Ebu Hanife dhe humbësi i thesarit
–
Një njeri, në një natë shkon te Ebu Hanife.
E pyet:
– O Imam, ka kohë që kam groposur thesarin diku,
por që assesi të më bie ndërmend vendi se ku!
A do të më ndihmoje në zgjidhjen e këtij problemi?
Ebu Hanife ia ktheu:
– Kjo s’është punë e fekihut (juristit).
Mirëpo, pasi u mendua thotë:
– Shko në shtëpi dhe fillo të falesh, por pa ndërprerje, deri në mëngjes,
kështu, me siguri do të të kujtohet vendi se ku i ke fshehur paratë, nëse do Allahu.
Njeriu u kthye në shtëpi,
filloi të veprojë ashtu siç e udhëzoi Imami.
Tek po falej iu kujtua vendi se ku i kishte fshehur paratë.
Me të nxituar shkoi dhe i gjeti ato.
Në mëngjes te Ebu Hanife po avitej një njeri.
Ishte po ai që e kishte harruar vendin e parave, iu afrua imamit,
i tregoi se e kishte gjetur vendin e parave dhe ia tregoi ngjarjen në tërësi,
por në fund e pyeti me shumë habi: – Si e dinit ju që unë do të kujtojë vendin e thesarit?
Imam Ebu Hanife ia ktheu:
– E dija që shejtani nuk do t’ju lë të qetë gjatë faljes dhe, me siguri, do t’ju pengonte, duke ju bërë të kujtonit vendin e thesarit tuaj të fshehur. Po pse ju nuk e vazhduat namazin deri në fund si falënderim ndaj Allahut për gjetjen e thesarit?
–
Dr. Musli Vërbani
“365 tregime për fëmijën tuaj brenda 12 muajve të vitit”