Dr. Vehbetu Zuhejli
“Tefsiri i Kur’anit fisnik (niveli mesatar)”
Vëllim i 2
Përktheu: Dr. Musli Vërbani
–
Islami përkujdeset për lidhje farefisnore, e fisnikëron dhe e nderon lidhjen farefisnore. E ka ndaluar martesën e burrit me të afërtat. Kjo, për të mënjanuar komplikimet, andaj e ka caktuar të jetohet në një ambient familjar, që jeta të jetë e lehtë pa përjetuar vështirësi, pasi që para kësaj kohe disa fise arabe e kanë pasur traditë që njeriu të martohet me gruan e babës së tij. Kur ndonjëri ka vdekur i martuar, atëherë djali i tij ka pasur përparësi të martohet me gruan e babës së vdekur:
– Nëse dëshironte martohej,
– Nëse nuk ishte (ajo grua e babës) nëna e tij ose ai e martonte me kë dëshironte ai.
Ekzistojnë shembuj praktikë të burrave të cilët janë martuar me gratë e baballarëve të tyre dhe nuk e shoh të arsyeshme t’i përmendi me emra.
Tek arabët kishte edhe raste kur ndonjëri martohej me vajzën e tij, siç ishte rasti i Haxhib bin Zararetu i cili është bërë zjarrputist dhe e ka vepruar në veprim të tillë të shëmtuar, atëherë Allahu i ka ndaluar besimtarët për një veprim të tillë sepse ishte veprim i neveritur.
Ibn Abasi thotë: Arabët ndalonin çka ishte e ndaluar, përpos gruan e babës dhe bashkimin në mes dy motrave nën një kurorë, atëherë Allahu i zbriti këto dy ajete. Allahu i Madhërishëm ka thënë:
Ajetet 22 dhe 23:
Mos u martoni me ato gra me të cilat qenë të martuar prindërit tuaj, me përjashtim të asaj që ka kaluar (para islamizmit) pse ajo ishte turpëri, përbuzje e traditë e shëmtuar. (22) U janë ndaluar juve (të martoheni me): nënat tuaja, bijat tuaja, motrat tuaja, hallat tuaja, tezet tuaja, bijat tuaja, bijat e motrës, nënat tuaja që ju kanë dhënë gji, motrat nga gjiri, nënat e grave tuaja (vjehrrat) dhe vajzat që janë nën kujdesin tuaj e të lindura (prej tjetër babai) nga gratë tuaja me të cilat patët kontakt, e nëse nuk keni pasur kontakt me to (me gratë), atëherë s’ka pengesë (të martoheni me ato vajza), dhe (janë të ndaluara) gratë e bijve tuaj që janë të lindjes suaj (jo të bijve të adoptuar), dhe të bashkoni (përnjëherë në një nikah) dy motra, përpos asaj që ka kaluar. Vërtetë, Allahu falë shumë, është mëshirues i madh. (23)
Martesën me gruan e babait Allahu i Madhërishëm e quan: Martesë të keqe, që ka kuptimin martesë e urryer dhe e poshtër, nga shkaku se martesa e tillë te ai person sjellë poshtërim. Arabët, fëmijën i cili lindte nga gruaja e martuar nga babai e quanin fëmijë faqezi. Për këtë arsye, pasi që Allahu i Madhërishëm e ka përmendur një veprim të tillë, ka thënë: “Sa rrugë e keqe është ajo.” Që do të thotë: “e keqe dhe drejtim i fëlliqur nëse vazhdohet”, dhe përfundimi është dënimi i Allahut. Në islam nuk lejohet martesa me gruan e babës, pa marrë parasysh se a ka kontaktuar apo nuk ka kontaktuar me atë grua, një veprim i tillë është haram.
Ashtu siç është e ndaluar me gruan e babës, ndalohet martesa edhe me gruan e gjyshit. Kush trason një rrugë të tillë, duke u martuar me gra të baballarëve apo të gjyshërve, ai meriton ndëshkim, përpos nëse ka ndodhur (ndonjë martesë e tillë) në kohën e injorancës, atij i falet ai mëkat. Kjo lloj martese ka qenë imoralitet edhe në baza logjike dhe dënohet ligjërisht. Në fakt, sipas gjendjes normale dhe zakonore nuk ka rrugë më të keqe se një rrugë e tillë .
Pastaj, Allahu ka ndaluar martesat në gjashtë drejtime, e ato janë:
– Martesa me lozën e epërme: Allahu ka ndaluar martesën me nënat dhe me gjyshet;
– Martesa me lozën e poshtme: Allahu e ka ndaluar martesën me bijat dhe me vajzat e bijve apo bijave;
– Martesën me femrat anësore: Allahu e ka ndaluar martesën me motrën, pa marrë parasysh a është motër prej një nëne e babe, apo motër vetëm prej babe, apo vetëm prej nëne.
– Allahu e ka ndaluar martesën me hallat apo tezet, pa marrë parasysh a janë të largëta apo të afërta, si f.v.: halla e babës, halla e nënës.
Ndalimi në bazë të gjidhënies: Ndalohet në bazë të gjidhënies ajo çka ndalohet në bazë të gjakësisë. Ndalohen nënat gjidhënëse, motrat e nënave gjidhënëse, pra ndalohet martesa me to. Nëse një fëmijë konsumon qumështin e një gruaje, ajo është nëna e tij dhe ndalohet të martohet me të, burri i saj është baba i tij, fëmijët e saj janë vëllezërit e tij, të afërmit e saj janë të afërmit e tij.
– Ndalesa për shkak të vjehërrisë: Ndalohet martesa me nënën e gruas (vjehrrën) me të cilën ka kontaktuar ose edhe ka zyrtarizuar aktin e martesës. Gjyshja e saj është si nëna e saj dhe ndalohet vajza e gruas me tjetër burrë. Ajo konsiderohet bijë, por me kusht nëse kontaktohet me nënën e saj. Po ashtu ndalohen fëmijët e fëmijëve të saj.
Nëse nuk kontaktohet intimisht me atë grua, nuk ndalohen vajzat e saj.
Gruaja e djalit dhe gruaja e djalit të djalit ndalohen për babën dhe gjyshin vetëm me zyrtarizimin e aktit të kurorëzimit. Allahu i Madhërishëm thotë:“…dhe (janë të ndaluara) gratë e bijve tuaj që janë të lindjes suaj (jo të bijve të adoptuar)…” (En-Nisa: 23)
Përderisa, sa i përket fëmijës së adoptuar, i cili nuk është prej mitrës (suaj), nuk ndalohet martesa me gruan e tij për (prindin) adoptuesin.
Çka ndalohet për shkak të rasteve aksidentale: Përkohësisht ndalohet bashkimi në mes të dy motrave ose në mes të gruas dhe farefisit të saj (të afërmet e saj), si f.v. martesa me gruan dhe hallën e saj, ose martesa me gruan dhe me tezen e saj. Ndalesa vazhdon të jetë në fuqi derisa të zgjat martesa ose edhe deri sa t’i skadojë ideti (kurse pas shkurorëzimit lejohet martesa me motrën apo hallën apo tezen e gruas së shkurorëzuar).
Allahu ua falë të kaluarën. Nuk ndëshkon për martesat e ndodhur në kohën e injorancës ku ka pasur martesë me dy motra ose me gruan dhe hallën e saj ose edhe me gruan dhe tezen e saj.
Këto janë martesat e ndaluara të cilat i ka sqaruar Kur’ani fisnik. Kush dëshiron të martohet duhet t’i përmbahet urdhrave, që të mos i ndodhë martesë e ndaluar, posaçërisht sa i përket martesës me llojin e ndaluar për shkak të gjidhënies.