TRI DITËT E PARA TË BAJRAMIT DHE TRI DITËT E PAS BAJRAMIT
Te ne (në përgjithësi në popull ) është thënë se Bajrami i ka tri ditë dhe gjithmonë e kanë pasur në mendje për tri ditët pas ditës së parë të Bajramit, por e vërteta është ndryshe: Kemi:
– Ditët të cilat ndërlidhen me Bajramin e Kurbanit, e këto janë dy ditët e para Bajramit, dhe
– Dita e Bajramit, ndërsa tri ditët e pas bajramit konsiderohen si ditë shtesë së Bajramit.
Kështu pra kemi:
– JEVMU TERVIJE: Dita e përgatitjes për therjen e kurbanit (dy ditë para Bajramit);
– JEVMU ARAFE: Dita e qëndrimit në Arafat, para therjes së Kurbanit (një ditë para Bajramit) dhe
– JEVMU NAHR: Dita e therjes së Kurbanit (Dita e Bajramit).
(Këto tri ditë) Jevmu Tervije, Jevmu Arafe dhe Jevmu Nahr bëjnë pjesë në dhjetë ditshin e Dhul Hixhe-s për të cilat ditë është përbetuar Zoti në Kur’an.
Në JEVMU TERVIJE: (Ditën e Përgatitjes) Haxhilerët bëhen gati për nisje për në Arafat. Në këtë ditë Ibrahimi është bërë gati për të shkuar në Mine për ta therë djalin e tij Ismailin.
Në JEVMU ARAFE (Ditën e Arafatit): Haxhilerët qëndrojnë në kodrën e Arafatit. Në këtë ditë Ibrahimi a.s. ka qëndruar në Arafat ashtu që të nesërmen do ta zbatonte urdhrin për therjen e Ismailit a.s.
Pejgamberi a.s ka thënë:
“Për agjërimin e ditës së Arafatit shpresoj që Allahu të m’i falë mëkatet e vitit të kaluar dhe vitit të ardhshëm.”,
Në JEVMU NAHR (Ditën e therjes së Kurbanit) Haxhilerët shkojnë në Mine për t’i gjuajtur gurët në Mine, në vendin ku Ibrahimi a.s. ka dashur ta kryej urdhrin për ta therë Ismailin e që është zëvendësuar me Dashin e Xhenetit. Kjo për ta shpëtuar Ismailin a.s.
DITËT E TESHRIKUT
Pastaj janë paraparë edhe tri ditë shtesë të cilat ditë janë ditët e pas Bajramit, e që quhen (EJAMU TESHRIKË). Edhe pse edhe këto ditë janë ditë në të cilat lejohet therja e Kurbanit, nuk janë ditët e dhjetë ditshit të Dhul Hixhes të cilat janë ditët më të rëndësishme të vitit për të cilat është përbetuar Zoti i Madhërishëm në Kur’an.
Ditët e Teshrikut janë:
– Dita e njëmbëdhjetë e Dhulhixhes;
– Dita e dymbëdhjetë e Dhulhixhes dhe
– Dita e trembëdhjetë e Dhulhixhes.
Këto ditë vijnë pas ditës së dhjetë të Dhul Hixhes (Ditës së Bajramit).
Ditët e Teshrikut janë:
– Ditë ngrënieje, pijeje (ditë feste) dhe
– Ditë përmendjeje ndaj Allahut,
PËRMENDJA E ALLAHUT GJATË DITËVE TË TESHRIKUT
Ajetin kur’anor: “Dhe madhëroni Allahun në ditët e caktuara.” (El-Bekare: 203), dijetarët e kanë interpretuar se ka të bëjë për ditët e teshrikut kur duhet madhëruar Allahun.
Allahu madhërohet në forma të ndryshme por kemi:
- Tekbirin e përcaktuar dhe
- Tekbirin e papërcaktuar.
TEKBIRI I PËRCAKTUAR
Formula më e njohur e tekbirit është:
“ALLAAHU EKBER, ALLAHU EKBER, ALLAHU EKBER
LAA ILAHE IL-LELL-LLAHU VALLAHU EKBER
ALLAHU EKBER VE LIL-LAHIL HAMD.”
Tekbiri i përcaktuar gjatë ditës të Teshrikut thuhet si në namazet farze kur falen me xhematë si në namazet farze të cilat falen pa xhematë.
TEKBIRI I PAPËRCAKTUAR
Është e preferuar të thuhet Tekbiri i papërcaktuar (Minimumi: Allahu Ekber) gjatë ditëve të Teshrikut.
Në esencë tekbiri i papërcaktuar preferohet të bëhet edhe gjatë dhjetë ditëve të Dhulhixhes edhe gjatë tri ditëve të Teshrikut.
Tekbiri i papërcaktuar:
– Bëhet në çdo kohë: natën dhe ditën.
– Bëhet në çdo gjendje: ulur, shtrirë, duke ecë, në mjet të qarkullimit, e kështu me radhë dhe
– Bëhet në çdo vend ku lejohet përmendja Allahut: rrugë, në treg, në shtëpi, e kështu me radhë.
Lejohet në vetvete dhe haptazi, bile preferohet të thuhet haptazi
LUTJA E PREFERUAR GJATË DITËVE TË BAJRAMIT (TESHRIKUT)
“Lutjen që vazhdimisht e bënte pejgamberi a.s. dhe të parët e praktikonin gjatë kryerjes së haxhit e që është mirë ta thonë edhe ata të cilët nuk janë në haxh gjatë këtyre ditëve është:
RABBENAA AATINAA FID-DUNJA HASENETEN
VE FIL AAHIRETI HASENETEN
VE KINAA ADHAABENNARË.
“Zoti ynë, na jep të mira në këtë botë,
Dhe në botën tjetër na dhuro të mira
dhe na ruaj nga dënimi i Zjarrit.”
Dr. Musli Vërbani