Shkaqet e mospranimit të lutjes
–
Ibrahim ibn Ed’hemi kalonte nëpër tregun e Basrës.
U tubuan njerëzit rreth tij dhe i thanë:
– Çka është me ne që i lutemi Allahut, por ai nuk na pranon?
Ai i thotë: – Për shkak se zemrat e juaja janë të vdekura në dhjetë çështje:
E para:
E njihni Allahun dhe nuk i kryeni obligimet e Tij.
E dyta:
Deklaroni se e doni të Dërguarin e Allahut e nuk veproni sipas sunetit të tij.
E treta:
E lexoni Kur’anin dhe nuk veproni me të.
E katërta:
I shfrytëzoni të mirat e Allahut, e nuk e falënderoni.
E pesta:
Thoni se shejtani është armiku juaj, e nuk e kundërshtoni.
E gjashta:
Thoni se xheneti është i vërtetë, e nuk punoni për të.
E shtata:
Thoni se xhehenemi është i vërtetë, e nuk largoheni prej tij.
E teta:
Thoni se vdekja është e pashmangshme, e nuk përgatiteni për çastin e tij.
E nënta:
Zgjoheni nga gjumi, i shihni të metat e të tjerëve, e i harroni tuajat.
E dhjeta:
I varrosni të vdekurit, e nuk llogaritni se do t’ju ndodhë njësoj si atyre.
–
Dr. Musli Vërbani
“365 tregime për fëmijën tuaj brenda 12 muajve të vitit”