Dr. Vehbetu Zuhejli
“Tefsiri i Kur’anit fisnik (niveli mesatar)”
Vëllim i 2
Përktheu: Dr. Musli Vërbani
–
Islami, ashtu siç është fe e pastërtisë dhe butësisë, është edhe fe e drejtësisë dhe barazisë.
Kjo fe, siç dëshiron pastrinë e shoqërisë dhe pastërtinë e burrit dhe gruas nga imoraliteti dhe ndalon krijimin e lidhjeve jashtëligjore, po ashtu dëshiron që të vendoset drejtësia dhe barazia në raportet shoqërore.
Kjo fe i kundërvihet padrejtësisë dhe e ndalon krimin, nga shkaku se kriminaliteti ka shkatërruar popuj dhe civilizime, përderisa në drejtësi qëndron stabiliteti dhe qetësia. Me drejtësi janë ndërtuar dhe qëndrojnë qiejt dhe toka, ndërsa me butësi dhe pastërti dhe duke u larguar nga imoraliteti bashkohet shoqëria, afrohen ndjenjat dhe shoqëria ndihmon njëri-tjetrin në bazë të parimeve të qarta dhe kësisoj shoqëria nuk degjenerohet dhe nuk shkatërrohet.
Prej çështjeve më të rëndësishme në Islam janë:
– Sigurimi i së drejtës së jetimit dhe
– Drejtësia dhe barazia në raport me gratë.
Sa i përket të parës, të drejtës së jetimit, Allahu i Madhërishëm ka urdhëruar:
Ajeti 2:
Bonjakëve (jetimëve) kur të rriten jepini pasurinë e tyre, dhe mos e ndërroni të pastrin (mallin tuaj që e keni hallall) me të ndytin (me haramin) edhe mos e hani pasurinë e tyre (të përzier) me pasurinë tuaj, pse ky është mëkat i madh. (2)
O ju kujdestarë dhe përgjegjës të jetimëve, kthejani pasurinë jetimëve dhe jepuani të drejtën që u takon kur të arrijnë moshën e pjekurisë (jetim konsiderohet fëmija në moshë para pubertetit të cilit i vdes babai). Mos e merrni pasurinë produktive të jetimëve dhe ta zëvendësoni me pasurinë joproduktive tuajën. Pasurinë e tyre mos ia bashkëngjitni pasurisë suaj. Ky veprim konsiderohet mëkat i madh.
Shkaku i zbritjes së ajeteve
Ajeti në fjalë ka zbritur për shkak të një njeriu nga Gatafani, i cili nga djali i vëllait të tij jetim ka poseduar shumë pasuri. Kur jetimi është rritur, e ka kërkuar pasurinë e vet. Mirëpo axha ka refuzuar të ia jep. Kanë shkuar për shqyrtim te pejgamberi a.s., e atëherë ka zbritur ky ajet.
Sa i përket barazisë së të dytës, ligjësimi i poligamisë për shkak të domosdoshmërisë apo nevojës, në islam ka për qëllim realizimin e dy çështjeve:
Çështja e parë: Realizimin e dëshirave të disa njerëzve në mënyrë legjitime dhe të lejuar dhe pengimi i tyre nga rruga jolegjitime dhe e ndaluar. Në vend se të paraqitet dukuria e degjenerimit dhe prostitucionit islami ka paraparë alternativën e poligamisë.
Çështja e dytë: Sistemi i poligamisë është i ndërlidhur ngushtë me parimin e drejtësisë absolute në të vepruarit me gratë. Ligjërisht nuk lejohet poligamia nëse nuk ekziston parimi i drejtësisë dhe barazisë në mes grave. Nga kjo, ligji ka ndërlidhur lejimin e poligamisë dhe domosdoshmërinë e largimit të padrejtësisë, të cilën mund ta bëjnë kujdestarët apo përgjegjësit e vajzave jetime. Allahu i Madhërishëm ka thënë:
Ajetet 3 dhe 4:
Në qoftë se frikoheni se nuk do të jeni të drejtë ndaj bonjakeve, atëherë martohuni me ato gra që ju pëlqejnë; me dy, me tri e me katra. E nëse i frikoheni padrejtësisë (ndaj tyre), atëherë vetëm me një, ose (martohuni) me ato që i keni nën pushtetin tuaj (robëreshat). Ky (përkufizim) është më afër që të mos gaboni. (3) Grave jepuani dhuratën e kurorëzimit të tyre (nikahin) më të mirë, e në qoftë se ato nga vullneti i vet ju falin diçka nga ajo, atëherë hane atë hallall të mirë. (4)
Shkaku i zbritjes së ajeteve të poligamisë
Shkaku i zbritjes së ajeteve të poligamisë tregohet në transmetimin e hadithit autentik nga Urvete bin Zubejri i cili e ka pyetur tezen e tij Aishen, nënën e besimtarëve r.a., për këtë ajet dhe ajo ka thënë: “O djalë i motrës sime, kjo jetime qëndron në rrethin familjar të kujdestarit të saj, me pasurinë e saj, kujdestari e pëlqen bukurinë e saj dhe e dëshiron pasurinë e saj dhe dëshiron të martohet pa i dhënë të drejtën që i takon asaj (mehrin e saj). Nuk i jep dhuratë asaj, siç u jep tjerave (prej mehrit). Atëherë janë ndaluar nga ky veprim dhe janë urdhëruar që të martohen me gratë e lejuara, me nga dy, me nga tri ose me nga katër.”
Koncepti i ajetit
O ju kujdestarë (apo përgjegjës), nëse i frikësoheni padrejtësisë ose nuk mund ta menaxhoni drejtë pasurinë e jetimit, atëherë frikësojuni keqpërdorimit dhe frikësojuni mëkatimit më të madh dhe padrejtësisë së martesës me shumë gra.
Arabët në kohën e injorancës martoheshin me më shumë se dhjetë gra, ose më pak, e në këtë është e sigurt padrejtësia, përderisa alternativa e pengimit të kësaj padrejtësie është përkufizimi i martesës në rast nevoje ose domosdoshmërie në maksimumin katër gra dhe pa e tepruar, me kusht që të plotësohen kushtet materiale në raport me to dhe me kusht që të ketë mundësi t’i furnizojë. Duke pasur parasysh se drejtësia në mes grave është çështje e vështirë dhe e rrallë, atëherë sheriati ka urdhëruar që përkufizimi të jetë monogamia. Ky është parim i përgjithshëm i lejimit, siç thotë Allahu i Madhërishëm: “Nëse frikësoheni se nuk do të jeni të drejtë, atëherë (martohuni) me një.” (En-Nisa)
Ndërsa në ajetin tjetër:
“Ju kurrsesi nuk do të mund ta mbani drejtësinë mes grave edhe nëse përpiqeni, pra mos anoni plotësisht nga ndonjëra e të lini tjetrën si të varur. E nëse përmirësoheni dhe ruheni (padrejtësisë) se Allahu ju fal dhe ju mëshiron.” (En-Nisa: 129)
Kush bën padrejtësi në fushën e kurorëzimeve, siç veprojnë shumë njerëz, duke kërkuar që të zbritet shuma e mehrit në tërësi ose pjesërisht që të jetë në harmoni me (rastin) shkurorëzimin e saj. Allahu i Madhërishëm ka urdhëruar që grave t’u jepet mehri i plotë, pa marrë asgjë prej atij mehri, qoftë i menjëhershëm apo i afatizuar.
Nëse ndodhë që të pakësohet një pjesë e mehrit nga bashkëshortja apo nga kujdestari i saj me vetdëshirën e tyre apo me vetpërzgjedhjen e tyre, pa iu bë presion moral apo material, atëherë lejohet një gjë e tillë.
Në Islam është e lejuar poligamia, mirëpo çdo e lejuar nuk do të thotë se është e parapëlqyer. Nuk parapëlqehet poligamia, përpos në rast nevoje apo domosdoshmërie, siç janë rastet pas luftërave ku vriten meshkujt dhe mbetet numër i madh i grave të veja, atëherë poligamia e luan rolin e humanitetit dhe shpëtimit.
Poligamia mund të jetë edhe për shkak të gruas e cila nuk mund të lind (shterpë) ose për shkak të ndjenjave të burrit ose me qëllime që ka të bëjë me shtrirjen e thirrjes në islam, ashtu siç ka ndodhur me poligaminë e pejgamberit a.s.