Dr. Musli Vërbani
–
Hutbe rasti
–
Tekbiri është urdhër i Zotit, ku Zoti i Madhërishëm e ka urdhëruar Pejgamberin a.s. kur i ka thënë: “Ve rabbeke fe kebbir” – “Zotin tënd madhëroje”, o Muhamed, Zotin tënd madhëroje.
Në të njëjtën kohë të thotë ty: O besimtar, Zotin tënd madhëroje.
Andaj: O besimtarë, madhërojeni Zotin tuaj me formulën: “Allahu Ekber”.
Në ajetin tjetër Zoti i Madhërishëm thotë: “Dhe thuaj: ‘Falënderuar qoftë Allahu, i Cili nuk pati fëmijë dhe nuk ka për Të ortak në sundim, dhe i përket aftësisë, nuk ka nevojë për ndihmëtarë, dhe madhëroje Atë me madhërinë që i takon’”. (Isra, 111)
Pra, “Ve kebbirhu tekbira”, do të thotë: “Dhe madhëroje Atë (Allahun) me madhërinë që i takon”. (Isra, 111)
Madhërojeni Allahun me madhërinë që i takon.
Besimtarë të ndershëm!
Tekbiri është simboli ynë.
Tekbiri është ibadet dhe adhurim në vete.
Tekbiri është prej fjalëve më të mira.
Tekbiri është prej fjalëve më të dashura të Allahut.
Me tekbir i vendosim themelet e shtëpive tona.
Me tekbir i vendosim themelet e institucioneve tona.
Me tekbir i zbukurojmë festat tona. E kështu e zbukurojmë edhe festën e Bajramit.
Tekbiri nuk është fjalë e cila vetëm thuhet, por është ndjenjë e cila ngrihet dhe zhvillohet.
Tekbiri është atëherë kur në sytë e tu e tërë bota është e vogël përballë Allahut të Lartmadhëruar.
Tekbir do të thotë që ta dish se Allahu është më i Madh se çdo gjë:
Nëse pasuria jote është e rëndësishme, Allahu duhet të jetë më i rëndësishëm për ty.
Nëse fama jote është e rëndësishme për ty, Allahu duhet të jetë më i rëndësishëm.
Nëse jeta jote është e rëndësishme për ty, Allahu duhet të jetë më i rëndësishëm.
Vëllezër të nderuar!
Tekbiri është ligjësuar në shumë vende dhe për shumë raste të ndryshme.
Kur e thërrasim ezanin, e fillojmë me tekbir: “Allahu është më i Madhi”.
Kur e falim namazin, e fillojmë me tekbir: “Allahu është më i Madhi”.
Tekbirin e themi si në namazet farze, ashtu edhe në namazet vaxhibe dhe në namazet sunete.
Kemi tekbirin farz, tekbirin vaxhib dhe tekbirin sunet.
Tekbiret vaxhibe janë tekbiret e namazeve të Bajrameve, ku shtatë tekbire janë tekbire vaxhibe të namazit, përderisa tekbiri i parë i namazit është farz, ndërsa tekbiret tjera janë tekbire sunet të namazit të Bajramit.
Përpos në namaz, ku i themi tekbiret farz, tekbiret vaxhib dhe tekbiret sunet, tekbiri është mustehab në çdo vend dhe në çdo rast:
Bëhet në çdo kohë: natën dhe ditën.
Bëhet në çdo gjendje: ulur, shtrirë, duke ecur, në mjet të qarkullimit e kështu me radhë.
Bëhet në çdo vend ku lejohet përmendja e Allahut: në rrugë, në treg, në shtëpi e kështu me radhë.
Lejohet në vetvete dhe haptazi, bile preferohet të thuhet haptazi.
Besimtarë të ndershëm!
“Allahu Ekber” është thënie të cilën e themi për zekatin të cilin e kemi dhënë.
“Allahu Ekber” është thënie të cilën e themi për ditët të cilat i agjërojmë.
Kur të përfundojë agjërimi, Zoti i Madhërishëm thotë: “Që të plotësoni numrin, të madhëroni Allahun për atë se u udhëzoi dhe që të falënderoni”. (Bekare, 185)
Tekbiri bëhet edhe kur të bëhet nijeti i therjes së kurbanit si në vijim:
BISMILAHI ALLAHU EKBER
ALLAHUMME MINKE VE LEKE ANNI
VE EHLI VE AN MUHAMEDIN VE UMMETIHI
Përkthimi:
Në emër të Zotit. Allahu është më i Madhi.
Zoti im, prej Teje, për Ty,
nga unë, për familjen time, për Muhamedin a.s. dhe për umetin e tij.
Zoti i Madhërishëm thotë:
“Te Allahu nuk arrin as mishi e as gjaku i tyre, por te Ai arrin devotshmëria juaj.” (Haxh, 37)
Përfundim:
Zoti i Madhërishëm thotë:
“Dhe madhërojeni Allahun në ditët e caktuara.” (El-Bekare, 203)
Formula më e njohur e tekbirit, e cila thuhet në ditët e Bajramit, është:
“ALLAHU EKBER, ALLAHU EKBER, ALLAHU EKBER, ALLAHU EKBER
LA ILAHE IL-LALL-LLAHU VALLAHU EKBER
ALLAHU EKBER VE LIL-LAHIL HAMD.”
Që do të thotë:
Allahu është më i Madhi.
Nuk ka zot tjetër përveç Allahut. Allahu është më i Madhi.
Allahu është më i Madhi dhe vetëm Atij i takon lavd-falënderimi.
Kjo formulë e tekbirit, e cila është formulë e përcaktuar, përsëritet gjatë ditëve të Teshrikut dhe thuhet si në namazet farze që falen me xhemat, po ashtu edhe në namazet farze të cilat falen pa xhemat.
Zoti ynë!
Na e mundëso ta perceptojmë të vërtetën dhe të veprojmë me të!
Na e mundëso ta kuptojmë të pavërtetën dhe të largohemi prej saj!
Zoti ynë!
- Na forco në fenë tonë, e cila është mbrojtje dhe siguri e çështjes sonë;
- Na e rregullo këtë botë në të cilën është jeta jonë;
- Na përgatit për jetën tonë në botën në të cilën është kthimi ynë;
- Na e bëj jetën ambient të përshtatshëm për çdo punë të mirë dhe
- Na e bëj vdekjen qetësi, pushim dhe shpëtim nga çdo e keqe.