Dr. Musli Vërbani
PËRCJELLJA E TË VDEKURIT
Kur të vdesësh pasuria nuk vrapon pas teje, ashtu siç ke vrapuar pas pasurisë.
Që nga momenti i vdekjes tri gjëra të përcjellin, por përcjellja e tyre ndryshon njëra prej tjetrës. Ato gjëra janë shokët e tu me të cilët ke jetuar, për të cilët ke punuar.
Shoku i parë i cili largohet prej teje është pasuria. Vërtet për të je angazhuar më së shumti, mirëpo pasuria është ajo e cila nuk do të mërzitet fare për ty.
Derisa i vdekuri përcillet me tabut, po të kishte mundësi të flas do t’u thoshte përcjellësve: Mos t’u mashtrojë dunjaja, mos të luaj dunjaja me ju ashtu siç ka luajtur me mua. Kam fituar mallin haram e hallall dhe ua kam lënë juve të kënaqeni me të, ndërsa në Ditën e Kijametit unë do të përgjigjem për atë pasuri, e ju tani e shfrytëzoni.
Enes bin Maliku transmeton se Muhamedi a.s. ka thënë:
“Të vdekurin e përcjellin tri gjëra: Dy kthehen, njëra vazhdon të qëndrojë me të. E përcjellin familja, pasuria dhe vepra e tij. Kthehet pasuria dhe familja, kurse vazhdon të qëndrojë me të vepra”.
Përcjellja e kufomës është mustehab.
Transmetohet nga El-Berrai se ka thënë:
“Na ka urdhëruar i Dërguari i Allahut s.a.v.s.: t’i përcjellim të vdekurit, t’i vizitojmë të sëmurët, t’i përshëndesim ata që teshtinë, t’i përgjigjemi ftesës dhe t’i ndihmojmë të dëmtuarve”.
Përcjellja e kufomës është sunet për meshkuj, ndërsa mekruh për femrat.
Transmeton Buhariu dhe Muslimi nga femra Umi Alijete r.a. se ka thënë: Na është ndaluar neve (femrave) për t’i përcjellë të vdekurit, por jo rreptësisht”.
Shoku i dytë i cili të përcjellë deri te varri janë familja dhe shokët, kështu që kur të mbulohesh me dhè, në errësirën e nëntokës askush nuk vjen me ty, të gjithë kthehen nëpër shtëpitë e tyre, në punët e tyre dhe në familjet e tyre.
Zoti i Madhëruar thotë:
لَقَدْ جِئْتُمُونَا فُرَادَى كَمَا خَلَقْنَاكُمْ أَوَّلَ مَرَّةٍ
“(E shihni) keni ardhë te Ne të vetmuar ashtu siç ju kemi krijuar për të parën herë (të vetmuar)”.
Shoku i tretë i cili e përcjellë të vdekurin deri te varri është vepra e tij. Nëse veprat e tij janë të mira lumë për të vdekurin, nëse ato vepra janë të këqija, mjerë për të vdekurin.