Falënderojmë Allahun, i Cili i ka bërë tregimet ushqim të mendjes dhe shpirtit.
Përshëndetjet dhe selamet qofshin për Pejgamberin a.s., për familjen e tij, shokët e tij të mirë e të pastër dhe për ata të cilët i pasojnë ata deri në Ditën e Gjykimit.
Mendja dhe shpirti ushqehen siç ushqehen trupat, mbushen siç mbushen trupat, forcohen siç forcohet hekuri.
Mendjet mbushen siç mbushen trupat, kërkoni ushqimin e mendjes në urtësi.
Tregimet janë ushtri prej ushtrive të Allahut të Madhërishëm. Allahu me këto tregime forcon zemrat e besimtarëve.
Tregimet kur’anore nuk janë tregime për argëtim dhe për zbavitje. Nuk janë për humbje kohe, por për mësim dhe përfitime. Duhet t’i lexojmë tregimet kur’anore, të përfitojmë dhe të veprojmë. Zoti i Madhërishëm thotë:
“Të gjitha këto që t’i tregojmë ty nga lajmet e pejgamberëve, janë që të forcojnë zemrën tënde.”
Duhet të kuptojmë se historitë e Kur’anit janë mësime dhe këshilla për të logjikshmit, nuk janë proverba të trilluara. Në ajetet e para të sures Jusuf, Zoti i Madhërishëm thotë: “Ne, me të shpallur të këtij Kur’ani, po të rrëfejmë ty (Muhamed) me të bukurin rrëfim, edhe para tij ishe nga të painformuarit”. (Jusuf, 3)
Dhe e përfundon suren Jusuf me ajetin: “Në tregimet e tyre (të dërguarve dhe të Jusufit me vëllezër) pati mësime e përvojë për të zotët e mendjes. Ai (Kur’ani) nuk është bisedë e trilluar, por vërtetues i asaj që ishte më parë (librave të shenjta) dhe sqarues i çdo sendi, e edhe udhërrëfyes e mëshirë për një popull që beson.” (Jusuf, 111)
Në këtë histori shohim suksesin dhe shpëtimin e besimtarëve dhe shkatërrimin e pabesimtarëve, e cila është mësim dhe këshillë për njerëzit me logjikë të shëndoshë dhe me ide të drejta.
Jusufi a.s. ishte me pamje të mirë, i bukur, tërheqës me fizikun e tij dhe me konstrukt të përkryer.
Bukuria dhe pamja e mirë kanë ndikuar që Jusufi a.s. të ballafaqohet me sprovë të rrezikshme.
Kësaj radhe, Jusufi është ballafaquar me sprova edhe më të rrezikshme se me vëllezërit e tij: sprova me Zulejhanë, sprova me gruan e Azizit.
Gjysma e bukurisë i është dhuruar Jusufit a.s.
Kjo ka ndikuar që të sprovohet me të gruaja e udhëheqësit të Egjiptit, e cila ka pasur qëllime të caktuara me të.
Mirëpo,
Allahu e ka mbrojtur pejgamberin e Tij, e ka mbrojtur:
- që të mos bjerë në imoralitet,
- e ka shpëtuar nga shpifjet dhe intrigat,
- e ka siguruar nga akuzimet,
- e ka larguar nga mendimet e këqija ndaj tij.
Nga hadithet e Pejgamberit a.s. kemi mësuar se: një prej shtatë personave i cili do të strehohet dhe do të shpëtojë në Ditën e Gjykimit është i riu të cilin e thërret një grua me pozitë dhe e bukur që të bëjë imoralitet me të, e ai thotë: “Unë i frikësohem Allahut!”
Edhe Pejgamberi a.s. ka thënë: “Ruaje Zotin, Zoti të ruan ty”. Me fjalë të tjera, ruaju dhe zbatoji ligjet e Zotit, Zoti do të kujdeset dhe do të të ruajë ty.
Kështu pra,
frika ndaj Allahut është gjëja kryesore që pengon për veprimin e mëkateve.
Gjëja më e madhe që ndalon nga rënia në mëkate është dija e bindja se Allahu të sheh.
Gruaja që e ka ftuar për të bërë imoralitet me Jusufin ka qenë me pozitë në shoqëri, e pasur, ka qenë e bukur, e dalluar nga femrat e tjera, kështu joshja është më e madhe për të rënë në mëkat, dhe se ajo vetë e ka ftuar për të bërë imoralitet, e megjithatë Jusufi ka thënë: “Unë i frikësohem Allahut!”
Pra, gruaja e Azizit deshi ta përvetësonte për veten e saj. Në fakt, ftesë për kontakt intim.
Pasi ajo i ka mbyllur të gjitha dyert, i thotë: “Eja tek unë, pra afrohu dhe kryej aktin intim”.
Duke u mbështetur te Zoti i tij, ai thotë: “Asnjëherë, Zoti më mbrojttë nga kjo! Pra, i mbështetem Allahut dhe te Ai strehohem nga injorantët”.
Jusufi a.s. ka thënë:
Pa dyshim se zotëria im, Kitfiri është, [dhe] vlera ime dhe pozita të cilën e kam te ai…
Nuk e tradhtoj zotërinë tim, sepse kriminelët janë të pasuksesshëm.
Ata të cilët e kthejnë të mirën me të keqe e mohojnë bamirësinë, janë të dështuar.
Nuk është e drejtë që ta tradhtoj.
Ai më ka fisnikëruar,
ai më ka akomoduar,
ai më ka nderuar.
Ai i cili respekton të mirën ndaj njeriut, ai e respekton të mirën edhe ndaj Zotit të tij; nuk mëkaton dhe nuk i kundërshton urdhrat e Zotit. Allahu i Madhërishëm thotë:
“E ajo, në shtëpinë e së cilës ishte Jusufi, i bëri lajka atij dhe ia mbylli dyert e i tha: ‘Eja!’ Ai (Jusufi) tha: ‘Allahut i qofshim falë! Ai zotëria im (e burri yt) më nderoi me vendosje të mirë (si mund t’i bëj hile në familje)?’ S’ka dyshim se tradhtarët nuk kanë sukses.” (Jusuf: 23)
Kur’ani fisnik e ka shprehur në mënyrë të qartë dhe me argumente logjike: Zulejhaja nxiton që të kontaktojë intimisht me Jusufin; Jusufi nuk ka tentuar që t’i bëjë asaj ndonjë të keqe.
Jusufi i ka parë argumentet dhe faktet e Zotit të tij, e ai fakt është ligji i Allahut të Madhërishëm për të mos bërë prostitucion.
Kur’ani fisnik e ka shprehur në formë të prerë dhe praktike: Zulejhaja nxiton që të kontaktojë intimisht me Jusufin, përderisa, deri në atë kohë, Jusufi – i cili ende nuk ishte pejgamber – nuk ka tentuar që t’i bëjë asaj ndonjë të keqe.
Pa dyshim se,
po të mos ishte argumenti i Zotit të tij, do ta vepronte dhe do të bënte mëkat.
Ai fakt është se dituria që, prostituti meriton ndëshkim dhe dënim, dhe të menduarit në dënimin prej Allahut, paralajmëron për mëkate.
Kjo është ajo e cila e ka penguar që të tentojë të bëjë keq. Kjo, sepse frika ndaj Allahut është bazë e cila mbron njeriun nga rrëshqitja në mëkate dhe nga devijimi.
Kjo, sepse frika ndaj Allahut është bazë e cila e bën njeriun të vendosur e të moralshëm para ngacmimeve dhe metodave të sprovave.
Kështu jemi mbrojtur dhe jemi siguruar nga të këqijat, nga imoraliteti dhe nga çdo çështje [e keqe].
Jusufi është prej robërve të zgjedhur të cilët Allahu i ka caktuar për pejgamber dhe për shpallje, ndërsa shejtani nuk mund t’i mashtrojë, siç thotë Zoti i Madhërishëm:
“Ajo e mësyu atë qëllimisht, e atij do t’i shkonte mendja ndaj saj, sikur të mos i prezantohej argumenti nga Zoti i tij. Ashtu (e bëmë të vendosur) që të largojmë nga ai të keqen dhe të ndytën. Vërtet, ai ishte nga robërit tanë të zgjedhur.” (Jusuf: 24)
Vëllezër të nderuar!
Zoti i Madhërishëm thotë:
“Dhe që të dy ata u ngutën kah dera, e ajo ia grisi këmishën nga mbrapa dhe pranë dere ata të dy takuan burrin e saj.” (Jusuf: 25)
Ka ndodhur një çast i befasishëm.
Derisa ajo ishte te dera, Jusufi dëshironte të ikte, ndërsa Zulejhaja i shkon mbrapa për të mos e lejuar të dilte nga dhoma dhe e takon gjatë vrapit.
Ia shqyen këmishën nga mbrapa.
Në atë moment burri i Zulejhasë, Azizi i Egjiptit, hyn.
Në atë pozitë të vështirë Zulejhaja sajon shpifje për të, duke i thënë burrit të saj:
“Çfarë mund të jetë ndëshkimi i atij që tenton të keqen në familjen tënde, përpos të burgoset ose [të marrë] dënim të dhembshëm?” (Jusuf, 25)
Jusufi meriton burgun ose dënim të dhembshëm.
Jusufi në mbrojtje të vetes së tij thotë: “Ajo është e cila ka dashur të më përvetësojë për veten e saj”, siç tregon ajeti kur’anor:
Ai (Jusufi) tha: “Ajo m’u vërsul mua!”
Mirëpo,
një pjesëtar i familjes së saj kishte qenë dëshmitar okular; ai dëshmitar okular ka qenë fëmija në djep. Allahut nuk i shpëton asgjë, kështu që i jep gjuhë që të flasë një fëmije të vogël në djep dhe të tregojë historinë, i cili thotë:
Nëse këmisha është e shqyer përpara (në gjoks), atëherë ajo e ka thënë të vërtetën, ndërsa ai (Jusufi) gënjen.
Nëse këmisha është e shqyer nga mbrapa (në shpinë), atëherë ai e ka thënë të vërtetën, ndërsa ajo (Zulejhaja) gënjen.
Zoti i Madhërishëm thotë:
“Një dëshmitar nga familja e saj gjykoi: ‘Nëse këmisha e tij është grisur përpara, ajo ka thënë të drejtën, kurse ai gënjen. E nëse këmisha e tij është grisur prapa, atëherë gënjen ajo, kurse ai është i drejtë.’” (Jusuf: 26, 27)
Ky është argument se lejohet të merren për bazë faktet dhe gjurmët në gjykime dhe në marrje të vendimeve.
Pasi faktet ishin në anën e Jusufit dhe tregonin pafajësinë e tij, dhe burri i Zulejhasë e vërtetoi se gruaja e tij ishte gënjeshtare, thotë: “Ky akuzim është prej grackave të juaja, o ju gra!”
Grackat e grave e tradhtitë e tyre ndikojnë seriozisht në shpirtra.
Grackat e grave ndikojnë aq shumë saqë burrat nuk mund të ndikojnë më shumë se ato.
Shumë herë tradhtitë e tyre zënë vend, ndërsa ti, Jusuf, largohu nga kjo bisedë e kësaj ngjarjeje dhe mos bisedo më tutje për këtë ngjarje.
Akuzimi është rikthyer te vetë gruaja e Azizit; është vërtetuar se ajo është gabimtare.
Mos e përhap këtë lajm te njerëzit!
Ti, grua, kërko falje për mëkatin tënd!
Ti je gabim dhe ti je mëkatare.
Zoti i Madhërishëm tregon:
“E kur e pa ai (burri i saj) këmishën e tij të grisur prapa, tha: ‘Kjo është dredhi juaja, vërtet dredhia juaj është e madhe! Jusuf, largohu nga kjo (mos ia përmend askujt)! E ti (grua) kërko falje për mëkatin tënd, se vërtet ti qenke fajtore!’” (Jusuf: 28, 29)
Kjo është një sprovë e madhe të cilën e ka kaluar Jusufi në moshën e rinisë.
Kjo është një sprovë e madhe të cilën e ka kaluar Jusufi para pejgamberisë.
Në moshë të rinisë e ka mbrojtur Zoti i tij, sepse kjo ka qenë siguri dhe mbrojtje prej Allahut: “Mbroje Allahun, Allahu të mbron ty”.
Allahu ka dashur ta pastrojë,
Allahu ka dashur t’ia përsosë moralin dhe nderin, që të jetë përgatitje për gradën e pejgamberisë dhe të shpalljes, dhe që t’i paraqitë njerëzimit se është e mundur devotshmëria ndaj Allahut.
Ky është shembull të cilin duhet ta marrin parasysh të rinjtë: se autoriteti i pastër është i të devotshmëve të mirë.
Ky është shembull të cilin duhet ta marrin parasysh burra e gra: se përfundimi i mirë është i të devotshmëve të mirë.
Vëllezër të nderuar!
Dëshmitari okular i cili ka dëshmuar për rastin e Jusufit është dëshmitari foshnje, i cili është prej foshnjave që kanë folur në djep, përpos rastit të Isait a.s., të birit të Mejremes.
Prej foshnjave të cilat kanë folur në djep është edhe rasti i një gruaje tjetër:
Një grua izraelite po i jepte gji të birit. Pranë saj rastësisht kaloi një kalorës i bukur. Ajo tha:
“O Zoti im, bëje djalin tim t’i përngjajë këtij kalorësi!” Djali e lëshoi gjirin, u kthye nga kalorësi dhe tha: “O Zoti im, mos më bëj si ky!” Pastaj përsëri vazhdoi të pinte.
Pastaj sollën një robëreshë dhe po e rrihnin, ndërkaq e ëma e djalit tha: “O Zoti im, mos e bëj djalin tim si kjo!”
Ai e lëshoi gjirin dhe tha: “O Zoti im, më bëj si kjo!”
“Pse?” – e pyeti e ëma. Ai iu përgjigj: “Kalorësi është njeri i keq e gjakpirës, kurse për robëreshën thonë se ka vjedhur dhe ka bërë zina, kurse ajo nuk ka bërë asgjë nga këto.”
Prej foshnjave të cilat kanë folur është edhe rasti me Xhurejxhin, të cilin rast do ta shpjegojmë ndonjëherë tjetër.
Vëllezër të nderuar!
Natyrshmëria e shëndoshë nuk e pranon që burri apo gruaja të kryejnë veprime të imoralitetit.
Kodi i nderit e fisnikërisë nuk e pranon që burri apo gruaja të kryejnë veprime të imoralitetit.
Kodi i moralit nuk e pranon që burri apo gruaja të kryejnë veprime të imoralitetit.
Posaçërisht kur është në pyetje çështja e grave të udhëheqësve apo qeveritarëve, sepse pozita e tyre nuk e lejon denigrimin e pozitës së funksionarit qeveritar dhe i bën ata të zbresin në nivele të ulëta e çështje të poshtra, pasi pozita e tyre është që ata të pasohen prej të tjerëve.
Çdo herë kur një njeri ngrihet lart, paralelisht ngrihet niveli i nderit dhe paralelisht sprovohet nderi.
Çdo herë kur një njeri ngrihet lart, paralelisht ngrihet niveli i përgjegjësisë dhe paralelisht sprovohet fisnikëria e tij.
Për këtë arsye, gratë e Egjiptit nuk kanë dashur që të përhapet lajmi për Zulejhanë, gruan e Azizit.
Kanë dashur që ta mbyllin atë çështje, thuajse nuk ka ekzistuar, dhe kanë dashur ta largojnë të keqen prej saj. Mirëpo, katër gra e kanë përhapur këtë lajm, e ato ishin:
- gruaja bukëpjekëse e Azizit,
- shërbyesja,
- gruaja e mirëmbajtjes së pallatit, dhe
- gruaja rojtare e pallatit.
Këto të befasuara kanë thënë: “Gruaja e mbretit ka dashur ta përvetësojë djaloshin për veten e saj dhe të bëjë imoralitet me të”.
Ky qëndrim përshkruhet në thënien e Allahut Famëlartë:
“Një grup nga gratë e qytetit thanë: ‘Gruaja e zotërisë (e ministrit) i vërsulet marrëzisht shërbëtorit të vet, atë e ka kapluar në shpirt dashuria, e ne jemi të bindura se ajo është në humbje të hapët.’” (Jusuf: 30)
Ato kanë thënë: “Ka mbizotëruar dashuria e zemrës së zezë të saj; nuk i ka analizuar pasojat e atij veprimi.”
Ato kanë thënë: “Ne mendojmë se me veprimin e saj ajo ka bërë gabim të madh, larg nga realiteti.”
Ato kanë thënë: “Ne mendojmë se ajo është injorante, duke pasur parasysh se çfarë pozite posedon.”
Ky mendim i tyre për Zulejhanë ka qenë i pritshëm dhe mendim logjik.
Jusufi a.s. ka refuzuar çdo veprim, saqë edhe të vuajë burgun, vetëm e vetëm që të shpëtojë nga sprovat e grave.
Zulejhaja dëgjon të përfolurat e grave, dëgjon fjalët e këqija të tyre dhe akuzimet ndaj saj. Për këtë arsye:
Ka organizuar një aheng,
i ka ftuar në një ndejë të qetë dhe fisnike,
ka përgatitur një ndejë solemne,
ka përgatitur terren që të mbështeten në shtroja dhe jastëkë.
Pastaj,
vendos lloje të ndryshme të pemëve, lloje të ndryshme të ushqimeve dhe lëngjeve.
Secilës prej tyre u jep nga një thikë që të qërojnë portokaj dhe llojet e tjera të ushqimit, prej llojeve të mishit dhe të pemëve.
Pastaj e urdhëron Jusufin të hyjë në atë ambient, pasi më herët e kishte fshehur në një vend të afërt.
E ka shfrytëzuar kohën e përshtatshme, saktësisht kohën kur ato ishin duke ngrënë dhe duke qëruar lëvozhgat e pemëve.
Jusufi hyn në atë ambient; ato befasohen me bukurinë e tij të paparë dhe të mrekullueshme.
Kanë filluar t’i presin duart e tyre nga befasia e pamjes së tij.
Me shpejtësi kanë thënë: “Për Zotin, atë mund ta bëjë vetëm Zoti dhe askush tjetër!”
Të impresionuar nga bukuria e pakrahasueshme e Jusufit, kanë thënë se ky nuk është njeri, ky mund të jetë vetëm një melek prej melekëve në formë njeriu.
Me këtë deklarim të tyre kanë dashur të shprehin bukurinë madhështore të tij, sepse nuk mund të imagjinohet diçka më e bukur se meleku dhe më e keqe se shejtani.
Ngjasimi me melek është ngjasim i çështjes madhështore, edhe pse ato nuk i shohim.
Pastaj,
gruaja e Azizit thotë: “Unë ia arrita qëllimit për të treguar bukurinë e djaloshit: kjo është ajo për të cilën më keni mallkuar dhe më keni llogaritur fajtore.”
Këtë ngjarje Zoti e tregon si në vijim:
“E kur ajo dëgjoi për ato pëshpëritjet e tyre, dërgoi t’i thërrasë ato, u përgatiti vend mbështetjeje dhe secilës prej tyre i dha nga një thikë e tha: ‘Dilu para atyre!’ Kur e panë atë, ato u tronditën dhe i prenë duart e tyre e thanë: ‘Allahut i qofshim falë! Ky nuk është njeri, ky nuk është tjetër vetëm se ndonjë engjëll i lartë!’” (Jusuf: 31)
Gruaja e Azizit thotë: “Unë ia arrita qëllimit për të treguar bukurinë e djaloshit: kjo është ajo për të cilën më keni mallkuar dhe më keni llogaritur fajtore.”
Pastaj,
ju ka thënë atyre: “Unë kam dashur ta përvetësoj për veten time, mirëpo ai ka refuzuar.
Ju ka thënë atyre: ‘Po që se nuk vepron për atë që e urdhëroj në një të ardhme të afërt, do ta dërgoj në burg dhe do të jetë prej të nënçmuarve dhe të poshtëruarve’.”
E paralajmëron Jusufin se do ta dënojë me burg.
Ky është fakt se dashuria ndaj tij e ka verbuar nga gjithçka.
Këtë ngjarje Zoti e tregon si në vijim:
Ajo tha:
“Qe, ky është ai për të cilin më qortuat mua, e unë e mësyna atë, po ai u ruajt fort. Po që se nuk e bën çka e urdhëroj, ai gjithqysh do të burgoset dhe do të nënçmohet.” (Jusuf: 32)
Përfundim
Jusufi thotë: “Zoti im, Ti je vendi ku mbështetem.
Zoti im, preferoj burgun të cilin po ma tregojnë e nuk e lejoj veten të nënshtrohem ndaj tyre.
Zoti im, për mua më i dashur është burgu sesa ajo çka kërkojnë këto gra; këto kërkojnë imoralitet dhe mëkate.
Zoti im, nëse Ti nuk më shpëton, do të shkatërrohem.
Zoti im, nëse nuk i largon kurthet dhe tradhtitë e tyre nga unë, do të anoj në anën e tyre dhe do të bëhem prej injorantëve mëkatarë.”
Ky është dorëzim te Allahu Famëlartë, mbështetje te Ai dhe ankesë te Allahu nga veprimet e grave. Lutje te Zoti për ta shpëtuar nga sprova. Zoti i Madhërishëm thotë:
Ai (Jusufi) tha:
“O Zoti im, burgu është më i dëshiruar për mua sesa ajo që më ofrojnë ato mua, dhe nëse Ti nuk ma largon prej meje dredhinë e tyre, unë mund të anoj te ato dhe të bëhem injorant.” (Jusuf: 33)
Zoti i tij i është përgjigjur pozitivisht dëshirës së tij.
Lutja e tij u bë realitet.
Zoti e largoi nga kurthet e tyre dhe nuk e lejoi të mëkatonte.
Allahu dëgjon lutjen e të sinqertëve të cilët mbështeten te Ai.
Allahu e di besimin e vërtetë të të sinqertëve, di për situatën e tyre dhe di se çka është më e mirë për ta.
Pas të gjitha atyre ngjarjeve u paraqit ideja te ata që ta burgosin për një afat të pacaktuar.
Mbretit dhe gruas së tij, pasi është përhapur lajmi dhe akuzimi për ta,
iu paraqit ide e cila do të ishte në dobi të tyre.
Kjo ide u paraqit edhe pse u vërtetua pafajësia e Jusufit, pasi u paraqitën faktet në anën e drejtësisë së tij, edukatës së tij dhe pastërtisë së tij.
Kjo për të heshtur trazirat dhe për t’u lënë në harresë akuza për të cilën është njollosur gruaja e mbretit.
Kjo e mirë ishte përgatitje që Jusufi të kthehet qeveritar dhe administrator në Egjipt.
Allahu përzgjedh dhe vepron çka të dojë Ai.
Zoti i Madhërishëm thotë:
“E Zoti i tij ia pranoi lutjen atij dhe largoi nga ai dredhinë e tyre. Vërtet, Ai është që dëgjon (lutjet) dhe di (gjendjen). Mandej, pasi që vërtetuan argumentet (e pastërtisë së Jusufit), atyre (ministrit dhe rrethit të tij) iu paraqit ideja që ata për një kohë ta burgosin.” (Jusuf: 34, 35)
Zoti ynë, Krijuesi i qiejve dhe të tokës, Ti je ndihmëtari ynë!
Zoti ynë, Ti kujdesesh për çështjet tona në këtë botë dhe në botën tjetër!
Zoti ynë, bëna që të vdesim si muslimanë, të nënshtruar dhe të dorëzuar te çështja Jote!
Zoti ynë, na përcjell te të mirët prej prindërve dhe gjyshërve tanë!
Ti je i Mëshirshëm, Fisnik, Ti ke mundësi për gjithçka!
–
Dr. Musli Vërbani
“PËRFITO DHE MËSO NGA HUTBET E SURES JUSUF”