SHPËTIMI I JUSUFIT NGA SHKATËRRIMI PREJ BUNARIT

Falënderojmë Allahun, i Cili i ka bërë tregimet ushqim të mendjes dhe shpirtit.

Përshëndetjet dhe selamet qofshin për Pejgamberin a.s., për familjen e tij, shokët e tij të mirë e të pastër dhe për ata të cilët i pasojnë ata deri në Ditën e Gjykimit.

Mendja dhe shpirti ushqehen siç ushqehen trupat, mbushen siç mbushen trupat, forcohen siç forcohet hekuri.

Mendjet mbushen siç mbushen trupat, kërkoni ushqimin e mendjes në urtësi.

Tregimet janë ushtri prej ushtrive të Allahut të Madhërishëm. Allahu me këto tregime forcon zemrat e besimtarëve.

Tregimet kur’anore nuk janë tregime për agjërim dhe për zbavitje. Nuk janë përhumbje kohe, por për mësim dhe përfitime. Duhet t’i lexojmë tregimet kur’anore, të përfitojmë dhe të veprojmë. Zoti i Madhërishëm thotë:

“Të gjitha këto që t’i tregojmë ty nga lajmet e pejgamberëve, janë që të forcojnë zemrën tënde.”

Duhet të kuptojmë se historitë e Kur’anit janë mësime dhe këshilla për të logjikshmit, nuk janë proverba të trilluara. Në ajetet e para të sures Jusuf, Zoti i Madhërishëm thotë:

“Ne, me të shpallur të këtij Kur’ani, po të rrëfejmë ty (Muhammed) me të bukurin rrëfim, edhe para tij ishe nga të painformuarit”. (Jusuf, 3)

Dhe e përfundon suren Jusuf me ajetin:

“Në tregimet e tyre (të dërguarve dhe të Jusufit me vëllezër) pati mësime e përvojë për të zotët e mendjes. Ai (Kur’ani) nuk është bisedë e trilluar, por vërtetues i asaj që ishte më parë (librave të shenjta) dhe sqarues i çdo sendi, e edhe udhërrëfyes e mëshirë për një popull që beson.” (Jusuf, 111)

Në këtë histori shohim suksesin dhe shpëtimin e besimtarëve dhe shkatërrimin e pabesimtarëve, e cila është mësim dhe këshillë për njerëzit me logjikë të shëndoshë dhe me ide të drejta.

Vëllezër të nderuar!

Sot do të flas se si ka shpëtuar Jusufi a.s. pasi e kanë hedhur në bunar.

Do të flas për përfitimet dhe mësimet nga ajo pjesë e historisë.

Njerëzit gabojnë kur mendojnë se planet e tyre nuk bien ndesh me diçka që është më i fuqishëm se ata.

Njerëzit gabojnë kur mendojnë se programet e tyre nuk bien ndesh me diçka që është më i fuqishëm se ata.

Planifikimi i çështjeve përmban dispozitat dhe zbatimin, ndërsa fuqia dhe dëshira e Allahut dhe programi i Tij përfshijnë çdo gjë.

Asgjë në gjithësi nuk ndodh pa dëshirën e Zotit.

Dëshira e Zotit realizohet.

Dëshira e Zotit triumfon.

Planifikimi i Zotit është ligj, sepse Ai është mposhtësi dhe mbizotëruesi i çelësave të qiejve dhe të tokës.

Vëllezërit e Jusufit, edhe pse kanë planifikuar që njëherë e përgjithmonë të çlirohen nga vëllai i tyre, prapë se prapë kanë dështuar dhe nuk ia kanë arritur qëllimit.

Pse?

Allahu i Madhërishëm është mbizotërues, i Cili realizon çka të dojë Ai.

Allahu i Madhërishëm e ka caktuar që vështirësia të mos i zgjasë shumë Jusufit në pus.

Allahu i Madhërishëm e ka caktuar që vetmia e Jusufit a.s. të mos i zgjasë shumë në pus.

Allahu i Madhërishëm e ka caktuar që përjetimi i egër të mos i zgjasë shumë në pus.

Pranë bunarit kalon një karvan, pra një grup udhëtarësh të cilët udhëtonin nga Medjeni për në Egjipt.

Udhëtarët të cilët udhëtojnë në largësi të gjatë, më së shumti kanë nevojë për ujë.

Gjatë rrugëtimit, në mes të rrugës, e dërgojnë njërin prej udhëtarëve të mbushë ujë në bunar, të cilin e kanë hasur gjatë rrugës së tyre afër qytetit të Jordanisë, përafërsisht 15 kilometra larg tij.

Shërbyesi i karavanit shkon për të mbushur ujë.

E zbret poshtë kovën për ta mbushur me ujë.

Në të vendoset Jusufi dhe mbahet për litari, dhe ngjitet lart së bashku me kovën.

Shërbyesi, i gëzuar për veten e tij dhe për të tjerët të cilët ishin me të, thotë: “Çfarë gëzimi i madh për ne! Urime, urime, ky është një djalosh!”

Duke përshkruar mënyrën e shpëtimit të Jusufit a.s. nga errësira e thellë e pusit, Allahu i Madhërishëm thotë:

“Dhe aty pari kaloi një grup udhëtarësh, e e dërguan ujëbartësin (për ujë), e ai e lëshoi kovën e vet (në bunar) dhe tha: ‘Myzhde! Qe një djalosh!’” (Jusuf: 19)

Ndoshta je në bunarin e jetës i vetmuar, por mos harro se Zoti mundet të të shpëtojë! Zoti mundet që të caktojë ndonjë karavan për të të shpëtuar nga vetmia, nga humbja.

Vëllezër të nderuar!

Në atë kohë Jusufi ishte shtatë vjeç.

E marrin me karvanin e tyre.

E mbajnë sekret nga bashkëudhëtarët e tjerë, duke thënë se është mall tregtar. Zoti i Madhërishëm thotë:

“Ata e fshehën atë si mall tregtie.” (Jusuf: 19)

Allahut nuk mund t’i fshihet asgjë.

Allahu di për veprimin e tyre.

Allahu di edhe për veprimet tuaja.

Atij nuk mund t’i fshihet ajo se atë e kanë fshehur brenda mallit të tyre.

Allahut nuk mund t’i fshihet nëse fshihni brenda mallit tuaj.

Andaj,

mos mendo se Zoti nuk i di sekretet tuaja!

Mos mendo se Zoti nuk i sheh veprimet tuaja!

Nëse mban ndonjë sekret, mos mendo se Allahu nuk do t’i zbulojë sekretet e tua!

Nëse bën ndonjë veprim, Allahu e di veprimin tënd, edhe nëse nuk e di askush tjetër pos teje. Zoti i Madhërishëm thotë:

“Po Allahu e dinte shumë mirë se ç’vepronin ata.” (Jusuf: 19)

Kjo është një shenjë e dëshirës së Allahut Famëlartë për Jusufin, dhe rrjedhojë se gjërat ndodhin varësisht siç i parasheh Allahu.

Vëllezër të nderuar!

Ndonjëherë njeriut të mirë nuk ia dinë vlerën!

Ndonjëherë vlerën tënde nuk e dinë të tjerët!

Të vlerësojnë pak apo nuk të vlerësojnë fare!

Por më e rëndësishmja është me pasë vlerë te Zoti, edhe nëse të tjerët nuk të vlerësojnë.

Këtë djalosh të mirë e shesin me çmim të lirë.

E shesin me çmim më të lirë se çmimi i tregut, thjesht me disa dërhemë. Dërhemët e asaj kohe nuk kanë pasur vlerë të madhe.

Zoti i Madhërishëm thotë:

“Dhe e shitën atë (Jusufin) për një çmim të vogël, për disa dërhemë (masë argjendi) të numëruar, sepse në mesin e tyre pati asish që nuk lakmuan (për çmim më të lartë).” (Jusuf: 20)

Ata nuk janë interesuar për më shumë se katërdhjetë dërhemë; për këtë shitblerje do të kishin kërkuar edhe më shumë, por nuk e kanë ditur vlerën e çmueshme të tij.

Ata kanë dashur që sa më shpejt të lirohen nga ai djalosh, por nuk e kanë ditur pozitën dhe vlerën e tij te Allahu.

Nëse njerëzit nuk të vlerësojnë, mos mendo se Zoti nuk të vlerëson.

Në këtë kemi ngushëllimin për Pejgamberin a.s. në atë çka e godet atë nga Kurejshitët, sepse përfundimi i takon të devotshmëve.

Në këtë kemi ngushëllimin për Pejgamberin a.s. se duhet pasur parasysh përfundimi i çështjeve. Duhet pritur rezultatin final.

Nëse je i devotshëm, dije se përfundimi i mirë i takon të devotshmëve.

Jusufin e ka blerë Azizi i Egjiptit, pra i pari i policisë; emri i tij ka qenë “Katfirë”.

Azizi ka qenë përgjegjës për depot shtetërore.

Azizi, i cili e kishte blerë Jusufin, i thotë gruas së tij Zulejhasë:

“Nderoje dhe respektoje,

jepi pozitë nderi te ne,

sjellu mirë me të dhe mos e konsidero si skllav!

Mos e konsidero si skllav, se ndoshta do të jetë i dobishëm dhe në interes tonin!

Mos e konsidero si skllav, se ndoshta do ta birësojmë, kur të arrijë pjekurinë dhe do të bëhet i zgjeruar”.

Kjo nga shkaku se ajo ishte shterpë.

E ai që e bleu nga Misiri (Egjipti) i tha gruas së vet: “Bëni pritje të kënaqshme, se është shpresë t’ia shohim hajrin ose ta adoptojmë për fëmijë!”

Shikoni, vëllezër: të afërmit nuk e kanë nderuar, përkundrazi e kanë urryer dhe e kanë xhelozuar Jusufin, ndërsa i huaji e ka nderuar dhe e ka respektuar. 

Vëllezër të nderuar!

Dëshira dhe përkujdesja e Allahut e ka përfshirë Jusufin a.s.

Ashtu siç e ka shpëtuar Allahu nga mbytja dhe nga pusi, ka mbjellë simpati në zemrën e Azizit; e ka përvetësuar dhe e ka përfituar dashurinë e Azizit.

Azizi ishte udhëheqës në Egjipt, kështu që i dhuron pozitë të lartë në atë vend.

Më pastaj e emëron administrator të ekonomisë.

Allahu ia ka mësuar interpretimin e ëndrrave.

Allahu është Mbizotërues dhe Triumfues.

Dëshirën e Tij për të realizuar diçka nuk mund ta pengojë askush.

Askush nuk mund ta kundërshtojë dëshirën e Tij.

Zoti i Madhërishëm thotë:

“Ja, kështu (sikurse e shpëtuan nga bunari), Ne i bëmë vend Jusufit në tokë (në Egjipt), e që t’ia mësojmë atij shpjegimin për disa ëndrra. Allahu është mbizotërues i punës së Vet, por shumica e njerëzve nuk e dinë (fshehtësinë e çështjeve).” (Jusuf: 21) 

Përfundim

Jusufi a.s. e arrin moshën e pjekurisë.

E ka arritur nivelin e burrërisë, pra i është përsosur forca fizike dhe intelektuale.

Moshë e pjekurisë dhe burrërisë llogaritet të jetë në mes të viteve 30-40.

Kjo është edhe mosha më e rëndësishme e jetës, kur fillon mosha për të marrë përgjegjësi të rëndësishme të jetës.

Zoti i Madhërishëm thotë:

“E kur e arriti pjekurinë e tij, Ne i dhamë pushtet e dituri. E kështu Ne i shpërblejmë punëmirët.” (Jusuf: 22)

Allahu i ka dhënë urtësi Pejgamberit a.s.

Allahu e ka shpërblyer ashtu që t’i veprojë punët në të mirën e tij.

Jusufi a.s. i ka kryer punët me mirësi dhe në devotshmëri ndaj Allahut të Madhërishëm, dhe për këtë është shpërblyer nga Allahu; pra, Allahu e ka shpërblyer me mirësi, me devotshmëri.

Kjo dëshmon se:

mirësia dhe devotshmëria ndikojnë në bardhësinë e shpirtit,

mirësia dhe devotshmëria ndikojnë në ndriçimin e zemrës,

mirësia dhe devotshmëria ndikojnë në zhvillimin e intelektit.

E keqja ndikon në prishjen e zemrës.

E keqja ndikon në keqkuptimin e çështjeve.

Nuk ka fjalë më të mirë se fjala e Zotit, kur thotë: “Dhe Ne, kështu i shpërblejmë bamirësit”.

Ky ka qenë një premtim për Pejgamberin a.s., ashtu që të mos brengoset për veprimet e pabesimtarëve dhe për arrogancën e tyre.

Ky është premtim për çdo bamirës dhe përgëzim për përfundimin e mirë të tyre.

Allahu i Madhërishëm ka thënë:

“Për bamirësit ka shpërblime edhe më të mira. I orienton në vlera fisnike dhe me vepra të moralit, dhe ua kompenson me të mira, me begati dhe me mirësi”.

Zoti ynë, Krijuesi i qiejve dhe i tokës, Ti je ndihmëtari ynë!

Zoti ynë, Ti kujdesesh për çështjet tona në këtë botë dhe në botën tjetër!

Zoti ynë, bëna që të vdesim si muslimanë, të nënshtruar dhe të dorëzuar te çështja Jote!

Zoti ynë, na përcjell te të mirët prej prindërve dhe gjyshërve tanë!

Ti je i Mëshirshëm, Fisnik, Ti ke mundësi për gjithçka!

Dr. Musli Vërbani

“PËRFITO DHE MËSO NGA HUTBET E SURES JUSUF”

Lini një koment