Disa dukuri të këqija (negative)

Adresa e fetarisë së shëndoshë, si e individit si e shoqërisë është morali (edukata).

Po ashtu, morali është simbol i shoqërive dhe civilizimeve.

Nëse prishet morali, sidomos në çështjet ku preken çështje të shenjta të fesë, atëherë dobësohet feja dhe paraqitet degjenerimi në shoqëri e cila duket publikisht.

Prej këtyre vlera morale të këqija janë:

– Lavdërimi dhe krekosja me veten dhe trillimi i gënjeshtrave për Zotin.

– Besimi në paganizëm dhe në idhuj: Këtu bëjnë pjesë çdo gjë e cila adhurohet përpos Allahut dhe në djallëzime.

– Koprracia dhe lakmia, zilia ndaj të tjerëve.

– Vlerësimi dhe dhënia përparësi pabesimtarëve të injorancës ndaj besimtarëve të sinqertë.

– Pretendimi i pabesimtarëve për veten e tyre se janë në rrugën më të drejtë dhe më të qëndrueshme dhe se programi i tyre është më i mirë se i besimtarëve.

Duke i qortuar të gjithë ata të cilët vishen me këto cilësi degjeneruese dhe të gabuara, Allahu i Madhërishëm thotë:

Ajetet 49-55:

A nuk ke kuptuar për ata që vlerësojnë vetveten? Jo, Allahu vlerëson atë që do dhe nuk bën padrejtë asnjë fije. (49) Shiko se si shpifin kundër Allahut! Mjafton kjo (shpifje) si mëkat i hapët. (50) A nuk u vure re atyre që iu është dhënë pjesë nga libri? Besojnë idhuj e djallëzi dhe për ata që nuk besuan thonë: “Këta janë në rrugë më të drejtë se ata që besuan!” (51) Ata janë që Allahu i mallkoi, e atë që e mallkon Allahu, për të nuk ka ndihmëtarë. (52) A mos kanë ata ndonjë pjesë të pushtetit? Ata nuk do t’u jepnin njerëzve as sa grimca. (53) A u kanë zili atyre njerëzve për atë që Allahu u dha nga mirësitë e Tij? Ne u patëm dhënë pasardhësve të Ibrahimit librin e sheriatin dhe u patëm dhënë atyre pushtet të madh. (54) Po disa prej tyre i besuan atij (Muhamedit), e disa e refuzuan. Për ta mjafton zjarri i Xhehenemit. (55)

Duke sqaruar shkaqet e zbritjes së këtyre ajeteve Ibn Abasi ka thënë: Jehudët i dërgonin fëmijët dhe faleshin me ta, pritnin kurbanet e tyre dhe pretendonin se nuk bëjnë gabime dhe nuk kanë mëkate, atëherë Allahu zbriti ajetin:

“A nuk ke kuptuar për ata që vlerësojnë vetveten?” (En-Nisa: 49)

Ikremete ka thënë: Keab bin Eshrefi shkon te idhujtarët dhe i ofron mundësinë për të luftuar pejgamberin a.s. dhe i urdhëron për luftë duke ju thënë: Ne jemi me juve, ta luftojmë atë (pejgamberin a.s.).

Ata i thonë: Ju jeni të njëjtë me të sepse ju jeni pasues të librit. Nuk kemi besim në ju sepse ju mund të na lajkatoni. Nëse dëshironi që të luftojmë së bashku me ne, atëherë përulu dy idhujve, dhe ai u përulet.

Pastaj i thonë: Cili është më i udhëzuar, ne apo Muhamedi? Ne ofrojmë kurban të madh për idhujt, u shërbejmë haxhilerëve, i shërbejmë musafirëve (vizitorëve), ndërsa Muhamedi i ka ndërprerë lidhjet farefisnore, ka ikur nga qyteti i tij?

Keabi ju përgjigjet: Përkundrazi, ju jeni më të mirët dhe jeni në rrugën më drejtë.

Për këtë arsye ka zbritur ky ajet.

Koncepti

A nuk e ke parë dhe a nuk e ka vërejtur gjendjen e atyre të cilët lavdërojnë veten e tyre, pretendojnë atë çka nuk është në mesin e tyre dhe thonë:

“Ne jemi bijtë e Allahut dhe të dashurit e tij”,

“Ne jemi populli i zgjedhur i Allahut”,

“Zjarri na djeg vetëm për ditë të caktuara”,

“Në xhenet hyjnë vetëm jehudët dhe të krishterët”,

“Fëmijët tanë vdesin dhe ata janë të afërm (me Allahun), ndërsa prindërit tanë do të ndërmjetësojnë për ne për shkak se janë të nderuar prej Allahut”.

Atëherë Allahu ka reaguar me atë se, lavdërimi i tyre nuk ka kurrfarë vlere. Suksesi arrihet me vepra të mira, jo vetëm me fjalë. Allahu është Ai i cili ia përshkruan suksesin cilit do prej robërve të Tij, duke ia mundësuar të veprojnë vepra të mira, duke i udhëzuar në besim dhe në vlera të moralit.

Me këto deklarime dhe pretendime ata trillojnë gënjeshtra për Allahun. Mjafton që të jetë mëkat i qartë trillimi i gënjeshtrave dhe arroganca e tepruar. Ata nuk e adhurojnë Allahun, por të tjerë pos Allahut siç janë djajtë dhe idhujt. Pabesimtarët i cilësojnë se janë më të udhëzuar se besimtarët. Ata janë të cilët Allahu i ka dëbuar nga mëshira e Tij dhe i ka mallkuar. Ai i cili dëbohet nga mëshira e Allahut, për të nuk ka ndihmë e as mbështetje, bile nuk meriton të jetë pjesë e udhëheqjes dhe qeverisjes. Po të kishin të drejtë të udhëheqjes, nuk do t’u sillnin njerëzve atë çka është më e poshtra, më e thjeshta dhe çka është më e pakta, sepse ata shkojnë sipas apetiteve të egoizmit të dashurisë dhe lakmisë në vetvete dhe të dashurisë materialiste dhe mashtrimit me gënjeshtra, duke pretenduar se askujt nuk i jepet ajo çka u jepet atyre dhe të tjerët nuk meritojnë asgjë.

Bile, ata ua kanë zili njerëzve, siç është Muhamedi a.s. pejgamber, të cilit Allahu i ka dhënë begati siç është pejgamberia, Kur’ani dhe urtësia. Në këtë nuk ka diçka befasuese dhe nuk kanë të drejtë ta xhelozojnë. Allahu i ka dhënë familjes së Ibrahimit libra, urtësi dhe pejgamberi dhe Allahu u ka dhënë qeverisje të gjerë dhe të madhe, e edhe pasardhësve të tyre prej të cilëve kanë besuar e që u është dhënë çka i është dhënë Ibrahimit, ka disa prej tyre që kanë mohuar dhe i kanë penguar njerëzit nga shpallja që i ka zbritur, u mjafton xhehenemi në të cilin do të jenë lëndë djegëse e xhehenemit, ku do të digjen dhe do të përcëllohen. Ky është kërcënim i ashpër për çdonjërin i cili nuk beson në Zotin dhe në pejgamberinë e Muhamedit, në Kur’anin famëlartë për libër të Zotit, në përmbajtjen e Kur’anit, për besimin e pastër dhe për vlerat e moralit.

–

Dr. Vehbetu Zuhejli

“Tefsiri i Kur’anit fisnik (niveli mesatar)”

Vëllim i 2

Përktheu: Dr. Musli Vërbani

Lini një Përgjigje