Falënderojmë Allahun, i Cili i ka bërë tregimet ushqim të mendjes dhe shpirtit.
Përshëndetjet dhe selamet qofshin për Pejgamberin a.s., për familjen e tij, shokët e tij të mirë e të pastër dhe për ata të cilët i pasojnë ata deri në Ditën e Gjykimit.
Mendja dhe shpirti ushqehen siç ushqehen trupat, mbushen siç mbushen trupat, forcohen siç forcohet hekuri.
Mendjet mbushen siç mbushen trupat, kërkoni ushqimin e mendjes në urtësi.
Tregimet janë ushtri prej ushtrive të Allahut të Madhërishëm. Allahu me këto tregime forcon zemrat e besimtarëve.
Tregimet kur’anore nuk janë tregime për agjërim dhe për zbavitje. Nuk janë përhumbje kohe, por për mësim dhe përfitime. Duhet t’i lexojmë tregimet kur’anore, të përfitojmë dhe të veprojmë. Zoti i madhërishëm thotë:
“Të gjitha këto që t’i tregojmë ty nga lajmet e pejgamberëve, janë që të forcojnë zemrën tënde.”
Duhet të kuptojmë se historitë e Kur’anit janë mësime dhe këshilla për të logjikshmit, nuk janë proverba të trilluara. Në ajetet e para të sures Jusuf, Zoti i Madhërishëm thotë:
“Ne, duke e shpallur këtë Kur’an, po të rrëfejmë ty (Muhammed) më të bukurin rrëfim, edhe para tij ishe nga të painformuarit”. (Jusuf, 3)
Dhe e përfundon suren Jusuf me ajetin:
“Në tregimet e tyre (të dërguarve dhe të Jusufit me vëllezër) pati mësime e përvojë për të zotët e mendjes. Ai (Kur’ani) nuk është bisedë e trilluar, por vërtetues i asaj që ishte më parë (librave të shenjta) dhe sqarues i çdo sendi, e edhe udhërrëfyes e mëshirë për një popull që beson.” (Jusuf, 111)
Në këtë histori shohim suksesin dhe shpëtimin e besimtarëve dhe shkatërrimin e pabesimtarëve, e cila është mësim dhe këshillë për njerëzit me logjikë të shëndoshë dhe me ide të drejta.
Vëllezër të nderuar!
Do të flas për ëndrrat në përgjithësi dhe për ëndrrën e parë të Jusufit në veçanti.
Disa ëndrra janë nga mendimet e njeriut, madje shumica e ëndrrave të njerëzve janë vetëm dukuri të bindjeve të tyre të praktikuara apo të papraktikuara.
Ëndrrat janë tri llojesh:
- Ëndrra të vërteta prej Allahut të Madhëruar,
- Ëndrra prej Shejtanit dhe
- Ëndrra nga mendimet e njeriut.
Ëndrrat e vërteta ndahen në disa nënlloje:
Ato mund të jenë frymëzim të cilin Allahu i Madhëruar e hedh në zemrën e njeriut, që përbën të folurit e Zotit me robin e Tij në ëndërr.
Ato mund të jenë nga melekët e caktuar për këtë punë.
Ëndrra mund të jetë takim ndërmjet shpirtit të atij që është në gjumë me shpirtrat e të vdekurve të familjes, të farefisit, të shokëve të tij apo të dikujt tjetër, sikurse përmendëm deri tani.
Ndodh edhe hyrja e shpirtit të tij në Xhenet dhe shikimi i tij, etj.
Takimi i shpirtrave të të gjallëve me shpirtrat e të vdekurve është një nënlloj i ëndrrave të sakta, të cilat te njerëzit janë një lloj i gjërave të ndjeshme.
Pejgamberi a.s. ka thënë:
“Kushdo që më sheh mua në ëndërr, sigurisht që ka parë të vërtetën, sepse shejtani nuk mund të marrë e të shfaqet në pamjen time.”
I dërguari i Allahut a.s. ka thënë:
“Një ëndërr e mirë e një besimtari të drejtë është një nga dyzet e gjashtë pjesët e pejgamberisë.”
Është dëgjuar Pejgamberi a.s. duke thënë: “Prej pejgamberisë nuk ka mbetur më gjë tjetër, përveç paralajmeve të mira”.
E pyetën: “Ç’janë paralajmet e mira?”
Ai u përgjigj: “Ëndrrat e mira e të vërteta që përcjellin lajme të mira”.
Vëllezër të nderuar!
Ndonjëherë ëndrra mund të jetë ëndërr shpirtërore dhe shumë impresionuese, e cila është e pakrahasueshme me ndonjë shembull të librave, dhe është e vështirë për ta pasqyruar pas zgjimit nga gjumi dhe për të qenë e realizueshme:
- Ekzistojnë ëndrrat të cilat në mënyrë kategorike tregojnë se çka do të ndodhë,
- Ekzistojnë ëndrrat të cilat në mënyrë kategorike pasqyrojnë fatkeqësitë në të ardhmen,
- Ekzistojnë ëndrrat të cilat në mënyrë kategorike mahnisin edhe ëndërruesin e asaj ëndrre, edhe dëgjuesin e asaj ëndrre,
- Ekzistojnë ëndrrat për të cilat ka droje ai ëndërrues, pasi ëndërron diçka të cilën as nuk mund ta imagjinojnë mendjet e njerëzve apo logjika shkencore, sepse ëndrra nuk i nënshtrohet kandarit praktik apo çështjes së dukshme.
Vëllezër të nderuar!
Prej ëndrrave impresionuese është ëndrra e Jusufit a.s.
Jusufi a.s. ishte në moshën e vegjëlisë, pra, para pejgamberisë.
Në natën e Kadrit, e cila korrespondonte edhe me natën e ditës së xhuma, Jusufi kishte parë një ëndërr impresionuese dhe ia tregoi atë babait.
Zoti i Madhërishëm i thotë Muhamedit a.s.: Përkujtoja popullit tënd tregimin e Jusufit kur i ka thënë babait të vet, Jakubit a.s.: “Unë kam parë në ëndrrën time njëmbëdhjetë trupa qiellore, apo yje, po ashtu edhe diellin dhe hënën duke më bërë mua sexhde, sexhde respekti dhe nderimi, e jo sexhde adhurimi dhe madhështimi”.
Zoti i Madhërishëm thotë:
“(Përkujto) Kur Jusufi, babait të vet i tha: ‘O baba im, pashë (në ëndërr) njëmbëdhjetë yje dhe diellin dhe hënën, i pashë duke më bërë mua sexhde!’” (Jusuf: 4)
Mirë është që djali t’ia tregojë vështirësitë babait.
Mirë është që djali t’ia tregojë gjendjen babait.
Mirë është që djali t’ia tregojë planet e jetës babait.
Mirë është që djali t’ia tregojë ardhmërinë babait.
Komunikimi në mes babait dhe djalit duhet të jetë i vazhdueshëm gjatë gjithë jetës. Ky komunikim duhet të jetë komunikim parlamentar.
Kështu ka vepruar Jusufi a.s. me babanë e tij. Nuk ia ka treguar askujt tjetër përpos babait të tij.
Nuk ia ka treguar të tjerëve pa ia treguar babait të tij. Kjo është edukata e fëmijës me prindin.
Kështu pra, konsultohu me prindin, bisedo me prindin, hapja zemrën prindit.
Njerëzit e mirë gëzohen kur ti arrin sukses.
Njerëzit e mirë gëzohen kur ke ndonjë plan të mirë. E, kush gëzohet më shumë se prindi yt!
Njerëzit jo të mirë xhelozojnë kur arrin ndonjë sukses.
Edhe kur ke ndonjë plan të mirë i cili do të rezultojë i suksesshëm, mos ia trego çdokujt.
Planet e tua mos ia trego çdokujt.
Suksesin tënd mos ia trego çdokujt.
Çështjet e tua mos ia trego çdokujt.
Gjendjen tënde mos ia trego çdokujt.
Zgjidhe personin të cilit duhet t’ia tregosh sukseset.
Mos u bën injorant.
Mos u bën naiv, ngase:
Naivi i beson çdokujt,
Flet pa vend,
Hidhërohet pa arsye,
Ia shpalos sekretet çdokujt,
Nuk e dallon mikun prej armikut.
Vëllezër të nderuar!
Çka i ka thënë babai djalit?
Babai i thotë birit të tij: Mos ua trego vëllezërve të tu atë që ke parë në ëndërr.
Mos ua trego, se mos po të xhelozojnë, e që më pas të përgatitin ndonjë kurth për të të mashtruar dhe mund të të ndodhë diçka e padëshiruar, sepse shejtani është armik i qartë i njeriut.
Jakubi u frikësua se vëllezërit do ta xhelozonin, nga se shejtani ndërhyn.
Kjo është metodologji e edukimit.
Jakubi a.s., kur e ndaloi, e tregoi edhe arsyen:
“O biri im, mos ua trego ëndrrën tënde vëllezërve tu, se po të bëjnë ndonjë dredhi; s’ka dyshim, djalli për njeriun është armik i hapët”. (Jusuf, 6)
Në anën tjetër, babai duhet t’ia tregojë zgjidhjen e problemit.
Disa djem dhe vajza frikësohen t’i tregojnë prindit për ngjarje nga frika se i dënon, andaj shkojnë te ndonjë shok apo i huaj dhe ia tregojnë problemin për t’ia zgjidhur.
Edhe pse ëndrra ka qenë e mirë, babai e mëson që të mos ua tregojë vëllezërve të tij, më të afërmve.
Kjo këshillë ka qenë për të mirën e djalit, për të mirën e Jusufit.
Në disa raste fëmijët nuk mund t’i kuptojnë këshillat e prindit.
Jakubi i ka thënë të mos ua tregojë ëndrrën vëllezërve të Jusufit nga frika se mos do ta urrenin, nga brenga se mos do ta xhelozonin.
Pse Jakubi a.s. i ka thënë të mos ia tregojë ëndrrën vëllezërve?
Nga shkaku se Jakubi i ka njohur bijtë e vet.
Vëllezërit e Jusufit nuk kanë qenë pejgamberë, pasi kanë pasur cilësi të cilat nuk përputhen me sigurinë e pejgamberëve, si p.sh.:
- xhelozia e kësaj bote,
- mosdëgjimi ndaj prindërve,
- nënshtrimi ndaj shkaqeve të shkatërrimit dhe vrasjes.
Ky ka qenë shkaku që Jakubi a.s. t’i thotë: “Ëndrrën tënde mos ia trego vëllezërve tu”.
Duke pasur parasysh se ëndrra ishte tepër interesante, ka pasur nevojë për një kohë të gjatë deri te realizimi i saj në praktikë, e ajo kohë ka qenë pas dyzet vitesh ose edhe më shumë. Realizimi i ëndrrës nuk bëhet menjëherë pas një dite apo pas një jave, edhe pse mund të ndodhë ndonjëherë.
Vëlla i nderuar!
Mos ia trego hallin çdokujt.
Planet për të ardhmen mos ia trego çdokujt, bile edhe më të afërmve.
Gjendjen tënde të mirë apo të lumtur mos ia trego çdokujt.
Gjendjen tënde të rëndë apo të keqe mos ia trego çdokujt.
Njerëzit e këqij hidhërohen dhe xhelozojnë kur të ndodhë ndonjë e mirë.
Andaj sukseset mos ia trego çdokujt, punën e mirë mos ia trego çdokujt.
Programin tënd mos ia trego çdokujt.
Njerëzit e këqij xhelozojnë kur të ndodhë ndonjë e mirë.
Njerëzit e mirë kënaqen kur ndodhë ndonjë e mirë.
Pejgamberi a.s. ka thënë:
“Në qoftë se dikush sheh një ëndërr që e pëlqen, atëherë ajo është nga Allahu. Kështu pra, le ta falënderojë Allahun dhe le t’ua dëftojë atë edhe të tjerëve. Nëse sheh diçka tjetër që nuk e pëlqen, atëherë ajo është nga shejtani, kështu që le t’i mbështetet Allahut për ta ruajtur nga e keqja e saj dhe të mos ia dëftojë atë askujt, sepse ajo nuk do t’i sjellë atij asnjë të keqe.”
Vëllezër të nderuar!
Pejgamberi a.s. ka thënë:
“Ëndrra qëndron në kthetrat e shpendit derisa nuk e shpreh, por atëherë kur e shpreh, bie nga kthetrat e shpendit”.
Jakubi i ka thënë birit të tij se ajo ëndërr është shenjë paralajmëruese madhështore, e ajo është pejgamberia, dhe i ka thënë: “Ashtu siç të ka përzgjedhur Zoti yt dhe të ka mundësuar që të shohësh këto yje me diellin dhe me hënën duke të bërë sexhde ty, do të të zgjedh ty për Veten e Tij, për të qenë pejgamber për familjen tënde dhe për të tjerët”.
Po ashtu i ka thënë birit të tij se ajo ëndërr është shenjë paralajmëruese se do të jetë në gjendje të bëjë interpretimin e ëndrrave, do ta mësojë interpretimin e tyre.
Do të inspirohet për të kuptuar se çka është e drejtë nga ajo ëndërr.
Jakubi i ka thënë birit të tij: “Allahu Famëlartë plotëson begatinë e Tij ndaj teje, o Jusuf, do të të dërgoj ty pejgamber, po ashtu do ta plotësojë begatinë ndaj fisit të Jakubit dhe të familjes së tij, e aty bëjnë pjesë: babai yt, vëllezërit e tu dhe pasardhësit e tu”. Zoti i Madhërishëm thotë:
“Ja, kështu Zoti yt të zgjedh ty, të mëson interpretimin e ëndrrave, plotëson dhuntinë e Tij ndaj teje dhe familjes së Jakubit, sikurse pat plotësuar atë më parë ndaj prindërve tu, Ibrahimit dhe Is’hakut.” (Jusuf: 6)
Begatia për Jusufin: do të lirohet nga burgu dhe do të sigurohet.
Begatia për Jusufin: do të arrijë autoritet dhe pozitë të lartë në mbretëri.
Është përdorur emri i Ibrahimit para emrit të Is’hakut për të sqaruar se ai është më fisniku dhe është babai i pejgamberëve. Zoti i Madhërishëm thotë:
“Zoti yt është i Dijshëm, i Urtë!” (Jusuf: 6)
Zoti është i ditur për krijesat e Tij, për të përzgjedhur dhe për të specifikuar.
Zoti e di më së miri se kë ta caktojë pejgamber.
Zoti është i Urtë në krijimtarinë e Tij, në projektimin, programimin dhe në planifikimin.
Zoti vepron siç dëshiron dhe çka është e nevojshme dhe përshtatet me situatën reale dhe faktike.
Përfundim
Jakubi e ka kuptuar se:
Njëmbëdhjetë yjet janë njëmbëdhjetë vëllezërit e Jusufit dhe do t’i nënshtrohen, do t’i përulen, do ta nderojnë, do ta respektojnë.
Dielli dhe hëna janë babai i tij dhe nëna e tij, sepse në esencë yjet nuk bëjnë sexhde sikurse njeriu; për këtë arsye fjala bartet në kuptim ëndrre.
Nga ëndrra e Jusufit, Jakubi e ka kuptuar se:
- Jusufi do të ketë vlerë të madhe,
- Jusufi do ta udhëheqë popullin e tij,
- Jusufi do të udhëheqë nënën e tij,
- Jusufi do t’i udhëheqë vëllezërit e tij,
- Jusufi do ta udhëheqë edhe babanë e tij.
Për këtë arsye i ka thënë që të jetë i kujdesshëm dhe të mos ua tregojë ëndrrën askujt.
Ëndrra ndonjëherë nuk realizohet ashtu siç edhe ndonjëherë plani nuk realizohet.
Ëndrra ndonjëherë realizohet pas një kohe të shkurtër, e ndonjëherë realizohet pas një kohe të gjatë.
Realizimi i ëndrrës nuk ndodh pas një muaji apo viti, edhe pse mund të ndodhë.
Ëndrra e Jusufit a.s. nuk është realizuar pas dhjetë viteve, e as pas njëzet viteve, por është realizuar pas dyzet viteve apo pas tetëdhjetë viteve.
Zoti ynë, Krijuesi i qiejve dhe të tokës, Ti je ndihmëtari ynë!
Zoti ynë, Ti kujdesesh për çështjet tona në këtë botë dhe në botën tjetër!
Zoti ynë, bëna që të vdesim si muslimanë, të nënshtruar dhe të dorëzuar te çështja Jote!
Zoti ynë, na përcjell te të mirët prej prindërve dhe gjyshërve tanë!
Ti je i Mëshirshëm, Fisnik, Ti ke mundësi për gjithçka!
–
Dr. Musli Vërbani
“PËRFITO DHE MËSO NGA HUTBET E SURES JUSUF”