Dr. Musli Vërbani
Gjumi, ëndërrimi dhe duaja para gjumit
- Shpirti hyn në trup pasi që të formohet njeriu,
- pastaj del prej trupit kur të vdes njeriu,
- pastaj përsëri në ditën e gjykimit shpirti do të bashkohet me trupin e njeriut.
Ekziston edhe një fazë kohore gjatë jetës, ku shpirti del prej trupit të njeriut, ajo fazë kohore është fazë e gjumit, Zoti i Lartmadhëruar thotë:
“…Ai (Allahu) është ai i cili jua merr shpirtrat gjatë natës…” (El-En’am : 60)
Thotë Zoti i Lartmadhëruar:
“Allahu ua merr shpirtrat në kohën e vdekjes, ndërsa atyre që nuk kanë vdekur (ua merr shpirtrat) në kohën e tyre të gjumit. Pastaj Ai ndal shpirtin e atij që i ka caktuar vdekja, ndërsa të tjerëve ua lë deri në një kohë të caktuar…”
Muhamedi a.s. na ka mësuar që kur të biem në gjumë të bëjmë këtë lutje:
“Në emrin tënd o Zoti im po e shtrij krahërorin dhe
në emrin tënd do të ngrihem.
Në qoftë se ma merr shpirtin, më mëshiro,
nëse e kthen, ruaji siç i ruan shpirtrat bamirës dhe të devotshëm.”
Gjatë gjumit ndonjëherë shohim ëndrra:
- si lajmërim apo përgëzim prej Allahut:
“Nëse dikush sheh një ëndërr që e pëlqen, atëherë ajo është nga Allahu, le ta falënderoj Allahun dhe le t’ua tregoj atë të tjerëve.”
- si rezultat i angazhimit të shejtanit për ta brengosur njeriun, për ta munduar njeriun dhe ashtu siç mundohet gjatë ditës ashtu mundohet edhe përderisa është njeriu në gjumë.
Nëse sheh diçka që nuk e pëlqen, atëherë ajo është nga shejtani, le t’i mbështetet Allahut për ta ruajtur nga e keqja e saj dhe të mos ia tregoj atë askujt sepse ajo nuk do t’i sjellë atij asnjë të keqe.
- si shkak i lodhjes së trupit për shkak të angazhimeve qoftë ditore, javore, mujore apo vjetore.
Kur’ani tregon për ëndrrat që janë ndërlidhur me Jusufin a.s.:
Ëndrra e parë:
“Kur Jusufi, babait të vet i tha: O babai im! Unë ëndërrova njëmbëdhjetë yje dhe diellin e hënën, i pashë duke më bërë mua sexhde!” (Jusuf : 3,4)
Kjo ëndërr iu realizua Jusufit a.s. pas një periudhe kohore.
Ëndrrat e dy shokëve të Jusufit a.s. në burg.
Njëri prej shokëve të Jusufit a.s. i ka thënë:
“Unë e kam ëndërruar veten, se si shtrydhja verë.” (Jusuf : 36)
Jusufi a.s. ia komentoi këtë ëndërr dhe i tha se do të lirohej dhe se do të punonte në pallatin mbretëror dhe ashtu ndodhi.
Shoku tjetër i thotë Jusufit a.s.:
“Unë kam ëndërruar se si mbaja në kokë bukë të cilën e hanin shpendët.” (Jusuf : 36)
Jusufi a.s. e komentoi këtë ëndërr dhe i tha se do të dënohesh me vdekje dhe kështu ndodhi.
Kur’ani tregon edhe për ëndrrën e mbretit në kohën e Jusufit a.s.:
“E mbreti tha: Kam ëndërruar:
- shtatë lopë të majme dhe shtatë lopë të dobëta që i hanin ato, dhe
- shtatë kallinj të njomë e (shtatë) të tjerë të tharë.” (Jusuf : 43, 44)
Jusufi a.s. këtë e interpretoi këtë ëndërr dhe ashtu edhe ndodhi. Jusufi a.s. këtë ëndërr e komentoi kështu: Shtatë vite do të ketë të lashta të bollshme, ndërsa pas shtatë viteve do të filloj thatësi. Përveç kësaj, Jusufi a.s. e dha edhe zgjidhjen për këtë problem, ai tha se duhet të deponohen tepricat e të lashtave të shtatë viteve, që më pastaj të ketë edhe për shtatë vitet e thatësirës.