Dr. Musli Vërbani
Në esencë ndodhia e re i përshkruhet kohës më të afërt
Shembull:
– Ai që sheh spermë në rrobat e tij duke mos iu kujtuar kur e ka parë ëndrrën (që ia ka obliguar guslin), (pasi të lahet) duhet t’i përsërisë vetëm namazet që i ka falur pas gjumit të fundit. Kështu, duke ia përshkruar këtë ngjarje kohës më të afërt, sepse parimisht duhet marrë se ajo nuk ka ndodhur para kësaj kohe.
– Ai që sheh në dorën e tij diçka që e pengon depërtimin e ujit në lëkurë, siç janë llaku, fshirësja e ngjyrës dhe rrëshira, duhet të marrë abdes pasi ta largojë atë dhe t’i përsërisë ato namaze që i ka falur nga koha më e afërt që i ka përdorur këto lëndë. Kjo për faktin se prania e këtyre gjërave i përshkruhet kohës më të afërt të mundshme, për shkak se parimisht mbetet që ato nuk kanë qenë të pranishme para kësaj kohe.
Kjo gjë vlen në qoftë se janë terur gjymtyrët e trupit pas abdesit ose ka kaluar kohë e gjatë që kur ka marrë abdes, sepse poqëse nuk janë terur ende gjymtyrët ose nuk ka kaluar kohë e gjatë që kur ka marrë abdes, atëherë ai e heq pengesën dhe e pastron pjesën e gjymtyrës ku ka qenë pengesa dhe pastaj e plotëson abdesin, duke i pastruar gjymtyrët që vijnë pas saj në renditje, derisa ta përfundojë abdesin.
– Nëse ndokush dyshon në pastërtinë e vendit ku falet, atëherë në parim ai vend konsiderohet i pastër, derisa të marrim vesh se në atë vend ka rënë ndonjë ndyrësi.