Dr. Vehbetu Zuhejli
“Tefsiri i Kur’anit fisnik (niveli mesatar)”
Vëllim i 2
Përktheu: Dr. Musli Vërbani
–
Dihet se femra është gjysma e shoqërisë. Me urtësinë dhe përcaktimin e Allahut, ajo:
– I shoqërohet burrit në përballimin e vështirësive të jetës,
– I ndihmon në realizimin e detyrave të jetës,
Islami, femrës ia ka dhënë të drejtën e merituar, e ka fisnikëruar, pozitën e saj e ka ngritur, e ka vendosur në pozitën të cilën e meriton ajo, pozitë e cila përshtatet me natyrshmërinë e saj dhe përshtatet me rolin e saj sepse ajo është bashkëpunëtore e jetës. Është personalitet e cila ka nder dhe autoritet. I ka dhënë të drejtat e përshtatshme me natyrshmërinë e saj, me konstruktin e saj dhe me aftësinë e saj fizike dhe shpirtërore.
Në kohën e injorancës, në kohën romake dhe greke, gruaja konsiderohej si një leckë.
Tek arabët, familjarët e burrit të gruas së cilës i vdiste burri, e përvetësonin për vete pa dëshirën e saj. Transmeton Buhariu se kur ndonjërës i vdiste burri, kujdestarët e afërm kishin më së shumti të drejtë në të, nëse ndonjëri prej tyre dëshironte, martohej me të, nëse kanë dashur, e kanë martuar diku tjetër, nëse nuk kanë dashur, nuk e kanë martuar, pra e kanë ndaluar të martohej, ata kanë pasur më shumë të drejtë se familjarët e saj. Për këtë arsye ka zbritur ky ajet (të cilin do ta paraqesim më vonë).
Po ashtu në kohën e injorancës ishte traditë te arabët që nëse dëshironin që gruaja të ndahej, e kanë akuzuar për imoralitet, ashtu që të frikësohet për mehrin e saj të cilin ia kanë dhënë, andaj për këtë ka zbritur ajeti në vijim ku Allahu i Madhërishëm ka thënë:
Ajetet 19-21:
O ju që besuat, nuk është lejuar për ju të trashëgoni gratë (e të vdekurve) në mënyrë të dhunshme, e as t’i shtrëngoni për t’u marrë diçka nga ajo që ju keni dhënë atyre, përveç nëse ato bëjnë ndonjë imoralitet të hapur. Çoni jetë të mirë me to. Nëse i urreni ato, bëni durim që Allahu të japë shumë të mira në një send që ju e urreni. (19) Në qoftë se dëshironi të ndërroni (ta merrni) një grua në vend të një gruaje (të lëshuarës) i keni pas dhënë shumë të madhe, mos merrni prej saj asnjë send. A do të merrni atë pa të drejtë e në mënyrë mizore? (20) Dhe si mund të merrni atë kur njëri-tjetrit iu keni bashkuar (në një shtrat) dhe kur ato kanë marrë prej jush një besë të fortë?
Allahu u referohet besimtarëve me atributin e besimit ashtu që besimi të ndikojë në dëgjimin e urdhrave dhe të zbatimit të tyre. U përkujton atyre se nuk u përshtatet juve që të veproni me gruan si me një rrobë (leckë), që ta përvetësoni pa dëshirën e tyre dhe t’i detyroni. Nuk lejohet që të ngushtoni sferën e jetës së tyre dhe t’i dëmtoni, ashtu që të detyrohen të martohen në kompensim pasurie ose në uljen e mehrit të saj. Në transmetimin e Tirmidhiut dhe të tjerëve, në haxhin lamtumirës Muhamedi a.s. ka thënë: Ju porosisë për mirësi për gratë tuaja sepse ata janë nën përkujdesjen tuaj, i keni marrë amanet prej Allahut dhe u është lejuar juve kontaktimi intim me ta me fjalën e Allahut, që do të thotë me aktin legjitim të kurorëzimit. Mirëpo, të bërit imoralitet, pra prostitucion, e heqë të drejtën e mehrit të gruas.
Ju besimtarë, posaçërisht ju të rinj, jetoni me gratë tuaja dhe bashkëveproni me mirësi, me atë çka ju bashkon natyrshmëria e shëndoshë, të cilën nuk e urren as ligji, as logjika dhe as tradita, as mos hezitoni të shpenzoni për ta dhe as mos e teproni.
Fjala “muashere” ka kuptimin e shoqërimit dhe barazimit, ku secili jeton përballë bashkëshortit, flet me të, e do atë, e lumturon, e gëzon dhe i ndihmon në rast vështirësie. Allahu i Madhërishëm thotë: “Dhe nga faktet (e madhërisë së) e Tij është që për të mirën tuaj, Ai krijoi nga vetë lloji juaj palën (gratë), ashtu që të gjeni prehje te ato dhe në mes jush krijoi dashuri dhe mëshirë. Në këtë ka argumente për njerëzit që mendojnë.” (Err-Rrumë: 21)
Nëse për shkak të ndonjë të mete trupore, ose hijeshie, ose përmbushje të detyrave, ose të ndonjë sëmundjeje, ose të ndonjë shkaku tjetër i urreni, prapëseprapë në to e keni të mirën tuaj. Sidiju ka thënë: “E mira te gruaja është: fëmija prej saj. Durimi ndaj grave është kërkuar ligjërisht sepse është plotësim prej Allahut sepse kjo grua mund të lind fëmijë, mund të ketë specifika tjera të cilat i kompensojnë cilësitë e munguara.” Në këtë kontekst e kemi edhe transmetimin e regjistruar nga Muslimi nga Ebu Hurejre se pejgamberi a.s. ka thënë: “Besimtari të mos e urrejë besimtaren sepse nëse e ka një sjellje të keqe, e gëzon sjellja tjetër e mirë.”
O ju bashkëshortë, nëse dëshironi të shkurorëzoheni, çështje e cila është më e urryera tek Allahu edhe pse e lejuar dhe në mesin tuaj ka mosmarrëveshje dhe konflikt dhe jetë të vështirë, nuk u lejohet të merrni asgjë nga mehri i gruas, qoftë ajo shumë sa një thesar. E, si mund ta merrni me përgënjeshtrim, përderisa marrja e mehrit nga ta, qartazi është mëkat i madh. Si mund ta merrni mehrin e dhënë pas zyrtarizimit të rëndësishëm, e cila është besëlidhje e fortë dhe pasi që keni shpalosur sekretet dypalëshe dhe keni kontaktuar intimisht. Kjo, ligjërisht është e papranueshme dhe një veprim i tillë nuk i përket besimtarit.
Umeri r.a. ka ligjëruar dhe ka thënë: Mos e rritni vlerën e mehrit të grave tuaja sepse ndonjë burrë e rritë vlerën aq sa në zemrën e tij ka armiqësi, andaj edhe thotë: “Kam përjetuar vështirësi për ty.”, pasi i thotë Umeri këto fjalë, ngrihet një grua nga mesi i turmës dhe thotë: Po si është e mundur kjo kur Allahu i Madhërishëm thotë: “Dhe ndonjërës prej tyre u keni dhënë thesar”. Umeri e pranon mendimin e saj, pastaj thotë: “Të gjithë janë më të ditur se Umeri. Gruaja e foli të drejtën, ndërsa burri gaboi. Allahut i kërkojmë mbështetje.”