Dr. Musli Vërbani
Ed-darurijat tubihul mahdhurat |
Domosdoshmëritë lejojnë të ndaluarat |
Njeriu në jetën e tij ballafaqohet me shumë vështirësi. Vështirësitë e tij janë të natyrave të ndryshme. Për largimin e atyre vështirësive nevojitet urtësi. Ka dallim në mes të urtësisë dhe diturisë. Përderisa dituria të mëson të mirën dhe të keqën, atëherë urtësia të mëson ta dallosh një të mirë më të mirë prej dy të mirave apo një të keqe më të vogël prej dy të këqijave.
Është e domosdoshme që dëmi të largohet, mirëpo në rend të parë duhet të dimë se çka është domosdoshmëri.
Definicioni:
Arsyetimi për të vepruar një çështje të ndaluar.
Domosdoshmëria është çështja apo veprim prej të cilës varet jeta e njeriut si për këtë botë ashtu edhe për botën tjetër, ashtu që nëse mungon kjo domosdoshmëri, vihet në rrezik jeta në këtë botë, zhduken të mirat dhe fitohet ndëshkimi në botën tjetër.
Në shkencën e Usuli Fikhut “tejkalimi i domosdoshmërisë” quhet: masa lehtësuese.
Argument:
Thënia e Zotit të Lartmadhëruar:
“Dhe kush është i detyruar (dhe hanë mishin e derrit, cofëtinën, mishrat e ndaluar) pa dëshirën e tij dhe nuk tejkalon, nuk ka mëkat për të.” (El-Maide : 3)
“Por kushdo që detyrohet nga nevoja të hajë ndonjë gjë prej këtyre, pa dashur të bëjë mëkat dhe pa e kaluar kufirin, nuk do të fajësohet. Vërtet, Allahu është Falës i madh dhe Mëshirëplotë.” (El-Bekare : 173)
Ajeti edhe pse është për rast specifik, ka qëllim për kuptim të përgjithshëm dhe përfshinë domosdoshmërinë e sigurimit të:
– fesë
– jetës
– pasardhësve
– mendjes dhe
– pasurisë.
Kriteret e domosdoshmërisë:
– Që domosdoshmëria të jetë faktike dhe të mos jetë hipotetike apo imagjinare.
– Që domosdoshmëria të mos ketë mundësi tejkalimin në mënyrë ligjore.
Shembull: nëse një mësuese në kohën e menstruacionit e ka të ndaluar ta prek mus’hafin, mirëpo në orën kur ajo i mëson fëmijët, ajo gjatë asaj ore e ka të lejuar prekjen e mus’hafit deri sa të përfundoj ora e mësimit.