Kur’ani fisnik ka qenë i qartë si loti për përfundimin e pabesimtarëve dhe besimtarëve në botën tjetër. Ky sqarim dhe ky deklarim i Kur’anit është argument se Allahu i do robërit e Tij, ua do të mirën atyre, kur ka kërkuar të veprojnë punë të mira të cilat i gëzojnë edhe në këtë botë edhe në botën tjetër dhe ua ka tërhequr vërejtjen që të mos besojnë në besime të trilluara ose që të veprojnë vepra të këqija të cilat i shpijnë ata në shkatërrim dhe në humbje në këtë botë dhe në botën tjetër.
Sa e sa herë ajetet e Kur’anit e kanë përsëritur dhe e kanë deklaruar se ndëshkimi i mohimit të pabesimtarëve është zjarri i xhehenemit dhe se shpërblimi i besimtarëve janë xhenetet e përgjithmonshme nën të cilat rrjedhin lumenj dhe kënaqësia prej Allahut të Madh.
Allahu i Madhërishëm thotë:
Ajetet 56 dhe 57:
Është e vërtetë se ata që mohuan argumentet Tona, do t’i hedhim në zjarr. Sa herë që u digjen lëkurat e tyre, Ne ndërrojmë lëkura të tjera që të shijojnë dënimin. Allahu është i plotfuqishëm, i drejtë. (56) ata që besuan dhe bënë vepra të mira, Ne do t’i fusim në Xhenet nën të cilin burojnë lumenj, ku do të jenë përgjithmonë. Aty kanë edhe bashkëshorte të pastra e hije të mrekullueshme. (57)
Këto ajete përmbajnë premtim dhe kërcënim me shprehje të qartë për çdo njeri edhe për besimtarët edhe për pabesimtarët e çdo kohe dhe çdo vendi.
– Sa i përket kërcënimit, kërcënimi është për pabesimtarët. Ata të cilët i mohojnë ajetet e Allahut, të cilat u janë zbritur pejgamberëve, posaçërisht në Kur’anin fisnik i cili është vula e librave të Zotit, e përsosura dhe e sqaruara, ata do të digjen në zjarr të xhehenemit. Ky dënim dhe ky ndëshkim do të jetë i përgjithmonshëm, i cili nuk do të ndërpritet dhe nuk do të ndalet dhe çdoherë kur u digjen lëkurat e tyre nga zjarri, pra digjen dhe humbet lëkura dhe nuk mbetet më element për të ndjerë dhimbjet, atëherë Allahu ua zëvendëson me lëkura tjera të gjalla për të ndjerë përsëri dhembje dhe përjetojnë dhembje.
Është thënë nga pejgamberi a.s. se: “Lëkurat e tyre zëvendësohen nga shtatë herë për çdo ditë.”
Pastaj, Allahu i Madhërishëm tregon arsyen e ndëshkimit dhe sqaron realizimin e plotë të atij ndëshkimi: Allahu tregon se është i fuqishëm dhe ka mundësi të mposhtë dhe nuk mposhtet, nuk mund ta pengon askush atë kur dëshiron t’i ndëshkojë kriminelët.
– I Urtë, dënon me meritë dhe drejtësi. Ndëshkon në harmoni me Urtësinë e Tij dhe në bazë të njësive matëse të drejtësisë.
– Pabesimi dhe arroganca janë shkak i ndëshkimit dhe dënimit.
– Besimi dhe puna e mirë janë shkak i begative të xhenetit.
Çdo vepër e ka paralel dënimin, respektivisht shpërblimin. Për këtë arsye, në këto ajete dhe në ajetet tjera i ndërlidhë në mes të shpërblimit të besimtarëve dhe ndëshkimit të pabesimtarëve, për të paraqitur dallimin në mes tyre.
Bashkimi i termave të shpresës dhe kërcënimit është çështje e përgjithshme në ajetet e Kur’anit. Kjo është e drejtë për të krahasuar ose për të peshuar.
– Në këto dy ajete, pasi që Allahu e tregon kërcënimin për pabesimtarët, pason premtimi për besimtarët, për shpërblimin me xhenet për shkak të besimit të tyre dhe veprave të mira të tyre.
Ata të cilët besojnë në Allahun, në të dërguarin e Tij dhe në Kur’anin e Tij dhe veprojnë punë të mira të cilat i ka urdhëruar Allahu, do t’i akomodon me shpejtësi në xhenete ku në vendbanime të saj, në fushat e saj do të rrjedhin lumenj me shije të ëmbël. Aty do të përjetojnë begati të përgjithmonshme, aty do të jenë përgjithmonë, nuk do të largohen nga aty dhe të mirat e tyre nuk do të përfundojnë dhe nuk do të dëshirojnë të transferohen diku tjetër. Nuk do të kenë monotoni, dëshpërim dhe as mërzi, shpërblimi është në harmoni me veprat e tyre, pasi që nuk mjafton vetëm besimi pa vepruar vepra të mira.
Për ata besimtarë të sinqertë në besimin e tyre, do të ketë bashkëshorte të pastra, të cilat nuk do të kenë asnjë të metë në trupin e tyre, as në moralin e tyre, as në natyrshmërinë e tyre. Në ta nuk ka diçka të pahijshme apo të papëlqyeshme, aty do të jetojnë përgjithmonë në vende me hije, ku do të freskohen, ku nuk do të jetë as nxehtë dhe as ftohtë. Ajo begati është e plotë dhe ajo kënaqësi është e plotë. Dhe e mira shpërblehet me të mirë. Pejgamberi a.s. na ka treguar për hijet dhe gjatësinë e hijeve të xhenetit. Në hadithin të cilin e ka regjistruar Taberiju nga Ebu Hurejre r.a. pejgamberi a.s. ka thënë: “Në xhenet është një pemë, ku një njeri hipë në një kalë dhe kalëron nën hijen e asaj peme njëqind vite pa ndërprerë.”
Për kuptimin e fjalës “hije të gjata”, Ibn Kethiri ka thënë: Hije e thellë, e shumtë, e freskët, e mirë, e qetë dhe aromatike.
Ky shpërblim i mirë për besimtarët është rrjedhojë e begative të Allahut, mëshirës së Tij, mirësisë së Tij dhe fisnikërisë së Tij, pasi që askush nuk do të hyjë në xhenet vetëm me veprën e Tij. Nga shkaku se vepra e tij është e vogël përballë të mirës së Allahut dhe begative të Tij. Dhe njeriu hyn në xhenet me mëshirën e Allahut dhe Fisnikërinë e Tij.
–
Dr. Vehbetu Zuhejli
“Tefsiri i Kur’anit fisnik (niveli mesatar)”
Vëllim i 2
Përktheu: Dr. Musli Vërbani