Winding illuminated path through desert dunes at night with stars in sky

Qëllimi i ndalimit dhe i lejimit të martesës me gra

Bejhekiu e ka regjistruar nga Ibn Abasi r.a. se ka thënë: Prej momentit kur ka lindur dielli dhe deri të perëndojë, janë tetë ajetet më të dobishme të zbritura në këtë sure, e ato ajete janë:

– Tre ajetet, 26, 27 dhe 28 të suretu Nisaë

– Ajeti i katërt i suretu Nisa: “Nëse largoheni prej mëkateve të mëdha, të cilat u janë të ndaluara, Ne ju shlyejmë mëkatet e vogla dhe ju fusim në një vend të ndershëm.” (Nisa, 31)

– Ajeti i pestë nga suretu Nisa: “S’ka dyshim se Allahu nuk bën pa drejtë as sa grimca.” (En-Nisaë, 40)

– Ajeti i gjashtë nga suretu Nisa: “Kush bën ndonjë të keqe apo ngarkon veten, pastaj kërkon falje te Allahu, ai e gjen Allahun falës dhe mëshirues.” (En-Nisaë, 110)

– Ajeti i shtatë nga suretu Nisa: “S’ka dyshim se Allahu nuk falë (mëkatin) t’i përshkruhet Atij shok (idhujtarinë), e përpos këtij (mëkati) i falë kujt të do.” (En-Nisaë, 48)

– Ajeti i tetë i suretu Nisa: “E ata që besuan Allahun dhe të dërguarin e Tij dhe nuk bënë kurrfarë dallimi në asnjë prej tyre, të tillëve do t’u jepet shpërblim i merituar. Allahu falë shumë dhe është mëshirues.” (En-Nisaë, 152)

Sa i përket ajeteve 26, 27 dhe 28 të suretu Nisa janë:

Ajetet 26-28:

Allahu dëshiron t’ju sqarojë çështjet e t’ju drejtojë në rrugën e atyre që ishin para jush (pejgamberët) dhe t’ju pranojë pendimin. Allahu e di më së miri gjendjen e robërve dhe është më i urti. (26) Allahu dëshiron t’ju pranojë pendimin, e ata që ndjekin dëshirat e epsheve, dëshirojnë që ju të shmangeni në tërësi (nga rruga e drejtë). (27) Allahu dëshiron t’ju lehtësoj (dispozitat), e megjithatë njeriu është i paaftë (për t’ju përballuar epsheve). (28)

Pasi që Allahu i ka përmendur ligjet të cilat ndërlidhen me familjen, me gratë, me kurorëzimin, çka është e lejuar dhe çka është e ndaluar ka përmendur urtësinë dhe arsyetimin e ligjësimit të atyre ligjeve.

Urtësia e parë e këtij ligjësimi: Allahu dëshiron të na e sqarojë atë çka fshihet prej nesh dhe na drejton në atë që është e dobishme për ne dhe na udhëzon në programe dhe rrugë të të parëve tanë, pra të pejgamberëve dhe të mirëve. Rruga e tyre ka qenë: Ajo rrugë të cilën e kanë trasuar për jetën e kësaj bote të tyre dhe të botës tjetër të tyre. Feja e tyre me të cilën janë kënaqur nuk është larg asaj të cilën e ka zgjedhur Allahu për këtë umet në Kur’anin famëlartë. Ky është fakt se ligji ynë është i njëjtë me ligjin para nesh në çështjen e urdhëresave dhe ndalesave dhe të ligjeve të hakmarrjes dhe domosdoshmëria e parimit në atë çka e ka ligjësuar Allahu duhet të jetë: Dëgjuam dhe vepruam (e zbatojmë).

Allahu dëshiron të sqarojë ligjet e sheriatit në çështjen e kurorëzimit, ndalesën e grave se cilat prej tyre u ndalohen, dëshiron të na orientojë në dëgjueshmëri dhe në veprimet të cilat nëse i veprojmë dhe i zbatojmë drejtë, do të na shpien te pranimi i pendimit prej Allahut. Veprat e mira i asgjësojnë veprat e këqija. Me mirësinë e Tij Allahu na falë dhe i asgjëson të këqijat tona nëse i realizojmë ato çështje, siç thotë Allahu i Madhërishëm: “Padyshim se të mirat i asgjësojnë të këqijat.” (Hud,114)

Allahu e di çdo qëllim të keq tuajin dhe çdo qëllim të mirë tuajin.

Allahu është i Urtë në çdo hartim të ligjeve për robërit e Tij. Allahu e di mënyrën e hartimit të ligjeve dhe çka është në interes të tyre. Allahu vendos drejtë, ashtu që secilin send e vendos në vendin e vet të sigurt, paralelisht me urtësinë dhe përsosmërinë e Tij.

“Ata të cilët janë para nesh” – janë të gjithë besimtarët e të gjitha ligjeve, të cilët i kanë zbatuar ligjet e hartuara prej Allahut për ne.

“Pranimpendimi i Allahut për robërit e Tij” është se i orienton në devotshmëri pas mëkateve të tyre.

Pastaj, Allahu ka përmendur dëshirën e Tij për t’i falë penduesit, e ky është vërtetim i fjalisë paraprake.

Është përdorë fjala “Dëshirë e Allahut” e para në renditje të fjalisë, për të qenë në harmoni me atë se dëshira e Tij është e kundërt me ata të cilët dëshirojnë të pasojnë epshet e tyre. Allahu dëshiron t’i falë robërit e Tij, kjo prej Mirësisë së Tij. I falë me atë çka i ka obliguar në veprime me të cilat i pastron fizikisht, por edhe psiqikisht e shpirtërisht. Pas gjithë këtyre veprimeve i falë ata.

Sa i përket çrregulluesve, ata nuk i falë për shkak të qëndrimit konsistent për të çrregulluar. Ata çrregullues pasojnë epshin e tyre. Ata veprojnë pas shpine, ata dëshirojnë që çrregullimin të cilin e kanë në veten e tyre ta bartin te besimtarët e mirë. Ata dëshirojnë që me ata ta mbushin kupën e madhe të të këqijave. Kjo, nga shkaku se mëkatarit i intereson shumë që edhe tjerët t’i bashkëngjiten në çrregullim për ta kënaqur veten e tyre dhe për të vazhduar rrugën e tyre dhe të forcojnë rrugën e keqe të tyre.

Po ashtu, Allahu dëshiron që të sqaron programin e ligjësimit në çështjet e kurorëzimit dhe çështjeve tjera, si lehtësim të rrugës së robërve të Tij. Sqarimi i hartimit të programit ligjor është tolerancë dhe lehtësim, nuk është vështirësim dhe ngushtim dhe as rëndim i ligjeve. Kjo bazohet në thënien e Allahut të Madhërishëm:

“dhe nuk ju obligoi në fe me ndonjë vështirësi, në fenë e babait tuaj, Ibrahimit.” (El-Haxh: 78)

Sqarimi i lehtësimit dhe tolerancës ligjore është çështje e patjetërsueshme në çështjet e kurorëzimit. Tavusi ka thënë: Njeriu është më i dobëti, atëherë kur çështja e tij ka të bëjë me çështjen e grave.

Për këto arsye, Allahu i Madhërishëm ka dashur që të sqarojë shkakun e këtij lehtësimi, e ajo është se njeriu është krijuar i dobët për t’u përballur me epshet dhe ndikimet ndaj nxitjeve të femrave. Ky është objektiv i ligjësimit të përgjithshëm në islam. Ky ligj është bazuar në parimin e lehtësimit dhe të largimit të vështirësive dhe të ngushtimit. Me bujarinë e Tij, Allahu ka lehtësuar çështjet e robërve të Tij. Fenë e Tij e ka bërë të lehtë dhe tolerante dhe nuk e ka rënduar dhe vështirësuar.

Dobësia e njeriut gjeneron nga dobësia e epshit të tij, nga shkaku se në të shumtën e rasteve epshet dominojnë te njeriu. Për këtë arsye, Ligjvënësi e ka marrë parasysh këtë dobësi, ashtu që e ka lehtësuar të vështirën dhe e ka ligjësuar më të lehtën.

Dr. Vehbetu Zuhejli

“Tefsiri i Kur’anit fisnik (niveli mesatar)”

Vëllim i 2

Përktheu: Dr. Musli Vërbani

Lini një koment