Falënderojmë Allahun, i Cili i ka bërë tregimet ushqim të mendjes dhe shpirtit.
Përshëndetjet dhe selamet qofshin për Pejgamberin a.s., për familjen e tij, shokët e tij të mirë e të pastër dhe për ata të cilët i pasojnë ata deri në Ditën e Gjykimit.
Mendja dhe shpirti ushqehen siç ushqehen trupat, mbushen siç mbushen trupat, forcohen siç forcohet hekuri.
Mendjet mbushen siç mbushen trupat, kërkoni ushqimin e mendjes në urtësi.
Tregimet janë ushtri prej ushtrive të Allahut të Madhërishëm. Allahu me këto tregime forcon zemrat e besimtarëve.
Tregimet kur’anore nuk janë tregime për argëtim dhe për zbavitje. Nuk janë përhumbje kohe, por për mësim dhe përfitime. Duhet t’i lexojmë tregimet kur’anore, të përfitojmë dhe të veprojmë. Zoti i madhërishëm thotë:
“Të gjitha këto që t’i tregojmë ty nga lajmet e pejgamberëve, janë që të forcojnë zemrën tënde.”
Duhet të kuptojmë se historitë e Kur’anit janë mësime dhe këshilla për të logjikshmit, nuk janë proverba të trilluara. Në ajetet e para të sures Jusuf, Zoti i Madhërishëm thotë:
“Ne, duke e shpallur këtë Kur’an, po të rrëfejmë ty (Muhamed) më të bukurin rrëfim, edhe para tij ishe nga të painformuarit”. (Jusuf, 3)
Dhe e përfundon suren Jusuf me ajetin:
“Në tregimet e tyre (të dërguarve dhe të Jusufit me vëllezër) pati mësime e përvojë për të zotët e mendjes. Ai (Kur’ani) nuk është bisedë e trilluar, por vërtetues i asaj që ishte më parë (librave të shenjta) dhe sqarues i çdo sendi, e edhe udhërrëfyes e mëshirë për një popull që beson.” (Jusuf, 111)
Në këtë histori shohim suksesin dhe shpëtimin e besimtarëve dhe shkatërrimin e pabesimtarëve, e cila është mësim dhe këshillë për njerëzit me logjikë të shëndoshë dhe me ide të drejta.
Vëllezër të nderuar!
Shokët e Muhamedit a.s. janë tubuar në një tubim dhe i kanë thënë: “O i dërguar i Allahut, sikur të na thoshe një tregim”, atëherë ka zbritur ajeti:
“Ne, duke e shpallur këtë Kur’an, po të rrëfejmë ty (Muhammed) më të bukurin rrëfim, edhe para tij ishe nga të painformuarit”. (Jusuf, 3)
Pastaj është tubuar një turmë tjetër dhe kanë thënë: “O i dërguar i Allahut, sikur të na tregoje një tregim”, atëherë ka zbritur ajeti:
“Allahu e shpalli të folmën më të mirë, librin, të ngjashëm në mrekulli, të përsëritur herë pas herë (me këshilla e dispozita), që prej (dëgjimit të) tij rrënqethen lëkurat dhe zemrat e tyre. Ky (libër) është udhëzim i Allahut, me të udhëzon atë që do. E atë që Allahu e le të humbur, për të nuk ka ndonjë udhëzues”. (Ez-Zumer, 23)
Zoti i Madhërishëm thotë:
“Njëmend, për ata që pyesin (interesohen) në ndodhinë e Jusufit dhe të vëllezërve të tij, pati fakte (mbi fuqinë e Zotit).” (Jusuf: 7)
Sot do të flas për një tregim kur’anor.
Do të tregoj një histori për një personalitet fisnik e të ndershëm.
Tregim për një pejgamber prej pejgamberëve.
Për një personalitet i cili është ballafaquar me vështirësi.
Për një njeri i cili është ballafaquar me probleme e sprova të cilat sqarohen në suren Jusuf për pejgamberin Jusuf a.s.
Pa dyshim se është tregimi më i bukur, më i miri dhe më mbresëlënësi.
Tregim me ndjenja, me ngjarje, me reflektime.
Tregim për rotacionin e jetës:
– Nga bashkimi në ndarje
– Nga ndarja në bashkim
– Nga dashuria në sprova
– Nga sprova në sprovë
– Nga një sprovë në një sprovë tjetër
– Nga burgu në udhëheqës
– Nga pikëllimi në gëzim
– Nga gjendja e vështirë në gjendje të mirë
– Nga kriza në fitore
Dhe shumë e shumë ngjarje të cilat janë impresionuese.
Për këtë arsye edhe është quajtur tregimi më i bukur dhe më i miri.
Vëllezër të nderuar!
Në historinë e Jusufit a.s.: Të gjitha personazhet përfundojnë mirë:
– Gruaja e Azizit dhe gratë u penduan
– I burgosuri me Jusufin u lirua nga burgu dhe filloi të punojë punën e mëparshme
– Mbreti e mbajti fronin dhe e shpëtoi popullin nga kriza ekonomike
– Vëllezërit u penduan dhe u bë bashkimi familjar
– Jusufi doli të jetë i suksesshëm në të gjitha sprovat
Tregimi flet për suksesin pas sprovave. Zoti i Madhërishëm thotë:
“Pas çdo vështirësie ka lehtësim. Pas çdo vështirësie ka lehtësim” (Inshirah, 5-6).
Sprovat e Jusufit a.s. janë të shumta, e prej tyre:
– Sprova e parë është urrejtja dhe xhelozia.
Pastaj,
– ndarja nga familja.
Pastaj,
– hedhja në pus.
Pastaj,
– edhe pse ishte i ndershëm, është shitur si skllav.
Pastaj,
– edhe pse ishte i ndershëm, i drejtë dhe i pafajshëm, është futë në burg.
Historinë e Jusufit do ta tregojmë në disa hutbe. Zoti i Madhërishëm thotë:
“(Përkujto) Kur Jusufi, babait të vet i tha: ‘O baba im, pashë (në ëndërr) njëmbëdhjetë yje dhe diellin dhe hënën, i pashë duke më bërë mua sexhde!'” (Jusuf, 4)
Tregimi i Jusufit quhet tregimi më i bukur edhe për faktin se:
Çdonjërit të cilit i tregohet, i kthehet shpresa dhe lumturia.
Kjo kuptohet nga situatat e:
– Jusufit me babanë e tij,
– Jusufit me vëllezërit e tij,
– Jusufit me gruan e mbretit,
– Jusufit me mbretin të cilit i shërben dhe ia interpreton ëndrrat.
Vëllezër të nderuar!
Kjo sure specifikohet me atë se lajmet e saj nuk përsëriten në suret tjera.
Në të përmenden shumë çështje të dobishme, të cilat janë të nevojshme për këtë botë dhe për botën tjetër, si p.sh.:
– Monoteizmi,
– Fikhu,
– Historia,
– Politika,
– Ekonomia,
– Familja,
– Interpretimi i ëndrrave dhe
– Planifikimi i jetës.
Allahu i Madhërishëm e ka zbritur këtë Kur’an me më së shumti kuptime të cilat i nevojiten njeriut, ashtu që:
– të mësoni atë që nuk keni mësuar nga tregimet dhe lajmet,
– të mësoni nga edukata dhe morali,
– të mësoni nga ligjet dhe dispozitat ligjore,
– të mësoni nga programet politike,
– të mësoni nga programet ekonomike,
– të mësoni programet shoqërore,
– të mësoni që të meditoni, të analizoni dhe të studioni kuptimet dhe qëllimet në të,
– të mësoni çështjet të cilat ndërtojnë individin dhe shoqërinë.
Historia e Jusufit është e kompletuar, sqaron çdo gjë.
Vëllezër të nderuar!
Tregimi i Jusufit është tregim i plotë dhe komplet, i sqaron në tërësi me qëllime specifike.
Tregimi i Jusufit është tregim gjithëpërfshirës, përmban çështjet e kësaj bote dhe të botës tjetër.
Tregimi i Jusufit është tregim i cili:
– Tregon për çështjet shoqërore,
– Tregon për çështjet ekonomike,
– Tregon për çështjet politike,
– Tregon për çështjet edukative,
– Tregon për çështjet sociale.
Në tregimin e Jusufit kemi mësime dhe këshilla:
– për popujt,
– për prindërit dhe
– për fëmijët.
Në tregimin e Jusufit me vëllezërit e tij dhe me babanë e tij ka mësime dhe këshilla për pyetësit dhe për ata që kanë kërkuar atë.
Në tregimin e Jusufit me vëllezërit e tij tregon fuqinë e Allahut të Madhërishëm dhe për urtësinë e Tij për çdo gjë:
– tregon për vërtetësinë e pejgamberisë së Jusufit dhe të tjerëve,
– sqaron përfundimin e të padrejtëve ndaj tij dhe
– sqaron vërtetësinë e ëndrrave të tij dhe interpretimeve të drejta të tij.
Kjo është histori impresionuese, ia vlen që të tregohet për të.
Përfundim
Tregimi i Jusufit është i përmbushur me mësime dhe me këshilla.
Prej mësimeve, më i rëndësishmi është:
– Durimi nga tortura dhe
– falja kur ekziston mundësia e hakmarrjes.
Tri sprovat e Jusufit janë shndërruar në begati:
Sprova e parë: Kurthi i vëllezërve është shndërruar në begatinë e parë: dalja nga burgu.
Sprova e dytë: Joshja nga bashkëshortja e ministrit është shndërruar në begatinë e dytë: rritja e pushtetit.
Sprova e tretë: Burgosja është shndërruar në begatinë e tretë: bashkimi i Jusufit a.s. me prindërit dhe vëllezërit.
Pasi iu frikësua Allahut të Madhëruar dhe duroi, sprovat iu shndërruan në begati.
Historitë kur’anore janë mësime, këshilla dhe përfitime.
Historia e Jusufit a.s. përmban një grumbull parimesh:
– Parimet e besimit,
– Parimet morale dhe
– Parimet fetare.
Ekziston lidhje e ngushtë në mes të mesazhit të Jusufit dhe mesazhit të Muhamedit a.s., baza e së cilës është falënderimi i begative ndaj Krijuesit të qiejve dhe të tokës, ndërsa kulmi i së cilës është besimi ndaj të padukshmes.
Në të shihen argumente për vërtetimin e ekzistimit të Allahut të Madhërishëm, Njëshmërisë së Tij.
Surja përqendrohet mbi bazën e meditimit, studimit në argumentet e gjithësisë.
Përmban cilësimet e njerëzve pas përmbajtjes së besimit.
Përmban kërcënimin e ndëshkimit pas Ditës së Gjykimit, gjë që e bën se ftesa e vulës së pejgamberëve bazohet në vlerat e moralit, në logjikën e shëndoshë. Të gjitha këto do t’i mësojmë në hutbet në vazhdim.
Zoti ynë, Krijuesi i qiejve dhe të tokës, Ti je ndihmëtari ynë!
Zoti ynë, Ti kujdesesh për çështjet tona në këtë botë dhe në botën tjetër!
Zoti ynë, bëna që të vdesim si muslimanë, të nënshtruar dhe të dorëzuar te çështja Jote!
Zoti ynë, na përcjell te të mirët prej prindërve dhe gjyshërve tanë!
Ti je i Mëshirshëm, Fisnik, Ti ke mundësi për gjithçka!
–
Dr. Musli Vërbani
“PËRFITO DHE MËSO NGA HUTBET E SURES JUSUF”