Dr. Musli Vërbani
Vështirësia imponon masën lehtësuese |
Kur njeriu i ngarkuar me detyra fetare has vështirësi në zbatimin e disa detyrave fetare në rrethana të caktuara, sheriati islam ia largon atij këtë vështirësi duke duke ia lehtësuar ato detyra dhe obligime.
Argumentet e rregullit fikhorë: “Vështirësia imponon masën lehtësuese.”
Argument nga Kur’ani:
“Allahu dëshiron që t’jua lehtësojë dhe jo që t’jua vështirësojë.” (El-Bekare : 185)
“Allahu nuk e ngarkon askënd përtej fuqisë që ka: në dobi të tij është e mira që bën, kurse në dëm të tij është e keqja që punon.” (El-Bekare : 282)
“Allahu dëshiron që t’jua lehtësojë, pasi njeriu është krijuar si një qenie e pafuqishme.” (En-Nisa : 28)
Argument nga suneti:
“Lehtësoni e mos vështirësoni.”
Vështirësia e cila imponon lehtësimin është vështirësia e rëndë dhe e qartë, me të cilën kur të ballafaqohet njeriu, e bën që, nëse kryhet ajo detyrë apo adhurim, ai veprim e dëmton vepruesin, si f.v.:
– i kanoset rreziku i humbjes së jetës apo ndonjë gjymtyrë e trupit,
– i shtohet sëmundja dhe i rrezikohet shëndeti,
– i vonohet shërimi dhe rrezikon shërimin.
Vështirësia e rëndomtë ose e paktë, siç janë kollitja dhe kokëdhembja e lehtë, nuk janë shkak për shfrytëzimin e masës lehtësuese.
Shembuj të masës lehtësuese
– Të sëmurit i lejohet të marrë tejemum në vend të gusulit, në qoftë se abdesi ia shton sëmundjen ose ia vonon shërimin.
– Të sëmurit i lejohet të marrë tejemum në vend të abdesit, në qoftë se abdesi ia shton sëmundjen ose ia vonon shërimin.
– Lejohet masa lehtësuese e shkurtimit të namazit nga katër rekate në dy rekate, f.v., kur njeriu është në udhëtim.
Shkaqet e masave lehtësuese
Shkaqet e përfitimit të masës lehtësuese janë si në vijim:
– Udhëtarit i lejohet masa lehtësuese e shkurtimit të namazit.
– Të sëmurit i lejohet masa lehtësuese e tejemumit, nëse nuk mund ta përdorë ujin.
– Të sëmurit i lejohet mosagjërimi nëse agjërimi i shkakton vështirësi.
– Harrestarit i arsyetohet mosfajla e namazit, dhe nuk dënohet nëse nuk e ka falë, dhe atë namaz e plotëson më vonë – KADA (Kaza).
Ai i cili nuk ka kurrfarë mundësie për t’i kryer obligimet e ka masën lehtësuese për moskryerjen e atyre obligimeve.
Zoti nuk e obligon askënd përveç se aq sa ka mundësi ai.
– Gruas me menstruacion i është paraparë masë lehtësuese për mosfaljen e namazeve, dhe mos plotësimin e atyre namazeve KADA, për shkak të vështirësive për të, ndërsa i është kërkuar plotësimi i agjërimit (KADA). Kjo nga shkaku se:
– Namazet përsëriten vazhdimisht dhe vështirë e ka ajo për të kontrolluar namazet, ndërsa,
– agjërimi është vetëm një obligim dhe nuk përsëritet dhe ajo ka mundësi për ta kontrolluar.
Lehonës i është paraparë masa lehtësuese për mosfjaljen e namazeve dhe mos plotësimin e atyre namazeve KADA, për shkak të vështirësive për të, ndërsa i është kërkuar plotësimi i agjërimit KADA. Kjo nga shkaku se:
– Namazet përsëriten vazhdimisht dhe vështirë e ka ajo për të kontrolluar namazet, ndërsa
– Agjërimi është vetëm një obligim dhe nuk përsëritet dhe ajo ka mundësi për ta kontrolluar.
– Fëmija nuk obligohet sikurse obligohet i moshërrituri.
Llojet e masave lehtësuese
Në sheriat masat lehtësuese janë gjashtë llojesh:
- Masa lehtësuese e tërësishme si f.v.: Masa lehtësuese për namazin e xhumasë dhe të haxhit.
- Masa lehtësuese e pjesshme si f.v.: Shkurtimi i namazit.
- Masa lehtësuese zëvendësuese si f.v.: Zëvëndësimi i abdesit me tejemum.
- Masa lehtësuese e parakohshme si f.v.: Dhënia e zekatul fitrit në fillim të muajit Ramazan, në vend se të jepet pas agjërimit dhe para faljes së namazit të Bajramit.
- Masa lehtësuese e mëvonshme si f.v.: Vonimi i agjërimit për të sëmurin dhe udhëtarin.
- Masa lehtësuese e veprimit të së ndaluarës si f.v.: pirja e alkoolit, ushqimi me mish të derrit, për të shpëtuar jetën nga uria, e cila shkakton vdekjen.
Llojet e vështirësive
Vështirësitë janë tri llojesh:
- Vështirësia e rëndomtë.
- Vështirësia mesatare.
- Vështirësia e rëndë.
Lloji i parë: Vështirësia e rëndomtë.
Për këtë lloj të vështirësisë për askënd nuk ka masë lehtësuese.
Lloji i dytë: Vështirësia mesatare.
Për këtë lloj vështirësie, ka masë lehtësuese, kush dëshiron e pranon masën lehtësuese, kush dëshiron e përballon vështirësinë. Shpërblimin çdo kush e ka në bazë të përballimit të vështirësisë.
Lloji i tretë: Vështirësia e rëndë.
Në këtë lloj të vështirësisë parashihet masa lehtësuese, si mëshirë prej Zotit të Lartmadhëruar për robërit e tij. Në këtë rast masa lehtësuese është obligative dhe e detyrueshme si f.v.: nëse ndodh të përballesh me uri të madhe e cila ta rrezikon jetën dhe nuk mund të gjesh tjetër ushqim përveç mishit të derrit, atëherë në mënyrë që të ruhet jeta lejohet të hahet ky ushqim aq sa është e nevojshme dhe jo për t’u ngopur. Zoti i Lartmadhëruar thotë:
“Por kushdo që detyrohet nga nevoja të hajë ndonjë gjë prej këtyre, pa dashur të bëj mëkat dhe pa e kaluar kufirin, nuk do të ketë mëkat për të. Vërtet, Allahu është Falës i madh dhe Mëshirëplotë.” (El-Bekare : 173)