Allahu ka dërguar pejgamber:
– Për lumturinë e njerëzimit,
– Për t’i nxjerr njerëzit nga errësira në dritë,
– Për përmirësimin e besimit,
– Për udhëzim në vlera të larta fisnike dhe në moral të fortë,
– Për të mbizotëruar paqja, qetësia dhe stabiliteti,
– Për përhapjen e dashurisë dhe respektit ndaj njerëzve,
– Për të çrrënjosur urrejtjen, dhe
– Për t’i zgjedhur ngatërresat dhe mospajtimet.
Që askush të mos arsyetohet në ditën e gjykimit se nuk e ka ditur çka është e drejtë dhe çka është e padrejtë, dhe për të adhuruar Allahun me adhurim të drejtë, i cili adhurim e kënaq Allahun e Madhërishëm dhe jo adhurimin të gabuer dhe të prishur. Allahu i Madhërishëm thotë:
Ajeti 165:
Të dërguar që ishin lajmgëzues e kërcënues, ashtu që pas dërgimit të dërguarve njerëzit të kenë fakt (arsyetim) para Allahut. Allahu është i pavarur në sundimin e vet dhe di si të veprojë. (165)
Dërgimi i pejgamberëve në këto vlera të larta dhe qëllime fisnike kërkon obligueshmërinë e dëgjimit të asaj çka urdhëron dhe për t’u larguar çka kanë ndaluar. Nëse gjatë jetës së pejgamberit ndodhë ndonjë ngatërresë apo mospajtim, duhet kërkuar të shqyrtohen lëndët te ata dhe zbatimin e vendimeve të tyre sepse ata gjykojnë drejtë dhe me të vërtetën, ndërsa pas vdekjes së pejgamberit duhet gjykuar çka ka lënë pas vete, librin të cilin ua ka mësuar njerëzve.
Për këtë arsye, duke sqaruar obligueshmërinë e dërgimit të pejgamberit a.s. dhe obligueshmërinë e gjykimit me Kur’an dhe sunet pas vdekjes së pejgamberit. Allahu i Madhërishëm ka thënë:
Ajetet 64 dhe 65:
Ne nuk dërguam asnjë të dërguar vetëm që me urdhrin e Allahut t’i bëhet respekt (nga njerëzit) atij. E sikur të vinin ata te ti, pasi që ta kenë dëmtuar veten e tyre (nuk kanë pranuar gjykimin tënd), e të kërkonin ata vetë ndjesë te Allahu, e edhe i dërguari të kërkojë ndjesë për ta, ata do të kuptonin se Allahu pranon pendimin dhe është mëshirues. (64) Për Zotin tënd jo, ata nuk janë besimtarë (të asaj që të zbriti ty, as të asaj para teje) derisa të mos zgjedhin ty për të gjykuar në atë konflikt mes tyre, e pastaj (pas gjykimit tënd) të mos ndiejnë pakënaqësi nga gjykimi yt dhe (derisa) të mos binden sinqerisht. (65)
Këto ajete kanë zbritur për ata të cilët kanë dashur të gjykojnë në bazë të gjykimit të arrogantëve (tagutit) e ai ishte Keab bin el-Eshrefi.
Po ashtu ka zbritur për një njeri i cili ishte ngatërruar me Zubejr bin Avamin për një rrjedhë të një uji dhe në bazë të asaj që është vërtetuar në hadithë autentik, pejgamberi a.s. thotë: “O Zubejr, shfrytëzoje ujin (që të nevojitet), pastaj lejoje ujin që të shkon te fqinji.” Ai njeri hidhërohet dhe thotë: Po nëse është djali i axhës tënd?! Pastaj hidhërohet i dërguari i Allahut dhe ia lejoi të drejtën e ujit Zubejrit dhe thotë: “Shfrytëzoje (ndale) ujin deri sa të nivelizohet me tokën, pastaj lejoje të vazhdon rrjedha e ujit më tutje.” Për këtë shkak ka zbritur ajeti:
“Për Zotin tënd jo, ata nuk janë besimtarë (të asaj që të zbriti ty as të asaj para teje) derisa të mos zgjedhin ty për të gjykuar në atë konflikt mes tyre.” (En-Nisa: 65)
Në librin autentik, ky njeri ishte nga ensarët (medinasët), pjesëmarrës i betejës së Bedrit. Ka mendime se i referohet Bin Ebi Belteas.
Ajeti obligon të dëgjohet i dërguari a.s. në çdo urdhëresë dhe në çdo ndalesë. Allahu na lajmëron se çdo pejgamber që e ka dërguar, e ka bërë obligim që të dëgjohet. Kjo me leje dhe me urdhër të Allahut, e që në esencë dëgjimi i tyre është njëkohësisht edhe dëgjim ndaj Allahut, e që më pastaj me urdhër të Allahut dëgjimi ndaj pejgamberit. Kush dëgjon të dërguarin, ka dëgjuar Allahun. Kush e kundërshton të dërguarin, e ka kundërshtuar Allahun.
Në ajetet në vazhdim Allahu i Madhërishëm përmend shpërblimin e atyre të cilët dëgjojnë Allahun dhe të dërguarin dhe nxitë për dëgjueshmëri. Allahu i Madhërishëm ka thënë:
Ajetet 69 dhe 70:
E kushdo që i bindet Allahut dhe të dërguarit, të tillët do të jenë së bashku me ata që Allahu i shpërbleu: (me) pejgamberët, besnikët e dalluar, dëshmorët dhe me të mirët. Sa shokë të mirë janë ata! (69) Ky shpërblim i madh është prej Allahut. Mjafton që Allahu di më së miri. (70)
Çdonjëri i cili dëgjon Allahun në atë çka ka urdhëruar dhe ndaluar dhe dëgjon pejgamberin për atë çka ka paralajmëruar dhe ka tërhequr vërejtje dhe çka ka transmetuar nga Zoti i Tij, në ditën e gjykimit do të tubohet me pejgamberët, me të drejtët, me dëshmorët, me të mirët dhe do të mirëpritet shoqërimi i tij. Kjo është begati e Allahut, të cilën ia dhuron cilit do Ai.
Taberaniu dhe të tjerët transmetojnë: Aishja r.a. ka thënë: Një njeri i afrohet Muhamedit a.s. dhe i thotë: O i dërguar i Allahut, ti je më i dashur se vetja ime, ti je më i dashur se prindërit e mi. Kur jam në shtëpi dhe të kujtoj, nuk mund të duroj deri sa të takohem me ty dhe të të shoh. Kur e mendoj vdekjen time dhe vdekjen tënde dhe e mendoj se ti do të jesh në xhenet dhe ngritesh me pejgamberët, ndërsa edhe nëse hyj në xhenet mendoj (e llogaris) se nuk do të të shoh.
Pejgamberi a.s. nuk i jep përgjigje derisa Xhibrili e zbret ajetin:
“E kushdo që i bindet Allahut dhe të dërguarit, të tillët do të jenë së bashku me ata që Allahu i shpërbleu: (me) pejgamberët, besnikët e dalluar, dëshmorët dhe me të mirët. Sa shokë të mirë janë ata!” (En-Nisa: 69)
Siç transmeton Taberiju dhe Dijau pejgamberi a.s. ka thënë: Kush e do një njeri (popull) do të ringjallet me to.
Pastaj Allahu i udhëzon kundërshtuesit të cilët kanë bërë mëkate, që sa më shpejt të shkojnë te i dërguari i Allahut dhe të kërkojnë falje te ai që të pendohen dhe të kërkojnë falje derisa t’i falë i dërguari. Nëse veprojnë ashtu, Allahu ua pranon pendimin. Allahu është pendimpranues dhe Mëshirues i pakufishëm. Allahu nuk e pranon besimin e plotë, përderisa nuk gjykojnë njerëzit në gjykimin e Allahut dhe të të dërguarit të Tij, në të gjitha çështjet, në ngatërresat e tyre dhe në konfrontimet e tyre, e më pastaj nuk ndjejnë ngushtësi në gjoksin e tyre ose në veten e tyre, siç gjykon Allahu në Kur’an dhe suneti dhe derisa të shpallin dorëzimin e plotë dhe zbatimin e plotë në urdhrat e Allahut dhe të të dërguarit të Tij. Përkufizimi i gjykimit në Kur’an dhe sunet shpie në unifikimin e çështjeve dhe ligjeve të umetit. Në përhapjen e drejtësisë dhe gjykimin me drejtësi, barazi dhe në interes të zgjidhjes së çdo problemi.
–
Dr. Vehbetu Zuhejli
“Tefsiri i Kur’anit fisnik (niveli mesatar)”
Vëllim i 2
Përktheu: Dr. Musli Vërbani