Falënderojmë Allahun, i Cili i ka bërë tregimet ushqim të mendjes dhe shpirtit.
Përshëndetjet dhe selamet qofshin për Pejgamberin a.s., për familjen e tij, shokët e tij të mirë e të pastër dhe për ata të cilët i pasojnë ata deri në Ditën e Gjykimit.
Mendja dhe shpirti ushqehen siç ushqehen trupat, mbushen siç mbushen trupat, forcohen siç forcohet hekuri.
Mendjet mbushen siç mbushen trupat, kërkoni ushqimin e mendjes në urtësi.
Tregimet janë ushtri prej ushtrive të Allahut të Madhërishëm. Allahu me këto tregime forcon zemrat e besimtarëve.
Tregimet kur’anore nuk janë tregime për agëtim dhe për zbavitje. Nuk janë për humbje kohe, por për mësim dhe përfitime. Duhet t’i lexojmë tregimet kur’anore që të përfitojmë dhe të veprojmë. Zoti i Madhërishëm thotë:
“Të gjitha këto që t’i tregojmë ty nga lajmet e pejgamberëve, janë që të forcojnë zemrën tënde.”
Duhet të kuptojmë se historitë e Kur’anit janë mësime dhe këshilla për të logjikshmit, nuk janë proverba të trilluara. Në ajetet e para të sures Jusuf, Zoti i Madhërishëm thotë: “Ne me të shpallur të këtij Kur’ani po të rrëfejmë ty (Muhamed) me të bukurin rrëfim, edhe para tij ishe nga të painformuarit” (Jusuf, 3).
Dhe përfundon surja Jusuf me ajetin: “Në tregimet e tyre (të dërguarve dhe të Jusufit me vëllezër) pati mësime e përvojë për të zotët e mendjes. Ai (Kur’ani) nuk është bisedë e trilluar, por vërtetues i asaj që ishte më parë (librave të shenjta) dhe sqarues i çdo sendi, e edhe udhërrëfyes e mëshirë për një popull që beson.” (Jusuf, 111).
Në këtë histori shohim suksesin dhe shpëtimin e besimtarëve dhe shkatërrimin e pabesimtarëve, e cila është mësim dhe këshillë për njerëzit me logjikë të shëndoshë dhe me ide të drejta.
Vëllezër të nderuar!
Historia e Jusufit me babanë dhe me vëllezërit e tij është histori interesante.
Historia e Jusufit me babanë dhe me vëllezërit e tij ka përfunduar në mënyrë interesante.
Temat dhe ngjarjet të cilat kanë ndodhur në një periudhë të gjatë kohore kanë ndodhur për t’i mësuar dhe për t’i udhëzuar njerëzit në atë se:
Është e domosdoshme t’u besohet thënieve të pejgamberëve të cilët lajmërojnë për shpalljen e Allahut;
Duhet mbështetur patjetër në besimin në Allahun Famëlartë;
Duhet të durohet gjatë ndodhive të padëshiruara;
Çështjet duhet dorëzuar te Allahu i Madhërishëm;
Nuk duhet nxituar, nuk duhet qenë i ndikuar për kryerje hakmarrjeje;
Nuk duhet bërë gabime ose mëkate, ashtu siç ka ndodhur me vëllezërit e Jusufit.
Ngjarjet kanë përfunduar te qëllimi i dëshiruar, e qëllimi ka qenë bashkimi i familjes së Jakubit në Egjipt.
Ky bashkim ka qenë kurorëzim i interpretimit të ëndrrës së Jusufit, të cilën ëndërr e kishte ëndërruar më herët, duke i bërë sexhde atij njëmbëdhjetë yje, e ato ishin vëllezërit dhe familja e tij.
Duke sqaruar këtë interpretim dhe këtë bashkim (takim) madhështor, Allahu i Madhërishëm thotë:
“(E morën familjen dhe shkuan) e kur hynë te Jusufi, ai i afroi pranë vetes të dy prindërit e tij dhe tha: ‘Me dëshirën e Allahut hyni në Egjipt të sigurt!’” (Jusuf: 99).
Vëllezër të nderuar!
Tubimi i dymbëdhjetë vëllezërve është realizuar në shtëpinë dhe në mbretërinë e Jusufit, ku edhe e pranojnë mëkatin e tyre.
Jusufi ua fal gabimin e tyre, pastaj është rikthyer dashuria vëllazërore dhe është krijuar ambienti për t’i pritur babanë e tyre Jakubin a.s.
Jusufi a.s. kishte kërkuar që t’i sjellin të gjithë anëtarët e familjes te ai.
Familja ishte shpërngulur nga vendet e Kenanit të Palestinës për në Egjipt, për të jetuar aty.
Shkuan Jakubi, tezja e tij, vëllezërit e Jusufit dhe familja e tij.
Kur kanë mbërritur në Egjipt, i ka takuar me udhëheqësit dhe me shoqërinë elitare të Egjiptit.
Kanë hyrë te Jusufi, në vendin e pozitës udhëheqëse.
Jusufi i përqafon prindërit, pra babanë dhe tezen e tij, sepse nëna e tij veç ka qenë e vdekur, e pastaj Jakubi është martuar me atë tezen e Jusufit, me fjalë të tjera me motrën e gruas.
Jusufi i thotë familjes në përgjithësi: “Hyni në Egjipt, me dëshirën e Allahut jeni të sigurt.”
Vendosuni, jetoni dhe qëndroni në qytetin e Egjiptit me dëshirën e Allahut.
Jeni të sigurt dhe të garantuar në jetën tuaj, në pasurinë tuaj dhe në familjen tuaj; as mos u pikëlloni dhe as mos u frikoni.
Ata ishin shtatëdhjetë burra, një grua dhe një djalë.
Vëllezër të nderuar!
Për t’i respektuar, Jusufi e vendos shtrojën e mbretërisë që të ulen me të.
Njëmbëdhjetë vëllezërit dhe dy prindërit i bien në sexhde përshëndetjeje dhe respektimi, e jo sexhde adhurimi dhe shenjtërimi.
Sexhdeja e tyre ka qenë vetëm përulje e kokës poshtë, e cila ka qenë në atë kohë përshëndetje ndaj mbretërve dhe të mëdhenjve.
“Dhe ai të dy prindërit e vet i mori lart në fron (i uli pranë vetes), e ata iu përulën atij.” (Jusuf: 100).
Pas asaj përshëndetjeje, Jusufi thotë:
“O babai im, ky është realizimi i interpretimit të ëndrrës së mëparshme.” (Jusuf: 100).
Pra, kjo sexhde është interpretim i ëndrrës së mëparshme në vegjëli, e ajo ëndërr ka qenë: “Unë kam ëndërruar se njëmbëdhjetë yje, dielli dhe hëna më bënin sexhde mua.” (Jusuf, 4).
Ëndrrat e pejgamberëve janë të vërteta.
Ëndrrat e pejgamberëve janë të drejta.
Ëndrrat e pejgamberëve janë të realizueshme.
Është realizuar ëndrra e Ibrahimit duke e prerë djalin e tij Ismailin dhe është bërë shkak që t’i bëhet obligim që pastaj ta realizojë në të njëjtën mënyrë; kështu ka ndodhur me këtë ëndërr të Jusufit, e cila është bërë shkak që të bëhet obligim ajo sexhde, pra sexhde e përshëndetjes.
Pastaj,
Jusufi thotë: “Allahu më ka dhuruar mirësi, mua, më ka begatuar dhe më ka vlerësuar.”
Allahu më ka vlerësuar dhe më ka begatuar me të mirat e Tij:
- atëherë kur ka mundësuar lirimin tim nga burgu;
- atëherë kur më ka mundësuar të arrij pozitë të lartë shtetërore;
- atëherë kur u ka sjellë juve nga vendet e largëta dhe shkretinore;
- atëherë kur vendet në periferi kanë siguruar jetën me bagëti dhe bujqësi;
- atëherë kur u ka transferuar nga jeta e vështirë në jetë me mirësi, dhe nga jeta shkretinore në jetë të civilizimit dhe të qytetërimit, në jetë komode.
“Zoti im, këtë tanimë e bëri realitet, e mua më nxori prej burgut, e ju solli nga fshati pasi djalli pat futur përçarje ndërmjet meje dhe vëllezërve të mi.” (Jusuf: 100).
Vëllezër të nderuar!
Shikoni diplomacinë e Jusufit!
Shikoni urtësinë e Jusufit!
Jusufi nuk e ka përmendur ngjarjen e pusit. Kjo për t’i nderuar vëllezërit e tij dhe për ta siguruar jetën e tyre.
E ka menduar në vete se ajo ngjarje ka ndodhur vetëm atëherë kur ka ndërhyrë shejtani në mes tij dhe vëllezërve të tij, pra:
- e ka menduar se shejtani ka vepruar dhe e ka çrregulluar çështjen e tij;
- e ka menduar se shejtani e ka përkeqësuar gjendjen e tij;
- e ka menduar në vete se shejtani i ka prishur raportet në mes tij dhe vëllezërve të tij.
E ka fajësuar shejtanin. Kjo për shkak se shejtani ka qenë shkaktar i çrregullimit.
Jusufi e ka përmendur vetëm një pjesë të ngjarjes, e ka përmendur vetëm njërën anë të medaljes për të mirën e vëllezërve të tij, ashtu që të sqarojë pozitën e mirë të tyre. Kjo për shkak se kur pas vështirësisë dhe fatkeqësisë rezulton një e mirë, ajo e mirë ka vlerë të madhe.
Sa i përket cytjes së shejtanit, ajo është çështje faktike, duke u bazuar në thënien e Pejgamberit a.s.: “Asnjëri nga ju të mos e drejtojë armën në drejtim të vëllait të tij, sepse ai nuk e di se ndoshta shejtani ia dështon dorën e tij (e mbyt) dhe pastaj bie në humnerë të xhehenemit.”
Kjo i bie në dorën e tij dhe realizohet veprimi.
Pas fjalës “cytje” fshihet kuptimi i mashtrimit dhe tradhtisë, ashtu që fjalia e merr formën “ua zbukuron shejtani dhe e tradhton dora”.
Vëllezër të nderuar!
Pastaj Jusufi thotë:
“Zoti im me mjeshtri e butësi realizon dëshirën e Vet për çka do; vërtet Ai është i Dijshmi, i Urti.” (Jusuf, 100).
Nëse Allahu dëshiron diçka, e ndërlidh me shkaqe, e përcakton dhe e lehtëson.
Allahu e di çka është në dobi të njerëzve.
Allahu është i Urtë në thëniet dhe veprimtarinë e Tij.
Allahu është i urtë në caktimet dhe përcaktimet, çka përzgjedh dhe çka dëshiron.
Përfundim
Historia e Jusufit përfundon me një përfundim mbresëlënës të cilin duhet ta kenë parasysh udhëheqësit.
Historia e Jusufit përfundon me një përfundim mbresëlënës të cilin duhet ta kenë parasysh qeveritarët.
Historia e Jusufit përfundon me një përfundim mbresëlënës të cilin duhet ta kenë parasysh funksionarët.
Allahu çështjen e Jusufit e ka ndërlidhur mes pushtetit, udhëheqjes dhe pejgamberisë.
E ka begatuar me të mira të shumta, e ka transferuar nga pusi dhe burgu në pozitën më të lartë qeverisëse dhe të udhëheqjes në Egjipt, ndërsa ai e ka falënderuar Zotin e tij.
Allahu e përgëzon Pejgamberin me fitore, duke i treguar se ky është ligj i përgjithmonshëm i Allahut; e ai ligj është: Ndihma e Allahut për pejgamberët kur ata janë në kriza, në vështirësi dhe duhet pritur çlirimin nga Zoti, dhe në krijimin e bindjes së pejgamberëve se idhujtarët përgënjeshtrojnë, nuk besojnë dhe insistojnë në pabesimin e tyre.
Përfundimi është se ndihma e Zotit vjen befasisht.
Allahu e shpëton cilindo; Allahu e shpëton pejgamberin dhe besimtarët, ndërsa dënimi i përfshin përgënjeshtruesit pabesimtarë.
Askush nuk mund ta pengojë dënimin prej Allahut dhe ndëshkimin ndaj atyre të cilët kanë bërë krime, kanë mohuar Allahun dhe i kanë përgënjeshtruar pejgamberët.
Allahu i Madhërishëm sqaron qëllimin e përgjithshëm nga historitë e Kur’anit Fisnik.
Sqaron qëllimin e përgjithshëm brenda historive të pejgamberëve me popujt e tyre.
Zoti i Madhërishëm thotë:
“(Nuk dërguam tjetër vetëm burra e ndihma u vonua) derisa të dërguarit gati e humbnin shpresën (se do t’i besojë populli), dhe menduan se u përgënjeshtruan (pse ende nuk i kapi dënimi), e atëherë u erdhi atyre (të dërguarve) ndihma Jonë. Ne i shpëtuam ata që deshtëm. E dënimi Ynë kundër popullit idhujtar nuk zmbrapset.” (Jusuf: 110).
Kur’ani i vërteton ato çka janë baza të shëndosha; në të njëjtën kohë edhe i plotëson dhe i siguron.
Kur’ani është udhëzues i botëve në rrugën e drejtë dhe stabile; në të njëjtën kohë është mëshirë e përgjithshme nga Allahu, Zoti i botëve, për besimtarët, edhe në këtë botë edhe në botën tjetër.
Zoti i Madhërishëm thotë:
“Në tregimet e tyre pati mësime e përvojë për të zotët e mendjes. Ai (Kur’ani) nuk është bisedë e trilluar, por vërtetues i asaj që ishte më parë (librave të shenjta) dhe sqarues i çdo sendi, e edhe udhërrëfyes e mëshirë për një popull që beson.” (Jusuf: 111).
Në fund Jusufi a.s. e bën lutjen gjithëpërfshirëse, me të cilën i është lutur Allahut që ta shpërblejë në botën tjetër, ashtu siç e ka shpërblyer në këtë botë, ku thotë:
“Zoti im, më ke graduar në pozitën udhëheqëse të Egjiptit, më ke mësuar interpretimin e ëndrrave dhe të çështjeve, dhe fshehtësitë e fjalëve të Tua.”
Pra, Zoti i Madhërishëm ka treguar lutjen e Jusufit a.s. si në vijim:
“(Pasi iu plotësua dëshira, Jusufi tha:) Zoti im, Ti më ke dhënë mua pushtet, më mësove mua komentin e ëndrrave; o Krijues i qiejve e i tokës, Ti je kujdestari im në dunja e në ahiret, më bëj të vdes musliman dhe më bashko me të mirët!” (Jusuf: 101).
Po e përfundojmë këtë cikël të hutbeve me lutjen:
“Zoti im, Krijuesi i qiejve dhe të tokës,
Ti je ndihmëtari im,
Ti kujdesesh për çështjet e mia në këtë botë dhe në botën tjetër;
Zoti im, më bëj që të vdes musliman, i nënshtruar dhe i dorëzuar te çështja Jote;
Zoti im, më përcjell te të mirët prej prindërve dhe gjyshërve të mi, Ibrahimit, Ismailit, Is’hakut dhe Jakubit!
Ti je i Mëshirshëm, Fisnik, Ti ke mundësi për gjithçka.”
–
Dr. Musli Vërbani
“PËRFITO DHE MËSO NGA HUTBET E SURES JUSUF”