Martesa e bekuar 

Muhamed Eminë Xhundi

"101 tregime për të arritur kulminacionin e mirësisë dhe përsosmërinë e devotshmërisë"

Përktheu: Dr. Musli Vërbani

Martesa e bekuar

 

Sejid bin el Musejeb ka qenë dijetar i njohur, i cili diturinë e ka marrë prej Muhammedit s.a.v.s. Ai ka pasur një vajzë besimtare, dhe me emër, sa që emri i saj për bukuri, nder dhe devotshmëri, besimtare e sinqertë dhe vepruese sipas Kur’anit dhe hadithit të Muhamedit a.s., është përhapur në të gjitha anët.

Kur Hisham bin Abdul Maliku, i cili ishte Emir i besimtarëve, ka dëgjuar për të, dëshiroi ta fejonte për djalin e tij. Ai dërgoi një  mësit  te  babai  i  saj  në  qytetin  e  të  Dërguarit  të Allahut s.a.v.s. për t’i treguar Sejid bin Musejebit se Emiri i besimtarëve dëshiron ta fejojë djalin e vet me bijën e tij. Sejid bin Musejebi i thotë mësitit: “Tregoji Emirit të besimtarëve se e refuzoj një gjë të tillë”. Mësiti i tha: “Po, për çfarë arsye?” Sejid bin Musejed i tha: “Sepse, Emiri i besimtarëve nuk ka biografi të mirë dhe të lavdëruar.” Në fillim mësiti tenton me metodologji dinake duke  i thënë: “Si po e refuzon sundimtarin, i cili ka famë, emër, reputacion dhe pasuri?! A po e refuzon sundimtarin, Emir i besimtarëve?” Sejid bin Musejeb i kundërpërgjigjet: “Pasi që  për Allahun, e tërë bota nuk ka peshë as sa një fletë e mizës, atëherë sundimtari, Emiri i besimtarëve, sa është i rëndë  në fletën e asaj mize?!” Mësiti i thotë me kërcënim: “Frikësohem për ty, se Emiri i besimtarëve mund të të shkaktojë ndonjë të keqe.” Sejidi i tha: “Nuk ka dyshim se Allahu i mbron ata, të cilët besojnë.” Pas kësaj Sejidi u ul në Xhaminë e të Dërguarit  të Allahut s.a.v.s për të vazhduar ligjëratat e tij. Në mesin e studentëve ka qenë një djalë i pashëm, modest, i quajtur Eba Vedati. Ai kishte munguar në ligjërata tri ditë. Kur e sheh Sejidi që veç kishte ardhur për të vazhduar mësimin, e pyeti: “Ku ishe që tri ditë o Eba Vedaa?” Ebu Vedaa i tha: “O profesori im! Më ka vdekur bashkëshortja, Zoti e pastë mëshiruar, e kam qenë i angazhuar në pritje të ngushëllimeve.” “Kjo është me vend, por përse nuk na ke lajmëruar që edhe ne të kishim ardhur te ti për ngushëllime?” Ai iu përgjigj: “O profesori im, të kam lënë të qetë, që të vazhdosh këshillimet dhe thirrjen në rrugë të Allahut ty dhe muslimanët tjerë, sepse e di se kjo është më e drejtë dhe më prioritare, se sa të ishe angazhuar për ngushëllime tek unë.” Për këtë mirëkuptim Sejid e falënderoi dhe pastaj e pyeti: “Po a je martuar pastaj?” “Jo, o profesori im.” “Por, pse? A nuk e di se Allahu nuk dëshiron që ndonjëri nga ne të rrijë një natë pa grua, sepse nëse një natë flenë pa grua, shejtani fle në anën e majtë të tij?” Ebu Vedaa i tha: “Po, kush ma jep vajzën mua,  kur unë në jetën time nuk posedoj më shumë se tre dërhem.”  “Po unë të martoj, tha Sejidi.”

Tregon Vedaati: “Kur e kam dëgjuar Sejidin duke thënë “unë” në vetvete mendova se ky Shejh ka për qëllim të më ndihmojë me pak të holla, që ta gjej një bashkëshorte, e cila përshtatet me gjendjen ekonomike timen, sepse unë nuk posedoja pasuri, isha  i varfër. Ose ka për qëllim, që në ndonjë mënyrë, me autoritetin e tij, do të hulumtojë për të më fejuar me ndonjë vajzë të varfër, e cila do të dëshironte dhe do ta pranonte ofertën.” Vazhdon të tregoj Ebu Vedaati: “Derisa ishim duke falur namaz nate dhe  më dukej se të gjitha i kisha afër, çka ka në qiej, melekët, Xhenetet e firdevsit dhe që të gjitha thurnin vargje për mua, e pashë Sejidin, i cili e drejtoi dorën në drejtimin tim dhe para të pranishmëve në Xhaminë e të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. dhe pasi filloi me “Bismil-lah” fjalimin, e lavdëroi Allahun e Lartmadhëruar,  dërgoi  salavate  për  të  Dërguarin  e  Allahut

s.a.v.s. dhe tha: “Dëshmoj para këtij xhemati muslimanë  se Sejid bin Musejeb e marton bijën e tij fisnike filanen me Ebu Vedaatin, sipas Librit të Allahut dhe Sunetit të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. me shumë të mehrit tre dërhem. Pastaj, e përfundoi fjalimin duke dërguar salavate për të Dërguarin e Allahut s.a.v.s. dhe na dëshiroi fat dhe lumturi në jetë. Pastaj, u ul i nderuari ynë Sejid duke na sqaruar kuptimin e hadithit të të Dërguarit të Allahut s.a.v.s.: “Kush martohet me një femër për shkak pasurisë, atij i shtohet varfëria. Kush martohet me një femër për shkaqe bukurie, Allahu do ta përulë dhe do ta nënçmoj. Kush martohet me një femër për shkak fisi, ai do të jetë i turpëruar. Kush martohet me një femër për shkak se ajo është fetare, Allahu do ta bekojë atë çift bashkëshortor”.

Sejidi e përfundoi mësimin, u kthye në shtëpi dhe e sheh se bija e tij e lexonte ajetin kur’anor të Suretul Bekare, ku Zoti i Lartmadhëruar Thotë: “Dhe ka prej tyre që thonë: O Zoti ynë,  na jep të mira në këtë botë dhe të mira në botën tjetër dhe na  ruaj nga dënimi i zjarrit”, dhe në përfundim të këtij ajeti ndalet dhe e pyet babën e saj: “O babi im, ne e dimë se e mira e botës tjetër është Xheneti, po cila është e mira e kësaj bote?” I thotë: “Oj bija ime, e mira e kësaj bote është bashkëshortja e mirë, për bashkëshortin e mirë. Sot ta ka mundësuar Allahu që të martohesh me një bashkëshort të mirë. Përgatitu për martesë.” Dhe, përderisa Ebu Vedaati e përgatiste ushqimin për iftarin e ditës që kishte agjëruar, kur dikush troket në derë. Ebu Vedaati pyet: “Kush është në derë?” Sejidi thotë: “Unë jam.” Ebu Vedaati thotë: “Atëherë mendova në vetvete se kush mund të jetë pos Sejid bin el Musejebit.” E hapa derën me paragjykim dhe prita se ndoshta Shejhu e ka ndryshuar mendjen ose ndoshta e bija e tij ka refuzuar. Mirëpo, pasi që ia hapa derën, kur shoh Sejidin me bijën e tij fisnike, të veshur me rroba të nusërisë e shoqëruar me vajza të tjera, të cilat mbanin në dorë dhurata dhe të mira të Allahut. Thotë Ebu Vedaati: “E pyeta: “Ç’është ajo që të ka shtyrë ta shpejtosh, o i nderuari im?” Ai m’u përgjigj: “Po, a nuk të kam thënë se Allahu nuk dëshiron që ndonjëri prej nesh të flejë një natë pa gruan e tij, që në anën e majtë të tij të mos flejë shejtani o Ebu Vedaat. Kjo është bashkëshortja jote. Zoti të bekoftë ty dhe atë!” Pastaj, Sejidi ka shkuar, kurse nusja mbeti në shtëpinë e burrit të saj.

Thotë Ebu Vedaati: “Unë e kisha e vendosur iftarin e përgatitur në tryezë ku ishte një iftar modest prej Fulit, idamit (pasulit), pak gjalpë, disa kokrra elb dhe një gotë me ujë. E hëngra këtë ushqim me shpejtësi, larg nga nusja, që mos të jetë përshtypja e parë se çfarë ushqimi të paktë kam në shtëpi. Pastaj hipa në kulm të shtëpisë sime dhe thirra: “O filan, o filan”, disa prej fqinjëve dolën prej shtëpive të tyre dhe thanë: “Çfarë po kërkon në këtë kohë o Ebu Vedaat?!” U thash: “Dëshmoj para jush se Sejid bin Musejebi e ka martuar bijën e tij fisnike për mua dhe tani ajo prej kësaj nate është në shtëpinë time. Këtë po ua them se mos të mendojë ndonjëri keq, kur të dëgjojë apo të shohë gruan në shtëpinë time, me mua.” Disa më thanë mua: “Mos po tallesh me ne, o Ebu Vedaat?” Disa të tjerë thanë: “Ebu Vedaati qenka çmendur, po si ta martojë Sejid bin Musejebi bijën e tij për Ebu Vedaatin, kur ka refuzuar të njëjtën bijë ta martojë me djalin e Emirit të besimtarëve.” U thashë: “Për Zotin, Shejhu e realizoi premtimin e tij dhe tani ajo është tek unë.” Fqinjët dërguan gratë e tyre për të vërtetuar çështjen, kur e panë nusen në shtëpinë time dhe u kthyen te burrat e tyre dhe u përbetuan se bija fisnike e Sejidit me të vërtetë është nuse te Ebu Vedaati.

Pastaj, të gjithë burrat prezantuan në gosti në shtëpinë time dhe gratë filluan të manifestojnë, me manifestim islam pa zbavitje e dëfrim”.

Tregon Ebu Vedaati: “Pastaj, të gjithë shkuan në shtëpitë e tyre duke e falënderuar Allahun për mua. Pastaj, qëndrova një javë të plotë me nusen në shtëpi, thuaja jam në Xhenet dhe thuaja se i përjetova kënaqësitë e Xhenetit.

Pasi kaloi një javë, kërkova leje prej saj të dalë. E ajo më pyeti: “Ku?” I thash: “Të prezantoj në ligjëratën e Sejidit.” Nusja më tha: “Ulu këtu të ta mësoj diturinë babait tim, Sejidit.”

Kështu, shohim se besimtarët dhe besimtaret nuk veprojnë asgjë tjetër, pos atë çka është në kënaqësi të Allahut dhe të Dërguarit të Tij fisnik s.a.v.s.

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s