PASI QË RIZKU-FURNIZIMI ËSHTË I CAKTUAR, PSE TË PUNOHET?
Pyetje: Disa thonë: “Pasi që rizku-furnizimi është i caktuar, përse ta lodhi veten sai përket çështjes së rizkut-furnizimit? Çka mendon Imami i nderuar për këtë?
Përgjigjja: I nderuari Shejh Shaëraviju thotë: “Ajo çka i ndodhë njeriut në jetë,është dy llojesh:
Lloji i parë është ajo çka i vjen nga jashtë; aty është Kaderi-caktimi i Allahut. Nuk mund të pengohet apo të kontrollohet, si p.sh. kur njeriu është në fabrikë ose në ndonjë vend të caktuar dhe pastaj e humb punën, pasi që fabrika bankroton, ose e bën reduktimin e punëtorëve; ose p.sh. kur njeriut i ndodhin me dhjetëra ngjarje në ditë, të cilat janë larg dëshirës së tij dhe nuk mund t’u ikën atyre ngjarjeve.
Përpos kësaj, është pjesa e zgjedhjes aty ku njeriu vepron me dëshirën e tij, aty ku Zoti i Lartmadhëruar i ka vendosur rregullat dhe ligjet. Ai, i cili punon, arrin frytin e punës së tij. Për çdo punë, veprim dhe angazhim shpërblehesh ose paguhesh. Pra, rizku-furnizimi gjendet në tokë. Mirëpo, çështja është se a vjen te ti në tërësi. Si p.sh. ti blen harxhin mujor për shtëpinë tënde, e vendos në vendin e posaçëm dhe në frigorifer, pra furnizimi gjendet në shtëpinë tënde. Të gjitha llojet e ushqimit dhe të gjitha elementet janë të sistemuar dhe janë nën kompetencën tënde. Ata, të cilët thonë “i mbështetemi Zotit (tevekkelna)” dhe rizkut ia japin po këtë kuptim, mu ata janë të cilët dëshirojnë të ikin nga çdo punë e vështirë dhe e mundimshme; ndërkaq, nëse është puna e lehtë, pa lodhje dhe pa ndonjë vështirësi, atëherë nuk besojnë në “Tevekkul – mbështetje në Zotin”, ata e ngritin veten e tyre aq lart, sa mundohen që t’i ikin çdo lodhjeje, çdo mundimi; ai mbështetet te Zoti “jetevekkel”, derisa të arrijë furnizimi (rizku) te ai. Por, derisa të vendoset ushqimi para tyre, ata e harrojnë menjëherë se çka kanë thënë më herët dhe menjëherë fillojnë pa hezitim ta marrin ushqimin. Pra, ata me të shpejtë dhe me angazhim e marrin ushqimin, derisa të ngopen. E pse pra nuk mbështeten te Zoti “jetevekkelune” derisa të hyjë ushqimi vetë në fytin dhe barkun e tyre pa angazhimin e tyre? Pse nuk pret që ushqimi t’u afrohet dhe të hyjë në gojën e tyre, të futet në bark, derisa të mbushen barqet e tyre? Pra, ata janë mbështetur në ato çështje, për të cilat nevojitet mund dhe angazhim, ndërsa në çështjet, të cilat janë të lezetshme, të shijshme dhe të gatshme ti nuk ke bërë “tevekkul – mbështetje te Zoti”. Po të kishe qenë i sinqertë në atë që thua, pse nuk ke bërë “tevekkul-mbështetje”, kur të është vendosur ushqimi para teje, të kishe vazhduar të qëndrosh ulur pa lëvizur dhe ta kishe pritur për të ardhur ushqimi në gojë.
Nga këtu shohim se Allahu i Lartmadhëruar na i ka mundësuar të gjitha kushtet dhe rrethanat e furnizimit në tokë, saktësisht ashtu siç i thotë pronari i shtëpisë punëtores apo përgjegjëses: Për një muaj çdo gjë që të nevojitet e keni në depo, ndërsa tjetër është çështja se ajo nuk dëshiron ta lodhë veten dhe ta përgatitë ushqimin.
Kështu thotë edhe fjala e urtë: “Pjesët organike të trupit punojnë, ndërsa zemrat mbështeten”. Mbështetja është cilësi e zemrave dhe nuk është cilësi e pjesëve organike, sepse prej pjesëve të trupit kërkohet të veprohet.
Shejh Shaëravijun në shumë raste e kam dëgjuar duke thënë me urtësi: “Rizku (furnizimi) që të takon ty si në pasuri, ashtu edhe në reputacion, e di më mirë se ti vendin se ku do të jesh në të ardhmen”. Kjo fjalë e urtë, të cilën e ka thënë Imami, ka domethënie të rëndësishme, është fjalë që shkëlqen dhe udhëzon, është fjalë, e cila bën që njeriu të kuptojë dhe të angazhohet për rizkun (furnizimin) e tij, por jo të hezitojë, të ngutet, të shikojë për të përshpejtuar diçka, sepse rizku (furnizimi) është i përcaktuar dhe i emëruar në adresë të caktuar dhe nuk mund të kalojë në adresë të tjetërkujt.
Imami i mirënjohur komenton ajetin e Zotit të Lartmadhëruar: “Dhe në qiell është furnizimi i juaj dhe ajo çka u është premtuar”. Zoti i Lartmadhëruar çështjen e rizkut e ka lënë në qiell, ashtu që njerëzit të mos jenë në gjendje të arrijnë atje. Pra, kuptimi i ajetit është: Oj krijesë, furnizimi yt është në qiell, atje ku duart tua nuk mund të arrijnë, mirëpo duhet të punosh, të mundohesh, të angazhohesh e të lodhesh që të vijë furnizimi yt, të cilin e ka caktuar Zoti për ty. Pjesa e ajetit “furnizimi juaj” na vërteton qartë se fjala “ku furnizimi” është i ndarë dhe i përkufizuar posaçërisht për ju dhe se furnizimi i njeriut është i premtuar për angazhuesin dhe punuesin dhe për atë, i cili aktivizohet, vepron dhe nuk duhet të qëndrojë i ngurtë para rrethanave dhe peripecive të ndryshme.
Muhamed Muteveli Esh-Shaëravi Përktheu: Dr. Musli Vërbani Shkëputur nga “Fetva”