Nuk mohohet ndryshimi i dispozitave në bazë të ndryshimit të kohëve
Kuptimi i rregullit
Dispozitat e ndërtuara nga tradita ndryshojnë me ndryshimin e traditës mbi të cilën është ndërtuar sepse dispozita sillet me arsyen, kur mungon arsyeja mungon dispozita dhe anasjelltas, kur ekziston arsyeja ekziston edhe dispozita.
Në Kur’an dhe sunet kemi tekste të papërcaktuara e që njeriu duhet t’i përcaktojë. E njeriu i përcakton varësisht prej traditës dhe zakonit. Kjo është mëshirë dhe tolerancë për veprimtarinë në mes njerëzve, për të mirën e tyre, ashtu që ligjet e sheriatit të jenë të përshtatshme për çdo vend dhe për çdo kohë.
Tradita është dy llojesh:
– Tradita e pandryshueshme,
– tradita e ndryshueshme.
Tradita e pandryshueshme
Tradita e pandryshuar e cila nuk ndryshon prej një vendi në vend tjetër, është traditë e cila buron nga ndryshueshmëria e njeriut të cilën e kërkon ndjenja njerëzore, si f.v., tradita për ushqim, fjetje, etj.
Tradita e ndryshueshme
– Tradita e ndryshueshme është tradita e cila ndryshon me ndryshimin e kohëve dhe vendeve.
Për këtë arsye në kohën e imam Ebu Hanifes ngjyra e zezë është llogaritur se është “Turp” nga shkaku se uzurpatori identifikohej me këtë ngjyrë, sepse uzurpatori e ngjyroste rrobën me ngjyrë të zezë dhe e njolloste të bardhën, pas kësaj, kur ka ndryshuar tradita e njerëzve dhe ngjyra e zezë nuk e identifikonte uzurpatorin (kriminelin) dhe nuk ishte ngjyra e tij si ngjyrë identifikimi apo si ngjyrë bazike, por ishte vetëm si ngjyrë e cila nuk identifikonte asgjë por ishte si ngjyrë shtesë, dhe jo ngjyrë bazike (identifikuese), atëherë edhe dy studentët e tij e kanë llogaritur ngjyrë shtesë dhe jo ngjyrë bazike, jo ngjyrë identifikuese e uzurpatorit (kriminelit).
Nëse bëhet traditë që të paguhet mehri para kontaktit dhe pastaj ndryshon tradita e cila lejon që një pjesë e mehrit të jetë i menjëhershëm dhe një pjesë tjetër pas një afatizimi, atëherë veprohet me traditën e re dhe anashkalohet tradita e menjëhershme.
Dr. Musli Vërbani