Hutbe e xhumasë në prag të bajramit të kurbanit
–
Dr. Musli Vërbani
–
Hyrje
Nëse përcjellim gjendjen e muslimanëve përgjatë historisë dhe e analizojmë me gjendjen e muslimanëve të sodit, shohim se ka dallim të madh.
Muslimanët në të kaluarën kanë qenë triumfues.
Muslimanët në të kaluarën e kanë përhapur Islamin në lindje e perëndim, edhe pse kanë qenë të paktë në numër.
Muslimanët në të kaluarën e kanë përhapur të drejtën islame.
Muslimanët në të kaluarën i kanë përhapur edhe vlerat morale.
Nëse e shikojmë gjendjen e muslimanëve të sodit, e shohim se gjendja aktuale u shkon për shtati jomuslimanëve, u përshtatet të tjerëve.
Pse?
Nga shkaku se jemi larguar nga programi Kur’anor dhe nga e drejta të cilën e ka sqaruar Kur’ani.
“Janë pajtuar të qëndrojnë në prapavijë.” (Tevbe, 87)
Po, jemi pajtuar të qëndrojmë në prapavijë me të dobëtit, edhe pse Zoti i do të fortët, të cilët qëndrojnë të fortë para sfidave.
Jemi pajtuar të jemi me të dobëtit, edhe pse Zoti i do ata të cilët qëndrojnë stoikë para rreziqeve.
Jemi pajtuar të jemi me të dobëtit, edhe pse Zoti i do ata të cilët qëndrojnë stoikë para vështirësive.
A nuk e ka shpëtuar Zoti pejgamberin derisa ishte në shpellën Thevr?
A nuk e ka shpëtuar Ibrahimin nga zjarri!?
A nuk e ka shpëtuar Nuhun nga vërshimi!?
A nuk e ka shpëtuar Jusufin nga bunari!?
A nuk e ka shpëtuar Ejubin nga sëmundja!?
A nuk i ka ndihmuar Talutit që të fitonte ndaj Xhalutit!?
A nuk u ka ndihmuar muslimanëve që të fitonin në Bedr!?
Po, përçarja na ka dobësuar!
Konfliktet dhe konfrontimet na kanë dobësuar!
Kundërshtimet na kanë ligështuar!
Pse nuk mbahemi në Librin e Zotit?
Pse nuk e zbatojmë fjalën e Zotit, ku Zoti i Madhërishëm thotë: “Mos u përçani mes vete e të dobësoheni e ta humbni fuqinë. Të jeni të durueshëm, se All-llahu është me të durueshmit.” (Enfal, 46)
Besimtarë të nderuar!
Të parët tanë kanë bërë garë se cili prej tyre bën më shumë vepra të mira. Për këtë arsye, Islami ka ecur përpara dhe është ngritur në nivele të larta të civilizimit.
Sot ka ndryshuar gjendja e muslimanëve për të keq.
Sot ka ndryshuar gjendja e muslimanëve nga krenaria në nënçmim.
Sot ka ndryshuar gjendja e muslimanëve nga suksesi në dështim.
Zoti Famëlartë thotë: “Mos u dobësoni dhe mos u dëshpëroni, derisa ju jeni më të lartit, po qe se jeni besimtarë të sinqertë.” (Ali Imran, 139)
Po ashtu, Zoti Famëlartë thotë:
“O besimtarë, nëse ju e ndihmoni (fenë e) All-llahut, Ai ju ndihmon juve dhe ua forcon këmbët tuaja.” (Muhamed, 7)
Zoti i Madhërishëm na ka mësuar lutjen, të cilën e kanë zbatuar të parët tanë dhe duhet ta themi edhe ne:
“Fjala e tyre nuk ishte tjetër pos vetëm: ‘Zoti ynë, na i fal mëkatet tona dhe lëshimet në punët tona, na forco në vendet tona dhe na ndihmo kundër popullit jobesimtar!’” (Ali Imran, 147)
Besimtarë të nderuar!
A nuk është feja islame e përshtatshme për çdo vend!?
A nuk është feja islame e përshtatshme për çdo kohë!?
Jemi në prag të festës së Bajramit të Kurbanit.
Jemi në prag të therjes së Kurbanit.
Therja e Kurbanit simbolizon sakrificën.
Ibrahimi a.s. është pejgamber, por është edhe dekan i fakultetit të sakrificave.
Ibrahimi a.s. na ka mësuar mësimin e etikës së njeriut, se si duhet dhe çka duhet sakrifikuar për rrugën e Zotit.
Ibrahimi a.s. ka rrezikuar ta sakrifikojë birin e tij, Ismailin, e cila sakrificë është e pakrahasueshme në historinë e njerëzimit përballë sakrificave tjera.
Ku jemi ne, muslimanët e sodit?
Ne e bëjmë të kundërtën; ne sakrifikohemi në aspektin negativ.
Ne sakrifikohemi për pasuri, por sa ka të cilët sakrifikojnë për të drejtën?
Ne sakrifikohemi për famë, por sa ka të cilët sakrifikojnë për rrugën e Zotit?
Ne sakrifikohemi për pozitë, por sa ka të cilët sakrifikojnë për Allahun?
Ne sakrifikohemi për fëmijë, por sa ka të cilët sakrifikojnë për Islamin?
Ne sakrifikohemi për grua, por sa ka të cilët sakrifikojnë për ta mbrojtur të drejtën?
Ne sakrifikohemi për karrierë, por sa ka të cilët sakrifikojnë për fenë islame?
Besimtarë të nderuar!
Sakrifica është baza e krenarisë së umetit. Për këtë arsye, të parët tanë kanë sakrifikuar gjithçka për Allahun.
Kanë përballuar uri, etje dhe të ftohtin për shërbim të fesë sonë.
Kanë përballuar maltretime për shërbim të fesë sonë.
Kanë lënë pasuri për ta fituar kënaqësinë e Allahut.
Kanë lënë familje për ta fituar kënaqësinë e Allahut.
Po e sjellim një shembull të sahabiut Musab bin Umejr, se si ka sakrifikuar dhe çka ka sakrifikuar.
Musab ibn Umejri ishte më i riu, më i bukuri dhe më i pasuri derisa ishte idhujtar!
Por, kur e ka pranuar Islamin, zemra e tij ka ndryshuar.
Është kënaqur me Allahun Zot, me fenë islame si fe dhe me Muhamedin a.s. si pejgamber dhe të dërguar.
Nëna e tij, e cila ishte idhujtare, i ka thënë: “Largohu nga feja islame, se përndryshe do ta ndërpres jetën e mirë dhe luksoze. Do ta ndal pasurinë dhe nuk do të marrësh asgjë.”
Musabi nuk ka pranuar. E ka sakrifikuar rininë, pasurinë dhe jetën luksoze për fenë islame, deri në atë masë sa që, kur është vrarë, nuk ka pasur as mbështjellës për t’u mbuluar trupi i tij.
Rroba e tij e vetme për ta mbuluar trupin e tij ka qenë e pamjaftueshme, ashtu që:
• po qe se i mbuloheshin këmbët, i zbulohej koka;
• po qe se i mbulohej koka, i zbuloheshin këmbët.
Përfundim
E pamë se çka ka sakrifikuar Mus’ab bin Umejri.
Sot shohim dy vëllezër të cilët kanë fjetur nën një jorgan, kanë pirë qumësht nga një gji, kanë ngrënë nga një pjatë, ndërsa pasuria i ka ndarë dhe nuk flasin mes vete.
Sa e sa lidhje farefisnore janë shkëputur për shkak të pasurisë!
Sa e sa njerëz janë vrarë për shkak të pasurisë!
Sa e sa njerëz e kanë shitur nderin për shkak të pasurisë!
Sa e sa njerëz janë bërë servilë për shkak të karrierës dhe famës!
Mirëpo, Musabi, pasi që e kishte sakrifikuar jetën e mirë për fenë islame, pasi që e kishte sakrifikuar pasurinë për fenë islame, i kishte ardhur koha dhe e kishte sakrifikuar edhe jetën për fenë islame.
Pranë trupit të tij të njomë ka shkuar pejgamberi a.s., është ndalur pranë tij dhe është lutur për të.
Pastaj, pejgamberi a.s. e ka lexuar ajetin:
“Prej besimtarëve kishte burra që vërtetuan besën e dhënë All-llahut; disa prej tyre e realizuan premtimin duke dhënë jetën, dhe ka prej tyre që janë duke pritur (ta zbatojnë), dhe ashtu nuk bënë kurrfarë ndryshimi.” (Ahzab, 23)
Zoti ynë!
• Na e mundëso ta perceptojmë të vërtetën dhe të veprojmë me të!
• Na e mundëso ta kuptojmë të pavërtetën dhe të largohemi prej saj!
Zoti ynë!
• Na forco në fenë tonë, e cila është mbrojtje dhe siguri e çështjes sonë;
• Na e rregullo këtë botë, në të cilën është jeta jonë;
• Na përgatit për jetën tonë në botën në të cilën është kthimi ynë;
• Na e bëj jetën ambient të përshtatshëm për çdo punë të mirë; dhe
• Na e bëj vdekjen qetësi, pushim dhe shpëtim nga çdo e keqe.