Lufta e Bedrit

Lufta e Bedrit

Pabesimtarët e Mekës kishin përgatitur një ushtri prej 900 vetash që të shkonin në Medinë për ta zhdukur prej faqes së dheut Muhamedin a.s. dhe shokët e tij.

Kur Muhamedi a.s. mori vesh për këtë, i tuboi banorët e Medinës e u tha:

– Çka mendoni ju, a të mbrohemi apo jo, a të luftojmë apo jo?

Në atë tubim u ngrit Mikdad Ibn Amri dhe tha:

“O i dërguar i Allahut, ne jemi me ty. Ne nuk jemi si beni israilët të cilët i kanë thënë Musës a.s. shko me Zotin Tënd lufto e ne do të rrimë këtu. Por ne themi: Shko me Zotin Tënd përpara, lutju e ne së bashku me ju do të luftojmë”.

Pastaj u ngrit Seadi i cili tha:

“O i dërguar i Allahut, ne të besojmë, ne e kemi vërtetuar se ti je në rrugën e drejtë, ne të kemi dhënë besën se do të nderojmë dhe do të dëgjojmë. Nëse na thua të hymë në detin e thellë të pakalueshëm, ne do të vijmë me ty dhe askush nuk do të kundërshtojë”.

Kur i dëgjoi këto fjalë Muhamedi a.s., fytyra e tij shndriti prej gëzimit, zemra e tij u qetësua dhe e përfundoi fjalimin duke thënë: – Me ndihmën e Allahut do të ngadhënjejmë dhe fitorja është e jona.

Muhamedi a.s. bisedoi me shokët dhe banorët e Medinës dhe vendosi që të dalë në rrethinën e qytetit me qëllim që atje të zhvillohej lufta, pasiqë në Medinë ishte e mundur që të ketë viktima në fëmijët, gra dhe pleq.

Në rrethinë të Medinës ishte vendi i quajtur “Krojet e Bedrit”.

Te “Krojet e Bedrit” u vendos Muhamedi a.s. me treqind shokët e tij.

Pabesimtarët ishin nëntëqind, d.m.th. trefish më shumë.

Përpos kësaj, pabesimtarët ishin të armatosur deri në dhëmbë,

besimtarët jo vetëm që nuk ishin të armatosur, por ishin të zhveshur dhe të zbathur.

Muhamedi a.s. bëri lutje te Zoti që t’iu ndihmojë besimtarëve në këtë betejë, të ua forcojë këmbët e tyre dhe të ua qetësojë zemrat e tyre.

Zoti i Madhëruar me mëshirën e Tij dërgoi një mijë Melekë në ndihmë për besimtarët.

Melekët iu dolën në ndihmë besimtarëve dhe lufta përfundoi me fitoren e tyre pa viktima të shumta.

Pabesimtarët lanë pas vete tërë armatimin e tyre dhe ia mbathën me të katërtat.

Shtatëdhjetë prej tyre u vranë dhe shtatëdhjetë të tjerë u zunë robër.

Pasi përfundoi lufta, besimtarët u gëzuan shumë sepse numri i vogël i tyre triumfoi kundër grupit të madh të pabesimtarëve.

Gjithmonë kur vjen në konflikt e drejta dhe e padrejta, e drejta fiton pa marrë parasysh a janë të paktë në numër apo janë të dobët, sepse fuqia e drejtësisë është fuqi e cila nuk humbë kurrë, por gjithmonë fiton edhe nëse vonon pak.

Robërit i liroi me kompensim duke e paguar veten me të holla,

ndërsa disa prej tyre Muhamedi a.s. i liroi me kusht që ai i cili di shkrim dhe lexim t’ua mësoj fëmijëve musliman shkrimin dhe leximin.

Dr. Musli Vërbani

“365 tregime për fëmijën tuaj brenda 12 muajve të vitit”

Lini një koment