Dr. Musli Vërbani
Dëmi duhet larguar |
Shpjegimi i fjalëve:
Në etimologji fjala “darar” nënkupton shkaktim i dëmit. E kundërta e dëmit është realizimi i dobisë (interesit).
Në terminologji fjala “darar” nënkupton humbjen e një dobie (interesi) ligjore personale ose shoqërore për shkak të teprimit ose pakujdesisë.
Kuptimi i rregullës:
Sheriati islam e ndalon dëmtimin, çrregullimin dhe shkatërrimin. Kjo çështje realizohet duke mos e lejuar atë të ndodhë ose duke e mënjanuar pasi të ketë ndodhur.
Sheriati islam parasheh lehtësim dhe përkujdeset për largimin e dëmit dhe vështirësive në bazë të rregullit fikhorë “Dëmi duhet të larguar”. Ashtu që nëse paraqiten dy çështje:
– njëra çështje është e dëmshme,
– tjetra çështje është e dobishme.
Në këtë rast i jepet prioritet largimit të çështjes së dëmshme.
Argument:
Ligjvënësi më shumë përkujdeset për largimin nga ndalesat se sa përkujdeset për zbatimin e obligimeve. Pejgamberi s.a.v.s ka thënë:
“Çka ju kam ndalur largohuni, çka ju kam urdhëruar veproni, në bazë të mundësive”.
Shembull:
– Pronari i katit të epërm nuk ka të drejt të veproj në dëm të pronarit të një banese në katin e poshtëm.
– Izolimi i të çmendurit për të mos shkaktuar dëm edhe ndaj vetes edhe ndaj tjerëve.
– Lejohet gënjeshtra për të pajtuar dy të armiqësuar.
Arsyetimi i kësaj rregulle:
Në largimin e një dëmi realizohen dy dobi, kjo nga shkaku se e keqja dhe e dëmshmja ndikon negativisht në realizimin e të dobishmes.
Nëse dëmi nuk largohet që nga fillimi, mund të zmadhohet dhe të përhapet duke shkaktuar dëm tjetër dhe bëhet pengesë e dobive edhe për këtë botë edhe për botën tjetër.
Mënyra e largimit të dëmit:
Largimi i dëmit është obligim.
Largimi i dëmit bëhet në dy mënyra:
– Mënyra e parë: largimi i dëmit me mjete paqësore.
– Mënyra e dytë: largimi i dëmit duke paraqitur lëndën në gjykatë, kjo nëse dështon mënyra e parë.
Nëse një person dëmtohet, gjykatësi e ka për detyrë t’ia largoj dëmin dhe qeveritari duhet ta zbatoj gjykimin për të siguruar drejtësi dhe paqe në mes njerëzve duke u bazuar edhe në rregullin fikhorë: “Mos dëmtoni dhe mos u dëmtoni”.
I dëmtuari të cilit i është shkaktuar dëm duhet ta largoj dëmin me mjetë paqësore, nëse nuk mundet atëherë e paraqet në gjykatë. Zgjedhja e problemeve në jetë në rrugë paqësore është prej devotshmërisë dhe mbjelljes së fryteve të vëllazërisë në mes njerëzve.
Muslimanët të cilët e shohin dëmin duhet të bashkëpunojnë në largimin e atij dëmi duke vepruar me ajetin kur’anor: “Ndihmoni njëri-tjetrin në mirësi dhe devotshmëri dhe mos ndihmoni në mëkate dhe armiqësi. Bëhuni të devotshëm ndaj Allahut, vërtet Allahu dënon rreptë.” (El-Maide, 2)