Dëmi më i madh largohet me dëmin më të vogël
Ky rregull bazohet në rregullin Dëmi largohet.
Ky rregull është sqarim dhe specifikim i rregullit: Dëmi nuk largohet me dëmtim.
Nëse është e patjetërsueshme që dëmi duhet larguar me dëmtim, atëherë duhet që dëmi më i madh të largohet me dëm më të vogël.
Nëse dëmi i cili largon dëmin është i njëjtë me dëmin të cilin duhet larguar atëherë zgjedhim:
– ose të mbetet dëmi;
– ose e largojmë me të njëjtin dëm.
Nëse dëmi i cili e largon dëmin është më i madh se dëmi i cili duhet larguar, nuk lejohet as ligjërisht dhe as logjikisht të bëhet një veprim i tillë.
Dëmi përcaktohet duke shikuar kushtet, rrethanat, individët dhe zakonet. Duhet të merren parasysh të gjitha këto çështje në mënyrë që të gjykohet me drejtësi dhe me urtësi.
Kur dy të këqija ndodhen në të njëjtën kohë lejohet që të veprohet e keqja më e vogël për të larguar të keqen më të madhe:
Shembull:
– Lejohet të pranohet shpërblimi për thirrje të ezanit sepse po të mos thirret ezani, atëherë dëmi do të ishte edhe më i madh.
– Lejohet të pranohet shpërblimi për imam (edhe pse është i ndaluar pranimi i pagës për imam) sepse po të mos kishte imam, atëherë e keqja do të ishte edhe më e madhe.
– Lejohet të jepet mësim fikhu me pagesë edhe pse në përgjithësi është i ndaluar pranimi i pagesës për mësim të fikhut, por lejimi bëhet sepse po të mos kishte mësues të fikhut atëherë e keqja do të ishte edhe më e madhe.
Sa i përket largimit të dëmit, ai duhet të ketë prioritet nga realizimi i dobisë. Pra, kur takohen largimi i dëmit dhe realizimi i dobisë, zgjidhet largimi i dëmit.
Dr. Musli Vërbani