Shorti hidhet kur të drejtat janë të barabarta
Në etimologji do të thotë: pjesë, hise.
Në terminologji do të thotë: veprim (proces) i cili përcakton pjesën apo hisen e njeriut.
Dijetarët janë unifikuar në ligjësimin e shortit.
Argumenti i shortit buron nga Kur’ani dhe suneti.
Argument nga Kur’ani
Tregimi me rastin e Zekerijait a.s. dhe popullit të tij:
“Ti nuk ishe ndër ta kur i hidhnin shortet se kush prej tyre do të bëhej kujdestar i Mejremes, nuk ishe pranë tyre as kur ata ziheshin mes vete.” (Ali imran : 44.)
Tregimi i Junusit kur ishte në anije dhe i ra shorti që të hidhet në det.
“Edhe Junusi ishte një nga të dërguarit Tanë. Kur iku te anija që ishte e mbushur plotë (udhëtarë). E ai mori pjesë në short, po humbi (i ra shorti atij).” (Es-Saffat : 139-141)
Argument nga suneti
Transmeton Ebu Hurejrete r.a. se një popull i cili kishte mospajtueshmëri në mes vete rreth një përbetimi (se cili prej tyre duhej të përbetohej), paraqiten te pejgamberi s.a.v.s., pastaj ata u urdhëruan që të hedhin short në mes tyre se cili prej tyre të përbetohet.
(Hadithin e ka regjistruar Buhariu)
Urtësia e Shortit
Urtësia e hedhjes së shortit qëndron në atë se i qetëson zemrat e atyre të cilat i kanë të drejtat e njëjta në atë çështje dhe mënjanimin e akuzimit të njëri-tjetrit se ndonjëri ka pasur më shumë të drejt se tjetri.
Llojet e shortit
Llojet e shortit janë:
– Shorti i lejuar;
– Shorti Mendub;
– Shorti Vaxhib;
– Shorti Haram;
– Shorti Mekruh.
– Shorti i lejuar: është në Çështjet e lejuara, e cila nuk ndikon në armiqësi, ose nuk ndikon në dëmtimin e palëve.
– Shorti mendub: është në rastet kur zemrat qetësohen duke mos e akuzuar njëri-tjetrin.
– Shorti vaxhib: në raste ku duhet mënjanuar armiqësinë e palëve.
– Shorti mekruh: në Çështjet e papëlqyeshme.
– Shorti haram: në Çështjet e ndaluara.
Shorti si proces mund të zhvillohet në shumë Çështje. Në Çështjet kur palët kanë të drejta të barabarta dhe përcaktimi i njërës të drejtë ndaj të drejtës së njëjtë në palën tjetër.
Shembull:
– Kur bashkëpronarët kanë pjesë të barabarta në një shtëpi, parcelë të ngjashme dhe secili e dëshiron një pjesë të caktuar për shkak se secilit i përshtatet ajo pjesë, atëherë veprohet procesi i shortit, në mënyrë që të ndërpriten mosmarrëveshjet.
Dr. Musli Vërbani