Narrow dirt path winding through coastal rocks and greenery with sunset over ocean in background

Ngrënia e pasurisë së tjerëve me pa të drejtë dhe pendimi për mëkatet e bëra

Islami organizon mënyrën e të vepruarit me të tjerët, po ashtu bën organizimin e sigurimit ekonomik pa e dëmtuar atë dhe pa e cenuar kapitalin e të tjerëve, pos me pëlqimin e tyre. Kjo nga shkaku se, kapitali është pjesë e zemrës dhe e drejtë e pronarit të saj.

Shumë konflikte dhe ngatërresa ndodhin për shkak të kapitalit. Islami dëshiron realizimin e paqes së qëndrueshme, ruajtjen e dashurisë së ndërsjellë dhe sigurimin e të drejtave personale. Allahu i Madhërishëm thotë:

Ajetet 29 dhe 30:

O ju që besuat, mos e hani mallin e njëri-tjetrit në mënyrë të palejuar, përpos tregtisë në të cilën keni pajtueshmëri mes vete, dhe mos mbytni veten tuaj (duke mbytur njëri-tjetrin). Vërtet, Allahu është i mëshirshëm për ju. (29) Kush bën këtë (që ndaloi Zoti) qëllimisht dhe tejkalon kufijtë, Ne do ta hedhim atë në një zjarr të fortë. Dhe kjo është lehtë për Allahun. (30)

Ajeti ndalon padrejtësinë si në ekonomi të njeriut si në aspektin fizik të tij. Ndalohet të merret padrejtësisht pasuria e të tjerëve, e ajo është rruga jolegjitime dhe përvetësimi i pasurive të caktuara ose nga përfitimet e caktuara pa kompensim dhe padrejtësisht. Këtu përfshihen edhe të gjitha mallrat e këmbyera në kontrata të pavlefshme si f.v., shitblerja e çështjes së papronësuar, shitblerja e mallrave të cilave u skadon afati dhe janë të papërdorshme si f.v., bananet, vezët dhe shalqinjtë e prishur.

Mallrat të cilat nuk mund të shfrytëzohen dhe ligjërisht janë të pavlefshme si f.v., majmuni, derri, miza, cofëtina, alkooli, etj., dhe fitimi për vajtim dhe mjeteve dëfryese dhe degjeneruese. Kush tregton me mallra të prishura dhe përfiton pasuri prej tyre, ai fitim llogaritet i ndaluar dhe i fëlliqur dhe duhet kthyer nga i ka marrë.

Mirëpo, lejohet përfitimi i pasurisë nga të tjerët nëpërmjet rrugëve ligjore dhe me pëlqimin e palëve në akte (kontrata) të vlefshme, si f.v., dhuratave, qirave, shitblerjeve, huazimeve, etj., dhe në mënyrën të cilën e ka lejuar ligji në bazë të thënies së Allahut të Madhërishëm: “Përpos nëse është tregti e pajtimit mes jush”. Pra, shfrytëzojeni pasurinë e përfituar nëpërmjet rrugës së tregtisë e cila bazohet në pajtueshmëri të dyanshme, qoftë shitblerje, qoftë qiradhënie.

Çdo pajtueshmëri mes palëve nuk nënkupton se ligjërisht pranohet. Por është e kushtëzuar që të jetë brenda kornizave ligjore. Nuk lejohet fitimi i pasurisë nëpërmjet kamatës së huazimit, as fitimi nëpërmjet bixhozit dhe lojërave të fatit, qoftë edhe nëse pajtohen palët. Kjo, nga shkaku se pajtueshmëria e tyre bie ndesh me ligjin e Zotit.

Kompletimi i pajtueshmërisë: Që të kontraktohet shitblerja, nëpërmjet ofertës dhe kërkesës dhe malli transferohet nga shitësi te blerësi dhe blerësi i dorëzon të hollat pa hezitim. Nuk lejohet të prishet akti i shitblerjes pa pëlqimin e palës tjetër.

Nuk lejohet ndërhyrja në mes palëve derisa janë në procesin e kontratës dhe nuk lejohet ndërhyrja në fejesën e vëllait. Kjo bazohet në hadithin autentik ku pejgamberi a.s. ka thënë: “Të mos e blejë sendin e blerë nga tjetri.”. Në hadithë tjetër: “Dhe të mos e fejojë të fejuarën e vëllait (nga feja) të vet”

Pastaj ajeti ndalon vetvrasjen:”Dhe mos e mbytni veten tuaj”

Në hadithin autentik pejgamberi a.s. ka thënë: “Kush vetëvritet me hekur, në Ditën e gjykimit do t’i ngjitet me zjarr të xhehenemit, ku do të qëndrojë përgjithmonë në të”. Kjo nga shkaku se sulmi ndaj vetvetes është sulm mbi krijesën e Zotit. Njeriu nuk e zotëron veten e tij. Po ashtu është e ndaluar të vrasim njëri-tjetrin. Kush e vret tjetrin është sikurse ka vrarë vetveten, e meriton ekzekutimin apo gjakmarrjen sepse e ka sulmuar shoqërinë. Allahu i Madhërishëm ka thënë:

“Kush mbyt një njeri (pa të drejtë), pa pas mbytur ai ndonjë tjetër dhe pa pas bërë ai ndonjë shkatërrim në tokë, atëherë (krimi i tij) është si t’i kishte mbytur gjithë njerëzit”. (El-Maide, 32)

Është e ndaluar gjakderdhja e njëri-tjetrit përpos kush e tradhton fenë ose bën prostitucion duke qenë i kurorëzuar dhe atij që vret qëllimshëm.

Vrasja e qëllimtë dhe padrejtësisht dënohet edhe në botën tjetër: do të hidhet zjarr mbi të dhe do të vendoset në xhehenem, përpos nëse pendohet. Nuk ka vend më të keq se sa vendqëndrimi i vrasësit kriminel.

Për Allahun, dënimi në këtë mënyrë për vrasësin është i lehtë sepse ka mundësi për gjithçka.

Pas këtij ndëshkimi, Allahu vazhdon me ajetet tjera:

Ajeti 31:

Nëse largoheni prej mëkateve të mëdha, të cilat u janë të ndaluara, Ne ju shlyejmë mëkatet e vogla dhe ju fusim në një vend të ndershëm. (31)

Koncepti:

O ju njerëz, nëse largoheni nga mëkatet e mëdha, Allahu ua falë mëkatet e vogla dhe u akomodon në vende të mira dhe fisnike në xhenet.

Mëkatet e mëdha: Janë çdo arrogancë (mëkat) për të cilin parashihet kërcënim i ashpër ose për të cilin ligji parasheh ndëshkim me dënim të përcaktuar me Kur’an dhe me sunet. Në hadithin autentik nga Ebu Hurejre tregohen mëkatet e mëdha ku pejgamberi a.s. ka thënë: “Largohuni nga shtatë mëkatet e mëdha: idhujtarisë, vrasjen e njeriut të cilën e ka ndaluar Allahu, përpos me të drejtë, magjisë, kamatës, keqpërdorimit të pasurisë së jetimit, ikjes nga fronti, shpifjes për gratë e ndershme”

Nuk ka mëkat të madh nëse njeriu pendohet, ashtu sikurse nuk ka mëkat të vogël nëse vazhdimisht insistohet në të (duke arsyetuar me faktin se është mëkat i vogël).

Mëkatet e vogla: Janë mëkatet për të cilat nuk ekziston qortim i rreptë ose dënim i caktuar si f.v., shikimi në grua të huaj dhe puthja e saj.

Largimi nga mëkatet e mëdha i fshinë mëkatet e vogla, nëse ai largim bëhet me vetdëshirë dhe me mundësi veprimi dhe jo nëse detyrohet të largohet nga ato mëkate. Pengesë nga mëkatet e mëdha është kryerja e obligimeve siç janë: namazi, agjërimi, haxhi, zekati dhe obligimet tjera.

Dr. Vehbetu Zuhejli

“Tefsiri i Kur’anit fisnik (niveli mesatar)”

Vëllim i 2

Përktheu: Dr. Musli Vërbani

Lini një koment