INTERPRETIMI I ËNDRRËS SË MBRETIT

Falënderojmë Allahun, i Cili i ka bërë tregimet ushqim të mendjes dhe shpirtit.

Përshëndetjet dhe selamet qofshin për Pejgamberin a.s., për familjen e tij, shokët e tij të mirë e të pastër dhe për ata të cilët i pasojnë ata deri në Ditën e Gjykimit.

Mendja dhe shpirti ushqehen siç ushqehen trupat, mbushen siç mbushen trupat, forcohen siç forcohet hekuri.

Mendjet mbushen siç mbushen trupat; kërkoni ushqimin e mendjes në urtësi.

Tregimet janë ushtri prej ushtrive të Allahut të Madhërishëm. Allahu me këto tregime forcon zemrat e besimtarëve.

Tregimet kur’anore nuk janë tregime për argëtim dhe për zbavitje, nuk janë për humbje kohe, por për mësim dhe përfitime. Duhet t’i lexojmë tregimet kur’anore, të përfitojmë dhe të veprojmë. Zoti i Madhërishëm thotë:

“Të gjitha këto që t’i tregojmë ty nga lajmet e pejgamberëve, janë që të forcojnë zemrën tënde.”

Duhet të kuptojmë se historitë e Kur’anit janë mësime dhe këshilla për të logjikshmit, nuk janë proverba të trilluara. Në ajetet e para të sures Jusuf, Zoti i Madhërishëm thotë: “Ne, me të shpallur të këtij Kur’ani, po të rrëfejmë ty (Muhamed) me të bukurin rrëfim, edhe para tij ishe nga të painformuarit”. (Jusuf, 3)

Dhe e përfundon suren Jusuf me ajetin: “Në tregimet e tyre (të dërguarve dhe të Jusufit me vëllezër) pati mësime e përvojë për të zotët e mendjes. Ai (Kur’ani) nuk është bisedë e trilluar, por vërtetues i asaj që ishte më parë (librave të shenjta) dhe sqarues i çdo sendi, e edhe udhërrëfyes e mëshirë për një popull që beson.” (Jusuf, 111)

Në këtë histori shohim suksesin dhe shpëtimin e besimtarëve dhe shkatërrimin e pabesimtarëve, e cila është mësim dhe këshillë për njerëzit me logjikë të shëndoshë dhe me ide të drejta. 

Vëllezër të nderuar!

Mbreti i Egjiptit e kishte parë një ëndërr.

Ka kërkuar interpretimin e saj.

Përmbajtja e ëndrrës ishte si në vijim:

Nga shtrati i lumit të shterur kishin dalë shtatë lopë të majme dhe i kishin ngrënë shtatë lopë të tjera të dobëta.

Pastaj:

Shtatë kallinj të njomë që kishin kokrra kishin mundur shtatë kallinj të thatë, të cilëve u kishte ardhur koha e korrjes dhe ishin shterur. Zoti i Madhërishëm thotë:

“E (kur u afrua lirimi i Jusufit) mbreti tha: ‘Kam parë ëndërr shtatë lopë të majme dhe shtatë lopë të dobëta që i hanin ato (të dobëtat, i gëlltitën ato të majmet), dhe shtatë kallinj të gjelbër (që kishin lidhur frytin) e (shtatë) të tjerë të tharë. O ju pari, nëse dini të interpretoni ëndrrën, më tregoni për ëndrrën time!’” (Jusuf: 43) 

Të nesërmen:

Mbreti i thërret falltarët dhe u thotë: “Më interpretoni këto ëndrra!”

I thërret edhe dijetarët dhe u thotë: “Më sqaroni qëllimin e atyre ëndrrave!”

Ata i thonë: “Ato nuk janë asgjë tjetër pos halucinacione dhe imagjinatë të cilën e sheh i fjeturi në mendjen e tij.”

Ata i thonë: “Nuk kanë kurrfarë kuptimi, por edhe nëse janë të vërteta, ne nuk kemi njohuri t’i interpretojmë ëndrrat e tilla.”

Ata (paria) thanë:

“Ëndrra të përziera, e ne nuk dimë komentin e ëndrrave të tilla.” (Jusuf: 44)

Shërbyesi i mbretit – ai i cili kishte shpëtuar nga vdekja, i cili kishte qenë shok i Jusufit në burg – e kujton, pasi veç e kishte harruar, dhe i thotë mbretit e parisë mbretërore: “Unë ju tregoj interpretimin e kësaj ëndrre, por më parë më dërgoni te Jusufi, i drejti dhe i sinqerti, i cili për momentin është në burg.”

Zoti i Madhërishëm thotë:

“E ai prej atyre dyve që shpëtoi (që i pat thënë Jusufi ta përmendë) e përkujtoi pas një periudhe e tha: ‘Unë ju tregoj kuptimin e saj. Pra, më lejoni të shkoj (te Jusufi).’” (Jusuf: 45)

E lejojnë të shkojë për vizitë në burg te Jusufi a.s.

Shkon, e viziton dhe i thotë Jusufit a.s.: “O Jusuf, o njeri fisnik! A ka mundësi të përgjigjesh për ëndrrën e mbretit, e ndoshta pastaj Allahu të liron nga burgu?”

O Jusuf, i drejti i gjithë botës, i specializuar në interpretimin e ëndrrave: a ka mundësi të përgjigjesh për ëndrrën e mbretit, e ndoshta pastaj Allahu të liron nga burgu?

Pastaj ia tregon ngjarjen se shtatë lopë të dobëta do t’i hanë shtatë lopë të majme, dhe shtatë kallinj të dobët do t’i hanë shtatë kallinj të tjerë të njomë.

Pastaj i thotë se ai do të kthehet te njerëzit dhe do t’ua mësojë të vërtetën e cila rezulton nga ajo ëndërr.

Vëllezër të nderuar!

Jusufi nuk e qorton dhe nuk e kritikon.

Jusufi nuk e kushtëzon me daljen nga burgu, por i përgjigjet se:

Do të vijojnë shtatë vite njëra pas tjetrës ku do të ketë të korrura dhe të lashta të bollshme; çka të korrni, lërini në kallinj, ashtu që të mos i hanë krimbat, përpos një pjese e cila është e domosdoshme për t’u konsumuar. Këto janë shtatë vite në të cilat llogariten lopët e majme dhe kallinjtë e njomë.

Pastaj, pas këtyre shtatë viteve do të pasojnë shtatë vite me thatësi, ku qytetarët do të shfrytëzojnë rezervat e shtatë viteve, përpos asaj çka e kanë shpenzuar.

Pastaj, pas katërmbëdhjetë viteve do të bjerë prapë shi, do të ketë të lashta dhe të korrura të mjaftueshme, dhe njerëzit do të prodhojnë vaj ulliri, lëngje pemësh, rrushi, hurmash e të ngjashme.

Këto informacione të panjohura për të ardhmen janë shpallje dhe inspirim prej Allahut, nuk janë thjesht vetëm interpretim ëndrrash për përgëzim për vitin pas pesëmbëdhjetë viteve të interpretimit të ëndrrës, ku do të jetë vit i bekuar dhe i begatshëm, me shumë të mira.

Ky ka qenë informim nga shpallja qiellore.

Kjo rezulton vetëm nga pejgamberi apo nga i dërguari.

Ky ka qenë informim se pejgamberia do të jetë e mira madhështore për njerëzimin.

Ky ka qenë informim se e mira madhështore është në fe dhe për të mirën e jetës së kësaj bote.

Vëllezër të nderuar!

Jusufi ka mbetur në burg shtatë vite, dhe prej Allahut është dënuar edhe për pesë vite të tjera. Kohëzgjatja në burg gjithsej ka qenë dymbëdhjetë vite.

Pesë vite pas shtatë viteve, si dënim prej Allahut, për shkak se kamarierit personal të mbretit i kishte thënë: “Përkujtoja këtë çështje zotërisë tënd”, kështu që i kishin kaluar në burg dymbëdhjetë vite.

Pas shpalosjes së qëllimit të ëndrrës së mbretit të Egjiptit, ka qenë e natyrshme që të mençurit të kërkojnë nga mbreti që të takohen me Jusufin në burg, i cili ka qenë në gjendje të interpretojë atë ëndërr.

Ka qenë e logjikshme që të mençurit të kërkojnë nga mbreti që të takohen me Jusufin në burg, i cili e ka interpretuar atë ëndërr.

Kjo kërkesë tregon për vlerën e diturisë.

Kjo kërkesë tregon pozitën e lartë të dijetarëve, nga të cilët kërkohet këshillë për çështje të rëndësishme.

Për çështje të rëndësishme kërkoni këshillë nga dijetarët.

Përballë kësaj kërkese, Jusufi a.s. paraqet çështjen e rishqyrtimit të lëndës nëpërmjet të cilit është akuzuar nga gruaja e Azizit, dhe shkakun se pse është futur në burg.

Pastaj mbreti ka kërkuar që të takohet me Jusufin a.s.

Jusufi a.s. e ka refuzuar atë kërkesë, ka dashur që të shpallet pafajësia e tij.

Ka dashur që të shpallet ndershmëria e tij dhe se i është bërë padrejtësi për shtatë vite, e që më pastaj kanë pasuar edhe pesë vite të tjera.

Jusufi a.s. nuk e ka pranuar ftesën e të deleguarit që të dalë nga burgu dhe të prezantohet në pallatin mbretëror, por i ka thënë: “Shko te zotëria yt dhe pyete për çështjen e grave të cilat i kanë lënduar duart e tyre, sepse unë nuk dëshiroj të prezantohem për atë çështje; unë jam i akuzuar dhe jam burgosur për atë çështje. Kërko nga mbreti që ta vërtetojnë dhe ta zgjidhin çështjen para se të jem prezent aty, që ta kuptojë të vërtetën e çështjes. Zoti im Famëlartë i di çështjet e fshehta.”

Allahu i di kurthet dhe planifikimet e grave për t’i ngritur kurth Jusufit a.s. Andaj, Jusufi ka kërkuar që të rishqyrtohet lënda e grave të cilat i kanë prerë duart e tyre dhe që të vërtetohet e vërteta e asaj çështjeje.

Vëllezër të nderuar!

Mbreti ka kërkuar që ta sjellin Jusufin a.s. nga burgu, derisa të vërtetohet prej tij sinqeriteti i asaj se çfarë në të vërtetë sinjalizon ëndrra, sepse ndryshe është vetëm të jepet lajmi, e ndryshe është prezantimi konkret i lajmëtarit.

Mbreti i tubon gratë të cilat i kishin prerë duart te gruaja e Azizit.

Fillon seanca gjyqësore.

Të gjithave atyre u drejtohet, mirëpo qëllimi ka qenë te gruaja e Azizit, e cila ishte gruaja e ministrit të parë: “Çka është çështja juaj me Jusufin të cilin e keni ngacmuar në ditën festive?”

Ato kanë thënë: “Zoti na ruajttë!

Jusufi nuk ka bërë asgjë të keqe,

ne nuk e kemi akuzuar për asgjë.

Për Zotin, ne nuk dimë se ka bërë të keqe gjatë gjithë kohës.”

Zulejhaja, gruaja e Azizit, e pranon të vërtetën dhe realitetin i cili ka buruar prej saj, e pranon këtë vlerë dhe e deklaron haptazi fajësinë e saj.

Kjo ka qenë edhe kërkimfalje edhe arsyetim, se zakonisht njerëzit mund të mëkatojnë për shkak të epshit.

Gruaja e Azizit të Egjiptit, para mbretit, me fjalët e saj dëshmoi dhe pranoi gjendjen e saj.

Me fjalët e saj ajo sqaroi dobësinë e njeriut dhe mundësinë për të bërë gabime, duke thënë: “Edhe pse tregova pafajësinë e Jusufit, nuk e shfajësoj veten time se kam lajthitur dhe kam rrëshqitur në mëkate.”

Pa dyshim se Zoti im i fal mëkatet.

Pa dyshim se Zoti im është i Mëshirshëm ndaj atyre të cilët mëkatojnë, por pastaj pendohen dhe kthehen te Allahu.

“Unë nuk e shfajësoj veten time, pse epshi është shumë nxitës për të keqen, përveç atë që e ka mëshiruar Zoti im, se Zoti im është që fal e mëshiron shumë.” (Jusuf: 53)

Atëherë gruaja e Azizit ka thënë:

“Tani doli e vërteta në shesh, pasi ishte e fshehur;

unë kam dashur që Jusufin ta përvetësoj për veten time,

ndërsa ai ka refuzuar,

është mbyllur dhe është mbrojtur.

Ai është i drejtë në atë që e thotë, ai kurrë nuk gënjen.”

Ky është fjalimi i gruas së Azizit.

Parim themeloresh është se:

Allahu nuk qëndron në anën e veprës së tradhtarit.

Nuk e plotëson dhe nuk e mundëson që të bëhet e suksesshme. Zoti i Madhërishëm tregon se

“…Allahu nuk lejon që të jenë të suksesshme grackat e tradhtarëve.”

Ky është motivim për të dobëtit dhe ndaj atyre të cilëve u bëhet padrejtësi.

Ky është motivim ndaj atyre të cilët Allahu i mbron dhe u ndihmon, dhe në fund i siguron nga e keqja, siç figuron në ajetin tjetër:

“Allahu largon dëmet e idhujtarëve ndaj atyre që besuan, se Allahu nuk e do asnjë tradhtar e bukëpërmbysët.” (el-Haxh, 38)

Përfundim

Mbretit i bëhet e qartë pafajësia e Jusufit dhe ndershmëria e tij.

I bëhet i qartë burgosja e tij me padrejtësi.

Dëshmohet edhe besnikëria e Jusufit.

I bëhet i qartë durimi i tij.

I bëhet i qartë stoicizmi i tij.

Është bindur në dashamirësinë e tij.

Është bindur në veprimet e mira të tij.

Pasi komunikon me Jusufin,

e vërteton profesionalizimin e tij,

e vërteton aftësinë e tij,

e vërteton vlerën dhe diturinë e tij.

Mbreti e vërteton edukatën dhe moralin e tij, dhe i thotë: “Sot ti te ne ke pozitë të lartë dhe respekt të veçantë, ke besë dhe nder të veçantë, ne të besojmë gjithçka si në çështje të gjykimit, ashtu edhe në çështje ekonomike dhe administrative.”

Jusufi i thotë mbretit: “O mbret, më emëro të jem përgjegjës i depove shtetërore, në të cilat grumbullohen gjërat ushqimore!

Më bëj menaxher që t’i menaxhoj dhe t’i sistemoj gjërat ushqimore, ashtu që t’i shpëtoj vendet nga mungesa e ushqimit, e cila mungesë do t’i kërcënojë ata. Unë jam kujdestar i drejtë dhe besnik, kam njohuri dhe vizion për këtë detyrë.”

Ky është argument se lejohet të kërkohet e drejta për punë dhe punësim.

Zoti ynë, Krijuesi i qiejve dhe të tokës, Ti je ndihmëtari ynë!

Zoti ynë, Ti kujdesesh për çështjet tona në këtë botë dhe në botën tjetër!

Zoti ynë, bëna që të vdesim muslimanë, të nënshtruar dhe të dorëzuar te çështja Jote!

Zoti ynë, na përcjell te të mirët prej prindërve dhe gjyshërve tanë!

Ti je i Mëshirshëm, Fisnik, Ti ke mundësi për gjithçka!

Dr. Musli Vërbani

“PËRFITO DHE MËSO NGA HUTBET E SURES JUSUF”

Lini një koment