KËMISHAT E JUSUFIT

Falënderojmë Allahun, i Cili i ka bërë tregimet ushqim të mendjes dhe shpirtit.

Përshëndetjet dhe selamet qofshin për Pejgamberin a.s., për familjen e tij, shokët e tij të mirë e të pastër dhe për ata të cilët i pasojnë ata deri në Ditën e Gjykimit.

Mendja dhe shpirti ushqehen siç ushqehen trupat, mbushen siç mbushen trupat, forcohen siç forcohet hekuri.

Mendjet mbushen siç mbushen trupat, kërkoni ushqimin e mendjes në urtësi.

Tregimet janë ushtri prej ushtrive të Allahut të Madhërishëm. Allahu me këto tregime forcon zemrat e besimtarëve.

Tregimet kur’anore nuk janë tregime për agëtim dhe për zbavitje. Nuk janë për humbje kohe, por për mësim dhe përfitime. Duhet t’i lexojmë tregimet kur’anore që të përfitojmë dhe të veprojmë. Zoti i Madhërishëm thotë:

“Të gjitha këto që t’i tregojmë ty nga lajmet e pejgamberëve, janë që të forcojnë zemrën tënde.”

Duhet të kuptojmë se historitë e Kur’anit janë mësime dhe këshilla për të logjikshmit, nuk janë proverba të trilluara. Në ajetet e para të sures Jusuf, Zoti i Madhërishëm thotë: “Ne me të shpallur të këtij Kur’ani po të rrëfejmë ty (Muhamed) me të bukurin rrëfim, edhe para tij ishe nga të painformuarit” (Jusuf, 3).

Dhe përfundon surja Jusuf me ajetin: “Në tregimet e tyre (të dërguarve dhe të Jusufit me vëllezër) pati mësime e përvojë për të zotët e mendjes. Ai (Kur’ani) nuk është bisedë e trilluar, por vërtetues i asaj që ishte më parë (librave të shenjta) dhe sqarues i çdo sendi, e edhe udhërrëfyes e mëshirë për një popull që beson.” (Jusuf, 111).

Në këtë histori shohim suksesin dhe shpëtimin e besimtarëve dhe shkatërrimin e pabesimtarëve, e cila është mësim dhe këshillë për njerëzit me logjikë të shëndoshë dhe me ide të drejta.

Vëllezër të nderuar!

Në radhë është mrekullia e këmishës.

Këmisha e Jusufit a.s. është përmendur tri herë: në fillim të sures, në mes të sures dhe në fund të sures.

Jusufi u thotë vëllezërve të tij: “Me këtë këmishë, shkoni te babai juaj dhe vendoseni në fytyrën e tij, do t’i kthehet shikimi, pasi është verbëruar nga pikëllimi i tepërt, dhe sillni këtu të gjithë familjen, burra, gra edhe fëmijë.”

Tre këmishat e Jusufit a.s.

Kur’ani përmend tri këmishat e Jusufit a.s.:

  • Këmisha e pashqyer (e pagrisur);
  • Këmisha e shqyer (e grisur);
  • Këmisha me aromë.

Këmisha e parë tregon për fabrikim të lajmeve, dëshmive, etj.

Këmisha e dytë tregon për tentim të fshehjes së fakteve.

Këmisha e tretë tregon për aromën që sjell lajmi i mirë.

Vëllezër të nderuar!

Sa i përket këmishës së parë:

Këmisha e pashqyer, e cila ka qenë dëshmi se Jusufin a.s. nuk e ka ngrënë ujku. Vëllezërit e tij e sjellin si dëshmi dhe thonë se prej Jusufit ka mbetur vetëm kjo këmishë dhe se ata janë të pafajshëm, ndërsa në realitet ishte e kundërta; në fakt ajo këmishë, për shkak se ishte e pashqyer, ishte dëshmi e tradhtisë së tyre.

Kjo është dëshmi se fshehja e gjurmës zbulohet nga vetë ajo që është si dëshmi për ata (prokurorët, dëshmitarët e rrejshëm, etj.) të cilët i fshehin gjurmët me vetëdije.

Për këmishën e parë Zoti i Lartmadhëruar thotë:

“Dhe e sollën këmishën e tij (të Jusufit a.s.) të përgjakur, me gjak të rremë.” (Jusuf, 18).

Vëllezër të nderuar!

Sa i përket këmishës së dytë:

Këmisha e shqyer në trupin e Jusufit a.s. në shpinë ka qenë dëshmi në favor të tij.

Në bazë të asaj këmishe është vërtetuar se ai nuk ka vrapuar pas bashkëshortes së sundimtarit, por se ajo ka vrapuar pas tij.

Për këmishën e dytë Zoti i Lartmadhëruar thotë:

“Një i afërt i saj tha: nëse këmisha e tij është e shqyer përpara, ajo thotë të vërtetën, kurse ai (Jusufi) gënjen; nëse këmisha e tij është e shqyer prapa, ajo gënjen, ndërsa ai (Jusufi) e thotë të vërtetën.” (Jusuf, 26).

Vëllezër të nderuar!

Sa i përket këmishës së tretë:

I dëmtuari i cili më në fund e gjen shpëtimin dhe gëzimin. Këmisha e lajmit përgëzues për prindin e Jusufit a.s., Jakubin a.s., si dëshmi se Jusufi a.s. është i gjallë dhe do t’i kthehet prindit të tij, madje po me këtë këmishë Jakubit a.s. i rikthehet shikimi.

Për këmishën e tretë, Zoti i Lartmadhëruar thotë:

“Kur erdhi sjellësi i lajmit të mirë dhe ia vuri këmishën në fytyrë, atij iu kthye shikimi.” (Jusuf, 96).

Ajo këmishë kishte qenë e trashëguar nga Ibrahimi a.s., me të cilën e kishte veshur, pasi kishte dalë nga zjarri.

“Ju shkoni me këtë këmishën time, dhe hidhjani atë babit tim në fytyrë, e atij do t’i kthehet shikimi, e pastaj ejani te unë me tërë familjen time.” (Jusuf: 93).

Vëllezër të nderuar!

Plani i Jusufit, që në mënyrë graduale t’i afronte vëllezërit dhe familjen e tij, rezultoi të jetë i suksesshëm.

Ai planifikim ishte nga udhëzimet dhe mësimi i Allahut.

Planifikimi dhe programi, në njërën anë ishte i lehtë për t’u realizuar, për shkak se ishte i detajuar në mënyrë të përpiktë, dhe në anën tjetër për shkak të paditurisë, tejkalimit të kufijve dhe komplotit të mëhershëm për Jusufin.

Vëllezërit e Jusufit a.s. nuk kanë kuptuar asgjë nga ai planifikim, vetëm atëherë kur ka ndodhur udhëtimi i tretë nga Palestina për Egjipt.

Ju ka ardhur si befasi atëherë kur Jusufi u ka treguar për veten e tij se ai është Jusufi.

Duke përshkruar këtë takim vëllazëror dhe njohjen e rrallë në histori, Allahu i Madhërishëm thotë:

Ai tha:

“Sot nuk ka qortim kundër jush, Allahu ju faltë juve; Ai është mëshiruesi i mëshiruesve!” (Jusuf: 92).

Vëllezër të nderuar!

Pejgamberët dallojnë nga gjendja e rëndomtë dhe me veprime të cilat për njeriun janë jashtë normales.

Te pejgamberët ndodhin vepra jo të natyrshme, të cilat quhen mrekulli mbinatyrore.

Këmisha e Jusufit është prej mrekullive të veçanta në historinë e pejgamberëve.

Ka qenë befasues lajmi i Jakubit kur thoshte se e ndien aromën e djalit të pagjetur pas një periudhe të gjatë kohore, pra aromën e Jusufit.

Me një fjalë, është përputhur ideja e Jusufit dhe e babait të tij Jakubit.

Është kurorëzuar me gëzim çështja e Jusufit a.s., se ai ende është i gjallë dhe se ka arritur pozitë të lartë mbretërore.

Gëzimi e ka përfshirë edhe tokën e Egjiptit edhe të Palestinës.

Lajmëtari përgëzues i këtij rasti ishte djali më i madh i Jakubit.

Ai ishte Jehudha, i cili ishte ndalur në Egjipt.

Ai ishte i cili kishte shkuar me gjak të rremë. 

Vëllezër të nderuar!

Jakubi a.s. e ka ndier aromën e djalit të dashur, pra aromën e Jusufit.

Allahu e ka mbjellë ndjenjën dhe aromën në shqisat e tij.

E ka ndier aromën e Jusufit atëherë kur ka arritur te ai djali më i madh i tij, Jehudha, nga largësia prej tri deri në tetë ditë.

E ka ndier aromën e Jusufit atëherë kur aromën e ka bartur era e mëngjesit.

E ka ndier erën e Jusufit atëherë kur devetë dhe fëmijët kanë dalë nga Egjipti dhe janë larguar nga qyteti.

Jakubi, i cili ishte pejgamber i drejtë, i thotë familjes: “Unë po e ndiej aromën e Jusufit dhe të këmishës së tij, ju betohem e mos thoni që këtë e kam prej pleqërisë dhe prej mallëngjimit.”

“Kur ka dalë karvani nga Egjipti, aroma është shpërndarë dhe ajo aromë e këmishës ka shkuar deri te Jakubi, i cili ka thënë: ‘Unë po e ndiej aromën e Jusufit, po që se ju nuk më ofendoni.’”

E ka ndier aromën e tij në distancë prej tetë ditë udhëtimi.

Ajo aromë ka arritur tek ai nëpërmjet rrugës së mrekullisë mbinatyrore, sepse bartja e aromës prej asaj distance është në kundërshtim me ligjet e fizikës, kështu që më e përafërt dhe më e saktë është që të thuhet se është mrekulli mbinatyrore e Jakubit a.s.

Me fuqinë e Allahut dhe me dëshirën e Tij ua mundëson pejgamberëve të Tij çështjet e pamundura.

Me përcaktimin e Tij dhe me dëshirën e Tij ua mundëson pejgamberëve të Tij mrekullitë nëpërmjet tyre. 

Vëllezër të nderuar!

Në tubimin ku ishte Jakubi, i thonë: “Për Zotin, ti je në humbjen tënde të vjetër, pra gabimi i vjetër është duke u përsëritur te ti, kur mendoje se Jusufi është i gjallë. Për Zotin, ti je në humbjen tënde të vjetër kur mendoje se ai nuk ka vdekur, se ai jeton dhe shpresoj se do të takohemi.”

Kur arrin përgëzuesi, e ai ishte Jehudha, i cili e kishte këmishën e Jusufit, i cili ishte i gëzuar dhe lajmëtar për vëllanë e tij dhe Benjaminin, e vendos në fytyrën e Jakubit, atëherë menjëherë i kthehet shikimi nga gëzimi i madh.

Kjo është mrekullia e radhës.

Atëherë, atyre që ishin prezentë, Jakubi u thotë:

“O bijtë e mi, a nuk ju kam thënë: Unë di çështje nga Allahu të cilat nuk i dini ju?

O bijtë e mi, kur keni shkuar në Egjipt, a nuk ju kam thënë: Hulumtoni për Jusufin dhe mos e humbni shpresën te Allahu?

O bijtë e mi, kur keni shkuar në Egjipt, a nuk ju kam thënë se e di saktësisht dhe me bindje të plotë se Allahu do të ma kthejë Jusufin?”

Kur e ka thënë këtë, djemtë, duke kërkuar falje dhe me butësi thonë: “Na fal mëkatet tona”, pra kërko nga Allahu që të na falë mëkatet tona, dhe se ne kemi bërë gabime dhe mëkate.

Ne kërkojmë falje dhe pendohemi për veprimet tona me vëllezërit tanë: Jusufin dhe Benjaminin. 

Përfundim

Jusufi a.s. ua ka falur mëkatin vëllezërve të tij, po ashtu janë falur edhe nga babai i tyre.

I kanë thënë njëri-tjetrit: “Vetëm kjo nuk mjafton nëse nuk na fal Allahu.” Atëherë kanë kërkuar nga Jakubi që të kërkojë nga Allahu që Ai t’i falë ata, dhe e kanë pranuar gabimin.

Jakubi u ka thënë atyre: “Zoti im do t’ju falë juve”, pra në një të ardhme të afërt, në kohën e mbrëmjes, në pjesën e fundit të natës.

Kjo nga shkaku se Zoti im është falës i gabimeve dhe është i mëshirshëm ndaj robërve të Tij.

Kjo kohë është pjesa e kohës së fundit të natës, koha në të cilën pranohen lutjet.

Kjo, duke u bazuar në thënien e Allahut të Madhërishëm: “Dhe ata të cilët kërkojnë falje në pjesën e fundit të natës.” (Ali Imran, 17).

Pejgamberi a.s. ka thënë: “Zoti ynë zbret në çdo natë, kur është pjesa e tretë e natës, në qiellin e kësaj bote dhe thotë: ‘Kush më lutet Mua, i përgjigjem; kush kërkon falje, ia fal.’”

Pejgamberi a.s. ka thënë: “Jakubi e ka vonuar kërkimfaljen deri në natën e xhuma.”

Jakubi a.s. ka vonuar deri në pjesën e fundit të natës së xhumasë.

Ka qenë edhe nata e xhumasë, edhe nata e ashurasë. 

Zoti ynë, Krijuesi i qiejve dhe i tokës, Ti je ndihmëtari ynë!

Zoti ynë, Ti kujdesesh për çështjet tona në këtë botë dhe në botën tjetër!

Zoti ynë, bëna që të vdesim muslimanë, të nënshtruar dhe të dorëzuar te çështja Jote!

Zoti ynë, na përcjell te të mirët prej prindërve dhe gjyshërve tanë!

Ti je i Mëshirshëm, Fisnik, Ti ke mundësi për gjithçka!

Dr. Musli Vërbani

“PËRFITO DHE MËSO NGA HUTBET E SURES JUSUF”

Lini një koment