Frika ndaj Allahut

Frika ndaj Allahut

–

Një njeri shkon te Ibrahim bin Ed’hemi dhe i thotë:

– Dua të pendohem, por pasi pendohem frikohem se prapë do të kthehem në mëkate.

A më tregon si të mbrohem nga mëkatet?

Ibrahimi i thotë:

– Nëse dëshiron të bësh mëkat, mos e bëj në tokën e Allahut.

Ai i thotë:

– Po e gjithë toka është e Allahut!

Ibrahimi i thotë:

– Pasi që e di se e gjithë toka është e Allahut, atëherë mos bëj mëkate në tokën e Tij.

Pastaj Ibrahimi i thotë:

– Nëse dëshiron të bësh mëkat, mos ha prej furnizimit të Allahut.

Ai i thotë:

– Po si të jetoj, çdo gjë është furnizim prej Allahut!?

Ibrahimi thotë:

 – Mirë pra, a nuk të vjen turp që ti të shfrytëzosh të gjitha begatitë dhe të mirat e Allahut dhe të bësh mëkate ndaj Tij!?

Pastaj Ibrahimi i thotë:

– Nëse dëshiron të bësh mëkat, bëje në një vend ku nuk të sheh Allahu.

Ai i thotë:

– Po ku ta gjej atë vend, kur dihet se Allahu të sheh në çdo kohë dhe çdo vend?!

Ibrahimi i thotë:

– Pasi që është ashtu, atëherë pse bën mëkat?

Pastaj Ibrahimi i thotë:

– Kur të vijë meleku i vdekjes për të ta marrë shpirtin thuaj: Më jep edhe më afat.
Njeriu i thotë:

– Po çka po thua kështu o Ibrahim, kurse Zoti i Lartmadhëruar ka thënë:

“Dhe kur t’i vjen (njeriut) çasti i vdekjes, nuk mund ta shtyjë fare, e as nuk mund ta shpejtojë farë”. Atëherë i thotë:

– Pasi puna është ashtu, atëherë si shpreson për të shpëtuar?!

Pastaj Ibrahimi i thotë:

– Kur të vijnë melekët e xhehenemit të quajtur Zebanije, për të të marrë dhe për të të dërguar në xhehenem, ti mos shko.

Kur njeriu e dëgjoi këtë të fundit, filloi të qajë dhe t’i thotë:

– Mjaftë më o Ibrahim, unë kërkoj falje prej Allahut dhe pendohem te Ai, dhe do ta adhuroj deri në vdekje. 

–

Dr. Musli Vërbani

“365 tregime për fëmijën tuaj brenda 12 muajve të vitit”

Lini një Përgjigje