Dr. Musli Vërbani
Tre këmishat e Jusufit a.s
Kur’ani përmend tri këmishat e Jusufit a.s.:
- këmisha e pa shqyer (e pa grisur);
- këmisha e shqyer (e grisur);
- këmisha me aromë.
Këmisha e parë tregon për fabrikim të lajmeve, dëshmive, etj.
Këmisha e dytë tregon për tentim të fshehjes së fakteve.
Këmisha e tretë tregon për aromën që sjell lajmi i mirë.
Sa i përket këmishës së parë:
Këmisha e pa shqyer, e cila ka qenë dëshmi se Jusufin a.s. nuk e ka ngrënë ujku. Vëllezërit e tij e sjellin si dëshmi dhe thonë se prej Jusufit ka mbetur vetëm kjo këmishë dhe se ata janë të pafajshëm, ndërsa në realitet ishte e kundërta, e në fakt ajo këmishë, për shkak se ishte e pa shqyer, ishte dëshmi e tradhtisë së tyre.
Kjo është dëshmi se fshehja e gjurmës zbulohet nga vet ajo që është si dëshmi për ata (prokurorët, dëshmitarët e rrejshëm, etj.) të cilët i fshehin gjurmët me vetëdije.
Sa i përket këmishës së dytë:
Këmisha e shqyer në trupin e tij (Jusufit a.s.) në shpinë ka qenë dëshmi pro tij, pasi me të është vërtetuar se ai nuk ka vrapuar pas bashkëshortes së sundimtarit, por se ajo ka vrapuar pas tij.
Sa i përket këmishës së tretë:
I dëmtuari i cili më në fund e gjen shpëtimin dhe gëzimin. Këmisha e lajmit përgëzues për prindin e Jusufit a.s., Jakubin a.s., si dëshmi se Jusufi a.s. është i gjallë dhe do t’i kthehet prindit të tij, madje po me këtë këmishë Jakubit a.s. i rikthehet shikimi.
Për këmishën e parë Zoti i Lartmadhëruar thotë:
“Dhe e sollën këmishën e tij (të Jusufit a.s.) të përgjakur, me gjak të rremë.” (Jusuf : 18)
Për këmishën e dytë Zoti i Lartmadhëruar thotë:
“Një i afërt i saj tha:
- nëse këmisha e tij është e shqyer përpara, ajo thotë të vërtetën, kurse ai (Jusufi) gënjen;
- nëse këmisha e tij është e shqyer prapa, ajo gënjen, ndërsa ai (Jusufi) e thotë të vërtetën.” (Jusuf : 26)
Për këmishën e tretë, Zoti i Lartmadhëruar thotë:
“Kur erdhi sjellësi i lajmit të mirë dhe ia vuri këmishën në fytyrë atij iu kthye shikimi.” (Jusuf : 96)