PËRKUJTONI TË MIRAT E TË VDEKURVE TUAJ
–
Çka do të thotë “Përkujtoni të mirat e të vdekurve tuaj? Dhe cila është urtësia gjatë kësaj duaje, e melaqet thonë: “Amin”?
Përgjigjje: Shejh Muhamed Muteveli Shaëraviju thotë: Qëllimi i lutjes “Përkujtoni të mirat e të vdekurve tuaj” është që dëgjuesi mos të dëgjojë se ndonjëri ka vepruar keq, e ai ta marrë si shembull, pastaj edhe vet vepron keq. Por, kur t’ia përmendim vetëm të mirat ndonjë personi, i cili ka vdekur, atëherë dëgjuesi i merr shembëlltyrë vetëm veprat e mira dhe i vepron ato. Mirëpo, kur njeriu dëgjon se i vdekuri ka vepruar edhe keq, edhe mirë, atëherë ai nuk mund ta paramendojë veten e tij që të veprojë keq, pasi që ai mendon se të gjithë njerëzit bëjnë keq, e nuk është i vetmi ai, i cili bënë keq. Mirëpo, kur të dëgjojë vetëm vepra të mira, atëherë në mendjen e tij përqëndrohet ideja se e mira është duke dominuar. Ndërsa, sa i përket pjesës: melaqet thonë “Amin”, gjatë asaj lutjeje, melaqet bëjnë dua për punët e mira. Zoti i Lartëmadhëruar thotë: Ai është i cili ju bën mirë juve (ju bekon) dhe, po ashtu, edhe melaqet (luten dhe ju bekojnë juve). Kështu, melaqet vazhdimisht janë në kontakt me ne, e duaja e tyre është që të jemi mirë ne. Për këtë arsye thuhet: Asnjë ditë nuk lind dielli, e që dy melaqe mos të të jenë pranë; njera të thotë: O Zot, shtoja pasurinë atij që jep, e tjetra: O Zot, zvogëloja pasurinë atij që nuk jep.
Pra, kur melaqja thotë: O Zot, shtoja pasurinë atij që jep, kuptohet se është lutje për të, por si të lutë për dorështrënguarin, që t’iu falen gabimet, kur dihet se melaqet luten vetëm për mirësi?
Nëse shikojmë të vërtetën, kuptojmë se melaqja, kur thotë: O Zot, shtoja pasurinë atij që jep, është lutur për mirësi, sepse ai ka vepruar mirë. Ndërsa, atij, i cili nuk jep, melaqja ia siguron dhe ia ruan pasurinë e tij, sepse është lutur për t’iu zvogëluar pasuria, e mos t’i ndodhë fatkeqësi, e kjo është lutje e mirë për të dhe themi: Ju mendoni se ai është lutur keq për të, e jo mirë për të. Por, melaqja është lutur që e mira të shpërblehet me të mirë. Njerëzit duhet ta shikojnë patjetër fundin e rezultatit, e jo vetëm fillimin. E fundi i rezultatit, a është në këtë botë a në botën tjetër?
–
Muhamed Muteveli Esh-Shaëravi Përktheu: Dr. Musli Vërbani Shkëputur nga “Fetva”