Falënderojmë Allahun, i Cili i ka bërë tregimet ushqim të mendjes dhe shpirtit.
Përshëndetjet dhe selamet qofshin për Pejgamberin a.s., për familjen e tij, shokët e tij të mirë e të pastër dhe për ata të cilët i pasojnë ata deri në Ditën e Gjykimit.
Mendja dhe shpirti ushqehen siç ushqehen trupat, mbushen siç mbushen trupat, forcohen siç forcohet hekuri.
Mendjet mbushen siç mbushen trupat; kërkoni ushqimin e mendjes në urtësi.
Tregimet janë ushtri prej ushtrive të Allahut të Madhërishëm. Allahu me këto tregime forcon zemrat e besimtarëve.
Tregimet kur’anore nuk janë tregime për argëtim dhe për zbavitje, nuk janë për humbje kohe, por për mësim dhe përfitime. Duhet t’i lexojmë tregimet kur’anore, të përfitojmë dhe të veprojmë. Zoti i Madhërishëm thotë:
“Të gjitha këto që t’i tregojmë ty nga lajmet e pejgamberëve, janë që të forcojnë zemrën tënde.”
Duhet të kuptojmë se historitë e Kur’anit janë mësime dhe këshilla për të logjikshmit, nuk janë proverba të trilluara. Në ajetet e para të sures Jusuf, Zoti i Madhërishëm thotë: “Ne, me të shpallur të këtij Kur’ani, po të rrëfejmë ty (Muhamed) me të bukurin rrëfim, edhe para tij ishe nga të painformuarit”. (Jusuf, 3)
Dhe e përfundon suren Jusuf me ajetin: “Në tregimet e tyre (të dërguarve dhe të Jusufit me vëllezër) pati mësime e përvojë për të zotët e mendjes. Ai (Kur’ani) nuk është bisedë e trilluar, por vërtetues i asaj që ishte më parë (librave të shenjta) dhe sqarues i çdo sendi, e edhe udhërrëfyes e mëshirë për një popull që beson.” (Jusuf, 111)
Në këtë histori shohim suksesin dhe shpëtimin e besimtarëve dhe shkatërrimin e pabesimtarëve, e cila është mësim dhe këshillë për njerëzit me logjikë të shëndoshë dhe me ide të drejta.
Vëllezër të nderuar!
Burgjet janë për kriminelët.
Në burgje vendosen kriminelët të cilët shkaktojnë trazira.
Ndonjëherë vendosen edhe të sinqertët, të drejtët dhe të mirët, pafajësisht.
Fatkeqësisht, kur burgosen të pafajshmit, të mirët përkrahës të tyre janë të paktë.
Kaq ka pasur sisteme të cilat i kanë burgosur të pafajshmit e pastaj kanë heshtur të tjerët, siç është rasti i Azizit, i cili e ka ditur pafajësinë e Jusufit, mirëpo ka heshtur. Pra, ka heshtur kur është burgosur i pafajshmi Jusufi a.s.
Edhe sot ka vende ku burgosen të pafajshmit, ndërsa heshtin të tjerët.
Në atë kohë sistemi funksiononte në parimin e të fuqishmit, jo të drejtësisë. Edhe sot ka sisteme të cilat i burgosin të pafajshmit, ndërsa nuk guxojnë t’i burgosin oligarkët dhe të fuqishmit.
Me çështjet me të cilat ballafaqohen pejgamberët, vështirë se mund të ketë raste të tilla në histori.
Kështu, Jusufi a.s. sprovohet me një sprovë tjetër. Jusufi përfundon në sfidat e burgjeve.
Ai ishte i pastër, i pafajshëm; ai është burgosur edhe pse nuk ishte i akuzuar [fajtor].
Mirëpo, ka shpëtuar nga lajkat dhe tradhtitë e grave.
“Ndoshta njeriu e urren një send, por ajo është e dobishme për ju, ndonëse e urreni. Por mund ta urreni një gjë, ndërkohë që ajo është e mirë për ju, e mund ta doni një gjë, ndërkohë që ajo është e dëmshme për ju. Allahu di, kurse ju nuk dini.” (Bekare, 216)
Vëllezër të nderuar!
Në burg, të burgosurit ishin ken’anijunë dhe egjiptasë, të cilët besonin në shumë zota, si p.sh. në diell, në lopë dhe në firaunin.
Burgu ku qëndronte Jusufi ishte rast i mirë për t’i ftuar të burgosurit në adhurim vetëm ndaj Allahut.
Ishte rast i mirë për t’i ftuar të burgosurit që t’i largonin nga idhujtaria.
Për këtë arsye:
ka kërkuar prej të burgosurve që të përmirësohen;
ka kërkuar prej tyre që të bëhen të devotshëm;
u ka interpretuar ëndrrat të cilat i ëndërronin, e që më pastaj ëndrrat e tyre bëheshin realitet.
Kjo ka ndikuar që të burgosurit të kishin besim në të, ta donin dhe ta nderonin.
Në komunikim me të burgosurit, Jusufi u tregon se i takon fesë së gjyshërve pejgamberë: Ibrahimit, Is’hakut dhe Jakubit.
Këtu i shohim katër gjenerata të pejgamberëve: gjyshi, djali, nipi dhe stërnipi, pra Ibrahimi, Is’haku, Jakubi dhe Jusufi.
Jusufi i thërret që të besojnë vetëm në një Zot, pra në rend të parë të heqin dorë nga adhurimi i idhujve.
Zoti i Madhërishëm tregon se Jusufi a.s. ka thënë:
“Unë ndoqa fenë e prindërve të mi: Ibrahimit, Is’hakut, Jakubit. Neve nuk na takoi t’i përshkruajmë kurrë një send shok Allahut.”
Pastaj,
Jusufi e deklaron programin e përgjithshëm të pejgamberëve, ku thotë: “Pejgamberëve nuk ju takon që të adhurojmë shumë zota, qofshin zota nga lloji njeri, nga mbretërit ose xhinët.”
Ky është deklarimi për Njëshmërinë e Allahut, se vetëm Allahu është Zot i paortak.
Kjo është begati e Allahut për ne, që nga momenti kur na ka udhëzuar në atë drejtim.
Begati tjetër e Allahut është se ka dërguar pejgamberë për njerëzit, që t’i orientojnë, t’i udhëzojnë në rrugën e drejtë dhe t’i largojnë nga rruga e devijuar, mirëpo shumica e njerëzve nuk falënderojnë për të mirat e Allahut dhe begatitë e Tij, por i përshkruajnë Allahut ortak dhe nuk e vlerësojnë begatinë e dërgimit të pejgamberëve për ta. Zoti i Madhërishëm tregon se Jusufi a.s. ka thënë:
“Ky (besim i drejtë) është dhuratë e madhe nga Allahu ndaj nesh dhe ndaj njerëzve, por shumica e njerëzve nuk ia dinë vlerën.” (Jusuf: 38)
Të drejtë janë pejgamberët dhe të mirët të cilët insistojnë në Njëshmërinë e Allahut dhe adhurimin ndaj Tij.
Të drejtë janë pejgamberët dhe të mirët të cilët zbatojnë programin e Zotit, si në adhurim, në raportet ndërnjerëzore, ashtu edhe në vlerat morale.
Kështu pra, edhe duhet të jemi falënderues ndaj Allahut që na ka bërë muslimanë.
Vëllezër të nderuar!
Tani, të shohim historinë e Jusufit me shokët e tij në burg.
Duke komunikuar me dy të burgosurit, Jusufi ka parashtruar pyetje logjike:
Çka është më e dobishme: thënia se ka shumë zota dhe besimi në zota të ndryshëm, apo besimi në Allahun, Një Zot të Vetëm, i Cili është Mbizotërues dhe Triumfues?
Çka është më e mirë: thënia se ka shumë zota dhe besimi në zota me atribute të ndryshme, apo besimi në Allahun, Një Zot të Vetëm, i Cili nuk ka nevojë për zot tjetër, i Cili në vullnetin e Tij dhe me fuqinë e Tij e mposht çdo gjë?
Mirëpo,
shumica e njerëzve nuk e dinë këtë fe të vërtetë, e cila nuk ka devijime.
Ky është shkaku se shumica e tyre janë idhujtarë, siç thotë Allahu i Madhërishëm:
“Po ti, edhe pse lakmon (për besimin e tyre), shumica e njerëzve nuk do të besojnë.” (Jusuf, 103)
Pastaj, Jusufi a.s. u thotë:
“Nuk ju vjen juve ndonjë ushqim me të cilin ushqeheni, e që unë të mos e di, t’ju përshkruaj atë para se t’ju vijë. Kjo është nga ajo çka më mësoi Zoti im.”
U ka thënë: “Për çdo ditë, para se t’ju afrohet ushqimi, unë ju tregoj se çfarë ushqimi do t’ju ofrohet. Kjo është prej diturisë së Allahut, i cili më mëson mua, dhe nuk është çështje e fallit, e parashikimit iluzionar apo e magjistarëve.”
Vëllezër të nderuar!
Jusufi a.s. ka interpretuar ëndrra të shumta në burg, por prej interpretimeve më të njohura janë:
- interpretimi i ëndrrës së dy shokëve në burg;
- interpretimi i ëndrrës së mbretit.
Sa i përket dy shokëve të burgut:
Njëri ishte bukëpjekës, ndërsa tjetri ishte kamarier. (Ndoshta këto dy profesione ishin prej profesioneve më të nevojshme të asaj kohe).
Bukëpjekësi dhe kamarieri kishin parë ëndërr.
Kamarieri thotë: “Kam ëndërruar se si e shtrydh rrushin dhe prodhoj alkool”.
Bukëpjekësi thotë: “Kam ëndërruar duke bartur bukë mbi kokën time, dhe shpendët ushqeheshin prej asaj buke të vendosur mbi kokën time”.
E pyesin Jusufin: “A ke mundësi të na interpretosh ëndrrat tona, dhe a mund të bëhen realitet? Ne veç e dimë se ti je njeri i cili i interpreton ëndrrat më së miri.” Zoti i Madhërishëm tregon se:
“Njëri prej atyre dyve tha: ‘Unë ëndërrova veten se po shtrydhi (rrush për) verë’. E tjetri tha: ‘Unë ëndërrova se po bart mbi kokë një bukë, nga e cila hanin shpezët. Na trego komentin e saj, se ne të konsiderojmë nga komentuesit e mirë (të ëndrrave).’” (Jusuf: 36)
Kamarierit, i cili kishte ëndërruar duke shtrydhur rrush nga i cili prodhohej alkooli, i thotë: “Ashtu siç i the shërbyer mbretit më parë, ti do t’i shërbesh atij me pije, ashtu siç e kërkon zakoni”.
Ky ka qenë fakt i pafajësisë së tij se nuk ka bashkëpunuar me të akuzuarit në tentativën për ta helmuar mbretin.
Sa i përket të dytit: Ai ka qenë bukëpjekës, i cili barte mbi kokën e tij bukë, mbi të cilën ushqeheshin shpendët (pra do ta hanë shpendët, siç është shqiponja), do të thotë se ai do të dënohet që nga koka e tij – do të vritet e që më pastaj do të kryqëzohet i vdekur. Jusufi u thotë:
“O shokët e mi të burgut! Njëri prej ju dyve do t’i japë për të pirë verë zotërisë të vet, e tjetri do të varet, kurse shpezët do të hanë nga koka e tij. Çështja për të cilën kërkuat shpjegim ka marrë fund (kështu).” (Jusuf: 41)
Vëllezër të nderuar!
Kamarierit, për të cilin ishte i bindur se do të shpëtonte, fshehurazi – duke mos ia bërë me dije tjetrit – i thotë: “Çështjen time tregoja zotërisë tënd, pra mbretit, se ndoshta do të më lirojë nga burgu pasi do ta vërtetoni pafajësinë time.”
Kjo është prej formave se si duhet pasuar shkaqet, dhe zakonisht bëhet kërkesa për të vërtetuar pafajësinë, për të shpëtuar dhe për t’u liruar nga burgu. Zoti i Madhërishëm tregon se:
“E atij për të cilin besonte se është i shpëtuar i tha: ‘Më përkujto mua te zotëria yt’. Po djali e vuri në harresë ta përkujtonte te zotëria i tij, e për këtë mbeti në burg disa vjet.” (Jusuf: 42)
Mirëpo,
shejtani bën që ai të harrojë për t’ia treguar çështjen e Jusufit, që pejgamberi i Allahut, Jusufi, të mos dalë nga burgu, e që pastaj t’i thërrasë të tjerët për të besuar Allahun në Njëshmërinë e Tij.
Shejtani angazhohet t’i largojë njerëzit që të mos i kuptojnë cytjet e tij.
Përfundim
Jusufi ka mbetur i harruar në burg edhe për shtatë vite, pra nga tri deri në nëntë vite.
Jusufi ka mbetur në burg shtatë vite, dhe prej Allahut është dënuar edhe për pesë vite të tjera. Kohëzgjatja në burg gjithsej ka qenë dymbëdhjetë vite.
Pesë vite pas shtatë viteve, si dënim prej Allahut, për shkak se kamarierit personal i kishte thënë: “Përkujtoja këtë çështje zotërisë tënd”, kështu që i kishin kaluar në burg dymbëdhjetë vite.
Zoti ynë, Krijuesi i qiejve dhe të tokës, Ti je ndihmëtari ynë!
Zoti ynë, Ti kujdesesh për çështjet tona në këtë botë dhe në botën tjetër!
Zoti ynë, bëna që të vdesim muslimanë, të nënshtruar dhe të dorëzuar te çështja Jote!
Zoti ynë, na përcjell te të mirët prej prindërve dhe gjyshërve tanë!
Ti je i Mëshirshëm, Fisnik, Ti ke mundësi për gjithçka!
–
Dr. Musli Vërbani
“PËRFITO DHE MËSO NGA HUTBET E SURES JUSUF”