Jahjai a.s.
Pejgamberi Jahja a.s. nuk u martua asnjëherë.
Gjithë jetën ia kushtoi adhurimit e rrugës së Zotit.
Gjithë kohën e kaloi duke u mësuar njerëzve besimin e adhurimin.
Jeta e tij kaloi sa në Palestinë, në Siri dhe në Jordani, duke ftuar pa pushim njerëzit të adhuronin Zotin e vetëm, të hiqnin dorë nga besimet pa themel e të përgatiteshin për Ditën e Gjykimit.
Luginat e Palestinës jehonin me zërin e tij, malet e Sirisë gjenin jetë me frymën e tij që kumbonte shpalljen.
Majat e Jordanisë përcillnin ftesën e tij drejt shkretëtirave paanë.
Jahjai a.s. e braktisi qytetin dhe nisi të jetonte një jetë prej eremiti nëpër male e shkretëtira.
Mbi trup mbante rroba të leshta.
Ushqimi i tij ishin gjethet e barishtet që gjente përreth,
etjen e shuante me ujin e lumit.
Thërriste pa pushim njerëzit t’i afroheshin Zotit, se dita kur do dëshmohej gjithçka nuk do ishte aspak e largët.
I ftonte ata të pendoheshin për mëkatet e të ruheshin prej tyre, sepse kjo ishte rruga e drejtë.
Zëri i tij jehonte, gjithë ata që e dëgjuan thirrjen e tij, vrapuan ta dëgjonin nga afër fjalën e tij.
Moria e njerëzve që vinte ta dëgjonin ishte aq e madhe, sa ai u vendos në brigjet e lumit Jordan.
Vendi ishte Magtash. Ai vend ku Jahjai i ftonte njerëzit të pastroheshin prej mëkateve, lumi i Jordanit.
Pasi lante me ujin e lumit trupin e njerëzve që vinin të pendoheshin.
Pejgamberi Jahja a.s. i këshillonte ata të pastronin edhe shpirtin me lot e me përkushtim. Me mijëra njerëz që vinin nga Jerusalemi, Eriha, Siria e nga anë e anës, u pastruan me duart e lumturuara të Jahjait a.s., e mbushën shpirtin me fjalët e tij.
Edhe malet, edhe shushurima e lumit e ruajtën si një legjendë historinë e Jahjait.
Dashuria e paanë e Jahjait kishte bërë fronin e vet në zemrat e gjithë njerëzve.
Sapo i dëgjonin zërin, njerëzit vraponin t’i përgjigjeshin ftesës së tij.
Ndonjëherë Jahjai flinte i uritur, pasi ua kishte dhënë gjithë ushqimin e vet kafshëve që i rrinin afër, por kjo nuk ishte aspak e rëndësishme për të, sepse urinë shpirtërore e shuante me adhurim, falje e lutje, ndaj urinë fizike as që e ndiente ndopak.
Net të tëra nuk flinte fare, por e kalonte gjithë kohën duke përmendur dashurinë e tij më të zjarrtë, për Zotin, e duke i shprehur Atij adhurimet pa fund mes lotëve, përkujtimit e falënderimit.
Sinqeriteti e dashuria që shprehnin fjalët e tij ndërsa u shpjegonte fenë njerëzve, ishin aq prekëse, aq të dëlira, sa menjëherë atyre u zbutej zemra e u rridhnin lot.
Fjalët e tij të sinqerta ishin një thirrje e shpirtit të tij plot dashuri.
–
Dr. Musli Vërbani
“365 tregime për fëmijën tuaj brenda 12 muajve të vitit”