Gold wedding rings and wooden prayer beads on folded white cloth

Martesat e lejuara me kushtin e mehrit

Islami ka lejuar martesën me çdo grua e cila nuk është brenda kornizës së ndalesave, siç janë ndalesat për shkak të lidhjes së gjakut, gjidhënies, vjehërrisë ose për shkak të paraqitjes së ndonjë elementi tjetër ndalues si f.v. me motrën e gruas, me hallën e saj ose me tezen e saj, qoftë edhe derisa ajo është në fazën e idetit.

Allahu i Madhërishëm thotë:

Ajeti 24:

(Nuk u lejohet të martoheni) Edhe me gra të martuara (që kanë burrat e nuk janë të lëshuara), përveç atyre që i keni futur në pushtetin tuaj (robëreshat e luftës). (Ky është) obligim mbi ju nga Allahu. U janë lejuar, pos këtyre (që u përmendën), të tjerat që t’i merrni me pasurinë tuaj (me nikah) duke pasur për qëllim bashkëshortësi e jo prostitucion (kurvëri). E për atë që përjetuat ju nga ato (gratë me të cilat patët kurorë), jepuani shpërblimin e tyre të caktuar se është obligim. E nuk ka pengesë për ju, pas përcaktimit (të nikahut), në atë që ju pëlqeni mes vete. Allahu është i gjithëdijshëm, i Urti. (24)

Allahu ka ndaluar martesën me gratë e martuara vetëm nëse ndodhë shkurorëzimi i tyre dhe skadon ideti i tyre.

 Gruaja e martuar quhet “muhsanetun” nga shkaku se ajo ka hyrë në mbrojtjen, kështjellën dhe nën mburojën e burrit.

Gratë e martuara janë të ndaluara përderisa janë nën mburojën (kurorë) e burrit ose deri sa të jenë në fazën e idetit pas shkurorëzimit të saj, përpos robëreshave – në të kaluarën – këta kanë qenë robëresha nga lufta legjitime dhe jo sikurse luftërat kolonialiste dhe okupuese.

Ka qenë e lejuar për muslimanin martesa me robëreshën, e cila ishte pasuri lufte, nëse imami (halifja) e bën farz që të lirohet pas ndarjes së pasurisë së luftës dhe ajo mbetet në pronësi të muslimanit. Kjo, me kusht që të pastrohet mitra e saj nga burri i parë i saj, e kjo realizohet duke e pritur menstruacionin, e cila i paraqitet asaj pasi të robërohet dhe kjo si zëvendësim nga burri i parë i saj, ashtu që të mos paraqitet mjet ngatërrese ose mjet i shoqërisë.

Allahu i ka ligjësuar këto ndalesa dhe i ka lejuar përpos ndalesave të përmendura në ajetin e grave të ndaluara dhe përpos të shkurorëzuarës së trihershme deri sa të martohet me burrë tjetër, me martesë normale dhe jo me kurorëzim të përkohshëm për t’iu dhënë e drejta e rikurorëzimit dhe përpos idhujtares deri sa ta pranojë islamin.

Martesa me gratë e lejuara, të cilat janë të lejuara prej Allahut është e kushtëzuar me dhënie të mehrit për gruan. Në disa raste quhet mehr, në raste tjera në gjuhën arabe quhet shpërblim, po ashtu është e kushtëzuar mbrojtja (kurorëzimi) e nderit dhe jo vetëm për të hedhur ujin (farën) dhe për prostitucion. Ju mbrojnë juve dhe mbrohen gratë tuaja dhe jo për imoralitet dhe prostitucion.

Përpos rasteve të përmendura që Allahu i ka ndaluar ose pos të ndaluarat e afërta, tjerat janë të lejuara për martesë.

Qëllimi kryesor i ligjësimit të martesës është nderi dhe ruajtja e farës dhe për të siguruar pasardhësin e pastër dhe që të specifikohet se cili burrë me cilën grua dhe cila grua me cilin burrë, duke mos iu përzier fara ashtu siç ndodh sot ndonjëherë në Evropë dhe Amerikë.

Sa i përket prostitutit, atij nuk i intereson realizimi i qëllimeve ligjore, për martesë të përgjithmonshme, ai dëshiron të shfryjë epshin, të hedhë farën dhe të kryejë nevojë shtazarake.

Pasi që të realizohet kurorëzimi legjitim i përgjithmonshëm dhe përjetoni qetësinë shpirtërore, jepuni mehrin e tyre të cilin Allahu ua ka caktuar juve. Mehri është nderim i femrës dhe nuk është çmim për diçka dhe as këmbim për diçka. Nuk është pagesë përballë kontaktimit me gruan, por është për të vendosur drejtësi dhe barazi dhe argument i sinqeritetit dhe dashurisë, për këtë arsye, Allahu e ka determinuar si dhuratë. Nuk ka kurrfarë pengese që pasi të determinohet mehri i caktuar në rastin e aktit të kurorëzimit, nëse pajtohen që edhe pas aktit të kurorëzimit të jepet shtesë e mehrit ose të hiqet dorë nga ndonjë pjesë e mehrit nëse është në interes të jetës bashkëshortore dhe të tregohet sinqeriteti dhe ndihma ndaj njëri-tjetrit.

Burri e jep dhuratën e mehrit pas aktit të kurorëzimit ose pas kontaktit intim. Mehri është e drejtë ekskluzive e gruas dhe nuk ka kurrfarë të drejte në të kujdestari apo i afërmi. Allahu e di çdo qëllim dhe çdo pikësynim. Është i urtë në ligjësimin e secilit ligj të cilin e ligjëson për robërit e Tij.

Pjesa e ajetit “dhe me ata të cilat i keni pasur nën pushtetin tuaj” ka për qëllim për kontaktimin nëpërmjet rrugës së aktit të kurorëzimit të përhershëm, siç e përmendëm më lartë dhe nuk ka për qëllim atë e cila quhet martesë (kënaqësi) e përkohshme. Martesa e përkohshme ka qenë e lejuar në fillim të islamit dhe nuk ka ndërlidhje me ndalesën në këtë rast, nga shkaku se në esencë çështjet janë të lejuara, pastaj atë e ka ndaluar Kur’ani dhe e ka përkufizuar në marrëdhënie ligjore në mes të burrit dhe gruas ose me ato të cilat janë në pronësi:

“…dhe ata të cilët e ruajnë nderin e vet (sa i përket jetës intime), me përjashtim ndaj grave të veta (me kurorë) dhe ndaj atyre (robëreshave) që i kanë në pronësinë e vet, për të cilat nuk janë të qortuar…” (El-Muëminunë: 5, 6)

Pejgamberi a.s. e ka ndaluar martesën e përkohshme përgjithmonë deri në Ditën e gjykimit. Martesa e përkohshme nuk ka dallim prej prostitucionit sepse bëhet edhe pa lejen e kujdestarit edhe pa dëshmitarë. Për këtë arsye, Umeri r.a. ka thënë: “Çdo njërin i cili martohet me martesë të përkohshme, do ta vendossha nën gurë.”

Marrëdhëniet në mes të dy gjinive, të burrit dhe të gruas, duhet të organizohen mbi bazën e qartë, të përhershmërisë, mbi bazën e martesës së shëndoshë, e cila në fakt është në interes të të dy palëve. Pastaj, Allahu përmend ligjin me rastin e pamundësisë së dhënies së  mehrit:

Ajeti 25:

Dhe kush prej jush nuk ka mundësi materiale që të martohet me femra të lira besimtare, le të martohet me ato besimtare tuaja që i keni nën pushtetin tuaj (robëreshat). Allahu di më së miri për besimin tuaj. Ju jeni nga njëri-tjetri (të një origjine). Pra, martohuni me ato (robëresha) me lejen e zotërive të tyre dhe jepuani kurorën në mënyrë të drejtë, (zgjidhni) të ndershme e jo prostitute të hapëta e të fshehta. E kur të jenë të martuara ato, nëse bëjnë ndonjë punë të turpshme, ndëshkimi kundër tyre është sa gjysma e atij të grave të lira (jo robëresha). Kjo (martesë me robëresha) është e lejuar për ata që i frikësohen imoralitetit, por të jeni të durueshëm, është më mirë për ju. Allahu është mirëdashës, mëshirëplotë. (25)

Që nënkupton se: ai i cili nuk ka mundësi ekonomike për t’u martuar me gruan e lirë muslimane, i lejohet që të martohet me robëreshë besimtare, jo idhujtare dhe jo e pasuesve të librit. Allahu e di më së miri esencën dhe realitetin e besimit tuaj. Mos e refuzoni martesën me robëresha nëse është e domosdoshme. Ju jeni të një lloji me të tjerët. Martohuni me robëreshat me lejen e kujdestarëve (pronarëve) të tyre dhe jepuani mehrin i cili është i paraparë sipas mundësive ligjërisht, varësisht prej dakordimit me to, kur ato janë të ndershme dhe nuk i janë ekspozuar prostitucionit dhe të cilat nuk i kanë angazhuar që të bëjnë prostitucion fshehtazi.

– Nëse gruaja robëreshë e martuar bëhet prostitute, ajo ndëshkohet me të rrahur me shkop sa gjysma e ndëshkimit të gruas së lirë, pra ndëshkohet me pesëdhjetë shkopinj, nga shkaku se ndëshkimi i gruas së lirë është njëqind shkopinj.

Sa i përket prostitutës robëreshë e cila nuk është e martuar, ajo nuk ndëshkohet fare me shkopinj, mirëpo vetëm qortohet dhe i tërhiqet vërejtja; kjo sipas mendimit të Ibni Abasit. Mirëpo sipas shumicës absolute të dijetarëve, e cila merret për bazë është se, obligohet ndëshkimi për robëreshën muslimane edhe nëse ajo nuk është e martuar, pasi që është faktuar në dy koleksionet autentike se ajo është ndëshkuar (pra ky lloj rasti është ndëshkuar). Kjo për shkak se duhet nxitur robëreshat që të martohen, nëse është drojë se ato mund të bien në kurthin e prostitucionit.

Nëse duroni dhe nuk martoheni me robëreshat, kjo është më e mirë dhe më e dobishme për ju, që të mos shtohet edhe një fëmijë rob prej saj.

Allahu është Falës i mëkateve të robërve të Tij, të cilët pendohen.

Allahu është i Mëshirshëm kur u ka lehtësuar për këtë.

E gjithë kjo kur ka ekzistuar sistemi skllavopronar, ndërsa pas konventës ndërkombëtare të vitit 1952 robëria është e ndaluar. Nuk ka mbetur hapësirë më që të zbatohet ky ligj.

Dr. Vehbetu Zuhejli

“Tefsiri i Kur’anit fisnik (niveli mesatar)”

Vëllim i 2

Përktheu: Dr. Musli Vërbani

Lini një koment