Dr. Musli Vërbani
–
HUTBE
–
Të folurit është begati prej begative të Zotit.
Të folurit është mirësi prej mirësive të Zotit.
Fjala duhet të jetë:
– Për kryerjen e amanetit,
– Për përcjelljen e lajmit,
– Për sinqeritet në ide,
– Për angazhim në punë të mira dhe
– Për qëllime të drejta.
Besimtarë të nderuar!
Me fjalë i shprehim ndjenjat.
Me fjalë i sqarojmë dëshirat.
Me fjalë i tregojmë mendimet.
Me fjalë i shkëmbejmë njohuritë.
Me fjalë i mësojmë shkencat.
Me fjalë e mësojmë njëri-tjetrin.
Nga fjala rezultojnë të mira të shumta, të cilat nuk mund të numërohen. Për këtë arsye Zoti i Madhëruar thotë: “A nuk i dhamë Ne atij (njeriut) dy sy? Edhe gjuhë e dy buzë?” (Beled, 8-9)
Për rëndësinë e saj, Zoti i Madhëruar tregon se si Musa a.s. e ka lutur Zotin si në vijim: “Më zgjidh nyjen e gjuhës sime! Që ta kuptojnë fjalën time!” (Taha, 27-28)
Po ashtu, në ajetin tjetër tregon për oratorinë e Harunit, ku Musa a.s. ka thënë: “E vëllai im, Haruni, është më orator se unë, andaj dërgoje atë me mua ndihmë që të vërtetojë fjalët e mia”. (Kasas, 34)
Besimtarë të nderuar!
Të folurit nuk është vetëm lëvizje e gjuhës dhe buzëve. Kjo sepse për lëvizjen e gjuhës dhe të buzëve jepet përgjegjësi. Pra, nuk ka veprim pa pasur përgjegjësi! Kjo do të thotë se japim përgjegjësi për atë për çka i lëvizim buzët dhe gjuhën, ashtu sikurse japim përgjegjësi për veprimet tjera me pjesët tjera të trupit. Zoti ka treguar se njeriu për çdo gjë që flet jep përgjegjësi para Zotit: “Nuk ka fjalë që njeriu e flet e të mos jetë pranë tij përcjellësi i gatshëm”. (Kaf, 18)
Për besimtarët ka thënë: “…dhe ata të cilët u shmangen fjalëve të kota (veprimeve të papërgjegjshme)”. (Mu’minunë, 3)
Ashtu siç duhet pasur kujdes nga fjala, ashtu duhet pasur kujdes edhe nga dëgjimi i fjalëve. Zoti i Madhëruar thotë: “Dhe kur e dëgjojnë ndonjë fjalë të papërgjegjshme, i kthejnë shpinën dhe thonë: ‘Ne kemi veprat tona e ju tuajat’”. (Kasas, 55)
Ashtu siç nuk lejohen fjalët e papërgjegjshme, ashtu siç nuk lejohet të dëgjohen fjalët e papërgjegjshme, nuk lejohet të shpërndahen fjalët e papërgjegjshme.
Fjalët të cilat Islami nuk i lejon të shpërndahen janë:
– Fjalët e përgojimit,
– Fjalët shpifëse dhe
– Fjalët gënjeshtare.
Zoti i Madhëruar thotë: “O ju që keni besuar, nëse ndonjë i pandërgjegjshëm u sjell ndonjë lajm, ju shqyrtojeni mirë, ashtu që të mos e goditni ndonjë person (individ apo komunitet) pa e ditur të vërtetën, e pastaj të pendoheni për atë që keni bërë”. (El Huxhurat, 6)
Po ashtu ndalohet fjala e cila ka për qëllim përhapjen e kriminalitetit dhe imoralitetit. Zoti i Madhëruar thotë: “Ata, të cilët dëshirojnë që te besimtarët të përhapet imoraliteti, ata i pret dënim i dhembshëm në këtë botë dhe në botën tjetër”. (En-Nur, 19)
Shpërndarja e informatave, të shprehurit e mendimit duhet të jenë sipas rregullave të dobisë së përgjithshme dhe sipas bazave të etikës dhe të moralit.
Besimtarë të nderuar!
Fjala ka përgjegjësi të madhe.
Sa e sa fjalë kanë gëzuar e sa e sa fjalë tjera kanë pikëlluar!
Andaj, fol për të gëzuar e jo për të pikëlluar.
Sa e sa fjalë kanë ndarë e sa e sa fjalë tjera kanë bashkuar!
Andaj, fol për të bashkuar e jo për të ndarë.
Sa e sa fjalë kanë ndërtuar e sa e sa fjalë tjera kanë shkatërruar!
Andaj, fol për të ndërtuar e jo për të shkatërruar.
Sa e sa fjalë kanë bërë me qeshë e sa e sa fjalë tjera kanë bërë me qarë!
Andaj, fol për të bërë me qeshë e jo për të bërë me qarë.
Sa e sa fjalë kanë lënduar e sa e sa fjalë tjera kanë shëruar!
Fol për të shëruar e jo për të lënduar.
Zoti i Madhëruar thotë: “O ju besimtarë, përmbajuni mësimeve të Allahut dhe thuani fjalë të drejta”. (Ahzab, 70)
Po ashtu Zoti i Madhëruar thotë: “…dhe njerëzve thuani fjalë të mira”. (Bekare, 83)
Parashtrohet pyetja: Çka është fjala e mirë?
(Përgjigjja)
Fjala e mirë është ajo që është në harmoni me logjikën, me natyrshmërinë dhe ajo që është e mirë për jetën dhe për shoqërinë.
Fjala e dobishme konsiderohet çdo fjalë e cila i bën dobi fesë dhe jetës. Muhamedi a.s. thotë:
“Kush beson Allahun dhe në Ditën e Gjykimit, ose le të flasë fjalë të dobishme, ose le të heshtë.”
Po ashtu, kur është pyetur Pejgamberi a.s.: “Cili është muslimani i mirë?”, Muhamedi a.s. ka thënë: “Musliman i mirë është ai, nga gjuha e të cilit janë të siguruar muslimanët.”
Besimtari duhet të flasë fjalë të drejta dhe të vërteta. Zoti i Madhëruar thotë: “E Allahu thotë atë që është realitet (fjalë të vërteta) dhe Ai udhëzon në rrugë të drejtë”. (El-Ahzab, 4)
Mbi të vërtetën janë ndërtuar dhe qëndrojnë qiejt dhe toka.
Mbi të vërtetën rregullohen çështjet e kësaj bote dhe të botës tjetër.
Mbi të vërtetën qëndron lumturia, siguria dhe qetësia njerëzore.
Përfundim
Edhe fjala e mirë, edhe fjala e keqe burojnë nga një vend, nga një mjet: ajo është gjuha.
Fjala primare për të cilën duhet folur është fjala për Zotin e Lartëmadhëruar dhe për emrat dhe cilësitë të cilat i takojnë vetëm Zotit, si dhe të gjitha përshëndetjet dhe të gjitha lavdërimet për Zotin e Madhëruar.
Zoti i Madhëruar, në Kur’an, thotë: “Dhe fjala e Allahut është më e larta”. (Et-Tevbe, 40)
“Fjala e Allahut” është feja e Tij, shpallja e Tij. Nëse fjala e njeriut kalon mbi fjalën e Allahut, fillojnë shtrembërimet, ngatërresat dhe shkatërrimet.
Besimtari duhet të jetë i devotshëm në fjalë dhe në vepra.
Devotshmëria në fjalë dhe vepra është preventivë për mosshkatërrim.
Devotshmëria është angazhim për punë të dobishme dhe të mira.
Zoti i Madhëruar thotë: “Dhe për ata zgjodhi besimin e drejtë (të devotshmërisë me fjalën La ilahe il-lallah), pse ata ishin më meritorë për të dhe më të zotët e saj”. (El-Fet’h, 26)
Fjalët duhet të jenë në dobi të muslimanëve dhe ardhmërisë së tyre.
Besimtari duhet të flasë fjalë të mira dhe të bukura. Fjala e bukur është ajo që sjell të mira dhe dobi dhe ndikon te njerëzit për të qenë të mirë dhe i nxit ata që të bëjnë punë të dobishme.
Zoti i Madhëruar thotë: “A nuk e ke kuptuar se si Allahu bëri shembull fjalën e mirë (të bukur) si pema e mirë, që rrënjët e saj janë thellë në tokë e degët e saj janë lart. E që me vullnetin e Zotit, ajo e jep frytin e vet në çdo kohë. Allahu, pra, u parashtron njerëzve shembuj ashtu që ata të mendojnë.” (Ibrahim, 24-25)
Zoti ynë!
Na forco në fenë tonë, e cila është mbrojtje dhe siguri e çështjes sonë;
Na e rregullo këtë botë në të cilën është jeta jonë;
Na përgatit për jetën tonë në botën në të cilën është kthimi ynë;
Na e bëj jetën ambient të përshtatshëm për çdo punë të mirë dhe
Na e bëj vdekjen qetësi, pushim dhe shpëtim nga çdo e keqe.