KOMENTIMI SHKENCOR NË KUR’AN
Pyetja: Çka mendon Shejh Shaëraviju në lidhje me komentimin shkencor të Kur’anit?
Përgjigje: Zoti i Lartmadhëruar ka ligjësuar obligime, të cilat ndryshojnë në mendime dhe ide, për të na mbrojtur nga konfliktet e emocioneve dhe epsheve. Ndërsa, sa i përket çështjeve, të cilat i nënshtrohen fakteve dhe argumenteve, ato janë unikate. Materia është statike, ajo kurrë nuk e mashtron zbuluesin. Përfundimi se ku arrin zbuluesi është ndërhyrja në materie, pa epshe, pa emocione të brendshme dhe jashtë dëshirës së tij. Zbuluesi arrin aty e me dëshirën e tij ka depërtuar në materie, jo sipas dëshirës së tij, por sipas asaj që e kërkon vërtetësia dhe realiteti, sepse materia nuk lejon që zbuluesi të kalojë mbi atë që është faktike dhe argumentuese. Për këta arsye shohim se i Dërguari i Allahut s.a.v.s. ka vendosur vija të prera për muslimanët dhe atë vija të sakta. E ato vija të sakta i ka bërë kandar të këtyre argumenteve shkencore. Pra, cilat janë këto argumente shkencore?
Argumentet shkencore fillojnë prej fakteve të dukshme në gjithësi. Pastaj këto fakte nuk vazhdojnë e të jenë vetëm çështje të kaluara, por ndalen në pikën e hulumtimit dhe studimit në të; dhe nuk studiohen e hulumtohen vetëm për t’u kënaqur dhe për t’u dëfryer, por për të përfituar dhe për të sjellë dobi, pra, për të marrë atë çështje, atë argument dhe për të ngritur lart jetën. Kur’ani, kur të paraqet këtë çështje të gjithësisë, thotë:
“Sa e sa argumente ka në qiej e në tokë, të cilët i shohin, por ata nuk i vështrojnë fare”.(Jusuf, 105)
Pra, sa argumente në qiell dhe në tokë kërkon Allahu nga ne që t’i shikojmë në prizmin e studimit, jo vetëm për t’i kaluar, pra kalimthi, që t’i analizojmë, t’i elaborojmë, që nëpërmjet atyre argumenteve të udhëzohemi. Ky është vështrim praktik. Në çështjet lëndore dhe praktike kurrë nuk ka kundërthënie. E, kjo do të thotë se rezultati gjithmonë është i njëjtë. Ne edhe më herët kemi thënë se nuk ka elektricitet sovjeti, e as amerikani. Nuk ka as kimi britanike e as gjermane. Çdo gjë që ka rezultuar prej zbulimeve shkencore, ka qenë çështje për të cilën të gjithë janë pajtuar. I Dërguari i Allahut s.a.v.s. e ka thënë të vërtetën, “Dhe çka ju jep i Dërguari, merreni, e çka ju ndalon, ju largohuni”. (El-Hashr, 7)
Kur i Dërguari i Allahut s.a.v.s. ligjëson diçka, ai atë ligj e ka sjellë prej Allahut, ose tekstualisht ose kuptimisht, ose shpjegon ligjin e Allahut. Ndonjëherë i Dërguari i Allahut s.a.v.s. ligjëson nga vetvetja e tij. Kjo kuptohet nga ajeti Kur’anor: “Dhe çka ju jep i Dërguari, merreni, e çka ju ndalon, ju largohuni”. (El-Hashr, 7)
Në lidhje me këtë çështje, Shejh Shaëraviju sjell shembull: I Dërguari i Allahut, kur shkon te beduinët, sheh se ata bënin fekondimin e hurmeve, pra ata vendosnin mashkullorët e hurmeve me femërorët e tyre. I Dërguari i pyet: Po çka jeni duke vepruar? Ata i përgjigjen: Kështu, kështu… . I Dërguari i Allahut s.a.v.s. u thotë: Mos veproni kështu, sepse edhe pa vepruar kështu do të ketë shumë fryte. Ata e dëgjojnë të Dërguarin e Allahut s.a.v.s. dhe nuk bëjnë fekondimin e hurmeve. Kur vjen sezona e fryteve, e shohin se hurmet nuk kanë fryte sikurse vitet e mëhershme. Këtë ia tregojnë të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. Ndërsa i Dërguari i Allahut s.a.v.s. ka dashur që t’u tregojë në praktikë, duke u thënë atyre: “Ju jeni më të ditur për çështjet e jetës suaj”. Çështjet praktike, faktike dhe argumentuese ju i dini, në ato çështje më nuk ka çka të diskutohet.
Kjo është hapje e mendjes para fshehtësive të kësaj gjithësie, që të përfitojmë nga ky shembull, që me aktivitet të sjellim rezultate, por në bazë të rregullit sa më pak angazhim e më shumë rezultat. Islami me këtë dallohet. Islami nuk e dëbon dijetarin nga veprimtaria e tij, as ekspertin nga aktiviteti i tij, e as zbuluesin nga zbulimi i tij.
Kur’ani nuk cenon asgjë nga kjo apo ajo.
Nëse i bëjmë një vështrim zbulimeve, të cilat i kanë sjellë dobi kësaj bote, do të shohim se ato zbulime janë rezultat i paraqitjes së simptomave apo shenjave në gjithësi (natyrë). Parashtrohet pyetja: Si kemi arritur deri te fuqia e makinës me avull? Kemi arritur ashtu se në rend të parë është parë kjo dukuri. Është parë se është ngritur fuqia mbi masën e paraparë. Kur është hulumtuar dhe është studiuar shkaku i ngritjes apo rritjes se asaj fuqie, është vërtetuar se shkaku i shtypjes së avullit e rrit fuqinë dhe e ngrit kapakun; pra është vërtetuar se avulli ka fuqi dhe se atëherë paska mundësi që të përfitojmë nga ajo fuqi. Pra, çdo zbulim, i cili është arritur, është rezultat i paraqitjes së asaj dukurie (zbulimi) në gjithësi (natyrë). Ndërsa, Islami dhe shkenca kërkojnë që të sqarohet, të vërtetohet dhe të shfrytëzohet, që të kemi dobi. E, kjo nuk është në kundërshtim me fenë. Përkundrazi, e vërteton dhe e përforcon fenë, sepse, pasi Islami ka ardhur që program i tij të aplikohet në tërë gjithësinë, atëherë nuk është në dobi të Islamit t’i lërë pabesimtarët që t’i marrin të gjitha fshehtësitë dhe sekretet në ekzistencë, ndërsa ne besimtarët të qëndrojmë larg atyre sekreteve, të cilat sekrete i ka krijuar fuqia dhe madhështia e Allahut.
–
Muhamed Muteveli Esh-Shaëravi Përktheu: Dr. Musli Vërbani Shkëputur nga “Fetva”