të mirë.” (Jusuf. 9)
Vëllezër të nderuar!
Çka i ka shtyrë vëllezërit e Jusufit që ta eliminonin Jusufin nga skena familjare?
Vëllezërit e Jusufit a.s. mendonin se babai i tyre e do më së shumti Jusufin a.s. Ata kanë thënë: “Për Zotin, Jusufi dhe vëllai i tij Benjamini janë më të dashur te babai ynë, përderisa ata janë të vegjël, ndërsa ne jemi burra të fortë dhe jemi shumë”.
Ata pretendonin se ishin një grup i cili edhe mund të dëmtojë, por edhe të sjellë dobi.
Ata e konsideronin veten të fuqishëm.
Ata pretendonin se ishin një grup i cili mbron edhe nënçmon, pra është e domosdoshme që t’i donte dhe t’i mbronte babai i tyre.
Mendonin se babai i tyre ishte me të vërtetë në humbje të qartë.
Mendonin se babai i tyre nuk vepron drejt.
Mendonin se babai i tyre është ndikuar nga dashuria për Jusufin dhe për vëllanë e tij, dhe se kjo dashuri ka ndikuar që të anashkalojë drejtësinë dhe barazinë.
“Po, si është e mundur të dallohen dy fëmijë të vegjël, të dobët, nuk ka dobi prej tyre, ata nuk janë të barabartë ndaj burrave të fortë!?”
“Po, si është e mundur që të duhen dy individë më shumë se një grumbull individësh!?”
Kjo logjikë e të menduarit është gabim, sepse Jusufi dhe vëllai i tij ishin jetimë të vegjël, u kishte vdekur nëna e tyre.
Zakonisht prindi:
- të voglin e mëshiron derisa të rritet,
- të sëmurin derisa të shërohet,
- të munguarin derisa të kthehet.
Vëllezërit e Jusufit nuk kanë mundur t’i kuptojnë shkaqet e kësaj mëshire dhe dhembshurie. Për këtë arsye kanë përgatitur komplotin.
Vëllezër të nderuar!
Ka filluar debati në mes vëllezërve ashtu siç debatohet në kuvende komunale për çështje shoqërore:
Njëri vëlla ka thënë:
Babai e do më së shumti Jusufin.
Tjetri ka thënë:
Ne e meritojmë të na dojë më shumë se atë.
I treti ka thënë:
Vërtet babai është në humbje të sigurt.
I katërti ka thënë:
Ta vrasim Jusufin.
I pesti ka thënë:
Hidheni në fund të ndonjë bunari, e merr atë dikush prej udhëtarëve.
I gjashti ka thënë:
Ky i fundit është mendimi më i mirë.
Më i guximshmi ka thënë: “As mos e mendoni që ta vrisni Jusufin, sepse vrasja është krim i madh, ai është vëllai juaj, por hidheni në thellësi të një pusi, ashtu që do ta vërejë ndonjëri nga tregtarët, të cilët udhëtojnë për tregti, kështu që çlirohemi prej tij një herë e përgjithmonë dhe realizohet qëllimi juaj, e ai qëllim është largimi i tij nga babai”.
Ky më i guximshmi ka thënë: “Nuk ka nevojë të vritet, nëse veç e keni vendosur ta realizoni atë qëllim, pra që të veproni atë që është më e mira e mundshme për ju. Ky është mendimi im”.
Zoti i Madhërishëm thotë:
Njëri prej tyre tha:
“Mos e mbytni Jusufin, e në qoftë se jeni për të bërë diçka, lëshojeni atë në fund të bunarit, do ta marrë atë dikush prej udhëtarëve”. (Jusuf: 10)
Në fund të bisedave për ta eliminuar Jusufin a.s. në përgjithësi janë dhënë dy mendime:
Mendimi i parë: Ta mbysin Jusufin dhe të zgjidhet çështja.
Mendimi i dytë: Ta largojnë dhe dëbojnë në një vend të panjohur, nga ku nuk mund të kthehet te prindi i tij, dhe të absorbohet dashuria e tij për të dhe të kthehet në drejtim tonin.
Ky komplot pasqyron natyrshmërinë e poshtër njerëzore.
Urrejtja, zilia dhe xhelozia kanë ndikuar në një veprim të tillë, pra për të shkaktuar gjakderdhje.
Lakmia dhe interesi personal kanë ndikuar për një veprim të tillë.
Urrejtja dhe xhelozia shkatërrojnë familje dhe shoqëri.
Lakmia dhe interesi personal shkatërrojnë institucione dhe shoqëri.
Kjo, duke pasur parasysh se babai Jakub a.s. nuk e ka dalluar djalin e tij në asgjë tjetër, përpos në dashuri ndaj tij; përderisa dashuria është çështje e zemrës, të cilën nuk mund ta kontrollojë njeriu, për këtë çështje njeriu arsyetohet dhe nuk mallkohet.
Mëkat tjetër i vëllezërve është kur janë pajtuar me ndërprerjen e lidhjeve farefisnore dhe veprimin e egër ndaj vëllait të tyre, duke mos pasur dhembshuri.
Mëkat tjetër i vëllezërve është kur janë pajtuar për të mos respektuar prindin, përderisa e kanë ditur se Jakubi është prej të dërguarve fisnik, sepse është e mundur që Allahu do ta zbulonte veprën e tyre të keqe dhe të shëmtuar.
Vëllezër të nderuar!
Pas përfundimit të diskutimit kanë ardhur në përfundim se pastaj, pas vrasjes së tij apo dëbimit të tij, do të pendohen te Allahu për mëkatin e bërë.
Vëllezërit e Jusufit kanë gabuar kur kanë thënë: “Do të kryejmë krim e pastaj do të pendohemi”, ashtu siç veprojnë disa injorantë, të cilët bëjnë gabime me qëllim e pastaj e bëjnë nijet të pendohen.
Ky veprim është veprim i cekët.
Ky veprim është veprim joserioz.
Ky veprim është tallje, sepse pendimi nuk është atëherë kur insistohet të bëhet krimi.
Ky veprim është veprim i keq, e zhyt njeriun në të keqen dhe në imoralitet.
Me këtë veprim pikësynohet kriminaliteti.
Edhe në ditët e sotme dëgjojmë ndonjërin duke thënë: “Do të falem kur të plakem”.
Ndonjë tjetër e dëgjojmë duke thënë: “Do të shkoj në haxh kur të plakem”.
Ndonjë tjetër e dëgjojmë duke thënë: “Do të agjëroj kur të jem i lirë”, e kështu me radhë.
Ndërsa harron se vdekja mund t’i vijë në befasi, por edhe nëse arrin atë moshë, ai prapë do t’i neglizhojë adhurimet dhe do të vdesë pa u penduar.
Shikoni pra!
Ata kanë qenë të paditur, andaj mos u bëni të paditur.
Ata kanë qenë të verbër, andaj mos u bëni të verbër ndaj realitetit.
Ata kanë qenë lakmitarë, mos u bëni lakmitarë.
Ata nuk e kanë llogaritur rezultatin final të çështjes, andaj llogariteni rezultatin final të çështjeve.
Ata kanë qenë shkurtpamës dhe pa vizion, andaj bëhuni largpamës dhe vizionarë, mos u bëni si vëllezërit e Jusufit.
Ata kanë qenë zemërgurë, mëkatarë ndaj Zotit të tyre. Andaj mos u bëni zemërgurë dhe mëkatarë.
Mos xhelozoni, mos urreni! Zoti i Madhërishëm thotë:
“… a mos ndonjëri prej jush dëshiron të hajë mishin e vëllait të vet të vdekur? Atë pra e urreni! Kini frikë nga ndëshkimi i Allahut…” (Huxhurat, 12).
Ata të cilët ia kanë sjellë prindit të tyre në moshë të vjetër të keqen më të madhe të mundshme… e ju bëhuni të mirë ndaj prindërve, sidomos në moshën e pleqërisë! Mos u sillni kokëçarje prindërve me veprimet e juaja.
Për t’u mbrojtur nga zilia ka zbritur sureja e posaçme në Kur’an, e ajo është surja Felek, ku Zoti i Madhërishëm thotë:
“Thuaj: I mbështetem Zotit të agimit,
Prej dëmit të çdo krijese, që Ai e krijoi.
Dhe prej errësirës së natës kur ngryset plotësisht.
Dhe prej dëmit të atyre që lidhin dhe fryjnë nyja.
Dhe prej dëmit të smirëkeqit kur sipas smirës vepron.”
Vëllezër të nderuar!
Dashuria dhe urrejtja janë natyrshmëri e njeriut dhe janë pjesë përbërëse të jetës së tij.
Dashuria ka ekzistuar prej Ademit a.s., ndërsa dashuria dhe urrejtja, pra që të dyja, në historinë e njerëzimit kanë filluar prej dy bijve të Ademit a.s. – Habilit dhe Kabilit.
Treguam dashurinë e vërtetë të Jakubit a.s. ndaj Jusufit, tani e kemi dashurinë e rreme të vëllezërve të Jusufit ndaj Jusufit a.s.
Vëllezërit e Jusufit e kanë ditur se rruga më e mirë për të realizuar suksesin e tyre është që të bëjnë komplot ndaj vëllait të tyre, Jusufit a.s.
Mirëpo, pengesë kryesore para tyre ishte mënyra se si ta mashtronin Jakubin a.s.
Atëherë grackën e kanë filluar me paraqitjen se e duan dhe kanë dëshirë ta merrnin me vete.
Kështu pra, me paraqitjen e tyre janë treguar se kinse janë të përgatitur për ta siguruar dhe për ta mbrojtur, kanë treguar se kanë përgatitje dhe aftësi, dhe se ata kanë mundësi që ta ruajnë dhe ta mbrojnë nga ujku.
Vëllezërit e Jusufit paraqiten kinse ata ia duan të mirën vëllait të tyre, paraqiten kinse ata e duan vëllanë e tyre, e këshillojnë për të mirë vëllanë e tyre.
I kanë thënë babait të tyre: “Pse nuk po e lejon që të vijë me ne për t’u argëtuar, pse nuk po e lejon që të vijë me ne për të luajtur, pse nuk po e lejon që të vijë me ne që të ushqehet me të mirat e pemëve dhe perimeve?”
Kjo mënyrë e paraqitjes së dashurisë së tyre dhe dhembshurisë së tyre është bërë nga shkaku se e kanë ditur se babai i tij e do Jusufin.
Kjo mënyrë e zotimit të tyre për ta mbrojtur është bërë nga shkaku se e kanë ditur se babai i tij e do Jusufin, kjo dashuri e babait ndaj Jusufit i ka hidhëruar ata dhe nuk kanë qenë të qetë nga ai fakt. E kanë ditur se babai i tyre e mbron Jusufin a.s.
Duhet pasur kujdes: në qoftë se ndokush paraqitet se të do, mirëpo pas asaj dashurie fshihet diçka e keqe.
Ndonjëri të do për interes personal, e pasi ta arrijë atë interes, largohet nga ti.
Ndonjëri paraqitet se të do, mirëpo ajo dashuri është e rreme, sepse ka për qëllim të përfitojë diçka prej teje.
Kujdes nga dashuria e verbër!
Kujdes nga dashuria e rreme!!
Ata thanë:
“O baba ynë, ç’ke që nuk na beson për Jusufin, e ne ia duam të mirën atij?” (Jusuf: 11)
Vëllezër të nderuar!
Përderisa vëllezërit e Jusufit e kishin profesion ruajtjen e bagëtisë dhe gjatë ruajtjes së bagëtisë luanin dhe argëtoheshin, atëherë e kanë gjetur edhe arsyen për ta lejuar Jusufin që t’u bashkëngjitej atyre.
Jusufi ishte në moshën e vegjëlisë.
Loja dhe argëtimi për fëmijën është çështje e dashur dhe e pëlqyer, por edhe e lejuar, posaçërisht para moshës së kryerjes së obligimeve.
Loja dhe argëtimi janë të lejuara me qëllim të zgjerimit të kraharorit, përsosjes së fizikut dhe kënaqësisë së shpirtit.
Lejohet që loja të jetë në fushën e cila e strukturon trupin dhe për t’u përgatitur për të ardhmen, si p.sh.: notimi, vrapimi, kalërimi, mundja, gjuajtja me shtiza e me mjete të tjera, e kështu me radhë. Në këtë kontekst e kuptojmë argëtimin dhe lojën.
Loja dhe argëtimi duhet të jenë deri në atë masë saqë, kur të fillojë koha e namazit, falet namazi dhe kryhet obligimi.
Edhe garat janë të lejuara nëse bëhen në fusha të ndryshme dhe nuk neglizhohen obligimet fetare. Prej garave mund të ketë edhe përfitime. Djemtë e Jakubit i kanë thënë babait të tyre:
“Dërgoje nesër atë me ne, le të hajë pemë dhe le të luajë, se ne me siguri do ta ruajmë atë.” (Jusuf: 12)
Babai i tyre, tashmë plak, fillon t’ua shprehë atyre frikën se, nëse e marrin Jusufin për zbavitje, atëherë ekziston mundësia që ta shqyejë ndonjë ujk.
Babai i tyre, tashmë plak, fillon t’ua shprehë atyre pikëllimin se, nëse e marrin Jusufin për argëtim, atëherë ekziston mundësia që të humbasë.
Mirëpo, vëllezërit e Jusufit i përgjigjen me metodologjinë e tradhtisë, vëllezërit e Jusufit i përgjigjen me metodologjinë e mashtrimit.
I tregojnë faktin babait të tyre se ata ishin një shoqëri prej burrash trima, andaj nuk është e mundur të jenë të paaftë për t’u ballafaquar me ujkun.
Tregojnë faktin se ata ishin të fuqishëm, andaj nuk është e mundur të jenë të paaftë për t’u ballafaquar me egërsirat. Zoti i Madhërishëm thotë: Ata thanë:
“Për Zotin, nëse e ha ujku, e duke qenë ne grup kaq i fortë, atëherë ne mos qofshim fare!” (Jusuf: 14)
Arsyetimi i Jakubit a.s. përmban dy çështje:
- Largimi i Jusufit prej tij e pikëllon dhe e mërzit,
- Frika se mund ta shqyejë ujku, eventualisht nëse e lënë pas dore gjatë zbavitjes së tyre.
Kjo i bie sikur dëshironte t’u tregonte me argumente, e njëkohësisht ka qenë edhe përgjigje se nuk u përket atyre që ta teprojnë me vëllanë e tyre, sepse, po qe se ndodh një gjë e tillë, ata do të dështonin, do të shkatërroheshin dhe nuk do të ishte e mirë dhe e dobishme për ta. Zoti i Madhërishëm tregon se Jakubi a.s. ka thënë:
“Unë mallëngjehem po të vijë me ju, e edhe kam frikë se do ta hajë ujku, kur mungon kujdesi juaj për të”. (Jusuf: 13)
Vëllezër të nderuar!
Bunari ka qenë i shkretë, nuk ka pasur ujë, ka qenë i shkretë. E kanë hedhur në të.
Pasi e kanë hedhur në bunar, e kanë marrë gjakun e një qengji, e kanë përlyer këmishën me gjakun e qengjit, pra me gjak të falsifikuar, për ta mashtruar babanë e tyre Jakubin.
Në mbrëmje janë kthyer dhe kanë thënë se e ka ngrënë ujku.
Duke pasqyruar këtë veprim të shëmtuar, Allahu i Madhërishëm thotë:
“E erdhën (i sollën) në këmishën e tij me gjak të rremë.” (Jusuf: 18)
Jakubi nuk kishte zgjidhje tjetër pos që të duronte, nuk kishte zgjidhje tjetër pos të mbështetej te Allahu nga përshkrimi i imagjinuar dhe nga gënjeshtrat e tyre.
Thëniet e tyre kanë dëshmuar se nuk e kanë treguar të vërtetën dhe se kanë gënjyer, sepse kanë pretenduar se e ka ngrënë ujku.
Ata e kanë ndier në vetvete se janë duke gënjyer kur i kanë thënë babait të tyre: “Ti nuk na beson neve, edhe po që se e themi të vërtetën”.
Sikur e kanë treguar veten e tyre se nuk janë seriozë dhe se janë duke gënjyer.
Gënjeshtrës së tyre dhe mashtrimit të tyre ia kanë bashkëngjitur faktin se:
ata e kanë marrë një qengj, e kanë prerë, pastaj me gjakun e qengjit e kanë përlyer këmishën e Jusufit dhe i kanë thënë babait të tyre: “Ja, kjo është këmisha e tij”. Zoti i Madhërishëm thotë:
“E në mbrëmje erdhën duke qarë te babai i tyre.” Thanë: “O baba ynë, ne shkuam të bëjmë gara, e Jusufin e lamë te teshat tona dhe atë e kishte ngrënë ujku. Ti nuk do të na besosh neve, edhe po të jemi të vërtetë!” (Jusuf: 16, 17)
Ata e kanë harruar se Allahu e di gjendjen e tyre, kanë harruar se u ndodh befasia, sepse ata kishin vendosur që Jusufin a.s. ta hidhnin në një pus, të cilin pus ata e dinin se ku ndodhej.
Allahu e ka inspiruar Jakubin që t’u tregonte se çka do të vepronin, ndërsa ata nuk e ndienin se çka e ka inspiruar Allahu pejgamberin e Tij. Kjo për shkak të qëndrimit të dobët të tyre dhe njohurisë së cekët të tyre.
Allahu e ka inspiruar Jakubin që t’u tregonte se çka do të vepronin, ndërsa ata nuk e ndienin se çka e ka inspiruar Allahu pejgamberin e Tij. Kjo për shkak të shkurtpamësisë së tyre.
Situata mbaron në mënyrë të poshtër.
Situata mbaron në mënyrë katastrofale.
Vëllezërit e tyre kriminelë kthehen në fund të ditës te babai i tyre me arsyetim mashtrues, vëllezërit e tyre kriminelë kthehen në fund të ditës te babai i tyre me sajim gënjeshtre.
Ata qanin në mbrëmje me lot mashtrimi. Mos e mashtroni babanë tuaj!
Ata e gënjenin babanë e tyre. Mos e gënjeni babanë tuaj!
Ata pretendonin se përderisa ata ishin argëtuar dhe kishin garuar në garën e vrapimit, Jusufin e kishin caktuar si roje të gjësendeve të tyre.
Jakubi e ka marrë në dorë këmishën, e ka fshirë fytyrën e tij me atë këmishë dhe ka qarë.
Pastaj i ka dhënë motiv vetes së tij, sepse e ka parë se këmisha nuk ishte e gërvishtur dhe nuk kishte shenja të thonjve shqyes, dhe me këtë e ka argumentuar se është gjak i falsifikuar, dhe u thotë atyre: “Sa i butë paska qenë ujku, e ka ngrënë Jusufin, ndërsa nuk ia ka gërvishtur këmishën e tij!”.
Ky është argument në fikh dhe në gjykata se “duhet të paraqiten faktet bindëse në atë që pretendohet”.
Përfundim
Jakubi u thotë atyre: “E keni zbukuruar veten tuaj me çështjen e keqe dhe të papëlqyeshme, me atë që ju nuk ju kujtohet…”
Ai tha:
“Jo, (nuk e ka ngrënë ujku), por epshet tuaja ua hijeshuan punën. Halli im është: durim i mirë. Allahu është Ai prej të cilit kërkohet ndihmë për këtë që përshkruani”. (Jusuf: 18)
Jakubi ka thënë: “Sa më përket mua, më mirë është që të duroj për çështjen për të cilën jeni dakorduar.”
Sa më përket mua, më mirë është t’i mbështetem Allahut në atë që ju e keni përshkruar derisa të kalojë pikëllimi dhe mërzia”.
Sa më përket mua, më mirë është t’i mbështetem Allahut në atë që ju e keni përshkruar derisa të tejkalohet fatkeqësia”.
Ky është dorëzim i çështjes te Allahu dhe kjo është mbështetje te Ai.
“Durimi i mirë”: është mosankimi. Mos u anko me nevojë dhe pa nevojë.
Për këtë arsye, kur është pyetur njëri prej të urtëve për sprovat të cilat e godasin njeriun se a janë dënim prej Allahut, fshirje e mëkateve apo ngritje në nivele të larta, është përgjigjur: “Nëse të godet e keqja dhe hidhërohesh, dije se është dënim prej Allahut; nëse duron, atëherë është fshirje e mëkateve, ndërsa nëse pajtohesh, atëherë është ngritje në nivel të lartë.”
Durimi është çelës i çlirimit nga fatkeqësitë.
“Durimi i mirë”: është rrugë për të mposhtur rreziqet.
“Durimi i mirë”: është mjet për të mposhtur fatkeqësitë.
Kur e kanë pyetur njërin prej dijetarëve: “Çka është durimi i mirë?” është përgjigjur: “Është atëherë kur sprovohesh, ndërsa zemra të thotë: ‘E falënderoj Zotin’.”
Ka thënë njëri prej dijetarëve: “Po të ishte kjo botë e lehtë pa vështirësi, nuk do të ishte durimi një derë prej dyerve të Xhenetit”.
Duroni me durim të mirë, se Zoti është me durimtarët.
Zoti ynë, Krijuesi i qiejve dhe i tokës, Ti je ndihmëtari ynë!
Zoti ynë, Ti kujdesesh për çështjet tona në këtë botë dhe në botën tjetër!
Zoti ynë, bëna që të vdesim si muslimanë, të nënshtruar dhe të dorëzuar te çështja Jote!
Zoti ynë, na përcjell te të mirët prej prindërve dhe gjyshërve tanë!
Ti je i Mëshirshëm, Fisnik, Ti ke mundësi për gjithçka!
–
Dr. Musli Vërbani
“PËRFITO DHE MËSO NGA HUTBET E SURES JUSUF”