SUREJA JASINË: HUTBEJA E TRETË

Komentim në formë hutbeje i sures JASINË.

Ajetet 13-27

Transliterim:

(13) Vedrib lehum methelen es-haabel karjeti idh xhaaaaehel murseluun.

(14) Idh erselnaa ilejhimuthnejni fekedh-dhebuuhumaa

fe’az-zeznaa bi thaalithin fekaaluu innaa ilejkum murseluun.

(15) Kaaluu maa entum il-la besherun mithlunaa ve maa enzelerr-rrahmaanu min shej-in in entum il-laa tekdhibuun.

(16 )Kaaluu rabbunaa jealemu inna ilejkum lemurseluun.

(17) Ve maa ‘alejnaa il-lel belaagul mubiin.

(18) Kaaluu innaa tetajjernaa bikum le in lem tentehuu lenerxhumennekum ve lejemes-sennekum minnaa ‘adhaabun eliim.

(19) Kaaluu taaaairukum me’akum e in dhukkirtum bel entum kavmun musrifuun.

(20) Ve xhaaaae min eksal mediineti rexhulun jes’aa kaale jaa kavmit-tebi’ul murseliin.

(21) Ittebi’uu men la jes’elukum exhren ve hum muhteduun.

(22) Ve maa lije laa eabudul-ledhii fetarenii ve ilejhi turxhe’uun.

(23) E ettehidhu min duunihii aaliheten in juridnirr-rrahmaanu bidurr-rrin laa tugni ‘annii shefaa’atuhum shej-en ve laa junkidhuun. 

(24) Innii idhen lefii dalaalin mubiin.

(25) Innii aamentu birabbikum fesme’uun.

(26) Kiiled-hulil xhennete kaale jaa lejte kavmii jealemuun.

(27) Bima gaferelii rabbii vexhe’alenii minel mukremiin.

Përkthimi: 

13. Tregoju (sjellja) atyre shembullin e banorëve të një fshati kur ju kanë ardhur atyre pejgamberët.

14. Atëherë kur, u dërguam atyre dy pejgamber, dhe që të dy i përgënjeshtruan, dhe Ne i përforcuam me të tretin (pejgamber) dhe u thanë atyre: Vërtetë ne jemi të dërguar për tek ju!.

15. Ata thanë: Ju nuk jeni asgjë tjetër pos njerëz si ne dhe i Gjithëmëshirshmi nuk ka zbritur asgjë, vërtetë ju po gënjeni.

16 Thanë: Zoti ynë është Ai i cili e di se ne jemi pejgamberë për tek ju.

17. detyra jonë është që vetëm t’u kumtojmë qartë.

18. (Fshatarët) Thanë: Ne mendojmë se jeni kob i zi për ne, nëse nuk e ndërpritni (misionin), ne do t’ju gurëzojmë, dhe do t’ju kaplojë nga ne dënim i dhimbshëm.

19. (Të dërguarit) u thanë: Kobi i zi është në vet ju, ne vetëm se po ju përkujtojmë, ju po na kërcënoni?! pa dyshim se ju qenkeni popull i shfrenuar.

20. Dhe (në atë moment) vjen nga skaji i qytetit një njeri me nxitim, dhe u tha: O populli im, dëgjoni dhe pasoni të dërguarit.

21. Dëgjojeni atë që nuk kërkon nga ju asnjë shpërblim, dhe (ta dini) ata janë udhëzues.

22. E ç’kam unë që të mos adhuroj Atë (Allahun) që më krijoi dhe te Ai do të ktheheni.

23. A të adhuroj zota tjerë pos Atij (Allahut) se, po qe se dëshiron i Gjithëmëshirshmi do të më shkaktoj ndonjë të keqe, e ndërmjetësimi i tyre nuk do të vlejë asgjë, as nuk mund të më shpëtojnë.

24. Atëherë do të isha në humbje të sigurt.

25. (O të dërguar) Vërtetë unë i kam besuar Zotit tuaj, (O ju njerëz) pra dëgjoni dhe pasoni edhe ju.

26. (ata e vranë) e atij iu tha: Hyr në Xhenet. Ai tha: Ah, mjerë për popullin tim, sikur ta dinte (se unë jam në Xhenet).

27. se si më fali Zoti im dhe më bëri prej të nderuarve.   

Falënderojmë Allahun, i Cili i ka bërë tregimet ushqim të mendjes dhe shpirtit.

Përshëndetjet dhe selamet qofshin për Pejgamberin a.s., për familjen e tij, shokët e tij të mirë e të pastër dhe për ata të cilët i pasojnë ata deri në Ditën e Gjykimit. 

Mendja dhe shpirti ushqehen siç ushqehen trupat, mbushen siç mbushen trupat, forcohen siç forcohet hekuri.

Mendjet mbushen siç mbushen trupat, kërkoni ushqimin e mendjes në urtësi.

Për këtë arsye, patjetër duhet mësuar kuriozitete dhe ngjarje interesante me urtësi, por, kuptohet, ato tregime duhet të jenë tregime të vërteta e jo imagjinare.

Tregimet janë ushtri prej ushtrive të Allahut të Madhërishëm. Ai me këto forcon zemrat e besimtarëve.

“Të gjitha këto që t’i tregojmë ty nga lajmet e pejgamberëve, janë që të forcojnë zemrën tënde.” 

Në suren Jasin, Allahu tregon për situatën e pabesimtarëve të cilët insistojnë në pabesim, e paraqet me shembullin e një vendi i cili kishte përgënjeshtruar pejgamberët.

Allahu tregon për situatën e kurejshitëve të cilët insistonin në pabesim me shembullin e një vendi i cili kishte përgënjeshtruar pejgamberët, të cilët Allahu i kishte shkatërruar vetëm me një zë.

Në Kur’an janë paraqitur shembuj të njerëzve, siç janë njerëzit kokëfortë që e kundërshtojnë të vërtetën.

Kur’ani tregon shembuj për të marrë mësim, për të marrë këshillë.

Kur’ani tregon shembuj për t’u ndikuar nga historitë e të tjerëve.

“Kështu i sjell shembujt Allahu.” (Er-Ra’d, 17)

Vëllezër të nderuar!

Zoti i Lartëmadhërishëm ka dërguar 124.000 pejgamberë. Nga të gjithë pejgamberët disa prej tyre përmenden me emra në Kur’an e disa prej tyre nuk përmenden.

Në Kur’an përmenden 28 pejgamberë.

Përpos këtyre pejgamberëve me emër, Kur’ani tregon edhe për pejgamberë pa emër, e prej pejgamberëve pa emër tregon ngjarjen e tre pejgamberëve.

Në suren Jasin, Kur’ani tregon:

  • Për një fshat të papërcaktuar;
  • Për një qytet të papërcaktuar;
  • Për një shtet të papërcaktuar;
  • Për një kontinent të papërcaktuar;
  • Për një civilizim e shekull të papërcaktuar, etj.

Mostregimi i emrit të fshatit në Kur’an është argument se emrat e pejgamberëve nuk kanë ndikim të madh në këtë tregim.

Zoti i Madhërishëm thotë:

13. “Tregoju (sillu) atyre shembullin e banorëve të një fshati kur u kanë ardhur atyre pejgamberët.”

(13) Vedrib lehum methelen es-haabel karjeti idh xhaaaaehel murseluun.

Një pjesë e havarijunëve (shokëve të Isait a.s.), të cilët i kishte dërguar Isai a.s. në atë vend, pra në Antakij, para se të ngrihej në qiell dhe para kryqëzimit të tij (i cili mendim se është kryqëzuar është i dyshimtë dhe i pavërtetë).

Ata të dërguar ishin shokë të Isait a.s., pra havarijunë.

Fillimisht, numri i të deleguarve të cilët i ka dërguar Isai a.s. ka qenë dy të deleguar, mirëpo ata banorë e kanë përgënjeshtruar mesazhin e tyre.

Kur janë përgënjeshtruar dy pejgamberët, Allahu i ka përforcuar me të dërguarin e tretë, kështu që janë bërë tre thirrës.

Në hyrje të qytetit, i cili paramendohet të jetë Antakija, pejgamberët kishin takuar një njeri në periferi të qytetit.

Ka mendime se ai njeri ishte Habib Nexhari, i cili ishte zdrukthëtar.

Ka mendime se ai njeri ishte Iljasini, i cili ishte zdrukthëtar.

Ka mendime se ai njeri ishte Jasini, i cili ishte zdrukthëtar.

Habib Nexhari i ka pyetur:

Për ftesën tuaj që po e bëni ju, a po kërkoni shpërblim?

Për ftesën tuaj që po e bëni ju, a po kërkoni para?

Për ftesën tuaj që po e bëni ju, a po kërkoni pozitë?

Ata i kanë thënë: Jo! Ne nuk kërkojmë asgjë nga këto.

Ky njeri i kishte besuar shpalljes së Muhamedit a.s. gjashtëqind vjet para se t’i vinte shpallja, ashtu siç kishte besuar Vereka bin Neufeli.

Ky ishte njeriu të cilin Pejgamberi a.s. e kishte quajtur pronari Jasin, zotëria i Jasinit.

Tre pejgamberët, kur kanë shkuar te vendi Antakij, banorëve të fshatit Antakij u kanë thënë: “Ne jemi dërguar te ju nga Zoti juaj, i cili ju ka krijuar që të adhuroni vetëm Zotin Një dhe që të hiqni dorë nga adhurimi i idhujve.”

Ata pejgamberë paraqitnin argumente para banorëve, prej tyre një njeri kishte besuar dhe ai njeri shkon në aktivitet për t’u besuar të dërguarve.

Vëllezër të nderuar!

Zoti i Madhërishëm thotë:

14. “Atëherë kur u dërguam atyre dy pejgamberë dhe që të dy i përgënjeshtruan, dhe Ne i përforcuam me të tretin (pejgamber) dhe u thanë atyre: Vërtet, ne jemi të dërguar te ju!”

(14) Idh erselnaa ilejhimuthnejni fekedh-dhebuuhumaa

fe’az-zeznaa bi thaalithin fekaaluu innaa ilejkum murseluun.

Të dërguarit në Islam janë njerëz të rëndomtë, të graduar me gradën e të dërguarit të Zotit.

Të gjithë të dërguarit janë të nxjerrë nga populli në të cilin janë dërguar, pra të dërguarit janë njerëz nga mesi i shoqërisë tek e cila janë dërguar, përveç Muhamedit a.s., i cili është i dërguari i të gjithë njerëzimit.

Të dërguarit nuk gjykojnë në bazë të mendimit të tyre, por nga frymëzimi i Zotit.

Të dërguarit shpallin atë që i ka urdhëruar Zoti.

Të dërguarit nuk veprojnë nga hamendja e tyre.

Kur’ani tregon për dy apo për tre pejgamberë të papërcaktuar, të cilët përfaqësojnë pejgamberët në përgjithësi.

Mostregimi i emrit të pejgamberëve në Kur’an është argument se emrat e pejgamberëve nuk kanë ndikim të madh në këtë tregim.

Vëllezër të nderuar!

Përderisa populli përbëhet prej njerëzve, atëherë patjetër që edhe pejgamberi i tyre të jetë njeri.

Njerëzit ndaj pejgamberëve kanë qëndrime të ndryshme:

  • Mendim të mirë, dhe
  • Mendim të keq.

Zoti i Madhërishëm thotë:

15. “Ata thanë: Ju nuk jeni asgjë tjetër pos njerëz si ne dhe i Gjithëmëshirshmi nuk ka zbritur asgjë, vërtet ju po gënjeni.”

(15) Kaaluu maa entum il-la besherun mithlunaa ve maa enzelerr-rrahmaanu min shej-in in entum il-laa tekdhibuun.

Qëndrim të keq kanë njerëzit të cilët mendojnë se:

Pejgamberët janë vetëm njerëz dhe asgjë tjetër, dhe se po të duhej pejgamber, do të duhej të ishin engjëj (melaqe).

Pejgamberët janë njerëz të rëndomtë dhe hanë e pinë e ecin nëpër rrugë sikurse njerëzit e tjerë.

Pejgamberëve Zoti nuk u ka shpallur asgjë, por ata vetëm pretendojnë se janë pejgamberë, ndërsa në esencë nuk u ka shpallur Zoti asgjë.

Qëndrim të keq kanë njerëzit të cilët mendojnë se pejgamberët janë rrenacakë.

Qëndrim të keq kanë njerëzit të cilët mendojnë se pejgamberët sjellin të keqen.

Ata të cilët kanë qëndrim të keq:

Tentojnë me çdo kusht që zëri i pejgamberëve, i besimit dhe i së drejtës të mos dëgjohet;

Tentojnë me çdo kusht që zëri i pejgamberëve dhe i së drejtës të anashkalohen;

Nëse nuk mund t’i eliminojnë mendimet e tyre, atëherë kalojnë në eliminimin fizik të tyre, me një fjalë: të likuidohen.

Në gjuhën e sotme, nëse nuk kanë mundur t’i eliminojnë politikisht, janë munduar t’i eliminojnë fizikisht.

Zoti i Madhërishëm thotë:

“A nuk e dini historinë e popullit të Nuhut, Adit dhe Themudit? Por ka dhe të tjerë që erdhën më vonë, vetëm Allahu i di ato. U erdhën të dërguarit e tyre me argumente. Por ata vendosnin duart e tyre në gojët e tyre duke thënë: ‘Ne i mohojmë mesazhet tuaja, se ne dyshojmë në vërtetësinë tuaj’.” (Ibrahim, 9)

Përkundrazi, kjo e vërtetë e qartë dhe e afërt u refuzua nga njerëzit!

Fshatarët e atij fshati u kanë thënë të tre të dërguarve të tyre:

“Ju nuk jeni tjetër veçse njerëz si ne” dhe “Allahu nuk ju ka shpallur gjë; ju nuk jeni tjetër veçse rrenacakë” (mendoni se jeni të dërguar).

Banorët e atij vendi, sikurse në kohën e sotme gazetarët, analistët, opinionistët, politikanët etj., u kanë thënë:

  • Ju jeni njerëz sikurse ne!
  • Ju hani bukë, ushqeheni dhe pini ujë sikurse ne!
  • Ju nuk dalloheni nga ne!
  • Allahu nuk ju ka dërguar me ndonjë mesazh!
  • Allahu nuk ju ka zbritur libër për të vërtetuar atë që ju thërrisni, dhe në atë që thërrasin pejgamberët e tjerë pos juve!
  • Me pretendimin se ju jeni pejgamberë, ju mund të jeni vetëm gënjeshtarë!

Në refuzimin e pejgamberëve vërehet:

  • Naiviteti i përfytyrimit dhe njohjes, dhe
  • Mosnjohja ndaj misionit të pejgamberit, me fjalë të tjera pejgamberëve.

Vëllezër të nderuar!

Surja Jasin tregon për edukatën e pejgamberëve!

Me edukatën e pejgamberëve duhet edukuar çdo besimtar i sinqertë.

Edukatën e pejgamberëve duhet ta kemi edhe ne.

Zoti i Madhërishëm thotë:

16. “Thanë: Zoti ynë është Ai i Cili e di se ne jemi pejgamberë te ju.”

(16) Kaaluu rabbunaa jealemu inna ilejkum lemurseluun.

Kur’ani na tregon se:

Pejgamberët kanë pasur gjuhë edukuese.

Pejgamberëve u ka mjaftuar se Zoti e di se ata janë të dërguar!

Për Muhamedin a.s. Zoti i Madhërishëm thotë: “Dhe mjafton që Allahu është dëshmitar se Muhamedi është i dërguar i Allahut.” (Muhamed)

Pejgamberët kanë deklaruar se po të gënjenin ndaj Zotit, Zoti do t’i ndëshkonte ashpër.

Misioni i pejgamberëve është vetëm kumtimi i shpalljes!

Pas identifikimit të tyre ata kanë vazhduar duke thënë:

  • A do të na gjuani me gurë për shkak se ju këshillojmë?
  • A do të na maltretoni për shkak se ju këshillojmë?
  • A kështu shpërblehet këshillimi?
  • A kështu i kundërviheni këshillës, me kërcënim e kanosje?
  • A kështu i rezistoni thirrjes islame, me gurë e maltretim?

Pejgamberët u kanë thënë:

“Jo, por ju jeni popull i shfrenuar!”

Ju i tejkaloni kufijtë e logjikës së shëndoshë.

Kjo që u ka ndodhur pejgamberëve u ka ndodhur edhe besimtarëve të sinqertë në të kaluarën.

Kjo që u ka ndodhur pejgamberëve u ndodh edhe besimtarëve të sinqertë në kohën e sotme.

Vëllezër të nderuar!

Jasini tregon për misionin e pejgamberëve.

Jeta e tyre është model në të cilin thirret populli.

Pejgamberët kanë thënë:

17. “Detyra jonë është që vetëm t’u kumtojmë qartë.”

(17) Ve maa ‘alejnaa il-lel belaagul mubiin.

Mesazhi është metodë hyjnore që e përjeton njerëzimi, kurse jeta e pejgamberit është shembull real i jetës që zhvillohet sipas kësaj metode hyjnore.

Misioni i pejgamberëve është lajmërimi, pastaj njerëzit janë të lirë në veprim e në përgjegjësi.

Mes njerëzve dhe pejgamberëve gjendet mesazhi nga Zoti i Madhërishëm, e kur të realizohet kjo çështje, atëherë çdo gjë do t’i takojë Zotit.

Vëllezër të nderuar!

Banorët e atij vendi i kanë kërcënuar pejgamberët duke u thënë:

  • Ne jemi lodhur nga ju;
  • Na keni sjellë të këqija;
  • Në jetesën me ju nuk kemi parë diçka të dobishme;
  • Nëse nuk i jepni fund kësaj thirrjeje, do t’ju gjuajmë me gurë;
  • Nëse nuk i jepni fund kësaj thirrjeje, do të shihni se do t’ju godasë fatkeqësi e madhe nga ne.

Zoti i Madhërishëm tregon se banorët e atij vendi kanë thënë:

18. “Thanë: Ne mendojmë se jeni kob i zi për ne. Nëse nuk e ndërpritni (misionin), ne do t’ju gurëzojmë dhe do t’ju kaplojë nga ne dënim i dhimbshëm.”

(18) Kaaluu innaa tetajjernaa bikum le in lem tentehuu lenerxhumennekum ve lejemes-sennekum minnaa ‘adhaabun eliim.

Edhe sot ka njerëz të cilët u thonë besimtarëve të sinqertë:

  • Ne jemi lodhur nga ju;
  • Ju na sillni të këqija;
  • Ju jeni të dëmshëm për ne;
  • Në jetesën me ju nuk kemi parë dhe nuk shohim diçka të dobishme;
  • Nëse nuk i jepni fund kësaj thirrjeje, do të shihni se do t’ju godasë fatkeqësi e madhe nga ne.

Vëllezër të nderuar!

Fati i individit varet nga vetë individi.

Fati i një shoqërie varet nga vetë shoqëria.

Fati i një populli varet nga vetë populli.

Popujt e përcaktojnë fatin ashtu sikurse njeriu vetë e përcakton fatin!

Zoti i Madhërishëm tregon se pejgamberët kanë thënë:

19. “U thanë: Kobi i zi është në vetë ju! Ne vetëm se po ju përkujtojmë, e ju po na kërcënoni?! Padyshim se ju qenkeni popull i shfrenuar.”

(19) Kaaluu taaaairukum me’akum e in dhukkirtum bel entum kavmun musrifuun.

Pejgamberët u tregojnë individëve se pesimizmi i tillë është besëtytni.

Pejgamberët u tregojnë shoqërive se pesimizmi i tillë është besëtytni.

Pejgamberët u tregojnë popujve se fati i tyre i mirë nuk vjen nga jashtë, por është në shpirtrat e tyre.

Pejgamberët u tregojnë popujve se fati i tyre i keq nuk vjen nga jashtë, por është në shpirtrat e tyre, i lidhur me qëllimet dhe veprat e tyre, varësisht nga përfitimi dhe puna.

Popujt mund ta bëjnë fatin e tyre të mirë, sepse dëshira e Zotit xh.sh. realizohet nëpërmjet dëshirës së shpirtit, drejtimit dhe punës së tij.

Popujt mund ta bëjnë fatin e tyre të keq, sepse dëshira e Zotit xh.sh. realizohet nëpërmjet dëshirës së shpirtit, drejtimit dhe punës së tij.

Kjo është një e vërtetë që ka parim të shëndoshë, kurse pesimizmi i gjithëllojshëm, gjegjësisht pesimizmi nga vendet apo nga fjalët, është besëtytni e pakuptuar dhe e palogjikshme!

Vëllezër të nderuar!

Jasini tregon për një besimtar, e ai besimtar mund të jetë çdonjëri prej besimtarëve, ai besimtar mund të jetë secili nga ne.

Popullata e këtij vendbanimi, kur u bind se të dërguarit e Allahut xh.sh. ishin këmbëngulës në thirrjen e tyre, ftoi popullin e vet në një takim për të marrë vendim për dënimin e këtyre pejgamberëve.

Siç treguam, në hyrje të qytetit, i cili paramendohet të jetë Antakija, pejgamberët kishin takuar një njeri në periferi të qytetit. Ai njeri ishte Habib Nexhari.

Habib Nexhari ka shkuar te pejgamberët dhe i ka pyetur:

Për ftesën tuaj që po e bëni ju, a po kërkoni shpërblim?

Për ftesën tuaj që po e bëni ju, a po kërkoni mjete materiale?

Për ftesën tuaj që po e bëni ju, a po kërkoni pozitë, famë apo diçka të ngjashme?

Ata i kanë thënë: Jo, ne nuk kërkojmë asgjë nga këto.

Pastaj, për këtë kishte shkuar Habib Nexhari te populli i vet, siç tregon Kur’ani famëlartë:

20. “Dhe (në atë moment) vjen nga skaji i qytetit një njeri me nxitim.”

(20) Ve xhaaaae min eksal mediineti rexhulun jes’aa kaale jaa kavmit-tebi’ul murseliin.

Shembulli i këtij njeriu me logjikë të shëndoshë është shembull i cili i përgjigjet thirrjes së drejtë të të vërtetës!

Ky njeri është i sinqertë, modest, i drejtë.

Ky njeri kupton drejt.

Ky është një njeri që kishte dëgjuar thirrjen dhe i ishte përgjigjur pasi ishte bindur me argumentet e të vërtetës dhe logjikës.

Kur e përjetoi zemra të vërtetën e besimit, i nxiti ndjenjat e tij aq sa s’mundi të heshtë e ta fshehë besimin atëherë kur shihte përreth vetes devijim dhe refuzim.

Ai vrapoi pas të vërtetës që ishte rrënjosur në ndjenjat e tij.

Ai vrapoi pasi e kishte nxitur ndërgjegjja e tij.

Ai bëri përpjekje dhe është ballafaquar me popullin e tij që ishte përgënjeshtar.

Ai bëri përpjekje dhe është ballafaquar me popullin e tij refuzues e kërcënues.

Ai bëri përpjekje duke ua dashur të mirën e tyre.

Habib Nexhari iu drejtua popullit të tij: “O populli im, dëgjoni dhe pasoni të dërguarit!”

“O populli im, dëgjoni ata që nuk po kërkojnë nga ju kurrfarë shpërblimi; këta janë të udhëzuar dhe e thonë të vërtetën.”

Ky njeri nuk kishte autoritet e pozitë.

Ky njeri nuk kishte ndikim në popull.

Ky njeri nuk kishte përkrahje nga familja.

Bindja e tij energjike që ishte në ndërgjegjen e tij e nxiti të shkojë nga skaji më i largët i qytetit dhe i ka thënë popullit të tij:

21. “Dëgjojeni atë që nuk kërkon nga ju asnjë shpërblim, dhe (ta dini) ata janë të udhëzuar.”

(21) Ittebi’uu men la jes’elukum exhren ve hum muhteduun.

Ky njeri i ka thënë popullit të tij: Ai i cili thërret kështu pa kërkuar ndonjë shpërblim apo pasuri është i sinqertë, sepse në të kundërtën çfarë do ta ngarkonte me këtë barrë që s’është obligim nga Zoti!

Çfarë e shtyu t’i qaset kësaj thirrjeje?

Çfarë e shtyu t’u përballojë njerëzve që nuk e pranonin besimin?

Çfarë e shtyu t’i nënshtrohet dëmit, sherrit, talljes dhe nënçmimit të tyre pa kurrfarë dobie e shpërblimi?

Udhëzimi i pejgamberëve është i qartë nga natyra e thirrjes së tyre, ngase thërrasin në Zotin Një, në rrugën e qartë dhe në besimin që është i pastër nga besëtytnitë dhe paqartësitë. Ata udhëzojnë në rrugën e shëndoshë e të drejtë.

Ai shkoi prej skajit më të largët të qytetit me nxitim për ta kryer obligimin e vet e ta thërrasë popullin në të vërtetën.

Ai shkoi prej skajit më të largët të qytetit me nxitim ta pengojë nga e keqja popullin e vet.

Ky njeri, për të mbrojtur të vërtetën, ka vrapuar me shpejtësinë më të madhe të mundur nga skaji i qytetit.

Vëllezër të nderuar!

Jasini ose Iljasini mund të jetë një person, me fjalë të tjera mund të jetë një besimtar i sinqertë dhe i devotshëm.

Surja Jasin tregon për një besimtar, e ai besimtar mund të jetë çdonjëri prej besimtarëve.

Ky ajet na jep edhe një mesazh neve të gjithëve për çështjen e thirrjes islame.

Thirrja në Islam nuk është çështje vetëm e pejgamberëve, por edhe e besimtarëve.

Thirrja në Islam është obligim i të gjithë atyre që mund të dëshmojnë për të vërtetën e saj. Thirrësit islamë duhet ta bëjnë thirrjen islame kudo që të jenë.

Njeriu duhet të thërrasë në Islam pavarësisht rrethanave ku gjendet. Këtë e vërteton edhe ajeti kur’anor ku Allahu i Madhërishëm thotë:

“Ne u bëmë juve një popull të drejtë (një mes të zgjedhur) për të qenë ju dëshmitarë (në Ditën e Gjykimit) ndaj njerëzve, dhe për të qenë i dërguari dëshmitar ndaj jush.” (Bekare)

Pejgamberët e Allahut predikimin e shpalljes së tyre e bënin pa pagesë në jetën e kësaj bote.

Pejgamberët e Allahut nuk kërkonin as të mira materiale nga angazhimi i tyre.

Pejgamberët e Allahut nuk kërkonin poste nga puna e tyre.

Ky ishte parimi i të gjithë pejgamberëve, andaj vërejmë në Kur’anin famëlartë se të gjithë pejgamberët kishin thënë:

“Unë nuk u kërkoj ndonjë shpërblim, se shpërblimi im është vetëm prej Allahut.”

Është e logjikshme që për çdo punë njeriu të kërkojë shpërblim për punën e tij, mirëpo a do të kishte mundësi të paguhej puna e pejgamberëve në jetën e kësaj bote?

Sigurisht që jo! Kjo nga shkaku se puna e thirrjes islame që e bëjnë pejgamberët i tejkalon kufijtë e interesit të jetës së kësaj bote, andaj edhe shpërblimi nuk mund të jetë i kësaj bote, por është shpërblim që Zoti e paguan në botën tjetër.

Vëllezër të nderuar!

Habib Nexhari e ftoi popullin e tij që t’u besojnë pejgamberëve në atë që e thonë, sepse vërtet këta janë të dërguar dhe nuk ju ftojnë në rrugën e humbjes.

Habib Nexhari e ftoi popullin e tij që t’u besojnë pejgamberëve në ftesën e tyre, sepse vërtet këta janë të dërguar dhe ju ftojnë në udhëzim, në rrugën e drejtë, dhe se këta nuk kanë asnjë interes material.

Habib Nexhari e ftoi popullin e tij që t’u besojnë pejgamberëve në atë që e thonë, sepse këta nuk kanë asnjë interes material nga ju për punën, e as nuk kërkojnë poste e pozita nga ju.

Në ftesën e tij, banorët e fshatit iu drejtuan duke i thënë:

Ti paske devijuar!

Ti e paske braktisur besimin tonë!

Ti u paske besuar atyre!

Ti e paske tradhtuar besimin tonë?!

Ai iu përgjigj me një urtësi, mirësi dhe argumente shumë logjike duke u thënë: “Unë nuk po ju ftoj në një punë që është e keqe, por ju ftoj në një punë ku edhe unë gjendem vetë, andaj:

“E, ç’kam unë që të mos e adhuroj Atë që më krijoi dhe te Ai do të ktheheni?”

Këto fjalë nuk ishin të pejgamberëve, por ishin të njeriut i cili kishte lëvizur për përforcimin e besimit të tij.

Zoti i Madhërishëm tregon thënien e këtij besimtari i cili ka thënë:

“E, ç’kam unë që të mos e adhuroj Atë që më krijoi dhe te Ai do të ktheheni.”

Ky njeri e kishte shijuar kënaqësinë e besimit dhe udhëzimit, andaj nuk ishte i kënaqur vetëm me këtë, por ishte këmbëngulës që këtë kënaqësi ta shijojnë edhe bashkëqytetarët e tij, sepse ky e kishte të qartë se atë që njeriu e dëshiron për vete patjetër duhet t’ua dëshirojë edhe të tjerëve. Pejgamberi a.s. ka thënë:

“Nuk ka besuar askush nga ju me besim të plotë, nëse vëllait të tij nuk ia dëshiron atë që ia dëshiron vetes së tij.”

Ky njeri në mënyrë shumë të saktë i drejtohet popullit të tij me këto fjalë, sikur t’u thoshte: Nuk është çudi dhe e palogjikshme të besosh Krijuesin tënd, tek i cili do të jetë rikthimi ynë, por e çuditshme dhe e panatyrshme do të ishte të mos besohet Krijuesi absolut.

Pra imani, besimi i njeriut nuk është për t’u çuditur, por mosbesimi është për çudi, sepse mosbesimi është jologjik dhe jo në natyrën e njeriut.

Me fenë islame mund të jetojë fshatari dhe qytetari.

Me fenë islame mund të jetojë i padituri dhe i dituri.

Me fenë islame mund të jetë i qetë ai që jeton në një shtëpi të thjeshtë dhe ai që jeton në një shtëpi luksoze.

Në fenë islame e gjen çdokush atë që e kërkon dhe e përfiton me lehtësim atë që ia drejton jetën.

Mesazhi islam përputhet me natyrën e gjërave dhe gjallesave që gjenden rreth njeriut.

Mesazhi islam nuk konfrontohet me karakteret e gjërave e as që e obligon njeriun të konfrontohet me to.

Feja islame ka zbritur, pastaj është forcuar me pejgamberë e pastaj është forcuar edhe me besimtarë të të gjitha kohëve.

Besimtarë të nderuar!

Besimtari i vërtetë tregon për të tjerët dhe për veten. E ndan në dy pjesë:

Pjesën e parë flet për adhurimin ndaj Zotit; dhe

Pjesën e dytë për mosadhurimin e idhujve.

Besimtari i vërtetë ka thënë:

22. “E ç’kam unë që të mos e adhuroj Atë (Allahun) që më krijoi dhe te Ai do të ktheheni?”

(22) Ve maa lije laa eabudul-ledhii fetarenii ve ilejhi turxhe’uun.

Besimtari i vërtetë tregon për shkaqet e pranimit të besimit dhe për arsyen e tij të zgjuar, e cila ishte e bindur me argument të shëndoshë instinktiv.

Kjo është çështja e instinktit që e ndien Krijuesin dhe që është i lidhur me burimin e vetëm të qenies së tij.

Analizoni pyetjet të cilit ia parashtron besimtari vetes së tij:

“E ç’kam unë që të mos e adhuroj Atë që më krijoi?”

Çfarë më largon nga kjo metodë natyrore, të cilën e rikujton menjëherë shpirti?

Instinktet i gravitojnë te Ai që i ka krijuar, Atij i drejtohen dhe nuk devijojnë e as që largohen nga Ai, përpos nën ndikimin e ndonjë faktori të jashtëm.

Drejtimi kah Krijuesi s’ka nevojë për ndonjë element që është jashtë natyrës së shpirtit dhe orientimit shpirtëror instinktiv.

Besimtari e ndien këtë në vete dhe e shpreh në mënyrë të thjeshtë, pa kurrfarë kompleksi, vështirësie dhe bisede të tërthortë!

Pyete veten se pse të mos e adhuroj Atë që më krijoi dhe Atij që i takon rikthimi?

Kështu ai flet për kthimin e sërishëm! Pasi që Ai është Krijues i tyre, atëherë meriton edhe të adhurohet.

Besimtari me instinktin e vet të pastër e të sinqertë e ndien se krijesa në fund do t’i kthehet Krijuesit, ashtu siç i kthehet çdo gjë bazamentit të vet: “Dhe Atij i kthehemi!”

Kështu e shprehu fjalën e besimit të plotë e të bindshëm, u deklarua para tyre dhe i inspiroi që ta përsërisin fjalën e tij, sepse ai nuk mërzitej nga thashethënat e tyre. 

Besimtarë të nderuar!

Besimtari i vërtetë tregon për të tjerët dhe për veten.

Besimtari i vërtetë flet:

  • Për adhurimin ndaj Zotit; dhe
  • Për mosadhurimin e idhujve.

Sa i përket pjesës së dytë, mosadhurimit të idhujve: kjo nga shkaku se adhurimi i idhujve është metodë që shpie në humbje, siç ka thënë besimtari i sinqertë: “A do të pranoj zota të tjerë pos Atij, e nëse do Mëshiruesi të më godasë me ndonjë të keqe, ndërmjetësimi i tyre nuk do të më vlejë asgjë, e as që do të më shpëtojnë?!”

A të humbem nga ai që e braktis logjikën e instinktit që e thërret krijesën ta adhurojë Krijuesin e vet, dhe nga ai që adhuron diçka tjetër përveç Krijuesit, edhe atë pa kurrfarë nevoje e shkaku?

A të humbem nga ai që largohet nga Krijuesi dhe i lut zotat e dobët, të cilët s’mund ta mbrojnë nga dëmet kur dëshiron Krijuesi ta ndëshkojë për shkak të devijimit dhe humbjes së tij?

Prej skajit më të largët të qytetit:

Paraqitet me një shkrim;

Paraqitet me një punim;

Paraqitet me një angazhim dhe me një kontribut;

Paraqitet me një veprim, edhe atë duke thënë:

22. E ç’kam unë që të mos adhuroj Atë (Allahun) që më krijoi dhe te Ai do të ktheheni.

23. A të adhuroj zota tjerë pos Atij (Allahut) se, po qe se dëshiron i Gjithëmëshirshmi do të më shkaktoj ndonjë të keqe, e ndërmjetësimi i tyre nuk do të vlejë asgjë, as nuk mund të më shpëtojnë.

24. Atëherë do të isha në humbje të sigurt.

(22) Ve maa lije laa eabudul-ledhii fetarenii ve ilejhi turxhe’uun.

(23) E ettehidhu min duunihii aaliheten in juridnirr-rrahmaanu bidurr-rrin laa tugni ‘annii shefaa’atuhum shej-en ve laa junkidhuun. 

(24) Innii idhen lefii dalaalin mubiin.

Njeriu i sinqertë, njohës e i qartë, vendos përfundimisht që t’i bëjë ballë popullit të tij përgënjeshtar e kërcënues, sepse instinkti në zemrën e tij është më i fuqishëm se çdo kërcënim dhe përgënjeshtrim: “Unë i kam besuar Zotit tuaj, pra më dëgjoni!” 

Përfundim

Besimtari ka besuar në një Zot dhe ka thënë:

25. “(O të dërguar) Vërtet unë i kam besuar Zotit tuaj, (o ju njerëz) pra dëgjoni dhe pasoni edhe ju!”

(25) Innii aamentu birabbikum fesme’uun.

Mirëpo, besimtarin e kanë mbytur.

Besimtari ka rënë dëshmor i së drejtës, me fjalë të tjera ka rënë shehid.

Pastaj vazhdon ajeti tjetër:

26. “(Ata e vranë) e atij i u tha: Hyr në Xhenet! Ai tha: Ah, mjerë për popullin tim, sikur ta dinte (se unë jam në Xhenet),

27. se si më fali Zoti im dhe më bëri prej të nderuarve!”

(26) Kiiled-hulil xhennete kaale jaa lejte kavmii jealemuun.

(27) Bima gaferelii rabbii vexhe’alenii minel mukremiin.

Çfarë respekti i ka treguar Zoti i Madhërishëm:

  • Ka treguar respektin që e meriton besimtari trim, i sinqertë;
  • Ka treguar nderin të cilin e meriton shehidi;
  • Ka treguar hapin që e shpëton besimtarin prej tokës së ngushtë në Xhenetin e gjerë;
  • Ka treguar hapin prej humbjes në qetësinë e të vërtetës;
  • Ka treguar hapin prej kërcënimit të amoralit në paqen e Xhenetit; dhe
  • Ka treguar hapin prej errësirës së injorancës në dritën e vërtetë.

Kur besimtari e ka parë mëshirën dhe respektin që ia ka përgatitur Zoti xh.sh. në Xhenet, e këshillon popullin e vet me zemër të mirë dhe shpirt të kënaqur, si dhe dëshiron që populli i tij të shohë respektin dhe kënaqësinë e përfituar, me qëllim që ta njohë të vërtetën me njohje të vërtetë.

Engjëjt (melaqet) i tregojnë çdo besimtari në momentin e vdekjes se do të hyjë në Xhenet, siç tregon ajeti: “S’ka dyshim se ata që thanë: ‘Zoti ynë është Allahu’, pastaj nuk u luhatën, atyre u zbresin melaiket (në prag të vdekjes dhe u thonë): ‘Mos u frikësoni dhe mos u pikëlloni, keni myzhde Xhenetin që ju premtohej!’” (Fussilet, 30)

Po ashtu, engjëjt i tregojnë secilit pabesimtar se do të hyjë në Xhehenem që në momentin e vdekjes.

Dr. Musli Vërbani

Lini një koment