Dihet se të gjitha librat qiellor pajtohen në bazat e tyre të përgjithshme dhe në çështjet bazike, si në besimin në Zot dhe në mohimin e paganizmit dhe idhujtarisë dhe thirrja në moralin fisnik, në ngritjen e vlerave dhe rregullimin e shoqërisë njerëzore dhe sjelljen e lumturisë për individin dhe për shoqërinë.
Kur’ani fisnik vërteton Musain dhe Isain a.s. dhe shpalljen e cila u ka zbritur atyre, pra për Tevratin dhe Inxhilin.
Nëse njeriu është i qetë në analizat e tij dhe tolerant, larg fanatizmit dhe mbylljes në vetvete, ai duhet të besojë në gjithë atë çka ka zbritur prej Allahut.
Si është e mundur që pasuesit e librit dhe të tjerët të mos e besojnë Kur’anin fisnik edhe pse ka zbritur për t’i vërtetuar edhe ata dhe është në harmoni me besimin e Ibrahimit a.s., besimin në një Zot. Kush është i drejtë dhe i sinqertë në të vërtetën, ai duhet të bindet në të gjitha dhe t’i përmbahet bazës dhe ta mbrojë atë. T’i përgjigjet thirrjes së Zotit dhe shpalljes së vërtetë të Tij, e ajo shpallje është Kur’ani fisnik që përpos tij nuk ka mbetur komunikim, i cili përçon vullnetin e Allahut, programin ligjor të Tij dhe dispozitave të Tij.
Sa i përket kundërshtuesit të vlerave fetare njerëzore, i ikë ballafaqimit me të vërtetën ose duke e shtrembëruar ose duke e keqinterpretuar dhe, ose e mohon, ose e refuzon, ose tallet, ose e kritikon, duke e ndryshuar fjalën nga qëllimi i mirë në qëllim të keq. Për këtë arsye, Allahu i Madhërishëm, në Kur’anin fisnik, i ka qortuar ata të cilët i ndryshojnë fjalët e Allahut vetëm e vetëm për të mbrojtur civilizimin dhe modernizimin, ose duke e shikuar interesin material dhe interesat personale, ose për të mbrojtur pozitën në emër të fesë dhe në faktorët e fanatizmit. Allahu i Madhërishëm ka thënë:
Ajetet 44-47:
A nuk i vure re (Muhamed) ata që iu pate dhënë pjesë nga libri (paria fetare jehude) se si e vazhdojnë rrugën e gabuar dhe dëshirojnë që edhe ju të humbni!? (44) Allahu di më së miri për armiqtë tuaj. Mjafton që Allahu është përkrahës i juaj dhe mjafton që Allahu është ndihmëtar i juaji. (45) Një palë nga jehudët është që ndryshojnë fjalët (e Zotit) nga vendet e veta, e (kur i thërret ti) ata thonë: “Dëgjuam (fjalën tënde) dhe kundërshtuam (thirrjen tënde), dhe thonë: “dëgjo mos dëgjofsh!” (dhe thonë): “Raina” (këto i thonë) duke përdredhur gjuhët e tyre dhe duke atakuar fenë. E sikur të thoshin ata: “Dëgjuam, respektuam, dëgjo dhe vështrona”, do të ishte më e drejtë, por për shkak të refuzimit të tyre, Allahu i mallkoi, prandaj besojnë vetëm pak (besim gjysmak). (46) O ju që u është dhënë libri, besojeni atë që e zbritëm (Kur’anin) e që është vërtetues i atij që e keni (Tevratit), para se të shlyejmë fytyra (t’ua fshijmë shqisat) dhe t’i rrotullojmë ose t’i mallkojmë ata si i mallkuam ata të së shtunës. Urdhri i Allahut është i kryer. (47)
Këto ajete kanë zbritur për jehudët e Medinës. Ibn Is’haku ka thënë: Rufaat bin Zejd bin et-Tabuti ka qenë prej udhëheqësve jehud dhe kur pejgamberi a.s. fliste, ai i shtrembëronte buzët dhe gjuhën e tij dhe thoshte: “O Muhamed, fol më mirë që të të kuptojmë”, pastaj e kritikonte dhe thoshte se islami ka të meta. Atëherë, Allahu ka zbritur ajetin:
“A nuk i vure re (Muhamed) ata që iu pate dhënë pjesë nga libri (paria fetare jehude) se si e vazhdojnë rrugën e gabuar dhe dëshirojnë që edhe ju të humbni!?” (En-Nisa: 44)
Koncepti
A nuk po i sheh ata, të cilëve u është dhënë një pjesë e librit, e zëvendësojnë udhëzimin me humbje, e pranojnë pabesimin në vend të besimit dhe dëshirojnë që ju së bashku me ata të devijoni nga rruga e drejtë.
O ju besimtarë, Allahu i di armiqtë tuaj, zbatojeni urdhrin e Tij dhe keni kujdes nga armiqtë. Mjafton që Allahu ju ndihmon dhe i ka përsipër çështjet tuaja dhe e përmirëson pozitën tuaj. Mjafton të jetë ndihmëtar i cili ju ndihmon nëse i ndihmoni Atij, siç thotë Allahu i Madhërishëm: “E drejtë e Jona është që t’u ndihmojmë besimtarëve.” (Err-Rrumë: 47)
Disa pasues të librit i ndryshojnë librat e tyre dhe i keqinterpretojnë dhe thonë: “Dëgjuam dhe kundërshtuam”, në vend se të thonë: “Dëgjuam dhe zbatuam”. Këtë e kanë thënë për shkak të zilisë dhe urrejtjes për pejgamberin: “Edhe pse kam dëgjuar, nuk të respektoj ty.” që do të thotë “nuk e dëgjoj Allahun dhe nuk i përgjigjem fjalëve tua”.
Po ashtu i kanë thënë pejgamberit “raina” (prej fjalës “ruune”) që nënkupton i çmendur, pra është fjalë ofenduese duke i dhënë kahje tjetër me gjuhët e tyre, për të kritikuar në fe dhe duke vrarë me gjuhët e tyre të vërtetën, të drejtën dhe moralin. Ky është kulminacioni i së keqes dhe armiqësisë ndaj të vërtetës.
Po të thoshin: “Dëgjuam dhe zbatuam”, në vend të thënies: “Dëgjuam dhe nuk zbatojmë”, do të ishte më e dobishme për ta dhe drejtimi i duhur, mirëpo ata nuk e kanë thënë këtë, për këtë arsye Allahu i ka poshtëruar dhe i ka dëbuar nga mëshira e tij dhe i ka mallkuar. Ata kurrë nuk do të jenë të dobishëm, kurrë nuk do të besojnë besimin e drejtë, përpos besim të zbehtë dhe pa sinqeritet.
Pastaj Allahu i ka ftuar të besojnë në Kur’an para se të shkatërrohen dhe të dërrmohen dhe të mallkohen siç janë mallkuar peshkatarët e së shtunës, të cilët e kanë pasur të ndaluar peshkimin, mirëpo ata i mblidhnin peshqit në ditën e diel nga rrjetat të cilat i kishin lëshuar në det në ditën e premte.
Çështja e Allahut është çështje e dëshirës së tij ndaj krijesave dhe realizon çka të dëshiron. Kur të dëshiron krijon, ndërsa njerëzit le të jenë të kujdesshëm ndaj kërcënimeve të Allahut dhe ndëshkimeve të Tij.
–
Dr. Vehbetu Zuhejli
“Tefsiri i Kur’anit fisnik (niveli mesatar)”
Vëllim i 2
Përktheu: Dr. Musli Vërbani