Programi i përgjithshëm i muslimanëve

Islami rregullon të drejtat kushtetuese, individuale dhe të përgjithshme.

Islami, në njërën anë e ka kushtëzuar umetin me kushtëzime me qëllim të sistemit të përpiktë, ndërsa në anën tjetër ka garantuar sigurimin e lirive.

Po ashtu, ka garantuar sigurimin e pasurisë dhe ngritjen e vlerave njerëzore. Prej kushtëzimeve më të rëndësishme të organizimit janë:

– Dorëzimin e amanetit dhe të drejtat pronësore te pronarët e vet.

– Marrjen e vendimeve drejtë dhe barabartë.

– Dëgjueshmëria e Allahut dhe e të dërguarit të Tij në çështjet të cilat ka urdhëruar të kryhen.

– Dëgjueshmëria ndaj udhëheqësve të çështjeve si f.v., të dijetarëve, udhëheqësve në çështjet e fesë dhe të politikës së kësaj bote.

Allahu i Madhërishëm ka thënë:

Ajetet 58 dhe 59:

Allahu ju urdhëron që t’ua jepni amanetin të zotëve të tyre dhe kur të gjykoni, ju urdhëron të gjykoni me të drejtë mes njerëzve. Sa e mirë është kjo që ju këshillon. Allahu dëgjon dhe sheh si veproni. (58) O ju që besuat, nënshtrojuni Allahut, dhe nënshtrojuni të dërguarit dhe përgjegjësve nga ju. Nëse nuk pajtoheni për ndonjë çështje, drejtojuni Allahut dhe të Dërguarit po qe se i besoni Allahut dhe ditës së fundit. Kjo është më e dobishmja dhe përfundimi më i mirë. (59)

Ajeti i parë ka zbritur për kryerjen e amanetit për Uthman bin Talhate bin Abdu Darin i cili ishte kujdestar i Qabes. Në ditën e çlirimit të Mekës hyri Muhamedi a.s. në Meke. Uthmani e kishte mbyllë derën e Qabes dhe refuzonte ta jepte çelësin. Pastaj thotë: Po ta kisha ditur se ti je i dërguar i Allahut nuk do të refuzoja. Pastaj, Ali ibn Ebu Talibi e merr çelësin me forcë dhe e çelë derën. Pastaj hyn në Qabe i dërguari i Allahut dhe i falë dy rekate brenda Qabes. Kur del nga Qabja, Abasi e pyet që t’i jepet çelësi dhe të përkujdeset për furnizimin me ujë të haxhilerëve dhe për mirëmbajtjen e Qabes. Atëherë zbret ajeti:

“Allahu ju urdhëron që t’u jepni amanetin të zotëve të tyre.” (En-Nisa: 58)

Atëherë, pejgamberi a.s. e urdhëron Aliun që t’ia kthejë Uthmanit çelësin e Qabes dhe t’i kërkojë falje.

Kthimi i amaneteve nuk përkufizohet vetëm me këtë rast sepse urdhri është i përgjithshëm për çdo musliman për secilin amanet, pa marrë parasysh a kanë të bëjnë për shoqërinë në përgjithësi apo ka të bëjë posaçërisht për ndonjë individ të caktuar.

Amaneti dhe përkujdesja ka të bëjë me të gjitha çështjet:

– Në aspektin moral;

– Në pasurinë e të tjerëve;

– Deponimeve;

– Mosmashtrimi dhe mostradhtia;

– Në xhihadë;

– Në porosi;

– Mospërhapja e të metave dhe sekreteve;

– Amaneti i fesë është të zbatuarit e urdhrave dhe të larguarit nga ndalesat.

Amaneti personal është që njeriu të veprojë çka është e dobishme për jetën dhe fenë e tij. Të mos veprojë diçka që e dëmton jetën e tij dhe fenë e tij.

Të sigurojë shëndetin e tij, të veprojë në bazë të rregullave të shëndosha, të mos e shkatërrojë veten e tij, siç thotë Allahu: “Dhe mos e shkatërroni veten me duart tuaja.” (El-Bekare: 195) dhe thënia e pejgamberit a.s. të cilën e transmeton Buhariu: “Ti ke të drejta dhe obligime ndaj vetes tënde.”

Siç është obligim kryerja e amaneteve, ashtu është obligim gjykimi i drejtë ndaj muslimanëve deri sa të përmbushet parimi i drejtësisë dhe barazisë dhe që i dobëti dhe i dëmtuari të realizojë të drejtën e tij, që i forti të mos i bëjë padrejtësi të dobëtit, që të mbizotërojë rregulli, qetësia dhe stabiliteti.

Nuk ka begati më të madhe se këshilla e Zotit për kryerjen e amaneteve dhe gjykimi me drejtësi. Allahu di gjithçka, i sheh edhe syefaqësitë dhe i llogaritë njerëzit dhe i shpërblen në bazë të veprave të mira.

Përfundimi i ajetit të kryerjes së amaneteve dhe të sigurimit të drejtësisë me atributin e dëgjueshmërisë dhe me atributin e shikimit është çështje e mirë, nga shkaku se, e detyron njeriun e urdhëruar që të veprojë të urdhëruarën.

Shkak i zbritjes së ajetit

Shkak i zbritjes së ajetit për dëgjueshmëri ndaj Allahut dhe të dërguarit të Tij është rasti i Halid bin el-Velidit dhe Amar bin Jasirit të cilët janë sharë dhe janë ofenduar në prezencë të pejgamberit a.s. Pejgamberi a.s. thotë: “O Halid, mos e ofendo Amarin sepse ai i cili e ofendon Amarin e ka ofenduar Allahun dhe ai i cili e hidhëron Amarin, Allahu hidhërohet me të. Kush e mallkon Amarin, Allahu e mallkon atë.” Amari pasi që ishte hidhëruar dhe kishte shkuar, pas tij shkon Halidi dhe i kërkon falje dhe janë pajtuar mes vete. Atëherë ka zbritur ajeti:

“O ju që besuat, nënshtrojuni Allahut, dhe nënshtrojuni të dërguarit dhe përgjegjësve nga ju.” (En-Nisa: 59)

Është obligim dëgjueshmëria ndaj Allahut dhe të dërguarit të Tij. Është obligim zbatimi i ligjeve të Allahut dhe praktikimi i sunetit të të dërguarit të Allahut.

Po ashtu është obligim dëgjueshmëria ndaj përgjegjësve të çështjeve, të përzgjedhurve nga umeti, që do të thotë pushtetit ekzekutiv të umetit dhe specialistëve të ixhtihadit në ligjësim prej dijetarëve, gjykatësve dhe qeveritarëve të drejtë. Nëse u ndodhë mospajtimi në mendimet e tyre për një çështje, atëherë është obligative që çështja të kthehet në bazën e Kur’anit dhe të sunetit. Këtë e kuptojnë vetëm dijetarët e specializuar, të sinqertë ndaj Allahut dhe të dërguarit të Tij. Ju të cilët keni mendime të ndryshme duhet të veproni në bazë të këtyre porosive në zbatimin e urdhrave të Allahut nëse besoni në Allahun dhe në ditën e gjykimit. Kjo është më e dobishme për ju në këtë botë dhe për botën tjetër dhe veprimi (interpretimi) më i mirë për të sotmen dhe për të nesërmen tuaj.

–

Dr. Vehbetu Zuhejli

“Tefsiri i Kur’anit fisnik (niveli mesatar)”

Vëllim i 2

Përktheu: Dr. Musli Vërbani

Lini një Përgjigje