Dr. Musli Vërbani
LUTJA PËR TË VDEKURIN PASI TË VARROSET
Mirë është të qëndrohet pak, pas varrimit dhe të bëhet lutje për të vdekurin.
Ebu Davudi transmeton se Othman bin Afani r.a. ka treguar se Muhamedi a.s. pasi përfundonte varrimi dhe i vdekuri mbulohej me dhé vazhdonte edhe një pjesë kohe dhe thoshte:
Kërkoni falje (që t’i falen gabimet) vëllait tuaj, sepse ai tani është duke u pyetur”.
Lutja e cila mund të bëhet pasi i vdekuri të varroset është kjo që do ta shënojmë në vazhdim, dua e cila është e përpiluar, ndërsa nuk është e transmetuar prej Muhamedit a.s., mirëpo në përgjithësi kjo dua tek ne bëhet, prandaj edhe po e shkruajmë:
E falënderojmë Allahun Zotin e gjithësisë, i Cili në Kur’anin fisnik ka thënë:
كُلُّ نَفْسٍ ذَائِقَةُ الْمَوْتِ
Secili njeri do ta përjetojë vdekjen, pastaj te Ne do të kthehen”.
(El-Enbija, 35)
Përshëndetjet çofshin mbi të dërguarin tonë Muhamedin a.s., të cilit Zoti i Madhëruar i ka thënë:
إِنَّكَ مَيِّتٌ وَإِنَّهُمْ مَيِّتُونَ
“Ti o Muhamed me siguri do të vdesësh edhe ata (njerëzit në përgjithësi pa përjashtim do të vdesin”.
(Ez-Zumer, 30)
Përshëndetjet çofshin edhe mbi Sehabet të cilëve kur u ka ndodhur ndonjë fatkeqësi kanë thënë:
إِنَّا لِلَّهِ وَإِنَّا إِلَيْهِ رَاجِعُونَ
“Ne jemi të Allahut dhe Ne te ai do të kthehemi”.
(El-Bekare, 156)
O Zot jetëdhënës dhe Jetëmarrës!
Na fal gabimet tona, të prindërve tanë dhe të gjithë besimtarëve e posaçërisht këtij të vdekuri. Hapja portën qiellore dhe pranoje në mëshirën Tënde, me kënaqësinë Tënde.
Zot i Gjithëdijshëm, çështjen e vërtetë për të e di vetëm Ti, e ne nuk dimë. Mëshiroje o Zot dhe takoje me të dërguarin tonë Muhamedin a.s.
O Zot varrin e tij bëre dritë dhe bahçe prej bahçeve të xhenetit, e mos e bën varrin e tij errësirë dhe zjarr të xhehenemit.
O Zot! Falja gabimet, pranoja veprat, mbuloja të metat, bëre shpirtin e tij (të saj) të lumtur e të gëzuar, jepja librin në dorën e djathtë dhe merre në përgjegjësi të lehtë e mos ia jep librin në dorën e majtë dhe mos e vështirëso gjendjen e tij.
O Zot përgëzoje me erën e xhenetit, me siguri dhe qetësi për Imanin e tij. O Zot na prano në mëshirën Tënde kur do të na thonë lamtumirë dashamirët, dhe e lëmë pasurinë e ndahemi prej familjes dhe shtëpisë.
O Zot na mëshiro dhe na përkujto kur të na harrojnë emrin dhe shpërndahen eshtrat e trupit, dhe shtrëngohet varri dhe rëndohet dheu mbi ne.
O Zot na përkujto dhe na mëshiro kur do t’i fryhet Surit, dhe ngriten varret, dhe shpalohet fshehtësia e zemrave dhe tubohen dhe tubohen njerëzit para madhërisë Tënde.
Na mëshiro kur të vendosen veprat në peshojë dhe bëna që ta kalojmë rrugën e Siratit me lehtësi.
O Zot na bashko në vendin e Xhenetit Darus Selam ashtu siç na ke bashkuar në këtë moment dhe në këtë vend, dhe mos na largo prej shefatit të dërguarit tonë Muhamedit a.s.
Pas varrimit kur të kthehet masa apo xhemati nëpër shtëpitë e tyre, varri i thotë të vdekurit:
“O bir i Ademit! O njeri, u kthyen e të lanë vetëm, të mbuluan me dhé, asnjëri nuk hyri me ty, dhe asnjëri nuk u ndal te ti, por edhe sikur të kishte qëndruar dikush me ty, nuk do të kishte bërë dobi”.