Dr. Musli Vërbani Shkëputur nga: "Besimi në librat e Zotit"
Vahji
Vahji në aspektin gjuhësor quhet informimi i shpejt dhe i fshehtë.
PËRKUFIZIM:
Vahj quajmë frymëzimin dhe inspirimin e pejgamberit prej Zotit të Lartmadhëruar në mënyrë të jashtëzakonshme.
Vahji mund të jetë në dy mënyra:
- Në mënyrë të drejtpërdrejtë.
- Nëpërmjet Melekut Xhibril.
Mënyra e parë e drejtpërdrejtë është frymëzimi dhe inspirimi nëpërmjet ëndrrave të vërteta. Kjo i ka ndodhur Muhamedit a.s. para fillimit të zbritjes së Kur’anit. Muhamedit a.s. çdo ëndërr që e shihte në gjumë i ndodhte në jetë. Ndërsa forma e dytë e drejtpërdrejt është të folurit e Allahut me pejgamber pas perde. Kjo i ka ndodhur Musait a.s. Zoti i Lartmadhëruar në Kur’an thotë:
“Allahu i ka folur Musaut me fjalë”. (EN-NISA, 164)
Mënyra e dytë e vahjit nëpërmjet Melekut Xhibril.
Xhibrili i ka ardhur Muhamedit a.s. në dy forma:
– Forma e parë është kur Xhibrili ia ka zbritur Kur’anin nëpërmjet të folurit të tij, e kjo Muhamedit a.s. i ka tingëlluar si formë e ziles. Që d.m.th. të dëgjuarit e Muhamedit a.s. ka kaluar në të dëgjuar të lidhjes me Melekun në formë shpirtërore.
– Forma e dytë është kur Xhibrili i është shndërruar Muhamedit a.s. në formë të njeriut.
Argument për mënyrat e vahjit kemi ajetin Kur’anor:
“Nuk ka asnjë njeri që t’i ketë folur Allahu ndryshe, vetëm se me anën e frymëzimit, ose pas një perdeje, ose t’i dërgojë të dërguar (melek), e ai t’i shpallë me lejen e Tij atë që do Ai. Ai është me i larti, më i urti”. (SHURA, 51)