Në shpellën Thevr
Kurejshitët kuptuan se Muhamedi a.s. kishte marrë rrugën për në Medinë.
Kurejshitët shpallën një shpërblim prej njëqind deveve për atë që e zë Muhamedin a.s. të gjallë apo të vdekur.
Muhamedi a.s. shkoi te Ebu Bekri, e ftoi Ebu Bekrin dhe së bashku u nisën për në Medinë.
Rruga për në Medinë ishte e gjatë dhe e mundimshme. Por Allahu në çdo moment atyre u kishte sjellë qetësi trupore dhe freski shpirtërore.
Posa e kaluan Mekën, për t’u strehuar nga kurejshët u vendosën në shpellën Thevr.
Kur hynë në shpellë, Ebu Bekri filloi të frikohet e Muhamedi a.s. i tha:
“Mos u pikëllo – Allahu është me neve”.
Vërtetë Allahu ishte me ta.
Posa u vendosën në shpellë, Zoti e dërgoi një merimangë dhe e thuri rrjetën e saj në hyrje të shpellës.
Edhe një pëllumb fluturoi dhe u vendos në hyrje të shpellës dhe bëri vezët e saj dhe ra të pushojë.
Kurejshët kaluan pranë shpellës dhe u ndalën aty.
Njëri tha: – Të shikojmë në shpellë ndoshta janë aty.
Të gjithë të tjerët filluan të tallen duke i thënë: – Si kanë mundur të hynë në shpellë kur në hyrje është pëllumbi me vezë, kjo do të ishte e palogjikshme?
–
Dr. Musli Vërbani
“365 tregime për fëmijën tuaj brenda 12 muajve të vitit”