FËMIJËT E JAKUBIT SHKOJNË NË EGJIPT

Falënderojmë Allahun, i Cili i ka bërë tregimet ushqim të mendjes dhe shpirtit.

Përshëndetjet dhe selamet qofshin për Pejgamberin a.s., për familjen e tij, shokët e tij të mirë e të pastër dhe për ata të cilët i pasojnë ata deri në Ditën e Gjykimit. 

Mendja dhe shpirti ushqehen siç ushqehen trupat, mbushen siç mbushen trupat, forcohen siç forcohet hekuri.

Mendjet mbushen siç mbushen trupat, kërkoni ushqimin e mendjes në urtësi.

Tregimet janë ushtri prej ushtrive të Allahut të Madhërishëm. Allahu me këto tregime  forcon zemrat e besimtarëve.

Tregimet kur’anore nuk janë tregime për argëtim dhe për zbavitje. Nuk janë përhumbje kohe por për mësim dhe përfitime Duhet ti lexojmë tregimet kur’anore të përfitojmë dhe të veprojmë. Zoti i madhërishëm thotë:

“Të gjitha këto që t’i tregojmë ty nga lajmet e pejgamberëve, janë që të forcojnë zemrën tënde.” 

 Duhet të kuptojnë se historitë e Kur’anit janë mësime dhe këshilla për të logjikshmit, nuk janë proverba të trilluara. Në ajetet e para të sures Jusuf Zoti i Madhërishëm thotë: “Ne me të shpallur të këtij Kur’ani po të rrëfejmë ty (Muhamed) me të bukurin rrëfim, edhe para tij ishe nga të painformuarit”. (Jusuf, 3)

Dhe përfundon  suren Jusuf me ajetin: “Në tregimet e tyre (të dërguarve dhe të Jusufit me vëllezër) pati mësime e përvojë për të zotët e mendjes. Ai (Kur’ani) nuk është bisedë e trilluar, por vërtetues i asaj që ishte më parë (librave të shenjta) dhe sqarues i çdo sendi, e edhe udhërrëfyes e mëshirë për një popull që beson.” (Jusuf, 111)

Në  këtë histori shohim suksesin dhe shpëtimin e besimtarëve dhe shkatërrimin e pabesimtarëve, e cila është mësim dhe këshillë për njerëzit me logjikë të shëndoshë dhe me ide të drejta.

Vëllezër të nderuar!  

Jusufi a.s. ishte ministër i ekonomisë.

Ai punonte me përkushtim të jashtëzakonshëm.

Për çdo vjet të korrurat që i mblidhte i ruante në magazina për kohë të vështira.

Shtatë vite rresht, të korrurat që i mblidhte i ruante në magazina për kohë të vështira.

Ai kishte paralajmëruar se mungesa e ushqimit do t’i përfshijë të gjitha vendet, e në mesin e tyre edhe vendin e Jakubit, i cili banonte në tokën e Palestinës, në luginat e Shamit.

Pas kohëve të mira ka filluar thatësi e madhe. Në shtatëvjeçarin e dytë  përfshihet thatësia dhe varfëria, jo vetëm në Egjipt por edhe në Siri.

Ishte përhapur lajmi se mbreti i Egjiptit tregton me mallra ushqimore.

  Fëmijët e Jakubit, jetonin në Palestinë. Në Palestinë, aty ku ishin vëllezërit e Jusufit a.s. kishte mungesë të ushqimit.

Djemtë e Jakubit, me fjalë tjera vëllezërit e Jusufit e kishin të domosdoshme që të drejtoheshin për në Egjipt për të blerë grurë dhe produkte tjera ushqimore.

Udhëtojnë për në Egjipt që të realizohet takimi në mes Jusufit dhe vëllezërve të tij.

Vëllezër të nderuar!  

Kur hyjnë në shtetin e Egjiptit, mëkëmbësi i Egjiptit i pret me mirësi.

Mëkëmbësi i Egjiptit i pret në nivel të lartë shtetëror.

Jusufi kur i sheh i njeh, sepse forma e të mëdhenjve nuk ndryshon shumë, ndërsa,

vëllezërit e Jusufit  nuk e njohin. Kjo nga shkaku se ata janë ndarë me të kur Jusufi ishte shumë i vogël, dhe ishte shitur nga një karvan kalimtar i udhëtarëve.

Me zhvillimin e fëmijës forma dhe pamja e fëmijës ndryshon shumë.

Përpos kësaj,

 Ata kanë menduar se ai ka vdekur dhe, as që ju ka shkuar ndërmend se Jusufi mund të arrij atë pozitë të lartë.

Duke përshkruar këtë takim Allahu i Madhërishëm thotë:

وَجَاءَ إِخْوَةُ يُوسُفَ فَدَخَلُوا عَلَيْهِ فَعَرَفَهُمْ وَهُمْ لَهُ مُنكِرُونَ ﴿٥٨﴾

“Dhe (pas një kohe) vijnë vëllezërit e Jusufit e hyjnë te ai, e ai i njohu, ndërsa ata nuk e njihnin.” (Jusuf, 58)

 Kjo vërteton çështjen se vëllezërit nuk e kanë njohur Jusufin.

 Biseda e cila u zhvillua në mes të Jusufit dhe vëllezërve të tij, ishte shkaku i shkuarjes së tyre dhe se ata kishin shkuar për të blerë produkte ushqimore, pastaj i pyet për vendin e tyre, për familjen e tyre, për babën e tyre dhe për të gjithë fëmijët e tij.

Kur shkuan te depot e ushqimit, Jusufi a.s. i pyeti sa vëllezër jeni?

Ata i përgjigjen:

– Ne jemi njëmbëdhjetë vëllezër.

Jusufi a.s. u thotë:

– Po ku është i njëmbëdhjeti, ju këtu jeni dhjetë.

Ata thanë:

– Kemi një vëlla të vogël, mirëpo babai frikohet për të dhe nuk e ka lejuar të vijë me ne.

Pastaj,

Ata i tregojnë se ishin dymbëdhjetë fëmijë njëri prej tyre ishte zhdukur në shkretëtirë ndërsa vëllai tjetër kishte qëndruar me babën që të përkujdesej për nevojat familjare.

Vëllezër të nderuar!

 Jusufi urdhëron që të nderohen me nderime të veçanta dhe që të respektohen në mënyrë madhështore.

 Kur e bën ngarkesën e tyre, e ngarkon grurin në dhjetë ngarkesa, i shton edhe dy ngarkesa shtesë për vëllanë dhe babën e tyre dhe ju thotë: Kur të vini herën tjetër merreni me vete vëllanë prej babe, Benjaminin.

 A nuk po e shihni se unë i plotësoj ngarkesat e plota, pa lënë mangët asgjë, bile edhe ju ngarkoj me ngarkesa shtesë. Unë jam mikpritësi më i mirë i musafirëve.

Pastaj u ka thënë se nëse nuk e sjellin vëllanë e tyre Benjamin, kur të shkonin herën tjetër, nuk do të ketë mall ushqimorë për ta dhe se nuk do të ju lejohej të hynin në qytet.

  Atë vit, Jusufi a.s. ua ka plotësuar  njerëzve ushqimin (ngarkesat) por në të njëjtën kohë, ka vendosur në ngarkesat e tyre edhe mjetet materiale të tyre dhe nuk ka mbet asnjë fermer pa mallra ushqimore.

 Kjo ka qenë e qartë se atë që ka vepruar Jusufi me vëllezërit e tij, ka qenë shpallje prej Allahut, sepse, përndryshe mirësia ndaj Jakubit do të nënkuptohej shumë lehtë, mirëpo Allahu i Madhërishëm e ka ditë si të vepron, që të plotëson shpërblimin e Jakubit dhe çështjen e Tij ashtu që t’i bëhet e qartë shkaku se pse e ka dashur Jusufin, dhe të interpretohet ëndrra e parë e tij, kur i kanë bërë sexhde njëmbëdhjetë yje.

Zoti i Madhërishëm tregon se Jusufi i ka thënë punëtorit të tij:

وَقَالَ لِفِتْيَانِهِ اجْعَلُوا بِضَاعَتَهُمْ فِي رِحَالِهِمْ لَعَلَّهُمْ يَعْرِفُونَهَا إِذَا انقَلَبُوا إِلَىٰ أَهْلِهِمْ لَعَلَّهُمْ يَرْجِعُونَ ﴿٦٢﴾

“Vënie mallin e tyre (barrën që e kishin sjellë për të blerë drithë) në barrët e tyre, ashtu që kur të kthehen te familja e tyre (t’i hapin barrët) ta njohin, e ndoshta do të kthehen sërish te ne”. (Jusuf, 62)

 Në barrën  e blerjes së ushqimit, vendose mallin e tyre, (pra çmimin e këmbyer) në barrën e tyre ashtu që të mos e hetojnë, sepse kur të shkojnë te familjet e tyre, do ta kuptojnë se i kemi nderuar dhe i kemi respektuar dhe do të lakmojnë për të ardhur përsëri, dhe gjithsesi se do të kthehen prapë.

Do të kthehen pasi të shkojnë te familjet e tyre dhe do t’i hapin ngarkesat e mallit të tyre.

Vëllezër të nderuar!

Vëllezërit e Jusufit a.s. janë kthyer me plot ushqim në shtëpitë e tyre.

Ata ishin të gëzuar, po ashtu edhe Jakubi a.s. është gëzuar.

Gjatë bisedës vëllezërit e Jusufit i tregojnë se çka ju ka ndodhur atyre.

Si janë pritur me nderime.

Si janë respektuar nga Azizi i Egjiptit kur kanë blerë grurë.

I tregojnë babës së tyre për atë mbret, se çfarë njeriu i mirë ishte, sa i bukur, sa i drejtë dhe i ndershëm,

Pastaj thonë: Shiko na ka kthyer edhe mjetet e pagesës së ushqimit/

Dihet se,

Zakonisht, njeriu gëzohet kur merr diçka falas.

Me kthimin e mjeteve financiare paralelisht me mallin e blerë, shihet qartë se është joshje për t’u kthyer edhe njëherë dhe për të realizuar qëllimin madhështorë, e ai qëllim ka qenë që Jusufi të bashkohet me gjithë familjen e tij, me babën e tij me tezen e tij dhe me vëllezërit e tij.

Kjo është metodë efektive, vepër e mirë, për të bërë përgatitje për t’i pritur me nderimet më të larta, dhe me përshëndetje lamtumirëse të paharruar, për vëllezërit e mëdhenj të Jusufit, të cilët i kishin bë keq kur e kishin hedhur në pus.

Të keqen e ka kthyer me të mirë. Kjo është vlerë e pejgamberëve, të ndriturve dhe dashamirëve fisnik.

Vëllezër të nderuar!  

Djemtë e Jakubit i thonë babës së tyre:

Lejo që edhe Benjamini të vijë me ne në Egjipt.

Ne prapë do të sjellim ushqim për familjen.

Do ta ruajmë vëllanë tonë Benjaminin.

Do ta sigurojmë dhe do të përkujdesemi për të.

Për këtë mos u brengos, për shkak të tij do të furnizohemi edhe më shumë me produkte ushqimore.

Ajo ngarkesë shtesë, është çështje e lehtë për atë udhëheqës bujarë, dhe do të jetë edhe më i mëshirshëm nëse e marrim vëllanë tonë me vete.

Në fund i kanë thënë: “O babai ynë, qeveritari i Egjiptit na ka ndaluar që në të ardhmen të furnizohemi me ushqim nëse nuk shkojmë me vëllanë tonë Benjaminin.”

 Le të vjen me ne vëllai jonë, që të fitojmë të drejtën të furnizohemi me ushqim në masë të numrit tonë, ne do ta ruajmë nga çdo e keqe, dhe nga çdo e padëshiruar edhe gjatë vajtjes edhe gjatë ardhjes.

 Mos u brengos për të: “Me dëshirën e Allahut do të kthehet, vetëm e vetëm sa t’ia plotësojmë kushtin Azizit, i cili na ka nderuar”.

Duke kërkuar besën nga fëmijët e Tij, Jakubi thotë:” A ju kujtohet në të kaluarën çështja e Jusufit.?”

 Jakubi a.s kur sheh se është në interes të përgjithshëm, duke u nda nga Benjamini thotë: Po si mund të ju besoj juve, kur e dini se si keni vepruar me Jusufin, pasi  më keni pas dhënë premtimin dhe më keni pas siguruar se do ta ruani atë, mirëpo, unë me pak shpresë po e dorëzoj çështjen te Allahu , Zotit im, dhe i besoj Atij, mbështetem te Ai,

Zoti im është më i mëshirshmi për mua, do të ketë parasysh të zbret mëshirën e Tij mbi pleqërinë dhe dobësinë time dhe atë që ka të bëj me fëmijët e mi.

 E lus Allahun që të më mëshiron duke i mbrojtur ata, dhe që t’i kthejë tek unë dhe të mblidhen forcat.

Ky është dorëzimi dhe mbështetja e Jakubit a.s.

Ky është qëndrimi i pejgamberëve i cili buron nga besimi i thellë, dhe bindjes ndaj Zotit të gjithë botëve. Këtë qëndrim e mbajnë edhe besimtarët.

Këtë qëndrim mbajeni edhe ju besimtarë të nderuar!.

 Nuk e lejoj Benjaminin që të vjen me ju derisa të mos përbetoheni se, në çfarëdo rasti ju do të ktheheni me të, vetëm në rast që pengoheni që të gjithë, ashtu që vdisni, ose që të gjithë dështoni ose që të gjithë humbni, dhe nuk mund të gjeni zgjidhje”.

 Vëllezër të nderuar!

Pasi kanë shkuar, janë përbetuar, Jakubi ka thënë:

“Allahu është dëshmitarë për të gjithë ne, pra monitoron dhe e zbulon çështjen e fshehtë.

Çështjen e dorëzoj te Allahu”.

Jakubi a.s., kësaj radhe u ka besuar dhe ka dëshmuar te Allahu.

I ka porositë fëmijët  që t’i mbështeten Allahut.

عَلَيْهِ تَوَكَّلْتُ ۖ وَعَلَيْهِ فَلْيَتَوَكَّلِ الْمُتَوَكِّلُونَ

“Atij iu kam mbështetur dhe vetëm Atij le t’i mbështeten ata që besuan.” (Jusuf: 67)

 I ka paralajmëruar që t’i mbështeten Allahut, mirëpo ai mbështetjen e ka bërë paralelisht duke i pasuar shkaqet, duke kryer obligimin dhe duke u angazhuar brenda kornizës së aftësive njerëzore.

Ky, edhe është qëllim i mbështetjes së vërtetë në Allahun, dhe fundi i çështjes dhe përfundimi pas angazhimit, dhe pas veprimit se te Allahu arrihet suksesi.

Rezultatet marrin formë në bazë të urtësisë së Allahut, dhe dëshirës së drejtë të Tij.

Djemtë e Jakubit kur janë përshëndetur me babën, Jakubi ju ka thënë: Përcilljani përshëndetjet e mia mbretit të Egjiptit dhe thojini: “Baba ynë lutet për ty dhe të falënderon për mirësinë tënde.”  ka pasur për qëllim: “lutjen për të arritur grada të larta te Zoti, mirësi dhe falje prej Tij.”

 Vëllezër të nderuar!

Dredhia legjitime.

Biografia dhe porositë e pejgamberëve janë shembull i mirë në jetën praktike.

Pejgamberët gjithmonë veprojnë:

– ose nga inspirimi i Allahut të Madhërishëm

– ose nga shpallja e Allahut të Madhërishëm.

Komunikimet e pejgamberëve janë thirrje prej Allahut.

Udhëzimet  e pejgamberëve janë ligje prej Allahut.

 Komunikimet e pejgamberëve janë për të mirën dhe për lumturinë e njeriut, për të arritur sukses dhe dobi, qoftë edhe për një kohë të gjatë.

 Udhëzimet pejgamberike janë për të mbrojtur njeriun nga llojet e ndryshme të dredhive dhe të këqijave, për t’u siguruar që të mos rrëshqitet në ndonjë greminë apo humnerë.

Kjo mënyrë e këshillave është e mirë.

Kjo është mënyra e këshillave të Jakubit për fëmijët e tij, e ajo është: hyrja nga dyert e ndryshme, ashtu që të shihet nga secili administrator i Egjiptit se çfarë pritje bën dhe në çfarë mënyre përkujdesen, ose, edhe të mos ju bënë zili ndonjë prej ziliqarëve, kur të bien në sy, dhe ngazëllohen me numrin e madh të vëllezërve dhe të burrave.

 Allahu i Madhërishëm tregon se Jakubi u ka thënë bijve të vet:

وَقَالَ يَا بَنِيَّ لَا تَدْخُلُوا مِن بَابٍ وَاحِدٍ وَادْخُلُوا مِنْ أَبْوَابٍ مُّتَفَرِّقَةٍ ۖ وَمَا أُغْنِي عَنكُم مِّنَ اللَّهِ مِن شَيْءٍ ۖ إِنِ الْحُكْمُ إِلَّا لِلَّهِ ۖ عَلَيْهِ تَوَكَّلْتُ ۖ وَعَلَيْهِ فَلْيَتَوَكَّلِ الْمُتَوَكِّلُونَ ﴿٦٧﴾

“Po ai (Jakubi) tha: “O bijtë e mi, mos hyni (në Egjipt) për një derë, po hyni nëpër dyer të ndryshme. Unë nuk mund të largoj prej jush asnjë send nga caktimi i All-llahut, vendimi nuk është i tjetërkujt vetëm i All-llahut, vetëm Atij iu kam mbështetur dhe vetëm Atij le t’i mbështeten ata që besuan.” (Jusuf: 67)

Përfundim

Jusufi a.s. kishte kërkuar nga vëllezërit që ta sillnin Benjaminin që të mbetej te ai si parapërgatitje për ta mbledhur familjen dhe për të jetuar me  Jakubin a.s. i cili e kishte zemrën e pikëlluar për humbjen e Jusufit, pastaj, e njëjta i ndodhë edhe me Benjaminin.

Kjo sprovë, ndoshta ka qenë edhe më e vështirë për Jakubin a.s, sepse Benjamini ishte shoqëruesi, i dashuri, ishte më i dhembshuri nga fëmijët, mirëpo,

Kjo sprovë ka ndodhur që të realizohet qëllimi i Zotit, caktimi i Tij.

Kjo sprovë ka ndodhur që të realizohet urtësia e Tij, dhe që të përgatitet rruga e takimit të familjes së tij fisnike në Egjipt.

Ndodhin sprova për të mirën tënde të cilën mirësi nuk e di ti.

Shkuan vëllezërit në Egjipt me vëllanë e tyre Benjaminin.

Vepruan ashtu siç i kishte këshilluar babai i tyre.

 Duhet t’i marrim në konsideratë shkaqet, ndërsa për të realizuar çështjen  duhet  dorëzuar te Allahu i Madhërishëm, me bindje të thellë në drejtësinë e Tij.

 Jemi të urdhëruar,  t’i marrim në konsideratë shkaqet, ndërsa për të qenë të suksesshëm në çështje duhet pasur  bindje të thellë në mirësinë e Tij, mëshirën e Tij dhe bamirësinë e Tij.

Duke i mbështetur çështjet te Allahu Famëlartë arrihen sukseset.

 Duke e lënë në dëshirën e Allahut të Madhërishëm realizohen qëllimet.

Zoti ynë, Krijuesi i qiejve dhe të tokës Ti je ndihmëtari ynë,

Zoti ynë,Ti kujdesesh për çështjet tona në këtë botë dhe në botën tjetër!

Zoti ynë na bëj që të vdesim musliman, të nënshtruar dhe të dorëzuar te çështja jote!

Zoti ynë na përcjell te të mirët prej prindërve dhe gjyshërve tanë!

Ti je i Mëshirshëm, Fisnik, Ti ke mundësi për gjithçka!

–

Dr. Musli Vërbani

Lini një Përgjigje