Winding dirt path through hills with sunset and mountains in background

Koha dhe ligjet e pranimit të pendimit

Dr. Vehbetu Zuhejli

“Tefsiri i Kur’anit fisnik (niveli mesatar)”

Vëllim i 2

Përktheu: Dr. Musli Vërbani

Në jetë njeriu ballafaqohet si me elemente të dëmit ashtu edhe të dobisë. Ndonjëherë njeriut i paraqiten momente të dobësisë së tij. Në këtë ndikojnë epshet e tij, e ndonjëherë i përgjigjet cytjeve të shejtanit dhe bën mëkate dhe kundërvajtje, pastaj pendohet dhe shikon kthimin mbrapa dhe hulumton për rrugën e shpëtimit dhe të pastrimit nga e kaluara, nga shkaku se ndien dhimbje shpirtërore dhe e mundon ndërgjegjja. Allahu e ka hapur derën për të gjithë mëkatarët dhe gabimtarët, e ajo derë është pendimi i sinqertë në mes njeriut dhe Zotit të tij, pa ndërmjetësimin e askujt, as të dijetarit, as të të afërmit dhe as nxënësit.

Pendimi përbëhet prej katër kushteve:

– Shkëputja nga mëkati;

– Vendosmëria për të mos mëkatuar në të ardhmen, ashtu që të mos ketë përsëritje të vazhdueshme sepse atëherë nuk ka të drejtë pendimi;

– Pendimi për veprimin e veprave të së kaluarës dhe;

– Kthimi i të drejtës së borxhit pronarit të saj dhe kërkimfalja nga të tjerët nëse ka gabuar ndaj tyre në të drejtat morale.

Pendim quhet: keqardhja për mosdëgjimin e Allahut.

Ligjet e pendimit janë tekstualizuar në dy ajete të Kur’anit. Allahu i Madhërishëm ka thënë:

Ajetet 17 dhe 18:

Pendim i pranueshëm te Allahu është vetëm ai i atyre që e bëjnë të keqen me mosdije dhe shpejt pendohen; të tillëve Allahu jua pranon pendimin, se Allahu është më i dijshmi, më i urti. (17) Nuk është pendim (i pranueshëm) i atyre që vazhdimisht bëjnë punë të këqija dhe vetëm atëherë kur t’i vjen vdekja ndonjërit prej tyre, të thotë: “Unë tash u pendova!” e as i atyre që vdesin duke qenë jobesimtarë. Ndaj tyre kemi përgatitur dënim të ashpër. (18)

Tevbeja është farz për të gjithë besimtarët. Kjo në bazë të institucionit të ixhmait duke u bazuar në thënien e Allahut të Madhërishëm:

“Pendohuni të gjithë te Allahu, o besimtarë, në mënyrë që të gjeni shpëtim.” (En-Nurë: 31)

Ashtu që besimtari gabimtar ta kuptojë të keqen të cilën e ka vepruar më parë, të pendohet me pendim të drejtë dhe të jetë i vendosur që të mos kthehet asnjëherë në mëkat.

Allahu i ka caktuar detyrë vetes së Tij që të pranojë pendimin dhe kërkim faljen si mëshirë dhe sqarim dhe realizim të premtimeve të Tij. Allahu fisnik që nga fillimi ka thënë:

“Zoti juaj ia ngjeshi vetes mëshirën. Kush bën prej jush ndonjë të keqe pa dije, e mandej pas asaj (të keqe) pendohet dhe përmirësohet, s’ka dyshim se Allahu është që falë shumë dhe është Mëshirues” (El-En’am: 54)

Allahu ia ka dhënë të drejtën vetes së Tij që ta pranojë pendimin e krijesave të Tij, nga shkaku se ndonjëherë shejtani e mashtron dhe e vendos njeriun në kurth dhe ai mëkaton. Po të mos ishte dera e pendimit, njerëzit do t’i humbnin shpresat dhe do t’u ngushtohej jeta e tyre dhe do të vazhdonin në mëkate.

Katade ka thënë: Sehabet e pejgamberit a.s. janë unifikuar në atë se ka të bëjë për çdo mëkat, me vetëdije apo pa vetëdije, me qëllim apo pa e ditur se është mëkat.

Momenti më i përshtatshëm i pendimit është që njeriu sa më shpejtë të pendohet nga mëkati, pra në çastin sa më të afërt, që do të thotë menjëherë pasi të mëkatojë ta përshpejtojë pendimin që të mos humb kohë dhe ta mbulojnë mëkatet dhe të këqijat. Afati i derës së hapur i pendimit është deri në momentin para vdekjes, para shtratit të vdekjes. I tërë afati i jetës është “afat i afërt”, siç transmeton Ahmedi dhe Tirmidhiu nga Beshir bin Keabi dhe Hasani se pejgamberi a.s. ka thënë: “Allahu e pranon tevben e pendimit të robit të Tij deri sa mos t’i arrij shpirti në fyt ose të mos e humbë vetëdijen”. Kjo, nga shkaku se shpresa humbet e fundit dhe çështja tjetër është se, pendimi duhet pasur një distancë kohore, në mënyrë që të shihet mospërsëritja e dhe kjo nuk vërtetohet deri sa të mos del në skenë roli i zgjedhjes së lirë dhe dëshira njerëzore e njeriut.

Kur njeriu e humb logjikën, pendimi është i pamundur, për shkak se nuk plotësohet kushti i pendimit dhe nuk shihet insistimi për t’u larguar nga mëkati.

Allahu e di se cili është penduar dhe është lehtësuar nga ai pendim.

Allahu është i Urtë për të pranuar pendimin e atij i cili e zbaton çështjen e pendimit dhe për vonimin e çështjes së pendimit të atij i cili e vonon çështjen e pendimit dhe i cili vdes dhe shkatërrohet.

Sa i përket pendimit të pavlefshëm, ai pendim nuk pranohet, sikurse është rasti i atyre të cilët bëjnë mëkate vazhdimisht dhe janë konsistent në zhytjen dhe devijimin e tyre në mëkate, deri sa u paraqitet vdekja apo çasti i vdekjes dhe pendohen, atëherë kur nuk mund të bëjnë mëkate dhe i frikësohen ndëshkimit. Kjo është ngjashëm me pendimin e Firaunit kur i paraqitet momenti i vdekjes dhe e kupton fundosjen e tij (në det) dhe uji e përmbyt, ndërsa ai e sheh se nuk ka shpresë jete. Atij nuk i është pranuar shprehja e besimit (imanit) të tij.

Allahu nuk e pranon pendimin derisa ata janë pabesimtarë.

Allahu nuk e pranon pendimin e atij i cili e vonon pendimin deri në çastin e vdekjes, nga shkaku se në ato momente ka marrë fund veprimtaria e jetës së tij.

Veprat pranohen kur individi ka mundësi të pranojë obligimin dhe e ka të drejtën e zgjedhjes së veprimit apo mosveprimit të atij obligimi.

Ata të cilët shpresojnë në pendimin dhe e vonojnë deri në ndonjë kohë të përshtatshme, Allahu ua përshtatë atyre dënimin e dhimbshëm dhe poshtërues në Botën tjetër, nga shkaku se ata kanë vazhduar në gabimet e tyre dhe shejtani i ka larguar deri në vdekje.

Lini një koment